KULTURË

Arkitekti holandez: E njoh Edin nga Parisi, Shqipëria është për të qeshur

13:40 - 18.07.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Një kullë me imazhin e Skënderbeut? Një kullë me hartën e Shqipërisë? Një piramidë me lule? Një bllok pallatesh si “pas tërmetit”? Një gjë me historinë? Një gjë me babain e kombit? Kullat e ardhshme përreth qendrës dhe projektet e kahershme deri edhe për ish-ambasadën sovjetike, të rrëfyera nga një arkitekt i huaj përmes bisedave me kryeministrin e Shqipërisë.




“Në ora 7 n’Teatër do jepet një material filmik se si Edi Rama i VI-të, porosit kullat si pica me karçof, dhe arkitekti i oborrit i tregon historitë me kulla si barcaleta me çunat e lagjes. Në fakt, këto tregohen si barcaleta, po janë histori reale, histori 20-vjeçare e shkatërrimit të qytetin tonë, nga ca muhabete që ka bërë dikur Perandori me shërbëtorët e tij”. Ishte ky njoftimi i së hënës, për programin e protestës së darkës, në ditën e saj të 35-të kundër shembjes së dy teatrove kombëtarë. Sheshi ishte si çdo ditë me rreth 150 protestues- disa që ka qenë të 35-a ditë e të tjerë që vijnë, ikin, rikthehen. Është muzg kur nis transmetimi i leksionit të Winy Maas, dielli ka perënduar ndërsa Aleanca dhe qytetarët kanë folur për vendosmëri e qëndrim në mbrojtjen e godinave të teatrove dhe truallit- kanë folur për ngujim, kanë recituar Ali Asllanin, kanë folur për korrupsion, kanë pritur qytetarë që firmosin peticionin, kanë sqaruar kalimtarë që pyesin, kanë tjerrë edhe njëherë anën ligjore bashkë me Çlirim Gjatën, kanë risqaruar pozicionet për takimin e famshëm me Erion Veliajn dhe kanë ‘bërë be’ se do të jenë aty, deri ditën e fundit.

Është muzg pra, kur nga sheshi, me një figurë të zbehtë e me një të folur të qartë sqarohet se ajo që do të shihet, është një rrëfim i mikut të kryeministrit, që tregon bisedat mes tyre ndër vite, biseda që shërbyen si fillesa për shndërrimin e Tiranës në atë që është sot.

Teksa jepte këtë sqarim, Ervin Goci i shoqërisë civile, lajmëronte për një material ku një arkitekt e urbanist në zë, Winy Mass, në një leksion dhënë studentëve të tij mbi arkitekturën flet edhe për Shqipërinë “vendin që është për të qeshur” e ironinë e BE-së, ku Britania del e Shqipëria hyn. Materiali, që gjendet edhe në Youtube, flet për kulla të reja afër qendrës së Tiranës, për kulla me hartën e Shqipërisë, për një ndërtesë forma e së cilës jep imazhin e Skënderbeut, për një resort turistik me investitor rus.

“Dokumentari që u shfaq në sheshin e Teatrit: Rama, porositësi i kullave. Winy Maas, një nga arkitektët e preferuar të Edi Ramës, ka mbajtur një leksion në një universitet në Londër përpara disa javësh(maj 2018). Aty ai shprehet lirshëm se si është Edi Rama, kryetar bashkie dhe kryeministër, që porosit kullat dhe ndërtimet në qytet. Nuk i kryejnë ndërtuesit apo pronarët e truallit, po vetë Rama që më pas i shpërndan si favore te klientët e tij. Konkurset janë të gjitha false. Së fundmi, vetë Rama ka porositur një kullë në formën e kokës së Skënderbeut pranë Hotel Tiranës”, shënonte dje Aleanca në një videon e Maas që po bëhet virale.
Por çfarë thotë ai konkretisht? Ndiqeni më poshtë.

DEKLARATAT e ARKITEKTIT PARA STUDENTËVE
E mbyll prezantimin me Shqipërinë. Pse? Sepse Shqipëria është për të qeshur. Para disa vitesh mund të vija vërdallë vetëm me makina policie. E njoh Edin nga Parisi kur ai ishte ende një piktor. Ai u bë fillimisht ministër Kulture, pastaj kryetar bashkie dhe tani është kryeministër. Ai bëri disa gjëra të bukura në mes të kaosit dhe e bëri vendin më të bukur. Rregulloi rrëmujën në disa vende. Rregulloi sistemin e ujit dhe bëri disa sheshe. Ishte Barcelona e aplikuar diku tjetër. Një vend ku pihet kafe dhe asgjë tjetër. Shumica e njerëzve aty jetojnë në ShBA. Si mund ta kthejmë paranë nga SHBA? Është një histori suksese me rritje 8%(gënjen-shën.i Aleancës) një mini-Kinë. Po në një mënyrë demokratike (gënjen).
Atëherë më lejoni t’ju tregoj disa nga projektet. Projektet për të kthyer zona të prapambetur anë zona normale.

Në Tiranë kishin një kullë dhe Edi më tha: a mund ta pikturosh këtë kullë?

Unë i thashë, ju keni flamurin më seksi në botë. Mund të provojmë diçka me të.
Pastaj ai më tha, a mund ta bëjmë qendër tregtare. Ky është vendi, një trekëndësh. Pati një konkurs (Mbasi Edi i kishte thënë të projektonte qendrën- shën.i Aleancës). Pastaj na thanë që ishte projekt shumë i shtrenjtë.
Pastaj ndryshuan projektin dhe na thanë që këtë mund ta bënin. Pastaj, pas shumë vitesh qetësi projekti filloi me një firmë tjetër, Atelier 4. Çfarë po ndodh. Ata e morën përsipër dhe u ndërtua në këtë mënyrë.

Ok, mbaroi po më pas?
Këtu, ishte një park shumë i bukur. Për ta pastruar liqenin kishin nevojë për densifikim (pra kishin nevojë për ndërtime për ta pastruar?- shën.i Aleancës)
Dhe unë ju thashë, të ndërtojmë një lagje, por jo të mërzitshme si lagjet sovjetike. Por çfarë mund të bënim? Qiraja është e ulët, nuk të lejon ndërtime të veçanta. Unë fillova të mendoja si mund ta bënim më të veçantë. Lëviza disa kulla, rrëzova ca të tjera. Ai nuk ishte i bindur. Kjo duket si pas një tërmeti më tha kryetari i bashkisë. Dhe kjo që shihni ju, ishte Rocks of Tirana.

Po më pas?
Kemi një problem me monumentet më tha. A mund të bësh diçka?
Ky është një monument italuan që po shkatërrohej. Ne i propozuam një projekt që ruante godinën dhe ndërtonte poshtë saj. (Ky projekt nuk u zbatua kurrë. Rama akoma po përpiqet ta shkatërrojë ish-ambasadën jugosllave).

Pastaj më tha, a mund të bëjmë diçka me krenarinë e Shqipërisë?
Ne e quajmë Albi dhe ndodhet në këtë vendin këtu. Kjo është toka, përballë një nga xhamive më të mëdha të Europës.
Kjo është kulla jonë e kemi kthyer me fytyrë nga monumenti i Skënderbeut.
E premë dhe i nxorëm ballkonet.
– Çfarë është kjo, na pyeti.
– Harta e Shqipërisë, ju përgjigjëm.
Patëm një diskutim me politikanë evropianë. A është ky nacionalizëm? Shqipërisë i duhet për të treguar se është seksi.
Ky është një projekt evropian për mënyrën si është ndërtuar. Dhe në fund u pranua.

Por ishte shtrenjtë, shumë shtrenjtë. Çfarë mund të bënim?
Vendosëm të bënim Albi 2.0, shumë më të thjeshtë.
Në vend që ta prisnim të tërë, krijuam konturet e hartës. Dhe mund të krijojmë shtëpira të tilla.
Kjo është Shqipëria, duke pirë kafe nëpër ballkone.
Por rritja vazhdon, qyteti zhvillohet. Edi më tha një ditë, dua të bëj diçka me historinë.
Çfarë mund të bënim? Kjo është zona pranë sheshit Skënderbej.

Çfarë mund ti shtonim këtij sheshi?
Ka një seri kullash që po ndërtohen dhe që do ndërtohen përreth Sheshit.
Kishte një përpjekje për të krijuar diçka me Skënderbeun, babain e kombit.
Dhe papritur fillon e krijohet një fytyrë njeriu.
Më pas i erdhi radha piramidës, simbolit të komunizmit.
Mund ta hapim e ta ndryshojmë këtë godinë. Ta bëjmë një piramidë të jetuar.
Kjo është Tirana, por Shqipëria është më e madhe se kaq. Doja ta përdorja këtë mundësi për të bërë diçka me bregun.
Këtu investitori ynë nga Rusia donte diçka të tillë (Aleanca shton: Bëhej fjalë për Green Coast, e cila nuk njihet si investim rus publikisht)

Ne propozuam diçka që “ngre” natyrën dhe investitori rus na pyeti, ku është resorti im?
Ky ishte qëllimi, diçka në paqe me natyrën. Është diçka si në një film të James Bond. Dhe rusi e pranoi, rusi pranoi një fshat si të James Bond.
Ky është resorti i radhës, sipër një kanioni. Ky është një projekt që duket sikur thotë “Jam Shqipëria, jam këtu”.
Ky është plani dhe ne kemi filluar të punojmë për të.
Kjo është ironia e BE-së. Britania po del, Shqipëria po hyn.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.