AKTUALITET

Ndërtimet para vitit 1991, procedura e re për të marrë tapinë

12:30 - 19.07.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ornela Manjani  – Personat që kanë ndërtuar para vitit 1991 dhe që nuk kanë dokument pronësie si për ndërtesën, ashtu edhe për truallin do të pajisen me tapi. Këshilli i Ministrave miratoi dje vendimin që i hap rrugë nisjes së procedurave, të cilat do të ndiqen nga AULIZNI për pajisjen me dokument pronësie të këtyre pronave. Sipas vendimit, mësohet se ndërtimet e ngritura deri më 10.8.1991 dhe trojet funksionale të tyre, për të cilat nuk ka akte të fitimit të pronësisë do të pajisen me tapi. Vetëm nëse për truallin ka dokumentacion pronësie, procedurat e kalimit të pronësisë kryhen vetëm për ndërtesën. Vendimi përcakton se do të konsiderohen objekt i trajtimit të këtij vendimi ato ndërtime:




a) të cilave u mungon akti i fitimit të pronësisë;

b) të cilat, nga pikëpamja ndërtimore janë të përfunduara, me mure dhe me mbulesë; c) të cilat nuk janë ndërtime pa leje, sipas përcaktimit të shkronjës “a”, të nenit 3, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar. Ndërsa truall funksional konsiderohet sipërfaqja e tokës nën ndërtesë, së bashku me oborrin përreth saj, që posedohet efektivisht nga subjekti kërkues. ALUIZNI është institucioni i autorizuar për kryerjen e procedurave administrative, sipas këtij vendimi.

Kalimi i pronësisë së ndërtimit dhe truallit funksional për sipërfaqet deri në 300 metra katrorë kryhet pa pagesë, nëpërmjet dokumentit, modeli i të cilit i bashkëlidhet këtij vendimi.

Procedurat dhe afatet
Procedurat e kalimit të pronësisë, sipas këtij vendimi fillojnë:

a) me kërkesë të subjektit/subjekteve, sipas modelit të kërkesës të miratuar me këtë vendim, pavarësisht nëse zona kadastrale i është nënshtruar ose jo regjistrimit fillestar sistematik;

b) gjatë procesit të regjistrimit fillestar apo përmirësimit/përditësimit të zonës kadastrale. Në këtë rast, me kërkesë të regjistruesit apo të çdo subjekti të ngarkuar nga kryeregjistruesi, njoftohet ALUIZNI për verifikimin e kushteve dhe vendimmarrjen, sipas këtij vendimi; c) me kërkesë të institucionit shtetëror, në rastet e shpronësimit për shkak të zbatimit të projekteve publike, pavarësisht nëse zona kadastrale i është nënshtruar ose jo regjistrimit fillestar sistematik. Në vendim përcaktohet se ALUIZNI evidenton në terren ndërtimin dhe truallin funksional, duke verifikuar paraprakisht bazën e të dhënave të ndërtimeve pa leje, nëse për të është paraqitur aplikim për legalizim. Gjatë evidentimit në terren verifikohet edhe posedimi efektiv i ndërtimit nga subjekti përfitues. Ndërkohë të dhënat e kërkesës dhe të evidentimit në terren bëhen publike për 30 ditë, në ambientet e njësisë administrative ku gjendet pasuria, në ambientet e ALUIZNI-t, ZVRPP-së si dhe në faqet përkatëse ueb. Si rregull, nëse për ndërtimin është aplikuar për legalizim si ndërtim pa leje, ai përjashtohet nga fusha e zbatimit të këtij vendimi dhe trajtohet sipas ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar. Përjashtim bën rasti kur nga korrespondenca e ALUIZNI-t me organet kompetente (të vetëqeverisjes vendore dhe Arkivin Qendror Teknik të Ndërtimit -AQTN) apo nga dokumentacioni i paraqitur nga kërkuesi arrihet të provohet se ndërtesa është ndërtuar përpara datës 10.8.1991.

Ndërtimet e paregjistruara
Për ndërtimet e paregjistruara ose të regjistruara pa titull pronësie, për të cilat nuk është paraqitur aplikim për legalizim, ALUIZNI verifikon nëse ndërtimi është i pranishëm në produktin e fotografimit ajror të Republikës së Shqipërisë të vitit 1994. Nëse ndërtimi ndodhet në territor të papërfshirë në këtë fotografim, ALUIZNI verifikon me radhë produktet e fotografimeve ajrore të viteve 1999, 2001 dhe në fund, atë të vitit 2007. Nëse ndërtimi është i pranishëm në të paktën njërin prej materialeve fotografike të mësipërme, ai prezumohet se është ndërtuar para datës 10.8.1991 dhe trajtohet sipas dispozitave të këtij vendimi. Krahas procedurave të mësipërme, brenda 20 ditëve nga konstatimi i gjendjes ndërtimore në terren, ALUIZNI u kërkon informacion për pasuritë truall dhe ndërtesë: a) ZVRPP-së, për të verifikuar nëse është regjistruar më parë ose jo titull pronësie; b) ATP-së, për të verifikuar nëse është marrë ose jo vendim për kthimin e pronës. Institucionet e sipërpërmendura detyrohen të vendosin në dispozicion informacionin e kërkuar brenda 10 ditëve.

Kërkesat e posaçme

1. Me kërkesë të posaçme, subjektit mund t’i kalohen në pronësi pjesët e sipërfaqes shtetërore mbi masën e përcaktuar në pikën 14, të këtij vendimi, deri në 500 metra katrorë. Përjashtimisht, nëse nga konfigurimi i truallit funksional rezulton se krijohen sipërfaqe të lira, që tejkalojnë masën e 500 metrave katrore dhe që nuk mund të shfrytëzohen më vete për ndërtime të reja, subjekti mund të përfitojë kalimin e pronësisë edhe për to.
2. Në çdo rast, për pjesët e sipërfaqes që kalohen në pronësi sipas pikës 18, të këtij vendimi, subjekti paguan çmimin sipas hartës së vlerës së pronës, të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave. Të ardhurat e arkëtuara sipas kësaj pike ndahen, si më poshtë vijon: a) 70 për qind në fondin e kompensimit të pronave, të parashikuar në ligjin nr.133/2015, “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”; b) 30 për qind për llogari të ALUIZNI-t, për përballimin e shpenzimeve të evidentimit në terren dhe të shpenzimeve të tjera të procedurës administrative.
3. Në rastin e pretendimeve të ngritura nga të tretët gjatë procedurës administrative për të drejta mbi ndërtimin, ALUIZNI pezullon procedurën e kalimit të pronësisë dhe udhëzon palët t’i drejtohen gjykatës kompetente për zgjidhjen e mosmarrëveshjes. Procedura vijon sipas përmbajtjes së vendimit gjyqësor të formës së prerë.
4. Nëse gjatë njoftimit publik dhe verifikimeve sipas pikës 11 të këtij vendimi rezulton se vetëm për truallin funksional zotërohet nga të tretët titull pronësie (i regjistruar ose jo) apo se është marrë vendim për kthimin e pronës, ALUIZNI zbaton procedurat e kompensimit të pronarit joposedues me vendim të Këshillit të Ministrave. Regjistrimi i ndërtesës kryhet pa marrëdhënie me truallin, deri në miratimin e vendimit të Këshillit të Ministrave për kompensimin e pronarëve joposedues.
5. Kur në objektin e ngritur përpara datës 10.8.1991 ose në truallin funksional gjenden zhvillime ndërtimore informale, ALUIZNI vepron në përputhje me pikën 1/2, të vendimit nr.280, datë 1.4.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve, të procedurave e dokumentacionit të zbatueshëm për të kualifikuar ndërtimet pa leje, shtesat anësore dhe/ose në lartësi, në ndërtime me leje”, të ndryshuar, dhe pikën 18, të vendimit nr.465, datë 22.6.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave dhe të rregullave për kalimin e së drejtës së pronësisë mbi parcelën ndërtimore të objekteve informale”, të ndryshuar.
6. Objekti i regjistruar në regjistrin hipotekor deri në momentin e hyrjes në fuqi të dekretit nr.4823, datë 2.3.1971, “Mbi të drejtën e pronësisë”, që nuk ka të cilësuar truallin, por vetëm kufijtë, do të trajtohet nga ZVRPP-ja si pasuri me sipërfaqe të papërcaktuar, sipas kërkesave të shkronjës “b”, të nenit 25, të ligjit nr.33/2012, “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme” dhe të vendimit nr.745, datë 24.10.2012, të Këshillit të Ministrave, “Për procedurat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, për të cilat zotërohen dokumente të ligjshme pronësie, por që nuk kanë të përcaktuar sipërfaqen”.

 

Përcaktimi i sipërfaqes

Në përcaktimin e sipërfaqes, ALUIZNI bazohet në kufijtë faktikë të sipërfaqes së poseduar, pa tejkaluar masën prej 300 metrash katrorë.
1.Për procedurën e ndjekur, subjekti përfitues paguan për llogari të ALUIZNI-t tarifën e shërbimit në vlerën 8 000 (tetë mijë) lekë për çdo kat ndërtimi, e cila përdoret për të përballuar shpenzimet e evidentimit në terren dhe shpenzimet e tjera të procedurës administrative. Kjo tarifë i njoftohet përfituesit menjëherë pas përfundimit të periudhës së afishimit, nëse përmbushen kushtet për të përfituar kalimin e pronësisë, sipas këtij vendimi.
2.Vendimi për kalimin e pronësisë miratohet në favor të subjektit kërkues dhe bashkëshortit/es së tij, duke respektuar dispozitat e Kodit të Familjes për regjimet pasurore martesore. Në rast se subjektet nuk paraqesin dokument që provon regjim pasuror martesor të veçantë apo marrëveshje të posaçme noteriale për të drejtat mbi ndërtesën, vendimi miratohet në favor të të dy bashkëshortëve, duke prezumuar regjimin e bashkësisë ligjore. Për zbatimin e kësaj pike, ALUIZNI administron certifikatën familjare të kërkuesit, sipas mënyrës së përcaktuar në vendimin nr.332, datë 17.3.2010, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e formës, të elementeve përbërëse, mënyrës së mbajtjes e afatit të përdorimit të dokumenteve bazë, që mbahen dhe lëshohen nga shërbimi i gjendjes civile”, të ndryshuar. Vendimi për kalimin e pronësisë miratohet brenda 20 ditëve nga administrimi i vërtetimit për pagesën e tarifës së shërbimit, por në çdo rast jo më herët se data e përfundimit të afatit të njoftimit publik.
3. ALUIZNI brenda 10 ditëve nga miratimi i kalimit të pronësisë përcjell vendimin, së bashku me genplanin, për regjistrim pranë ZVRPP-së, e cila është e detyruar të kryejë regjistrimin brenda 10 ditëve nga administrimi i dokumentacionit.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.