Intervista

Alban Ramosaj: Në “Live” më vlerësojnë ritmin e brendshëm

14:51 - 18.07.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Egla Xhemali – Ai është një nga këngëtarët më të dashur dhe më simpatik në Shqipëri. Bëhet fjalë për Alban Ramosajn, i cili këtë herë vjen në një rrëfim ndryshe për suplementin “Summer Pages” të “Gazeta Shqiptare”. Kjo verë e ka gjetur këngëtarin të impenjuar me muzikën, si dhe me modelingun që i rrëmben një pjesë të mirë të kohës. Albani na pohon se është siguri e madhe shpirtërore kur ndan me motrën të njëjtin pasion, pasi në këtë mënyrë mbështesin njëri-tjetrin. Për të performancat live janë të shenjta, pasi nëpërmjet tyre tregon veten dhe se vlerësohet për ritmin e brendshëm. Nëse nuk do të ishte këngëtar ai do zgjidhte të bëhej aktor, regjisor, fotograf, si dhe prezantues, megjithëse është mjaft entuziast për profesionin dhe pasionet që ka. I pyetur se me cilin artist me famë botërore do të bënte duet, Ramosaj zgjedh Sian. Së fundmi, Albani na zbulon projektet e tij në muzikë. Për të gjithë fansat do ketë surpriza tepër të këndshme muajt në vijim.




Si ka nisur vera për Albanin?
Me shumë punë, momentalisht jam në punime të disa këngëve të reja dhe xhirimeve të tyre.

Ku po i kaloni pushimet?
Në pamundësi kohore nuk i kam filluar akoma, plane kam me shoqërinë që të vizitojmë disa vende të ndryshme nga gushti.

Cili është aktiviteti që e rrëmben më së shumti kohën tuaj?
Kohëve të fundit modelingu, përveç kësaj të fundit dhe sesionet në studio ku jam shumicën e kohës duke shkruajtur për vete dhe për artistë të tjerë.

Si fillon një ditë e zakonshme për Albanin?
Nuk kam një ditë të zakonshme, më ndryshojnë dita ditës, po zakonisht me telefonin të bombarduar nga mesazhet. (qesh)

Çfarë ndjesie është që ndani të njëjtin pasion për muzikën me motrën tuaj?
Siguri shpirtërore në një sens, të dish thellë brenda teje që në çdo rast mund të mbështetemi tek njëri- tjetri.

Jeni një nga këngëtarët më të dashur për publikun shqiptar. Çfarë e bën të veçantë Albanin?

Faleminderit si fillim, besoj që të qenit vetja jote të bën të veçantë, s’ka dy si ty.

Si do i përkufizonit performancat live?
Sa herë që shkel në skenë për të performuar e rikuptoj që është arsyeja dhe qëllimi im në jetë për të qenë një argëtues. Me hapet mundësia që të jem 110% vetja ime dhe të vlerësohem për ritmin e brendshëm që kam.

Për çdo këngëtarë të gjitha këngët e tij janë të shenjta. Cilën nga këngët tuaja do veçonit më tepër?
Secila këngë është e veçantë në mënyrën e vet për mua, varet nga gjendja emocionale. Nëse i dëgjoni këngët e mia mund të kuptoni që kam zhanre dhe gjendje emocionale të ndryshme ndaj dhe s’mund t’i krahasoj, por momentalisht mund të them që “Ike” është kënga, të cilën e luaj pak më shpesh.

Për sa kohë mund të rri Albani pa muzikë?
Jam në çdo moment i shoqëruar nga muzika, duke e dëgjuar, duke kënduar ose duke e shkruar.

Nëse do u jepej mundësia, me cilin këngëtarë me famë botërore do kishit bërë një duet?
SIA.
Ndryshe nga këngëtarët e tjerë ju keni një stil të veçantë në të veshur. A lidhet kjo me karakterin tuaj?
Sigurisht, veshja është një përzgjatje e personalitetit dhe karakterit të një individi.

Cilat janë projektet tuaja për këtë verë?
Jam paksa në dilemë nga fakti që kam shkruajtur më shumë se ç’duhet dhe jam në përzgjedhje të projekteve, është gjë e mirë, por dhe problematike.

Nëse nuk do ishit këngëtar, çfarë profesioni tjetër do kishit zgjedhur?

Aktor, regjisor, fotograf, prezantues mbase? Nuk e di, jam shumë i lumtur me profesionin dhe pasionet që kam.

Çdo artist i suksesshëm është në njëfarë mënyre shembull për publikun. Cila do të ishte këshilla juaj për të rinjtë?
Ndiqni ëndrrat, jini vetvetja dhe jetoni një jetë ku në momentet e fundit të saj të keni një buzëqeshje në fytyrë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.