OPINION

Ofensiva e dështuar e opozitës, kundër qeverisë së degraduar të PS

16:10 - 22.07.18 Enkel Xhangoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Enkel Xhangoli– Të flasësh për politikë në Shqipëri është e vështirë pasi nuk mund ta ndash atë nga fusha të tjera të sistemit tonë shoqëror, ku pothuajse në çdo aktivitet boshti është politika qoftë në OJF, apo në sistemin e drejtësisë.




Por, për këtë rrëmujë nuk mund të akuzojmë as qeverinë aktuale apo atë para saj, por mënyrën se si u ngjiz sistemi i demokracisë në vitet ’90. Sot, kemi një pozitë që lufton të mposhtë opozitën përmes skandaleve të saj.

Që do të thotë, qeveria Rama ka prodhuar skandale dhe materiale të mjaftueshme për të mos qeverisur këtë vend, por opozita nuk ka ditur t’i përdor. Kjo paaftësi rriti në 2017 besimin te qeveria Rama dhe po kjo paaftësi po vazhdon të rrisë kredibiletin te kabineti i “pastër” i PS.

PD apo opozita në tërësi, këto skandale i ka kthyer në bumerang ndaj vetes, pasi në çdo çështje është mjaftuar vetëm me një konferencë shtypi, siç kemi rastin e “Babales”, i cili u harrua dhe pse u paralajmërua se do të sillte tërmet në politikën shqiptare.

Çfarë ndodhi me të? Kush u shkarkua apo u arrestua? Çfarë bëri PD përveç se la një javë FRPD para ministrisë së Brendshme duke protestuar?

Përgjigja është, asgjë dhe siç ndodh rëndom çudia më e madhe vetëm tre ditë zgjatë.

Duke mos përmendur këtu rastet e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, 613 kg kokainë në Durrës apo “Toyota Yaris” që një zot e di se çfarë do të bëhej me ato para.
Ja pra, të gjitha këto mjaftojnë që të rrëzosh një perandori jo më një qeveri.

Por në pseudo politikën tonë luhet për biznes dhe jo për ideale apo mirëqenie. Ne fakt, nuk mund të ketë politik kur në Kuvend nuk futen intelektual, por futen biznesmenë, në vend që të punësohen të rinjtë e arsimuar, punësohen militantët 50 vjeçar që nuk kanë aftësinë për të ndërtuar një fjalim për të dalë para popullit.

Pa dashur të pozicionohem në asnjë krah, ne kemi një qeveri me probleme, përballë një opozite dështuar dhe të përçarë, ku gjithsecili kërkon të sulmojë njëri-tjetrin. Nëse do të shikojmë me kujdes dhe pse bashkëpunimi PD-LSI nisi me ritme të shpejta, tani shikojmë një LSI më të distancuar dhe më pak bashkëpunuese.

Pse ndodh kjo? A ka lidhje kjo me zgjedhjet e 2019, që me shumë gjasa do të jetë dhe një lloj prove jo vetëm për pozitë-opozitë, por dhe brenda vetë opozitës.

Personalisht kam menduar gjithmonë që PD dhe LSI nuk i lidh asgjë bashkë përveç fatkeqësisë tyre që PS fitoi zgjedhjet e 25 qershorit 2017. Besoj se këto dy parti u gjendën në të njëjtën rrugë dhe për arsye të cilat nuk mund të shmangnin bashkëpunimin, ku dhe tentuan të mbështesnin njëra-tjetrën, por dështuan.

Në konceptin tim përveç biznesit këto dy parti nuk i lidh bashkë ideali dhe aq më pak dëshira për mirëqenien e popullit, pasi këta njerëz janë provuar disa herë dhe nuk kanë qenë të frytshëm për këtë vend.

Por, në momentin që kundërshtarët janë të dobët dhe të përçarë, ai që fiton është ai që mban pushtetin, ku në këtë rast pushteti mbahet falë opozitës së paaftë.
Në gjithë rrëmujën e madhe politike të krijuar ai që e pëson është qytetari thjeshtë, personat të cilët punojnë për të mbijetuar dhe jo për të blerë “Range Rover”.

Për të mos zgjatur me tej, mjafton të përmendim që në gati 30 demokraci nuk kemi ende një minimum jetik, ku populli të paktën mos vuaj për bukën e gojës dhe shumë fëmijë mos flenë me barkun bosh.

Për sa kohë ping-pongu i akuzave politike bëhet më i fortë aq më shumë thellohet varfëria e popullit që akoma shitet e blihet për një bukë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.