MILOSAO

Patriotizmi na mbyti

09:45 - 22.07.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në formën e zakonshme të përshkrimit të autorit kemi këtë esse të tij, që përcjell në një formë metaforike llojin e patriotizmit tonë kombëtar…




Rexhep FERRI

1.
Kush do të na përfaqësojë si model, si humbje, si vlerë…
Nuk e di.
Kemi shkuar përtej moralit të bashkësisë njerëzore.
Këtë dhunë, si ta quaj ndryshe.
Sot është problem i madh për ta mbrojtur nga njeriu që nuk është duke kuptuar asgjë..
Me ëndrrën njerëzore është edhe një arsye më shumë për t’i shqetësuar.
Në fund të fundit: Pse të flas? Kur dikush tjetër vjen e flet më mirë se unë për qejfin e vet.
Këtë qytetërim askush nuk mund ta peshojë e kuptojë më mirë e as nuk mund t’ia hedhë më mirë.
Sokratin miqtë e kanë bindur se duhet ta pijë helmin.
Më në fund çka me pa?!
Para pasqyrës lakmia na solli gjumin e madh.
Në botën që quhet bota e gabimeve të bukura, Helena ka qenë grua e bukur për Paridin.
Jo për mua që Afërditën e kam parë vetëm një herë.
Besoni.
Dje ditën e kam kaluar vetëm duke menduar.
Çka mund të flet njeriu kur flet shqetësimi e jo mendja?
– Ku është dashi i kurbanit?
– Ky është dashi i kurbanit!
Nuk i duron dokrrat.
Dokrrat që i përdor njeriu…

2.
Për këtë histori pa fillim kujt t’i them se çka po mendoj.
Ka shumë gjëra që nuk i kuptoj.
A mund të besojmë?
E pamundur të besojmë…
Ndoshta është edhe mëkat i madh të heshtim.
Para syve tanë populli e ka humbur autoritetin.
Me sojlitë tanë nuk ka mahi.
Ata nuk dijnë të ndalen as kur gjuan rrëfeja.
As nga qetësia para vdekjes.
Patriotizmi i tyre që na mbyti po na kthen në mesjetë.
Na ka bindur se “Njeriu është kafsha e parë që e ka krijuar mjedisin e vet. Por, ironikisht, ai është kafsha e parë që në këtë mënyrë po e shkatërron veten”.

3.
Sa për të vërtetën, ku ta gjejmë të shkretën?!
Për ta shpëtuar tani është vonë.
Të gjithë po heshtim dhe të gjithë po presim diçka të humbur.
Para pasqyrës nuk po shohim asgjë më shumë se patriotizmin që na mbyti.
Historia që është nën hijen e frikës, pse nuk flet?
Për të larë mëkatet çdo ditë bëjmë një të keqe.
Fama e saj lexohet si histori e pashkruar.
Pse?
Ku ta di unë pse!
Duke kaluar nga një rrafsh në rrafshin tjetër, të vërtetën gjithmonë e kemi varrosur pa arkivole e pa ceremoni mortore.

4.
Kjo dinakëri as sot nuk është e panjohur.
Koha shtesë gjithmonë na ka sjellë mashtrime.
Nëse ka ndonjë qëllim jeta, tani ia kemi gjetur fillimin.
Për turpin e madh, turpin e madh.
Pse ta ndryshojmë mendjen.
Për asgjë tjetër nuk jemi në vendin e duhur.
Shpejt na humb besimi dhe lidhemi me diçka tjetër.
Prandaj, nuk kemi se kend ta akuzojmë.
Për tu ruajtur nga miku që të lë në baltë e të godet befas, të gjithëve na kanë dalë brirët.

5.
Te një kufi tjetër, merrni frymë më qetë.
Dhe mendoni më pak se pak më ndryshe.
Mund ta hani kot.
Pra, kujdes!
Të pafajshmit, të mërziturit si shpërblim i pret kokrra e kripës dhe leximi i ëndrrave.
“Siç ka pohuar shejtani, secili njeri lind si poet, jeton si vjedhës dhe vdes si lugat”.
Dhe krejt në fund: i mbyll sytë pa kuptuar asgjë…
Kur fantazia nuk njeh kufi ëndrra gjeografike është pika e fundit e gabimeve.
Pse, si dhe pse reja i gjuan edhe njerëzit e mirë.
Deri tani për mua nuk ka përgjigje.
Çka thonë të tjerët nuk dua të besoj.
Ende e kam një ëndërr ku mund të pushoj.
Sa e padrejtë është jeta, është pyetje enigmatike.
Shpesh më vjen të mendoj se nuk është ashtu, edhe kur bie fjala se është ashtu, çka mund të bëj unë.
Patriotët sojli janë mësuar të na tregojnë se si duhet të marrim frymë.
Kjo lojë nuk luhet për herë të parë.
Në popull vetëm flitet:
– Ejani. Kaloni! Vetëm kaloni!…
Nga fjalët e vonuara, fjalët e besueshme kurrë nuk arritëm ta kuptojmë se çfarë nëme na ka zënë.
Mendoni çka të doni.
Mori fund edhe një histori pa fillim.

6.
Me gënjeshtra e pa gënjeshtra nga flamuri kombëtar na ikën ngjyra e kuqe e ngjyra e zezë.
Çka t’i themi këngës popullore?
Gjergjit?
Shqiponjës?
Ku është Nëna?
Ku është Ajo:
Nëna, Nëna!
– Jam me ty, jam me ty! – i thashë.
Shpirti i saj ndoshta më dëgjon.
– Më fal, e di! – prapë i thashë.
– Jo, ti nuk e di! Kam jetuar nga vuajtja. Për fituesin dhe humbësin nuk po flas.
Njeriu gjithmonë i ka dy mundësi: të bëj keq e më keq ose mirë e më mirë.
Si do të orientohemi nuk e di.
Me fjalën e parë Zoti nuk i ka shkruar të gjitha fatet.

7.
Duke mohuar të tashmen, çka mund të presim.
Evropën e luftërave nuk mund ta kuptojmë.
Tani as për mëkatet e bëra nuk e pyet askush.
Për të fshehur shqetësimin ajo mund ta lëshojë një shikim kah qielli.
Kur flasim për dashurinë ajo ndoshta e harron urrejtjen.
Kur flasim për urrejtjen ajo ndoshta i harron milionerët.
Kur flasim për milionerët ajo ndoshta i harron demonët e shenjtë.
Prandaj nuk mund të na ndihmojë askush.
Në “Farmën e kafshëve” vetëm njeriu e ka varrosur njeriun për së gjalli.
Si e pse jemi të pafajshëm të kuptojmë.
Në Parajsën e zhgënjimit, pazari i ditës dikujt i shkon për shtati.
Pas kësaj rrumpalle të çmendur, kurrë nuk do të dihet se kush qëndron.
Ideja fitimprurëse s’ka as dëshmitar e as fajtor.
Ka mashtrime dhe ligje të pashkruara.
Ligjet e hekurta vetëm nëse ndryshe nuk janë shkruar nga dora e fortë.
Edhe ky fund e ka një fillim të çmendur.
Njëherë e pyeta veten:
-Sa e dhimbshme është jeta pa atdhe?
Për këtë pyetje të jetës sime deri tani përgjigje nuk ka.

8.
Nga koha e mbetur na erdhi njëfarë dite për të festuar me duartrokitje e pa ligje e me tregtarë flamujsh.
Pasi dolëm nga vetmia bizantine, pse u çmendëm.
Për fat të keq nuk e kuptoj.
Për njeriun që mendon dhjetë herë e flet një here nuk shohim e nuk kuptojmë asgjë më shumë se fatkeqësinë e tij.
Nga Kanuni i Lekës mësova të përdori heshtjen.
Vrasësi me pagesë, me maskë e pa maskë të kthen me fytyrë kah muri dhe qeshet.
Kufiri i pakuptueshëm nuk është aty.
Afër, shumë afër syve të mbyllur na pret fundi.
Në lagjen “Velania”, në Prishtinë, në një mur me shkronja të mëdha dikush kishte shkruar: “Hapi sytë o Zot! Sa të mirë jemi!”
Po pak më larg po ashtu me shkronja të mëdha dikush tjetër kishte shkruar:
“Unë votoj, ti voton, ai – ajo voton. Ne votojmë, ju votoni, ata dhe ato përfitojnë”.
Si duket kështu fillon gjithmonë.
Për herë të parë nuk kisha frikë.
E pabesueshme për mua që kërkoja diçka.

9.
Kemi pas folur me e pi një kafe bashkë.
Tani nuk mund të ndryshojmë asgjë.
Ndoshta jemi fundi i fundit.
Nga historia e jetës së përditshme njeriu si qenie e pafrenuar bën krime dhe del pa u lagur.
Më në fund, të gjithë dalin para pasqyrës për ta parë lirinë.
Fati kishte harruar të na shohë.
Ligjet pse i kemi lënë për më vonë? Kend ta pyes, kend ta bëj fajtor?
Njerëzit janë maskarenj, të mashtrojnë me bamirësi.
Nesër si do të quhet njeriu nuk e di.
Hipnotizimi mund ta kalojë ylberin dhe botën e botës së vogël e fut në xhep.
Dhe heshtë për ta kuptuar heshtjen.
Në fund të ditës.
Në mes të natës.
Ku na presin sfidat për ta mundur kohën?…


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.