OPINION

A po ndryshon rendi e rregulli botëror

07:20 - 20.07.18 Vasil Kureta
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Që nga rrëzimi i komunizmit ka zënë fi ll një proces i pandalur i përsosjes e ndryshimit të modelit të sistemit të marrëdhënieve ndërkombëtare.Jo rastësisht u shfaqën shpejt edhe diskutimet për ndryshimin e përmbajtjes së rendit botëror, ku nuk munguan edhe pohimet për një botë multipolare, apo që e mendonin një fund të perëndimit. Ishte vërtet një ndryshim shumë i madh, që e mundësonte objektivisht ndryshimin e përmbajtjes së rendit botëror. Perëndimi dhe lideri i tij SHBA gjatë kësaj periudhe kanë kontribuar maksimalisht me ushtrimin e përgjegjësive të tyre, në drejtim të ruajtjes së zhvillimeve të qëndrueshme, përballimin e krizave e kërcënimeve serioze, në drejtim të ruajtjes e forcimit të stabilitetit, sigurisë e paqes në botë.
Këtë përgjegjshmëri Perëndimi dhe SHBA e kanë mundësuar të udhëhequr nga sistemi i vlerave dhe respektimi i ligjit e të drejtës ndërkombëtare, të marrëveshjeve dhe traktateve të dakorduara dhe në respektim të rolit të organizmave të rëndësishëm ndërkombëtarë si OKB, Këshilli i Sigurimit etj. Natyrisht, që këtë rol e ka mundësuar gjithashtu, duke kërkuar dhe bashkëpunimin e kontributin e aktorëve të tjerë të rëndësishëm. Tani ecuria e procesit të ndryshimit të rendit botëror ka ardhur në një stad më të zhvilluar e konkret, me elementë, lëvizje e hapa të rëndësishëm.
Me tezën apo filozofinë politike “America First” e në konkretizim të saj, në të gjithë elementët ekonomikë, gjeopolitikë e të sigurisë u kuptua sikur nën drejtimin e Trump, SHBA do të drejtohej kundër të gjithëve, përfshi edhe aleatët e vet europianë, por që do të kishte edhe një kundërpërgjigje të tyre ndaj SHBA, që do të pasuronte e ndryshonte kështu përmbajtjen e sistemit të marrëdhënieve ndërkombëtare. Që do të mundësonte një ndryshim real të rendit botëror, i cili do të kishte pjesë integrale të tij, ridimensionimin e rolit të SHBA, por edhe të aktorëve të tjerë, si Kina, Rusia e siç po duket, mundet edhe BE. Tani janë shtuar zërat dhe “argumentet” se rendi botëror po ndryshon e po pasuron përmbajtjen e tij, ku nuk mungon edhe një pohim nga Rusia, se tashmë jemi në një rend post perëndimor. Nuk besoj se ka ndonjë studim serioz në Rusi për këtë tezë, që duket më shumë për nevoja konkrete të konkretizimit të rolit e statusit të superfuqisë botërore nga Rusia, apo si “argument” në ndarjen e rolit dhe të fuqisë me SHBA.
Tani kanë lindur edhe pyetje konkrete, se si do të jetë ky rend i ri botëror, se ku do të fillohet të ndryshojë apo që ka filluar të ndryshojë dhe në ç’drejtim do të ndryshojë; nëse e përfshin ky proces edhe një ndryshim të formatit “perëndim”, apo që nga ky ndryshim do të ketë kështu nga Perëndimi dy aktorë të rëndësishëm botërorë, SHBA dhe BE; si do të konkretizohet roli dhe rivaliteti në fushëbetejën ekonomi, tregti, siguri; çfarë forme mund të marrë marrëdhënia e re e aktorëve të rëndësishëm ndërkombëtarë e a do të formësohen edhe aleanca konkrete; çfarë forme do të marrë marrëdhënia e katërshes së mundshme botërore SHBA, BE, Rusi, Kinë; a do të ndryshojnë traktate të rëndësishëm e marrëveshje të rëndësishme ekzistuese e jo vetëm ajo që njihet si partneriteti tregtar; a do të ketë ridimensionim të përmbajtjes e rolit të organizmave të rëndësishëm ndërkombëtarë si OKB, Këshilli i Sigurimit, por edhe OBT, FMN etj. Siç shihet nga pyetjet, mendohet se do të realizohet një ndryshim i madh në përmbajtjen e rendit botëror, sepse mendohet të lëvizin gurë të mëdhenj e të rëndë. Kjo përmbajtje e ndryshimit e presupozon prezencën e skepticizmit e të ngurrimit, të optimizmit, por edhe tensionet, shqetësimet dhe rivalitetet, që do të prodhojnë jo vetëm marrëveshje, por edhe kontradikta e rreziqe, pa përjashtuar edhe detanta e marrëveshje të reja, prishje ekuilibrash e ndërtim të të rinjve.
Aktualisht nuk ka diskutime me elementë teorikë, në se do të ketë një botë dy polare apo multipolare e të tjera si këto, por ka analiza rreth elementëve që po e mbushin përmbajtjen e procesit të ndryshimit të rendit botëror. Në kushtet e sotme po tërheqin vëmendjen disa linja të rëndësishme, që lidhen me lëvizjet e Kinës dhe Rusisë, po që lidhen edhe me zhvillimet brenda Perëndimit e marrëdhënien mes SHBA dhe BE, duke pritur se çdo të rezultojë nga ajo që sot shihet si një grindje brenda formatit Perëndim. Natyrisht, që një lëvizje konkrete lidhet me avancimin e synimeve të Rusisë për t’u afirmuar plotësisht si superfuqi botërore, që i nevojitet domosdoshmërish edhe një materializim i marrëdhënieve me SHBA, para së gjithash, por edhe me BE apo vende të veçanta të saj, sidomos me Gjermaninë e Francën e pa përjashtuar Britaninë e Madhe, tashmë drejt divorcit përfundimtar me BE. Rusia ka interesa të mëdha jo vetëm gjeopolitike në hapësirën europiane, por edhe ekonomike, financiare e tregtare. Natyrisht, pjesë e rëndësishme e procesit të ndryshimit të rendit botëror lidhen me lëvizjet e Kinës, jo vetëm në hapësirën e Azisë, Paqësorit, por edhe në rang botëror, ku rëndësi të veçantë ka zhvillimi i marrëdhënies së saj me SHBA. E rëndësishme është edhe marrëdhënia mes Kinës dhe Rusisë, që pritet të evoluojë në përputhje me avancimin konkret të rolit në zhvillimet botërore, ku do të evidentohen më qartë jo vetëm afrimet, por edhe dallimet e qarta në interesa e qëndrime. Kuptohet që aktualisht, vëmendje të veçantë tërheq e do të tërheq në vazhdim, procesi i mbushjes së marrëdhënies së SHBA, si me Rusinë ashtu dhe me Kinën, që kanë rivalizuar pa ndërprerje me SHBA për ndarjen e fuqisë dhe rolit me të në zhvillimet botërore. Ajo që sot njihet si një luftë tregtare SHBA-BE, apo SHBA-Kinë, nuk është veçse pjesë e procesit të ndryshimit të rendit botëror. Dihet që pushteti ekonomik është shumë i nevojshëm në ushtrimin e rolit në zhvillimet botërore, pa përjashtuar fuqinë ushtarake, për asnjë moment. Kjo luftë tregtare është pjesë e synimeve të Kinës për të ndarë rolin e fuqinë me SHBA, ku dhe SHBA synon të përballojë rivalitetin e shtuar të Kinës dhe Rusisë ndaj saj. Kuptohet që edhe Kina, si Rusia, do të përpiqet të shfrytëzojë grindjen brenda Perëndimit, për të mbushur hapësira të mundshme që krijohen prej saj, duke synuar tërheqjen në bashkëpunim ekonomik e tregtar të BE apo vende të veçanta të saj. Kina ka zgjedhur rrugën të mbështesë globalizmin kundër proteksionizmit, për të përfituar sa më shumë në arritjen e marrëveshjeve me interes ekonomik e financiar, që i shërben e dhe zhvillimit të marrëdhënieve në këtë fushë me BE.
Pjesë integrale e procesit të ndryshimit të rendit botëror janë ndryshimi, përsosja, vendosja e rregullave dhe ekuilibrave të reja, të sendërtuara në marrëveshje në formate të ndryshme. Natyrisht që të një rëndësie të veçantë janë principet dhe filozofitë konkrete të aktorëve të rëndësishëm, që do të ndikojnë direkt në sjelljen e këtyre aktorëve mes tyre dhe ndaj zhvillimeve botërore. Dhe këtu rëndësi të veçantë ka dhe do të ketë raporti e qëndrimi ndaj sistemit të vlerave, që përbën kyçin bazë, që sot është në duart e Perëndimit. Kjo do të ndikojë maksimalisht në çështjen nëse një rend i ri botëror i ndryshuar do të jetë më shumë apo më pak i qëndrueshëm. Kur ndryshimi kryhet janë përballë stabiliteti dhe pasiguria.
Raporti ndaj sistemit të vlerave do të ndikojë maksimalisht në sjelljen e përgjegjshme ose jo ndaj zhvillimeve ndërkombëtare, që do të përcaktojë edhe cilësinë, vlerën apo kontributin konkret të secilit aktor. Po kështu, nuk mund të flitet as për rol e kontribut në zhvillimet botërore dhe as marrëdhënie të zhvilluara e efektive mes aktorëve kryesorë, pa respektimin e mbrojtjen e vendosur të ligjit e të drejtës ndërkombëtare. Natyrisht, që të një rëndësie të veçantë janë respektimi e bashkëpunimi me organizmat e rëndësishëm ndërkombëtarë, sidomos të OKB e Këshillit të Sigurimit, por jo vetëm të tyre. Këto elementë do të përcaktojnë maksimalisht cilësinë e vlerën e marrëdhënies mes këtyre aktorëve dhe kontributin real në zhvillimet botërore, që do të përsoset përmes kapërcimit të kontradiktave konkrete e kalimeve nga ekuilibri në çekuilibër e përsëri në ekuilibër. Ka sot lëvizje të shtuara të aktorëve të rëndësishëm në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare, që fokusohen te ndryshimi i realitetit e situatës së sotme, i rregullave të dakordësuara apo dhe i aleancave që kanë funksionuar e shumë të konsoliduara, por edhe rendje për formatizim të raporteve të reja. Sa herë që ka lëvizje e ndryshime të tilla ka dhe shqetësim, nervozizëm, pasiguri, ka skepticizëm më shumë se optimizëm, por edhe rreziqe reale. Të gjitha këto janë pjesë përbërëse të lëvizjes e ndryshimit të procesit historik. Aktorët kryesorë në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare, në kushtet e ndryshimit synojnë të shfaqin pragmatizëm të zhvilluar, për të përfituar sa më shumë. Kështu, Putini mendoi të përfitonte nga “lufta tregtare”, SHBA-BE, kur i krahasoi tarifat amerikane për çelikun dhe aluminin me sanksionet ekonomike të perëndimit, si kundërpërgjigje ndaj shkeljes së ligjit ndërkombëtar, në aneksimin e Krimesë dhe shpërthimin e konfliktit në lindje të Ukrainës. “Duket se partnerët tanë – ka pohuar ai – mendonin se nuk do të prekeshin nga kjo praktikë kundërproduktive kufizimesh dhe sanksionesh. Por është kjo që po ndodh tani. Askush nuk pati dëshirë të dëgjonte dhe askush nuk bëri asgjë për ta ndaluar. E po tani e pësuat. Darka është gati, uluni dhe hani”.
Në kushtet aktuale, kur procesi i ndryshimit të rendit botëror po avancon qartë, merr një rëndësi të veçantë cilësia e marrëdhënies brenda Perëndimit, teksa nuk mendohet se ka ndonjë program të dakordësuar mes SHBA dhe BE. Tashmë disa veprime e qëndrime, të cilësuara të njëanshme nga SHBA, duket se nuk janë një spontanitet amerikan, por që mund të jenë pjesë e një mendësie për ta ndryshuar përmbajtjen e cilësinë e marrëdhënies perëndimore. Pra, mund të kalohet nga një aleancë e unisuar me filozofi e mendësi pune dhe e dakordësuar në qëndrime, në një formë marrëdhënieje, që të jetë më e hapur e të ketë njëherësh edhe aleancë, edhe diversitet në qëndrime të caktuara, që SHBA i mendon se shkojnë në harmoni me “America First”.
Ka sot dhe pikëpamje si ajo e Kagan, se aleanca demokratike, që ka qenë themeli i rendit botëror liberal, i udhëhequr nga amerikanët, po shpërbëhet. Sipas tij, do të shpërbëhen dhe paqja globale e rendi botëror liberal. Disa të tjerë lëvizjen e SHBA e interpretojnë edhe sikur ajo po largohet nga përgjegjësitë në udhëheqjen e zhvillimeve botërore, apo se do bëhet më pragmatiste. Në fakt, ajo që po vihet re është se SHBA me realizëm e kupton se Rusia dhe Kina e kanë mundësuar një status superfuqie e roli konkret në zhvillimet botërore, se nevojitet kështu një marrëdhënie dialogu e bashkëpunimi edhe me Rusinë e Kinën, apo një marrje e përgjegjësive më shumë prej tyre në zhvillimet botërore. Kjo nënkupton dhe krijimin e një hapësire roli të BE në zhvillimet botërore, që lipset ta mendojë mirë dhe ta shtratojë në praktikë. Këtë e kanë kuptuar mirë si Kina dhe Rusia, që përfitojnë edhe nga marrëdhënie konkrete ekonomike e tregtare me BE, por edhe i ndihmon të bëjnë trysni ndaj SHBA. Brenda BE ka pasur një problematikë që lidhet me ngecjen e projektit europian dhe me goditjet e dallgëve të nacionalizmit e sovranizmit, që kanë krijuar shqetësime reale, por dhe tensione, keqkuptime, apo paqartësi. Nuk mungojnë gjithashtu edhe kritika e pohime serioze nga liderë europianë për disa qëndrime amerikane, si për qëndrimin ndaj marrëveshjes bërthamore me Iranin, por edhe për tarifat e luftën tregtare brenda Perëndimit, duke e shoqëruar edhe me pohime se SHBA po shkon kundër historisë dhe vlerave tona.
Në njëfarë mënyre, reagime të këtij lloji brenda Perëndimit janë dëshmi e prishjes së qetësisë së gjatë, apo edhe e moskuptimit se ka ardhur koha për ndryshim e përsosje të marrëdhënies. Kur ndodh ndryshimi, njihen edhe moskuptimet, ndoshta edhe gabimet, por rëndësia është të kuptohet thelbi e përmbajtja e procesit të ndryshimit dhe bërja pjesë e tij. Ndryshimi kërkon menaxhim profesional e të përgjegjshëm, harmonizim të kapaciteteve e mundësive reale, kërkon filozofi të drejtë pune e shikim nga e ardhmja. Pas samiteve të G7-ës dhe të NATO-s, duke konstatuar një shqetësim e tension të shtuar nga europianët, kancelarja gjermane Merkel kërkoi qetësi e maturi, duke e konsideruar dialogun shumë të rëndësishëm. “Ne duhet të bisedojmë me njëri-tjetrin, pavarësisht se shpesh ne kemi diferenca opinionesh”. Nisur nga kjo filozofi, kancelarja gjermane shfaqi dhe kërkoi qëndrim afrues brenda Perëndimit.
Kjo është e rëndësishme, por e pamjaftueshme, në se nuk ndërtohet një program apo platforme pune konkrete, përmes një dialogu konstruktiv, jo vetëm brenda Perëndimit, por edhe brenda BE. Nga kjo përfiton para së gjithash një proces i organizuar ndryshimi, me pjesëmarrjen e gjerë të aktorëve të rëndësishëm, përfiton siguria, paqja e stabiliteti në zhvillimet ndërkombëtare, përfiton sigurimi i një roli të veçantë të Perëndimit në këtë proces ndryshimi, shumë i domosdoshëm për të vënë në vendin e duhur e materializuar filozofinë e ndryshimit të udhëhequr nga sistemi i vlerave, përgjegjshmëria e maturia maksimale në zhvillimet botërore, në ruajtje të ekuilibrave e mbrojtje të ligjit e të drejtës ndërkombëtare. Në këtë rrugë do të përfitonin shumë edhe SHBA me BE, por më shumë do të përfitonte stabiliteti, paqja dhe siguria në zhvillimet e qëndrueshme botërore. Në këtë moment në të cilën ndodhet procesi i ndryshimit të rendit botëror, merr përparësi dialogu e jo konfrontimi, mbështetur te sistemi i vlerave, ligji dhe e drejta ndërkombëtare. Nuk mund të anashkalohet në asnjë rrethanë ky standard. SHBA dhe Perëndimi e kanë akuzuar drejtpërsëdrejti Rusinë, për shkelje të ligjit e të drejtës ndërkombëtare, për aneksimin e Krimesë dhe kanë adresuar sanksione konkrete ekonomike, si mjet për reflektim e tërheqje të Rusisë nga ky akt destabilizues. Çdo heshtje apo tolerim në këtë rast për vendosjen e një marrëdhënieje të re do të cenonte rëndë procesin e ndryshimit të rendit botëror dhe do të inkurajonte avancimin e arrogancës e dhunimin e ligjit në zhvillimet ndërkombëtare, që do të sillnin destabilitet e rreziqe të rënda. Do të thotë të inkurajosh intolerancën e dhunën, antivlerat e mungesën e demokracisë, prosperitetin e zhvillimet e qëndrueshme në marrëdhëniet ndërkombëtare. Këtu nuk mund të tolerohet aspak në emër të ndonjë lloj kompromisi apo pragmatizmi. Kjo është e vërteta dhe nuk ka dy të vërteta.
Vërtet janë popujt që vendosin për zgjedhjen e udhëheqësve të tyre, ku nuk përjashtohen edhe zgjedhjet e gabuara, prandaj mbështetja dhe orientimi nga sistemi i vlerave merr një rëndësi tepër të veçantë. Në kushtet e mungesës së më shumë informacioni nga takimi Trump-Putin, u afishuan edhe kritika konkrete, madje ndonjë, për ta shpjeguar këtë zhvillim, sjell në vëmendje takimin e kryer nga Truman me Stalinin më 24 korrik 1945, që nuk ishte aspak mik i komunizmit. Vërtet nuk ka shumë ngjashmëri, por duket sikur historia përsëritet e që të nxit të gërmosh e zbulosh më shumë elementë të këtij zhvillimi apo të takimit Trump-Putin. Edhe pse Truman dëshironte, qe luftën e shpërthyer në vitin 1941, ta fitonte Gjermania, ai nuk nguroi ta takonte e vlerësonte Stalinin. Historia, por edhe zhvillimet e sotme kërkojnë rolin e veçantë të Perëndimit në procesin e ndryshimit të rendit botëror sot. Më së pari ky model duhet mbrojtur fort sot, se i shërben prosperitetit të njerëzimit, stabilitetit dhe paqes. Modeli zhvillimit perëndimor, që funksionon mbi sistemin e vlerave, që tregon identitetin e perëndimit, mund të mos jetë e nuk është perfekt, por është aktualisht modeli më i arrirë, më afër dinjitetit njerëzor. Këtu buron dhe roli i veçantë i Pperëndimit në kontributin e tij ndaj procesit të ndryshimit të rendit botëror. Është detyrë e rëndësishme e nevojë historike që Perëndimi të realizojë një rol konstruktiv, efektiv e udhëheqës në procesin e përsosjes dhe ndryshimit të rendit botëror.
Më 18 korrik 2018





Shfaq Komentet (2)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Zoteri,qar rendi deshiron?Thuaj,dhe mos shkruaj nje shkrim kaq te gjate,pa sqaruar se si mendon per Rendin e ardhshem!Ju shtroni pyetjen,por nuk jepni pergjigje! Ju permendni disa here rrolin,fjalen rroli,dhe kjo fjale permendet shpeshhere.Keshtu ju pa dashje i jepni Lexuesit pershtypjen se krejt qka po ndodh ne Bote qenka rrol,teater! Ju qfar rroli keni?Sepse rroli caktohet,nga rregjizori! Ne kete menyre ,thuhet se ne ky ose ai ,Njeri do te luaj rrolin kryesor ne te ardhmen! Kta rrole po luhen tash e mijra vite! Ben muhabet me ndonje Njeri dhe se din se a eshte i porositur per te luajtur rrol!Ky Sistem thote,mos luaj rrol,por rrolet po luhen! Shkilet Kushtetuta,dhe edhe ne tryezen e ngrenjes te degjojne qa ha e qa pi! Dhe keshtu Kushtetuta del nje paqavur,askush nuk thote nje fjale per kete! Per ,6-7 mij vjet,Njerezit ,rrolet u ben pjes e perhereshme,dhe ne kry te Shteteve,luhej rroli! Dhe kush thote rroli eshte percaktuar ne Kushtetute,le te lexoje Kushtetuten,dhe keshtu,e shef se nuk eshte ashtu! Filmat po humbasin Publikun,Teatri (rroli),ka perfshire Njerezimin!

    Përgjigju ↓
  2. Siph Jush,tarifat,dhe luftrat tregtare,brenda perendimit,i nxit Rusija.Kta luftra po shkaterrojn ,kte Sistem,ndersa per ,rrolin nuk flisni,kur tashme u tha se kushtetuta shkelet,dhe sistemi ,ska ndonje zgjidhje!

    Përgjigju ↓