KULTURË

“Qeveria shemb teatrin, por ndihmon lojërat e fatit!”

13:42 - 19.07.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka dalë dje me një deklaratë, ku vë në dukje se qeveria po diskuton këto ditë një projektligj që sjell disa ndryshime në paketën fiskale. “Ajo që bie në sy është se Neni 5 i këtij projektligji propozon një reduktim të barrës fiskale për industrinë e lojërave të fatit, që xhiron qindra miliona euro në vit, e cila tani duhet të paguaj taksa mbi fitimet dhe jo mbi xhiron, siç ka qenë deri më sot. Është ende e paqartë se sa i madh do të jetë efekti për buxhetin e shtetit, por kuptohet se ky ndryshim do të sjellë një zvogëlim të të ardhurave publike”, thotë Aleanca.




Sipas saj, në fillimet e veta, qeveria aktuale u zotua të reduktonte dhe të minimizonte efektet e lojërave të fatit në shoqëri, duke kufizuar numrin e pikave, distancën mes tyre dhe duke i tatuar më fort. “Të ardhurat shtesë të përftuara nga tatimi mbi lojërat e fatit u premtuan se do të shpenzoheshin për të ndihmuar artin, kulturën dhe edukimin në vend. Sot, asnjë prej këtyre pretimeve nuk na ndodhur. Rregullorja mbi vendndodhjen e lojërave të fatit shtyhet nga viti në vit, ndërsa taksat ndaj tyre reduktohen. Me këtë rast, duam t’ju kujtojmë së një nga argumentet kryesore për ndërtimin e Teatrit të ri nëpërmjet një Partneriteti Publik-Privat ka qenë mungesa e fondeve në buxhetin e shtetit. Ky projektligj tregon që ky pretendim nuk qëndron”, nënvizon Aleanca. Ajo thekson se qeverisja është çështje prioritetesh. “Fonde dhe burime mund të gjenden për projekte nga më të ndryshmet, por vendimet e qeverisë duhet të përcaktojnë se cilat prej tyre janë më të nevojshmet. Të ardhurat e munguara në buxhetin e shtetit nga këto zvogëlime taksash mbi lojërat e fatit mund të financonin fare mirë godinën e re të Teatrit Kombëtar si dhe restaurimin e godinës ekzistuese për një periudhë 5-10 vjeçare. Sipas këtij projektligji, është e qartë se cilat fusha dhe industri kanë përparësi sipas qeverisë aktuale. Prioritet konsiderohet industria e lojërave të fatit dhe jo pasuria publike dhe kultura e vendit, të cilat mund të mbroheshin dhe financoheshin fare mirë nga taksat e munguara. Fonde ka, po nuk ka dëshirë për t’i përdorur ato”, mbyllet deklarata.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.