Nostalgji

Nostalgji/ Eneda Tarifa: 20 milionët e çmimit do t’i investoj në muzikë

16:00 - 19.07.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në lajmet tona të “show-bizz”-it, në rubrikën “nostalgji” mund të gjeni fotografi, lajme apo intervista të veçanta, të publikuara gjatë viteve në suplementin “Bluetooth” të “Gazetës Shqiptare”. Në GSH.al, sot po ju sjellim: Eneda Tarifa: 20 milionët e çmimit do t’i investoj në muzikë




Këngëtarja rrëfen emocionet e fitores
Vijon ende të jetë e mbytur nga emocionet dhe ndjesitë pozitive që i ka shkaktuar çmimi i parë…Flori i dhuroi një këngë të magjishme, fansat e pëlqyen, e votuan, juria e miratoi dhe ajo u shpall lumturisht fituese…Eneda Tarifa rrëmbeu vendin e parë në edicionin e shtatë të Festivalit të Muzikës Moderne “Top Fest”. Ajo sot vjen në “Bluetooth” për të rrëfyer gjithë përjetimet e këtij momenti. U takova me të në një nga restorantet më prestigjioze në kryeqytet…Aty ku mbizotëronte qetësia e ku lehtas dëgjohej muzika e bukur italiane në sfond. Gjithçka ishte e bardhë, tryeza, karriget, gjithë ambienti, madje dhe vetë Eneda kishte zgjedhur të vishte një fustan të bardhë atë ditë. Gjërat aty ishin në një simfoni të plotë me njëra-tjetrën dhe si për të mos mjaftuar kjo, shtohej edhe buzëqeshja e ëmbël e këngëtares simpatike. Fytyra e saj rrezatonte mirësi sa herë që kishte për të bërë falënderime. Por në këtë intervistë, Eneda nuk na rrëfeu vetëm kaq…Shumë këngë të reja për të nxjerrë në treg, shumë klipe për të publikuar, shumë fansa për të magjepsur, një koncert recital që mezi po e pret, një verë e tejmbushur me koncerte dhe provime; këto janë disa nga planet që këngëtarja Eneda Tarifa ka në plan t’i vërë shumë shpejt në jetë. Të rejat e tjera jua zbulon intervista…

Si ndjehesh tani Eneda?
Ndihem realisht shumë e lumtur. Jam ende e mbështjellë nga magjia dhe emocionet e finales…

Eneda, a ke pasur një parandjenjë se mund të ishe fituese?
Kam marrë shumë përgëzime nga njerëz të ndryshëm që përpara finales, shumë njerëz më thoshin që ti do ta fitosh, por unë deri në momentin e fundit nuk e kam besuar këtë, kisha frikë se nëse do të ecja me këtë mendim, edhe mund të zhgënjehesha.

Duhet thënë se shuma monetare që ishte vënë në dispozicion të fituesit, ishte mjaft e majme. Ç’do të bëjë Eneda me të?
Në fakt është më se e vërtetë që shifra monetare e vënë në dispozicion të fituesit është më e larta që është ofruar ndonjëherë nëpër kompeticione. Këto para do t’i shpenzoj për të sjellë këngë dhe klipe sa më cilësore, për kënaqësinë e të gjithë atyre që më kanë votuar.

Kë mendon se duhet të falënderosh?
Florin, Florin dhe vetëm Florin. E falenderoj përzemërsisht shumë që krijoi këtë këngë enkas për mua. Do të falenderoj shumë edhe familjen time për mbështetjen që më ka dhënë.

Po për look-un e Enedës, kush është kujdesur?
Gjëja më e rëndësishme në look ishin flokët. Të cilët këtë herë u realizuan nga “Revolution Team”. E falenderoj pafundësisht shumë stilisten e flokëve, Lumturi Hodon që arriti të shkrinte në aparencën time, atë që unë kisha në mendje. Ajo ka realizuar modelet e flokëve në të gjitha daljet e mia në ‘Top Fest’. I them edhe një herë faleminderit për mjeshtërinë që tregoi dhe për veçantinë që solli tek unë!

Në këtë festival Eneda vinte ndryshe, me një pamje më rinore?
Po e thua këtë ngaqë unë kisha veshur fund??? E bëra vetë këtë zgjedhje dhe mendoj se kam qenë brenda kontureve të lejueshme. Kisha një fund të shkurtër, ama isha e mbuluar lart, si të thuash zgjodha që gjërat të jenë në proporcion të drejtë. Përfitoj nga rasti të falenderoj motrën time për përzgjedhjen e fustanit…

Kush ka qenë kënga juaj e preferuar në ’Top Fest’?
Më pëlqyen për stilin e veçantë që sollën, këngët e Valon Shehut, grupit “Troja” dhe Flaka Krelanit. Të gjitha këngët e finales ishin shumë të mira, por mua si Ened më tërhoqën më së shumti këto.

A more ndonjë kritikë për këngën apo performancën?
Kritika nuk kam marrë, dhe seriozisht jam shumë e lumtur për këtë. Është hera e parë që më ndodh…Është gjithashtu hera e parë që ndodh që kënga e çmimit të parë të jetë e preferuara e gjithë publikut. Unë kam një kritikë të vogël për veten, nuk duhet të jem më aq emotive dhe të mbërthehem nga emocionet.

Eneda, ke menduar ndonjëherë të realizosh një festival recital?
Po e kam menduar, madje shumë njerëz ma kanë kërkuar këtë gjë… Gjithçka është pothuajse gati, duhet vetëm që unë të vë në vijë disa gjëra. Nuk di të jap një datë të saktë, sepse unë nuk jam shumë e mirë në këtë gjë, di të them vetëm që shumë shpejt do të vij për të gjithë artdashësit e mi me një koncert recital.

Ke në plan të realizosh ndonjë këngë të re?
Po, jam duke punuar për dy këngë të reja, njëra në fakt është pothuajse gati, duhet vetëm të pres sa Elton Deda të kthehet nga Amerika, për të rregulluar disa gjëra shumë të vogla që nuk shkojnë, veç kësaj jam duke punuar për një këngë të re në studion e Gent Myftarajt.

Kur do të vijë një album prej Enedës?

Me të përfunduar 2 këngët e sipërpërmendura, do të vijë edhe albumi. Këto 2 këngë do të plotësojnë 20-shen e këngëve të albumit.

Po klipi i ri kur do të vijë?
Për 2 ose tri ditë do të nis xhirimet. Është planifikuar më herët që këngës pjesëmarrëse në ‘Top Fest’ t’i realizoja një klip, por angazhimet e ndryshme, provat etj, nuk e bënë të mundur këtë.

Ke bërë ndonjë plan për verën?
Kam shumë oferta për të kënduar “live” në qytete të ndryshme bregdetare, një pjesë të mirë prej tyre do t’i pranoj, por edhe pushimet nuk do t’i lë mangët. Veç pushimeve nuk dua të lë për asnjë motiv pas dore dhe masterin që ndjek në degën e Sociologjisë.

Sa ke shpenzuar për veshjen këto kohë?
Nuk kam shpenzuar fare, madje e kam tepër të nevojshme të dal për të bërë “shopping” këto ditë, sepse po shikoj që dalëngadalë po më konsumohet garderoba. (Qesh)

Ky shkrim u botua më 29 maj 2010


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.