KULTURË

Filmi “Tracce”/ Roland Sejko: Kur shembja kërcënon teatrin

16:00 - 19.07.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Këto ditë kur projektet për ta rishkruar – edhe një herë – qendrën e Tiranës janë kthyer në vëmendjen e qytetarëve dhe të politikës, merr aktualitet të veçantë edhe një film i Roland Sejkos (“Traçe”) për historikun e ndërtimeve italiane në kryeqytet, i konceptuar si kombinim sa funksional, aq edhe elegant i një numri videosh dhe fotosh krejt ekskluzive nga “Istituto Luce” dhe AQSHF. Ardian Vehbiu e nis me këtë shënim në “Peizazhe të fjalës” ripublikimin e “Traçe-s”.
“Autori pati mirësinë t’ua japë lexuesve dhe vizitorëve të kësaj faqeje, mundësinë për ta parë filmin, që përndryshe është shfaqur vetëm një herë, në Teatrin Kombëtar, gjatë eventeve kushtuar Arkitekturës Italiane në Shqipëri, në 2014.




Do të shohim pra, të tendosur midis statikes së fotografisë dhe dinamikes së imazhit-video, shndërrimet e përsëritura të Tiranës, në përpjekje për t’iu përshtatur kohëve dhe rolit të saj të ripërkufizuar si kryeqytet më parë i një shteti të ri në Europë, e më pas i një province të re të një perandorie me ambicie megalomane; për t’i mbetur pastaj në dorë regjimit totalitar të Hoxhës”, shton Vehbiu. Për të, shkatërrime dhe ndërtime, që sjellin së bashku kohë të ndryshme, në kërkim të një thelbi jashtëkohor, të cilin t’ia bashkëlidhim vetë emrit Tiranë dhe kuptimit që i japim. Vehbiu vëren se përjetimi i këtij filmi, që kalon nga notat nostalgjike në atmosferën enigmatike të një qyteti që pritej të ishte dhe që pastaj (tani?) nuk është më, le të shërbejë edhe për të reflektuar, sado pak, edhe për la condition urbaine, në kushtet kur Tiranën e kanë kapluar ethet e politikës, të pushtetit dhe të pasurimit; qoftë edhe vetëm për të pyetur se ç’imazhe do t’i lërë së ardhmes e sotmja kaq e trazuar e qytetit.

Vetë Roland Sejko shënon se “shembja që kërcënon ndërtesën e Teatrit Kombëtar në Tiranë më bën të nxjerr nga pluhuri edhe këtë dokumentar të shkurtër mbi ndërtimet italiane në Shqipëri, i cili përpiqet të rrëfejë ndërtimin e më tej shpërfytyrimin apo shkatërrimin deri edhe me dinamit gjatë komunizmit, njësoj siç pritet të hidhet nesër në erë ndërtesa e teatrit”. Sejko kujton se është edhe një ironi e kohëve “dokumentari është shfaqur për herë të parë në Tiranë pikërisht në sallën e Teatrit Kombëtar, i kthyer, të paktën për atë ditë, në origjinën e vet si kinoteatër”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.