OPINION

Paulin Ndreu, historia e malësorit që dashuron detin

07:45 - 20.07.18 Dritan Hila
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Paulin Ndreun e kisha dëgjuar si emër në një ndër denoncimet e qytetarit digjital të Doktorit, por do ta kisha harruar si shumë emra që përmenden në paskuinët e tij. Madje, kur doja t’i gjeja numrin, nuk e mbaja mend nëse ishte vëllai apo kushëri i deputetit Pjerin Ndreu, i cili më dha pastaj celularin që të lidhesha.
Arsyeja e takimit ishte për t’u informuar mbi situatën e mjeteve turistike të lundrimit, regjimin detar dhe cila ishte arsyeja që turizmi cilësor, ai i jahteve dhe varkave cruiser nuk po merr jetë.
Ajo që prisja të gjeja nga takimi, ishte një funksionar që është aty derisa partia e tij të mbaronte mandatin.
Çfarë biseduam, ishte histori e pazakontë e një malësori që ishte dashuruar me detin.
Kur e pyeta se si i kishte lindur ky pasion, më tregoi se ishte si çdo dashuri që nuk ka arsye. Madje, kur i kishte thënë atit të tij se do të shkonte të studionte në Akademinë e Forcave Detare në Vlorë, ai ishte habitur dhe ashtu si unë pas 28 vjetësh, i çuditur e kishte pyetur se, ku i kishte lindur kjo dashuri për detin në malet e Kukësit. Por 18-vjeçari i ishte përgjigjur se ose shkonte në atë shkollë, ose nuk ndiqte shkollë tjetër. “Vendosmëria ime e bindi babanë të më hapte rrugë”, – thotë Paulini dhe kjo ishte gjë e rrallë për një burrë, i cili duhet të ishte autoritar që të mund të mbante në zap familjen e madhe në numër.
Megjithatë, konkurrimi nuk shkoi fjollë. Pavarësisht se nxënës i mirë dhe kishte dalë i treti në testimin fizik, komisioni nuk e kishte kualifikuar. Ishin viti i vështirë 1990 dhe shkolla pranoi vetëm 26 kursantë.
”Atëherë – vazhdon rrëfimin e tij rastësor Paulini – i dola përpara komandantit të atëhershëm të shkollës, Aleko Pojani, i cili ndërroi jetë para disa ditësh. Iu prezantova se kush jam dhe këmbëngula që të më pranonte edhe mua”. Por burri i ashpër i detit nuk dëgjonte nga veshi i lutjeve dhe i thotë që të vazhdojë një degë tjetër, pasi ata që ishin pranuar, ishin bij detarësh dhe shkolla donte të krijonte traditën. Atëherë ia ktheva që edhe Kukësi ka nevojë të krijojë një traditë detare dhe unë do jem fillimi.
Doktori që e shoqëronte i ra me bërryl dhe i tha: “Merre djalin se qenka me çika”. Por ish-komandanti i nëndetëses 105 nuk u lëkund. Atëherë doktori më hoqi mënjanë dhe më pëshpëriti: “Nisu për Vlorë, se do ia mbush unë mendjen Alekos”.
”As nuk u ktheva fare në shtëpi të marr teshat – vazhdon rrëfimin e tij Paulini, – por shkova që një javë përpara dhe flija në Vlorë e mëngjes për mëngjes prisja te dera e shkollës që të fillonte viti shkollor”. Më vonë jeta e tij është ajo e shumë ushtarakëve: mbaroi shkollën, u emërua në marinë, por ende pa gëzuar mirë profesionin, erdhën reformat, shkurtimet dhe lirimet.
Kur e majta erdhi në pushtet, ajo që kërkoi ishte t’i kthehej edhe një herë profesionit. Por tashmë jo si detar, pasi rregullat e reja të NATO-s për karrierën nuk e lejojnë rikthimin, por si kapiten, komandues i vijës detare. Është organi që merret me administrimin, rregullimin dhe ndihmën e parë në raste rreziqesh. Është detyrë jo më pak e vështirë se ajo që të përballosh detin. Pasi përveç me situatat detare, duhet të përballesh me lëmshin e kompetencave mes doganës, ushtrisë, policisë dhe koncesionarëve që administrojnë portet e ndryshme. Pa harruar tekat e të pushtetëshmve apo të pasurve.
Ata nuk e kuptojnë se infleksibiliteti im vjen si për shkak të formimit, por edhe të kujdesit ndaj tyre, përpiqet të shpjegojë ashpërsinë e tij Kapiteni i Republikës. Nuk e kuptojnë se, kontakti me detin ka problemet që nuk i ka toka; nuk e marrin me mend se nëse bën një gabim me detin, deti nuk e pranon fjalën “më fal”, por të vret. Kur janë të pakujdesshëm në rregullat e lundrimit, asnjëri prej tyre nuk e merr me mend se po mbetën në mes të detit, nuk mund të zbresin nga anija dhe kërkojnë taksi që të kthehen në shtëpi, por do vihet në lëvizje një shtet i tërë që t’i shpëtojë dhe pa të shohim, a i shpëtojmë dot.
Vështirësive iu shtohet mungesa e personelit profesional. Mbyllja e shkollës së marinës jo vetëm që po humbet një traditë të krijuar me vështirësi, por e ka privuar vendin nga prodhimi i kuadrove të reja. Ish-shokët e mi, të vjetrit, janë të punësuar jashtë me nga 3-5.000 euro rrogë dhe nuk pranojnë të kthehen tek mizerabiliteti i rrogave shtetërore. Ata pak që më kanë mbetur, të zanatit, si për shembull Taulandi, kapiteni i Durrësit, më ndihmojnë të menaxhoj situata që të tjerët pak i kuptojnë – thotë Paulini.
Dhe pastaj vjen sulmi nga politika. Akuza e fundit ishte për anijen siriane që kishte ikur pa marrë leje nga porti i Durrësit dhe kripa e përzier me qymyr që ai kishte ndaluar të shkarkohej, u trumbetua si trafik qeniesh njerëzore apo fantazi të tjera që nuk i mungojnë tregut politiko-mediatik shqiptar. Në fakt, u ndalua në Kroaci, pas lajmërimit të palës shqiptare dhe u gjobit me 200 mijë euro gjobë për shkeljen e rregullave. Por këtë askush nuk e lajmëron.
Dhe pastaj vijmë te mungesa e turizmit të pasur. Jemi të dy të njëjtit mendim se moratoriumi 8-vjeçar i Berishës për mjetet e lundrimit e largoi më shumë nga deti një popull që nuk e ka qejf lundrimin, si shqiptarët. Por ca më shumë atrofizoi zhvillimin e logjistikës së një turizmi, i cili bie para pa fund. Ndërkohë Mali i Zi, Pulia përballë dhe Greqia nuk kanë ndenjur duarkryq, por janë bërë edhe më shumë atraktive. Ndaj sot ne, në vend se të presim gjermanët që udhëtojnë me jahte nga Kroacia në drejtim të Mesdheut, presim polakë që lagen në breg të detit.
Por frika nga akuzat e opozitës ka bërë që edhe pushteti aktual të jetë konfuz në rregullat e administrimit të mjeteve lundruese private dhe i frustuar në hapjen ndaj këtij aktiviteti. Burokracia ka bërë që mos të kemi një moratorium të shpallur, por gjithsesi situatë mbytëse për ata që duan të zhvillojnë aktivitet turistik apo të kenë varkat e tyre personale. Dhe këtu kapiteni mendon se mes dy palëve të politikës duhet të ketë një mirëkuptim dhe mospërdorje të një sektori kaq me perspektivë për ekonominë shqiptare, si ai i lundrimit.Por ky është vetëm dëshira dhe pasioni i një njeriu që dashuron detin. Se çfarë do bëhet më vonë, nuk është në dorën e tij. Shqiptarët jo rrallëherë zgjedhin më të keqen për veten e tyre.
“dritare.net”




 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.