AKTUALITET

Tapi për 60 mijë shtëpi, Lame: Dokumentet dhe procedurat

12:45 - 21.07.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ornela Manjani – Qeveria ka miratuar një vendim, i cili synon të zhbllokojë ngërçin e pronësisë për banesat e ndërtuara para vitit 1991. Drejtori i ALUIZNI-t, Artan Lame shpjegoi se çfarë hapash duhet të ndjekin qytetarët për të marrë dokumentin e pronësisë. Aktualisht janë rreth 60 mijë banesa të ndërtuara para vitit 1991, për të cilat pronarët nuk kanë mundur të marrin dokumentin e pronësisë, duke përfshirë edhe banesat në lagjet mesjetare të qyteteve si Berati, Gjirokastra apo Shkodra. Sipas Lames, arsyeja për këtë ngërç ka qenë neglizhenca e institucioneve, mungesa e dokumentacionit nga pronarët, por edhe procedurat burokratike. Duke filluar nga shtatori, të gjithë pronarët e këtyre banesave duhet të aplikojnë për marrjen e pronësisë në sportelet e ALUIZNI-t. Sipas Lames, këta qytetarë duhet të dorëzojnë të gjithë dokumentet që zotërojnë dhe më pas e gjithë procedura deri në dhënien e pronësisë do të kryhet nga vetë ALUIZNI.




Vendimi
Vendimi “Për përcaktimin e procedurës të kalimit të pronësisë dhe të regjistrimit të pasurive të paluajtshme të ndërtuara deri në 10.08.1991 dhe të truallit funksional të tyre” regjistrimit të banesave të ndërtuara para vitit 1991. Drejtori i Agjencisë së Legalizimit dhe Urbanizimi të Zonave/Ndërtimeve Informale (ALUIZNI), Artan Lame në një deklaratë për mediat theksoi se vendimi shërben si bazë ligjore për dhënien e dokumentit të pronësisë pronarëve të objekteve të ndërtuara para vitit 1991, në të gjitha ato raste kur ky dokument mungon. “Qëllimi i këtij vendimi është të formalizojë një kategori pasurish të paluajtshme, të cilat edhe pse fizikisht ekzistojnë dhe zotërohen prej dekadash (herë-herë edhe prej shekujsh), pronarët e tyre nuk kanë pasur dokumentacion të mirëfilltë pronësie, duke mos i gëzuar asnjëherë ligjërisht”, tha Lame. “Mjafton të kujtoj këtu absurdin që edhe qytete si Gjirokastra, Shkodra, Berati, Elbasani apo Korça – shtoi Lame – i kanë ende të papajisura me dokumente pronësie shumicën e pronave të banesave në lagjet mesjetare të tyre”.

Regjistrimi
Për herë të parë, shteti shqiptar filloi procesin e regjistrimit të banesave në vitin 1995. Kjo u bë asokohe me vendimin nr. 432 datë 14.08.1995 “Për procedurat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme në zonën urbane të fshatit”. “Ky vendim është aplikuar në atë kohë në masë minimale në disa zona rurale dhe sikurse kuptohet nga vetë titulli, nuk e trajtonte problemin për të gjithë territorin e vendit, por ofronte një zgjidhje të pjesshme vetëm për fshatrat. Më pas është vijuar me VKM 608 datë 05.09.2012, i cili gjithashtu nuk e ka realizuar dot qëllimin e tij gjatë këtyre gjashtë viteve. Arsyet e dështimit të këtyre dy vendimeve të kaluara lidhen së pari me mungesën e kapaciteteve njerëzore, por në shumë raste edhe të vullnetit, apo neglizhencën e njësive të qeverisjes vendore, të cilat kanë qenë organet e ngarkuara me kryerjen e këtyre procedurave. Së dyti, për sa i përket VKM nr. 608/2012, shkaqet lidhen edhe me burokratizimin e tepruar të procedurës dhe mbi të gjitha me qasjen jorealiste ndaj problemit”, – thotë Lame.

Aplikimi
Lehtësimi i barrës së aplikuesit nga detyrimet dhe dokumentacioni i tepërt, (aplikuesi tanimë do të duhet të paraqesë vetëm kër-kesën pranë ALUIZNI-t). Zgjidhja e të gjithë pamundësisë së deritanishme, për të provuar periudhën e ndërtimit (para datës 10.8. 1991), gjë që ka penguar finalizimin e procedurës dhe kalimi i pronësisë së truallit të ndërtesës falas deri në 300 metra katrorë, si dhe mundësia për të blerë sipërfaqet mbi këtë masë janë tri risitë që parashikon vendimi. Lame evidentoi se numri i ndërtimeve që mendohet të trajtohen nga ky vendim është 40-60 mijë. “Duhet theksuar – tha ai – se asnjëherë nuk është bërë një evidentim i plotë dhe i saktë i këtyre objekteve dhe si rrjedhim shifra reale mund të jetë edhe më e lartë se ajo e mësipërme. Dy muajt në vazhdim do të bëhet organizimi i stafeve për të krijuar pranë secilës drejtorie rajonale të ALUIZNI-t nga një sektor që do të merret ekskluzivisht me ndjekjen dhe zbatimin e kësaj VKM-je. Gjithashtu, do të përzgjedhim edhe stafet rajonale që do të merren me mbarëvajtjen e këtij procesi.

 

Përcaktimi i sipërfaqes

Në përcaktimin e sipërfaqes, ALUIZNI bazohet në kufijtë faktikë të sipërfaqes së poseduar, pa tejkaluar masën prej 300 metrash katrorë.
1.Për procedurën e ndjekur, subjekti përfitues paguan për llogari të ALUIZNI-t tarifën e shërbimit, në vlerën 8 000 lekë për çdo kat ndërtimi, e cila përdoret për të përballuar shpenzimet e evidentimit në terren dhe shpenzimet e tjera të procedurës administrative. Kjo tarifë i njoftohet përfituesit menjëherë pas përfundimit të periudhës së afishimit, nëse përmbushen kushtet për të përfituar kalimin e pronësisë, sipas këtij vendimi.
2.Vendimi për kalimin e pronësisë miratohet në favor të subjektit kërkues dhe bashkëshortit/es së tij, duke respektuar dispozitat e Kodit të Familjes për regjimet pasurore martesore. Në rast se subjektet nuk paraqesin dokument që provon regjim pasuror martesor të veçantë apo marrëveshje të posaçme noteriale për të drejtat mbi ndërtesën, vendimi miratohet në favor të të dy bashkëshortëve, duke prezumuar regjimin e bashkësisë ligjore. Për zbatimin e kësaj pike, ALUIZNI administron certifikatën familjare të kërkuesit, sipas mënyrës së përcaktuar në vendimin nr.332, datë 17.3.2010, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e formës, të elementeve përbërëse, mënyrës së mbajtjes e afatit të përdorimit të dokumenteve bazë, që mbahen dhe lëshohen nga shërbimi i gjendjes civile”, të ndryshuar. Vendimi për kalimin e pronësisë miratohet brenda 20 ditëve nga administrimi i vërtetimit për pagesën e tarifës së shërbimit, por në çdo rast, jo më herët se data e përfundimit të afatit të njoftimit publik.
3. ALUIZNI brenda 10 ditëve nga miratimi i kalimit të pronësisë përcjell vendimin, së bashku me genplanin, për regjistrim pranë ZVRPP-së, e cila është e detyruar të kryejë regjistrimin brenda 10 ditëve nga administrimi i dokumentacionit.

 

Çfarë duhet të bëjnë qytetarët?

Duke filluar nga shtatori, të gjithë qytetarët e interesuar për regjistrimin e banesave të tyre të ndërtuara përpara vitit 1991 do të mund të paraqiten pranë sporteleve tona për të aplikuar. Ndërkohë, mund të fillojnë nga grumbullimi i dokumentacionit që ata posedojnë, leje ndërtimi të vjetra, akte pronësie, skica genplane, akte shitblerjeje apo posedimi, vendime të vjetra të Këshillave Popullore, apo dokumente të tjera provuese të çdo lloji dhe kohe. Zbatimin e këtij vendimi dhe gjithë procedurën përkatëse, qeveria ia ngarkoi ALUIZNI-t, qoftë për shkak të rrjetit ekzistues të punonjësve në terren, qoftë për shkak të eksperiencës operative dhe teknike të akumuluar nga ana e specialistëve tanë. “Këtë funksion të ri ne e shohim edhe si besim të qeverisë tek rezultatet e deritanishme të arritura prej gjithë këtij kolektivi punonjës”, tha Lame. Zbatimi i këtij vendimi do të krijojë mundësinë e mijëra pronarëve që përmes regjistrimit të pronës së tyre, të mund ta bëjnë atë të qarkullueshme në treg, ta shesin apo ta japin me qira ligjërisht, ta fusin në tregun e pasurive të paluajtshme, apo ta trajtojnë në tregun e kredimarrjes. “E kemi thënë që në fillim të mandatit të kaluar qeverisës se zgjidhja dhe stabilizimi i çështjes së pronësisë është një nga çështjet kyçe për qetësimin e gjithë shoqërisë shqiptare dhe zhvillimin e ekonomisë”, deklaroi kreu i ALUIZNI-t.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.