Kryesore

Magjistratët, Kryemadhi: Dialog politik, jo pazare në kafene! Një mesazh dhe për Hahn

15:04 - 20.07.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Monika Kryemadhi është zëri i parë opozitar që kërkon bisedime zyrtare me qeverinë sa i përket reformës në drejtësi dhe pikërisht ligjit për magjistratët. Reagimi i saj vjen dhe pas thirrjes nga Tirana të komisionerit për Zgjerim në BE, Johannes Hahn se ky ligjit duhet të votohet.




Por në kohën kur reforma në drejtësi nuk është ajo që pritej, kryetarja e LSI thotë se partia që ajo drejton është në opozitë e nuk mund të votojë një ligj që bie ndesh me Kushtetutën. Ndaj zonja Kryemadhi insiston që qeveria duhet të ulet në bisedime me opozitën e jo të bëjë pazare politike me individë të caktuar për të marrë votat.

Kritike zonja Kryemadhi shprehet dhe ndaj Johannes Hahn disa ditë pas largimit nga radhët e LSI të deputetit Robert Bitri.

“Prostitucioni politik shqiptar, edhe pse me ngjyra ndërkombëtare, e ka sjellë në këtë situatë Shqipërinë, pa Gjykatë Kushtetuese, pa Gjykatë të Lartë dhe pa hapje negociatash, me shqiptarë të varfër, që kërkojnë çdo ditë të largohen nga Shqipëria”, thekson kryetarja e LSI.

Postimi i plotë

Qeveria e mazhoranca moniste duhet të kuptojë se është përgjegjëse e drejtpërdrejtë e lënies së vendit pa gjykata! As regjimi i Kim Jong nuk ia ka bërë këtë gjëmë vendit të vetë! Na vjen keq të konstatojmë se këtë situatë e kishim parashikuar vite më parë, por nuk na dëgjuan. Ashtu siç jemi përgjegjës që lejuam miratimin pa konsensus të ligjeve post-kushtetuese, ligje të cilat kanë krijuar këtë katrahure ligjore në vend!

Ftesës tinzare të mazhorancës moniste, për të miratuar një ligj për magjistraturën, kundër rrjedhës llogjike të ligjeve me fuqi i përgjigjemi:
1. LSI është parti në opozitë me monizmin dhe Rilindjen! Si e tillë ajo nuk merr vendime të tilla e vetme dhe të pa harmonizuara me partitë e tjera në opozitë.
2. Nëse qeveria moniste do vërtet të kontribuojë në zgjidhjen e kësaj katrahure demokratike, duhet të na ftojë, jo ne si individë, por partitë e opozitës në tryezën e dialogut politik.
Duhen gjetur zgjidhje të plota, afatgjata dhe që garantojnë funksionim normal të drejtësisë. Ligji për disa kuota studentësh nuk zgjidh kolapsin aktual, por thjesht legalizon korrupsionin e përzgjedhjes së studentëve, korrupsion që po bëhet nga deputetë të mazhorancës moniste. Mbi të gjitha ky është hapi i fundit i kapjes së reformës në drejtësi nga dora e krimit të organizuar.
3. Në princip ne nuk bashkëpunojmë me këtë mazhorancë moniste, aq më tepër jashtë tryezës politike pozitë-opozitë. E kanë kot që lodhen nëpër kafene, edhe më të kotë që fabrikojnë lajme për takime jo-institucionale me opozitën. Dialogu politik është institucion, jo pazar!
Prostitucioni politik shqiptar, edhe pse me ngjyra ndërkombëtare, e ka sjellë në këtë situatë Shqipërinë, pa Gjykatë Kushtetuese, pa Gjykatë të Lartë dhe pa hapje negociatash, me shqiptarë të varfër, që kërkojnë çdo ditë të largohen nga Shqipëria.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.