OPINION

Samit pa frymën e Helsinkit

07:30 - 18.07.18 Jorgji Kote
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Samiti Trump – Putin u zhvillua në Helsinki, si metropoli tradicional i ngjarjeve të tilla madhore e ndoshta dhe për qetësinë e freskinë e tij, sidomos këtë verë kur Evropën e ka mbytur zhegu i paparë i meskorrikut.




Gjithçka në prag të këtij samiti ishte e nxehtë, përvëluese. Këtë klimë dhe atmosferë jo vetëm nuk e «ftohën» dot por e ndezën dhe më tepër deklaratat e tij qortuese ndaj aleatëve në Samitin e NATO-s në Bruksel sidomos me «2 apo 4 për qindëshin» e famshëm, denoncimin ndaj Gjermanisë së Merkel si «rob» i Rusisë, vendosja e tarifave mbi importet evropiane të çeliqeve, aluminit, aludimet mbi BE-në «si armik» në fusha të caktuara si tregtia, etj. Ndërsa në Londër Trump nuk u soll politikisht si Zotëri me dy deklarime kundërthënëse ndaj Theresa May, Kryeministres së Britanisë, kësaj aleateje tradicionale.  Dhe së fundi, Trump i paketoi këto « dhurata » për Putinin me pohimin se takimi me të ishte më i lehti krahasuar me takimet dhe forumet e tjera!.

Tensioni politik ruso-amerikan u rrit ndjeshëm kur Ministria amerikane e Drejtësisë njoftoi në prag të Samitit ngritjen e padisë ndaj 13 agjentëve sekretë rusë për ndërhyrje në fushatën zgjedhore presidenciale amerikane të vitit 2016.

Jo më pak të nxehta ishin axhenda dhe temat e samitit plot sfida madhore për të dyja vendet dhe bashkësinë ndërkombëtare. Vërtet që krahas të tjerash zotërojnë 92 për qind të arsenalit bërthamor botëror, por ndryshe nga tri dekada më parë, tani roli dhe fuqia e SHBA dhe Rusisë po ballafaqohet me demarshet e vendeve/grupimeve të tjera të mëdha, në kërkim të krijimit të një bote multipolare në planin politik, ekonomik dhe atë ushtarak.

Rusia, duke përfituar nga krisjet dhe të çarat mes aleatëve Perëndimorë ka shtuar pretendimet dhe presionin për t’u bërë fuqi e madhe botërore, ashtu sikurse dhe Kina dhe Japonia. Në «lëmshin» politik arab, dihet se Rusia përkrah Iranin, kurse SHBA anon nga Arabia Saudite; ajo prishi në mënyrë të njëanshme Marrëveshjen gjashtëpalëshe të Atomit; ndërsa Rusia bëri një lëvizje të fuqishëm politiko-ushtarak me ndërhyrjen e saj në mbështetje të presidentit sirian Assad duke forcuar ndjeshëm pozitat e saj atje.

E megjithatë, nuk mjafton thjesht dhe vetëm freskia dhe reputacioni i Helsinkit si kryeqytet për trajtimin dhe ca më pak zgjidhjen e këtyre problemeve që është pak t’i quash «patate të nxehta». Në radhë të parë, sidomos nga pala amerikane pritej me shumë interes pasqyrimi i « frymës së Helsinkit». Nuk dihet nëse ia kanë thënë këshilltarët Trumpit se më 1 gusht 1975, në «Palais Finlandia», pranë vendit ku Trump takoi Putinin, paraardhësit e tyre, Ford dhe Brezhniev së bashku me 33 liderë të tjerë nga Lindja dhe Perëndimi nënshkruan Aktin Final të Helsinkit « bibla politike e demokracisë së sotme liberale; me tre « shporta » – demokracia, krijimi i besimit/siguria dhe të drejtat e njeriut të zbërthyera në 10 parime ose « Dekalogun e Helsinkit » Këto të fundit shërbyen si pikë madhore referimi për shembjen e komunizmit dhe fitoren e demokracisë në Evropën Qendrore dhe Lindore. Madje, OSBE-ja, produkt i Helsinkit është dhe për vetë Rusinë, pas OKB-së, organizata më e preferuar ndërkombëtare. Mirëpo «fryma» e Aktit Final të Helsinkit nuk u ndje në këtë Samit dhe kjo jo rastësisht; por, sepse Rusia ka vite që shpërfill hapur disa nga elementët e Dekalogut të Helsinkit; më konkretisht, demokracinë liberale, të drejtat e njeriut, mosndryshimin me forcë të kufijve, etj. Gjithashtu, aneksimi i Krimesë, pushtimi i Ukrainës Lindore, dhunimi i të drejtave të opozitës dhe shoqërisë civile, ndërhyrjet në punët e brendshme të vendeve të tjera dhe vetë SHBA-në, janë disa prej shembujve më «ulëritës» të këtij fakti.

Natyrisht nuk mund t’i kërkohej Presidentit Trump që të tregohej jo i sjellshëm, as të tregohej mistrec e të shkaktonte grindje të kota apo të refuzonte vullnetin pozitiv për bashkëpunim dhe afrim me Rusinë, për vetë rolin e saj të madh ndërkombëtar dhe mundësitë e shumta që ofron në të gjitha planet e pa kurrfarë paragjykimi. Por, si zakonisht në të tilla raste, siç kanë vepruar dhe paraardhës të tij në kohëra më të vështira, fare mirë Trump mund të kishte shprehur solemnisht përpara shtypit mbështetjen amerikane ndaj vlerave dhe parimeve universale, lirinë dhe demokracinë, bashkëpunimin me komunitetin ndërkombëtar, OKB-në, OSBE-në, etj. Edhe pohimi i tij që “më mirë të sakrifikojmë politikën për paqen se anasjelltas” nuk mjafton i pashoqëruar me komponentë të tjerë të Helsinkit.

Gjithashtu, ai mund fare mirë të shprehte hapur mospajtimin me Krimenë, Ukrainën dhe rastet e tjera, si bazë për një të ardhme më të mirë. Po ashtu, prej tij pritej një referim shumë më simetrik ndërmjet Rusisë dhe aleatëve strategjikë perëndimorë.

Trump bëri thirrje të mos merremi me të kaluarën, por të shohim përpara; por, pa sqaruar cilën të kaluar të lemë pas dhe për cilën të ardhme bëhet fjalë në kuptimin politik dhe demokratik.

Mundet që Presidenti Trump ka dashur t’i japë një paradhënie politike «konkurrentit të tij të mirë» Putin, me qëllim që t’i marrë më shumë nesër, siç ka vepruar me sukses në negociata dhe ujdi tregtare. Këtë do të tregojë koha, por faktet e lartpërmendura nuk të bëjnë shumë optimist në këtë drejtim, sidomos përballë një Putini me aq përvojë lidershipi. Gjithsesi nuk ka dhe shumë arsye për nxitim e panik, sikur do të bëhet kiameti, sepse ndryshe nga Rusia, SHBA shquhet për tradita shekullore në fushën e demokracisë duke patur të gjitha komponentët e nevojshëm e mbi të gjitha «check and balance»

Padyshim që mungesat, dështimet, vendimet, polemikat dhe grindjet që kanë manifestuar BE dhe SHBA-ja gjatë kësaj periudhe i kanë dhënë shumë «municion» politik dhe luftarak Rusisë në demarshet e saj të vazhdueshme politike, diplomatike dhe ushtarake, përfshirë dhe Ballkanin Perëndimor. Ndryshe nga SHBA që po anon nga forca ose «hard power» Rusia pa hequr dorë nga modernizimi ushtarak, po intensifikon dhe «pushtetin e butë» brenda dhe jashtë vendit sidomos me art, kulturë, muzikë dhe sport. Botërori i Futbollit 2018 me atmosferën e krijuar ishte shembulli më i freskët planetar i këtij suksesi. Ndaj Putin i dhuroi bashkëbiseduesit një top futbolli sikur t’i thoshte se «tani topi është në fushën tënde»

Ndërkohë, SHBA, perëndimi në përgjithësi dhe Rusia kanë dhe shumë interesa dhe nevoja të përbashkëta që i afrojnë në luftën kundër terrorizmit, kufizimit dhe çarmatimit bërthamor, shtyrjes së Marrëveshjes mbi Çarmatimin Bërthamor «New Start», pasojave nga ndryshimet klimatike, luftën ndaj krimit dhe korrupsionit, bashkëpunimi shumëpalësh, etj.

Ndaj, ky takim nuk mund të krahasohet kurrsesi me samitet e Luftës së Ftohtë ose të fillimit të viteve 90. Tani bëhet fjalë për dy vende demokratike me gjithë diferencat ndërmjet tyre dhe problemet me të cilat ndeshet Rusia në kuadrin e «demokracisë së menazhuar» Por, dhe demokracia perëndimore, me gjithë shkëlqimin dhe traditat e saj të njohura po tregon shenja dobësie dhe lëkundjeje që po shfrytëzohen nga forcat populiste dhe ekstremiste.

Me siguri që në këtë Samit me aq sa e lejonte vendi është diskutuar dhe mbi gjendjen/alternativat në rajonin e Ballkanit Perëndimor, për të cilin krahas SHBA-së po investohet ndjeshëm edhe Rusia. Këtu padyshim ka vendin e vet edhe çështja e Kosovës. Krahas BE-së në pozita gjithsesi më të dobësuara për shkaqe të njohura, po shtohen zërat për përfshirjen atje krahas SHBA-ve dhe të Rusisë. Gjithsesi, kjo e fundit ka një pengesë të madhe besueshmërie në këtë drejtim për shkak të aneksimit të Krimesë dhe Ukrainës Lindore dhe krahasimit të tyre me Kosovën; kur në fakt Kosova mbetet rast krejtësisht i veçantë dhe nuk mund të shërbejë si precedent, siç pretendon diplomacia ruse.

Megjithatë, këto aspekte pritet të jenë objekt i bisedimeve më konkrete e të mëvonshme sipas çështjeve përkatëse, sepse ky Samit ishte sikurse pohuan Trump dhe Putin vetëm fillimi i një procesi të ri cilësor.

Së fundi, mbizotëron mendimi se « fituesi » i këtij Samiti është Putini; sepse takimi me Trump e shkëputi atë zyrtarisht nga izolimi ndërkombëtar, i forcoi imazhin publik dhe mbi të gjitha ndihmon për ta vendosur Rusinë gati-gati në pozita të barabarta me SHBA-në. Mirëpo kjo përbën një «as»të fortë për Putinin në demarshet e tij të ardhshme diplomatike me pjesën tjetër të botës. Në fakt, ai u «hodh menjëherë në sulm» duke fajësuar Perëndimin te “Fox News” për ngjarjet në Ukrainë, Krime dhe për konfliktin në ish- Jugosllavi, etj. Ndërkohë, u mjaftua duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunim ushtarak për Sirinë, por me Assadin dhe për Iranin, dhe ftoi ekspertët amerikanë të bashkëpunojnë me ata rusë lidhur me pretendimet për ndërhyrjet në zgjedhjet amerikane; aq sa Trump e cilësoi atë si «ofertë pabesueshmërisht të mirë» duke sfiduar dhe zhgënjyer shërbimet e specializuara amerikane.

Por dhe për Presidentin Trump, edhe pse pas kthimit në Washington po ballafaqohet me një «valë tjetër të nxehtë» kritikash dhe denoncimesh dhe nga kampi i vet politik, ky Samit ishte një show mediatik, sidomos për zgjedhësit e tij, votën e të cilëve ai e kërkon në zgjedhjet për kongresin në nëntor dhe pak më vonë për një mandat të dytë presidencial.

Edhe pse nuk dihet ende më shumë mbi përmbajtjen dhe rezultatet konkrete të bisedimeve ndërmjet tyre, parë nga ky këndvështrim dhe si takimi i parë dypalësh i presidentit rus dhe amerikan nga viti 2010, sidomos pas ardhjes së Presidentit Trump me logon «Amerika e para» që ka tronditur rendin botëror shumëpalësh të krijuar nga SHBA mbi shtatë dekada më parë, ky Samit ishte pozitiv, historik dhe i mirëpritur nga të gjithë.

Vetëkuptohet se aleatët tradicionalë të SHBA-ve, sidomos BE-ja, NATO e të tjera po i ndjekin me interes e jo pa shqetësim këto zhvillime intriguese. Ata po konfirmojnë vullnetin dhe vendosmërinë për të vijuar bashkëpunimin tradicional me SHBA-të, si miq dhe aleatë të pazëvendësueshëm.

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.