KULTURË

Kiço Londo: Nuk kam shkresë zyrtare nga ministria për zhvendosje, cili është fati i TKE?

15:52 - 20.07.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli  – Në mbyllje të sezonit artistik 2017-2018 drejtori i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, Kiço Londo ka dalë në një konferencë për shtyp. Vetë godinës i rrezikohet e ardhmja, ndërsa një ligj që parashikon shembjen e saj dhe teatrit përbri, u miratua në parlament me 5 korrik. Por, ndërsa protesta vazhdon sikundër këmbëngulja e qeverisë për të rrafshuar dy teatro me qëllim ndërtimin e një të riu me formulën e partneritetit publik privat, Londo, del të flasë për sezonin e ardhshëm. Paçka dheut që rrëshqet nën këmbë, ai ulet para mediave nën ambiguitetin e së ardhmes kërcënuese, shpresës për një kthesë të papritur dhe dëshirë për një imazh naiviteti mbi çfarë ndodh prej shkurtit në Tiranën kaotike.
“Nuk kam asnjë shkresë zyrtare nga Ministria e Kulturës për zhvendosje tek ‘Arturbina’. Ka nisur puna për hartimin e kalendarit të ri artistik duke pasur parasysh tri sallat e Teatrit Kombëtar eksperimental, që menaxhoj”, tha ai dje, pavarësisht këmbënguljes së gazetarëve që e shtruan pyetjen në mënyra të ndryshme.




KONFERENCA
Në krye të herës, Londo, tha se “dua të ndaj me ju dy gëzime, më duhet që fillimisht t’u prezantoj që ftesës sonë për të qenë të pranishëm në sezonin e ardhshëm i janë përgjigjur aktori shqiptar Enver Petrovci, Luiza Xhuvani, Luftar Paja. Nuk është fort kohë përshtatshme megjithatë na duhej ta bënim këtë gjë. Ka qenë stinë teatrore e ngjeshur me 16 premiera, me 410 shfaqje, është një rezultat jo fort i zakonshëm”. Kujtoi se para katër muajsh ka themeluar Institutin e Teatrit Kombëtar Eksperimental ‘Kujtim Spahivogli’ që u inaugurua me botimin e “Sistemit” e Stanislavskit përkthyer nga Mehmet Xhelili. Dje, zbuloi botimin e dytë të institutit, që është libri i regjisores Stella Adler nën titullin “Arti i aktorit”, emër i madh i teatrit botëror që ka sjellë aktorë si Brandon apo De Niro. “Libri është përkthyer nga aktorja e TKE Adriana Tolka, që ka punuar në mënyrë vullnetare. Ka në kopertinë dy aktorë të TK-së që nuk jetojnë më, Bujar Lako dhe Fatos Sela dhe është redaktuar nga Timo Flloko. Do jenë 10 libra në një kolanë për teatrin. Në këtë moment të rëndësishëm për jetën e teatrit shqiptar në përgjithësi, kjo aktore vjen si një dashuri e respekt i madh për punën e mundimshme të aktorit duke parë atë si aristokratë dhe si luftëtarë”, tha Londo, duke vijuar me gjuhën e tij diplomatike nën velin ambig të mesazheve publike që jep, ku ndërthuren punonjësi që varet nga Ministria e Kulturës dhe Kiço- që me gjasë ndahet prej saj kryekëput.
Foli për ardhjen e katër regjisorëve të huaj në sezonin e ardhshëm, për drama nga Shqipëria e nga Kosova, për mbledhjen e bordit në muajin gusht dhe prezantimin e titujve në shtator, për shfaqjet për fëmijë, për 5-6 drama të huaja dhe dy shqipe, për stile e epoka që përfshijnë antikitetin, Shekspirin dhe ditët tona, deri tek një Ibsen i pavënë më herët.

ZHVENDOSJA SI PIKËPYETJE
Por, sezoni i ardhshëm për të cilin flet Kiço Londo, po hartohet duke pasur parasysh TKEKS që kemi sot, nëse harrojmë që një ligj i miratuar e zhduk atë, pa e përmendur fare, si të mos ishte, siç gjithë personazhet politike i referohen vetëm teatrit përbri në sinkron të plotë.
Duke qenë se ministrja Mirela Kumbaro ka deklaruar në media se Turbina- skena e re pranë Liqenit do të menaxhohet nga drejtorët e TK-së dhe TKEKS-së, Kiço u pyet dje për zhvendosjen e tij.
”Deri tani jemi këtu. Jemi një institucion në varësi të Ministrisë së Kulturës dhe padyshim që eprori mund të japë urdhra e të veprojë, por deri tani jemi këtu. Në varësi të situatës së mëtejshme do të ndërtojmë edhe ne punën tonë”. Shtoi se “ka një situata farë pranë teatrit, domethënë në Teatrin Kombëtar Eksperimental, që njihet. Ajo ndikon tek ne, por ne jemi munduar që të vazhdojmë punën se nuk mundet ta nisim punën në tetor se nuk mundet të djegim stinën teatrore 2018-2019. Janë 410 shfaqje, është gjysma e shfaqjeve të 11 teatrove”.

I pyetur direkt për zhvendosjen tha se “ne kemi biseda të përditshme me Ministrinë e Kulturës, por nuk kemi një vendim zyrtar. Bisedat janë, biseda pune. Urdhër me shkrim për zhvendosje nuk kemi akoma. Ne jemi institucion varësie nën MK dhe ne do të vijojmë të sillemi si institucion varësie. Unë kam paraqitur para ministrisë ambientet që ne kemi në dispozicion, me të cilat kemi këtë rezultat. Vendosja në një ambient tjetër, është detyrë e tjetërkujt. Ia kam kërkuar kryetarit të bashkisë publikisht, në bisedën që bëri me artistët dhe që mori përsipër ta zgjidhte zhvendosjen e teatrit, dhe i kam thënë: ku është Teatri Kombëtar Eksperimental ‘Kujtim Spahivogli’?. Është një teatër me 410 shfaqje në vit. Numri i spektatorëve në teatër është i barabartë 10% të popullsisë së kryeqytetit. Ne kemi për detyrë të arrijmë këto rezultate. Ne kemi për detyrë të përgatitemi për të ardhmen, siç i shërbejmë ne publikut, të tjerë duhet të na shërbejnë ne”,-tha ai, duke dalë nga ambiguiteti në një situatë të vetme që e sheh rrezikun në sy.
Kur iu tha se ministrja e Kulturës ka deklaruar se menaxhuesit e Turbinës do të jenë drejtuesit e teatrove kombëtarë, Londo, tha se “kjo që thoni ju, na fut në një rrugë tjetër, në kushte të tjera. Ne jemi këtu në këtë teatër me 3 salla dhe lirinë e plotë e veprimit. Nëse dikush merr vendim të bëjë diçka tjetër, ata duhet ta kenë menduar. Mua nuk më është lënë të mendoj, as të punoj që të menaxhoj një godinë ku do të jenë 2, 3, 1 apo 4 teatro të tjerë. Nëse kjo do të ndodhë duhet të gjendet një njeri ta organizojë. Jemi teatro me funksione dhe me ritme krejt të kundërta. Jam duke punuar për kalendarin që thashë, ne rrethana e kushte të tjera, natyrisht do më duhet të marr një vendim”.
Pas ngulmimit, kur tanimë qetësia që ruante ia la vendin një farë shqetësimi të mbajtur fshehur me zor, Londo tha: “Ju doni të dini ku është teatri im? Teatri që varet nga unë është teatri shëtitës ‘Çajupi’. Ky këtu është teatër shtetëror. Ju më thoni që atje do jenë bashkë TKE dhe TK dhe Opera. Ç’lidhje kam unë me ta? Mua nuk më është thënë gjë ende. Nuk i kam parë skenat e Turbinës. Nuk jam pyetur për ngritjen e Turbinës. Dhe nuk kam marrë pjesë në asnjë takim”,-përfundoi ai.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.