AKTUALITET

Konflikt apo larje hesapesh? Vrasja e dyfishtë në Shkodër, autori priti çiftin 1 orë para pallatit

11:38 - 18.07.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Senad Nikshiqi – Ekzekutimi i ish-efektivit të policisë, Boran Bërcana dhe bashkëjetueses së tij, Silvana Ndoci ka alarmuar policinë dhe prokurorinë e Shkodrës, të cilat po punojnë intensivisht për zbardhjen e vrasjes së dyfishtë. Ngjarje kjo që ndodhi në orët e para të mëngjesit të së dielës, në lagjen “Naim Gjylbegu të qytetit verior. Dy ditë pas ekzekutimit mafioz, grupi hetimor ka zbardhur detaje tronditëse. Mësohet se skena makabre ndodhi në sy të djalit 2-vjeçar të viktimave, i cili ishte në sediljen e pasme të makinës tip “Benz” me targa me targë AA 006 HA, ndërsa fatmirësisht nuk mbeti i lënduar. Sipas hetuesve të çështjes, ish-polici Bërcana sapo ka parë atentatorin, ka tentuar të largohej, por plot 21 plumba e kanë bërë shoshë trupin e tij. Pas kryerjes së veprimeve hetimore paraprake, policia e Shkodrës ka ndërtuar skemën se si ka ndodhur ngjarja, e cila tronditi jo vetëm banorët e Shkodrës, por të gjithë opinionin publik.




SKEMA E VRASJES
Sipas burimeve policore, ka qenë një person që ka kryer vrasjen e dyfishtë dhe se ai ka pritur mbi 1 orë deri sa ka mbërritur çifti me makinë (në ora 01:13). Mësohet se ish-polici ka ndaluar mjetin tip “Benz” pak metra para hyrjes së pallatit ku banonte me bashkëjetuesen e tij 25-vjeçare, Silvana Ndoci. Sapo ka ndaluar makina e çiftit, autori është afruar me hapa krejt normalë dhe ka filluar të qëllojë me breshëri në drejtim të tyre.

Ndërkaq, 30-vjeçari Borana Bërcana i ka dhënë gaz makinës dhe ka tentuar që të largohet. Autori ka ndjekur mjetin dhe në ecje e sipër ka vijuar të qëllojë duke qenë se shpejtësia nuk ishte e madhe. Makina tip “Benz” është përplasur te tuneli i pallatit. Atentatori ka futur dorën brenda xhamit dhe ka qëlluar në drejtim të Boran Bercanes dhe Silvana Ndocit duke i lënë të vdekur brenda në makinë. Burimet e mësipërme pohuan për “Gazeta Shqiptare” se ekzekutori ka shkrepur 27 plumba mbi dy viktimat, ku 21 prej tyre janë gjetur në trupin e ish-policit, ndërsa 6 i kishte bashkëjetuesja e tij.

Komshinjtë të pyetur nga policia kanë deklaruar se nuk kanë dëgjuar as përplasjen e mjetit dhe as të qarat e djalit të vogël. Efektivët dyshojnë se fqinjët e viktimave kanë pasur frikë të njoftonin. Për mbi 5 orë trupat e pajetë dhe fëmija kanë qëndruar brenda mjetit që ishte i ndezur, derisa dikush ka njoftuar policinë dhe ambulancën, të cilat mbërritën në vendngjarje në orën 6:40.

ATENTATORI
Pasi është siguruar se i ka vrarë të dy, autori është larguar nga vendi i ngjarjes. Ai ka hipur në mjetin tip “Benz C Class” dhe është larguar deri në fund të “Rrugës së Gjanë”, siç njihet në Shkodër. Pas atij kryqëzimi, policia nuk i di më saktësisht lëvizjet e vrasësit për shkak se nuk ka pasur kamera sigurie. Megjithatë, dyshohet se ai ka shkuar drejt lagjes “Kiras”. Nga aty tek pjesa e Zooteknikës që lidh Kirasin me ‘By Pass’-in e Shkodrës.

Pasi ka dalë në ‘By Pass’, autori ka ecur për rreth 1 km dhe më pas është ndalur. Ka lënë brenda armën automatike “MP5” dhe i ka vënë flakën makinës, duke e djegur për të humbur çdo gjurmë. Mjeti sipas burimeve rezulton i vjedhur në muajin shkurt të këtij viti në Kosovë, ndërsa targat janë vjedhur në Tiranë. Po ashtu, dyshohet se ka edhe disa pjesë të tjera të vjedhura, të cilat janë montuar për ta përdorur më pas në krimin e rëndë. Policia vijon hetimet, por ende nuk ka ndonjë autor të dyshuar. Mendohet se vrasja e Boris Bërcanës dhe Silvana Ndocit është kryer nga vrasës profesionistë. Pistat kryesore të hetimit vijojnë të mbeten vrasje për shkak të ndonjë konflikti të mundshëm ose larje hesapesh.

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.