Intervista

Kastro Zizo: Kam shumë pengje në jetë dhe pak lumturi

13:55 - 20.07.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Egla Xhemali – Kastro Zizo është një nga personazhet më solar të ekranit shqiptar. Të gjithë e njohim për shpirtin e lirë dhe sinqeritetin në përgjigje kur ka dalje në emisione të ndryshme. Kjo verë e ka gjetur me mjaft impenjime. Në një rrëfim për suplementin ‘Summer Pages” të “Gazeta Shqiptare”, ai na njeh me pjesën përtej ekranit. Kastro na pohon se është një baba konservator, por që mundohet ta bëj më së miri rolin e prindit. Burimi i energjisë së tij janë njerëzit dhe gjërat në përgjithësi, qofshin këto edhe të këqija. I pyetur për shoqërinë ai pohon se ka shumë miq e pak shokë. Jeta sipas tij është një cikël pendesash dhe ndonjëherë pak lumturi. Sa i përket muzikës ajo për të nuk është një pasion universal. Kastro na thotë se është fokusuar më shumë në media dhe në atë se çfarë do nisë në sezonin e ri televiziv.




Si ka nisur vera për Kastron?
Me shumë punë, bile rrallë e kuptoj që ka ardhur vera.
Ku do i kaloni pushimet?
Pushimet besoj do të jenë nga shtatori dhe ende se kam vendosur se ku, mbase mal.

Çfarë e rrëmben kohën tuaj?
Cikli i dokumentareve që po bëj mbi qytetet në Shqipëri.
Si është Kastro në rolin e babit?
Një baba relativisht konservator, që mundohet ta bëj këtë rol sa më mirë.

Cili është sporti juaj i preferuar?
Nuk jam shumë i sporteve, ndoshta golfi në det!(qesh)
Jeni një nga personazhet më solar që ka media në Shqipëri. Nga buron gjithë ajo energji?
Nga një përzierje hithrash dhe tutkalli, që e marrë çdo mëngjes. Unë marrë energji nga çdo gjë qoftë dhe nga njerëzit apo gjërat e këqija.
Në çdo dalje tuajën bien në sy sinqeriteti kur përgjigjeni dhe të qenit i lirë. A mos është pak e rrezikshme?
Rrezikun tashmë e kam ngrënë me bukë e fasule është tepër vonë për t’u tërhequr.

Si janë raportet tuaja me kolegët?
Shumë të mira, kryesisht me ata që janë të çiltër e sinqertë si unë.
Kastro ka shumë miq apo është selektiv?
Kam shumë miq e pak shokë.
A keni ndonjë peng?
Shumë pengje, por kjo është jeta një cikël me pengje, pendesa dhe ndonjëherë pak lumturi.

Një nga pasionet tuaja më të mëdha është muzika. Keni menduar ndonjëherë të hiqni dorë nga ajo?
Besoj se jo, por, nëse do ndodhë le të ndodhë. Unë muzikën e bëj se me teket ta bëj dhe jo se është ndonjë pasion universal.
Aktualisht, a keni ndonjë projekt në duar? Nëse po kur do vij për publikun?
Kam tre materiale muzikore, që se di a do t’i nxjerr shpejt apo në vjeshtë. Jam fokusuar më shumë në media dhe në atë se çfarë do nis në sezonin e ri televiziv.
Me çfarë motoje ka ecur Kastro në jetë?
Bëj të tjerët të lumtur dhe ndoshta do kesh ndonjë buzëqeshje!
Çfarë mesazhi do i jepni sot të rinjve?
Përdorni prezervativ!


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.