EKONOMI

FMN në Tiranë, Gent Sejko “raporton” për ekonominë

11:25 - 18.07.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ornela Manjani  – Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, zhvilloi një takim me përfaqësues të Fondit Monetar Ndërkombëtar të kryesuar nga Jan Kees Martijn, shefi i ri misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Shqipërinë, në ambientet e Bankës së Shqipërisë. Ky takim u zhvillua në kuadër të shkëmbimit të vazhdueshëm të opinioneve dhe dialogut ndërinstitucional.




Takimi
Takimi nisi me një ekspoze të guvernatorit Sejko mbi zhvillimet kryesore ekonomike, me fokus të veçantë në sektorin financiar dhe atë bankar në Shqipëri. Guvernatori u shpreh se mjedisi makroekonomik është i qëndrueshëm dhe ofron kushte të përshtatshme për një rritje pozitive ekonomike.

Të dhënat zyrtare tregojnë se ekonomia shqiptare u rrit me 4.45% në tremujorin e parë të vitit, rritje kjo e bazuar kryesisht në rritjen e prodhimit dhe të eksportit të energjisë elektrike. Ai theksoi se sektorët potencialë që pritet të luajnë një rol të rëndësishëm në rritjen ekonomike të vendit në të ardhmen janë zhvillimi i turizmit dhe i bujqësisë. Duke u ndalur tek zhvillimet financiare në vend, guvernatori Sejko theksoi se sistemi bankar shqiptar karakterizohet nga norma të larta likuiditeti dhe është i mirëkapitalizuar. Guvernatori u kushtoi rëndësi të veçantë masave të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë për ruajtjen dhe garantimin e stabilitetit të çmimeve në vend.

Në këtë kontekst, ai njohu të pranishmit me vendimet e Bankës së Shqipërisë për inflacionin dhe kursin e këmbimit, ku theksoi se ndërhyrja e Bankës së Shqipërisë në tregun e brendshëm valutor ka dhënë efekte pozitive dhe është pritur pozitivisht nga agjentët e tregut. Ruajtja e nivelit të inflacionit në 3% mbetet objektivi kryesor i Bankës së Shqipërisë dhe në këtë drejtim guvernatori Sejko u shpreh se, sipas parashikimeve të Bankës së Shqipërisë, inflacioni pritet të kthehet në objektiv brenda vitit 2020. Banka e Shqipërisë po ndjek një politikë monetare lehtësuese, e cila është transmetuar pozitivisht në tregje financiare. Gjatë këtij takimi, guvernatori i njohu përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe me rezultatet pozitive në kuadër të uljes së kredive me probleme. Të dhënat më të fundit tregojnë për një rënie të kredive me probleme në nivelin 13.3%, në muajin maj.

Më tej ai i njohu edhe me projektin më të ri të Bankës së Shqipërisë në këtë drejtim, “Tirana Approach”, i cili synon t’u japë zgjidhje kredive me probleme për kredimarrësit e mëdhenj. Një tjetër çështje me rëndësi e diskutuar gjatë këtij takimi ishte edhe konsolidimi i sistemit bankar dhe hyrja e aktorëve të rinj në treg. Guvernatori Sejko u shpreh se këto ndryshime po kryhen sipas ligjeve dhe rregulloreve në fuqi.

Sistemi i pagesave
Modernizimi i sistemit të pagesave si dhe hyrja në fuqi e ligjit “Mbi rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka, në Republikën e Shqipërisë”, ishte një tjetër çështje e diskutuar në takim. Nga ana e tij, Martijn vlerësoi punën e bërë nga Banka e Shqipërisë dhe bashkëpunimin e frytshëm ndërmjet dy institucioneve. Ai gjithashtu theksoi se në sajë të politikave ekonomike dhe reformave strukturore të ndërmarra ndër vite, zhvillimet që vendi ka pësuar janë të dukshme. Në përfundim, guvernatori Sejko shprehu falënderimet e tij për mbështetjen e vazhdueshme teknike të dhënë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar për Bankën e Shqipërisë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.