MILOSAO

Poezi nga Vaid Hyzoti

09:30 - 22.07.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Romantizmi i kohës sonë i përcjellë në një mënyrë pak të thjeshtë nga autori…




Nga Vaid Hyzoti

TI KURRË NUK DO TË JESH E IMJA…
Kurrë nuk do të jesh e imja, ndonëse duhemi aq shumë,
Kurrë nuk do të prek e të frymoj poreve të lëkurës tënde të brishtë,
Kurrë s’do t’i pi sytë e tu të thellë,
Kurrë nuk do të të thith gjoksin tënd të fildishtë!
Kurrë s’do të mbytem në humnerën ku shuhet çdo burrë,
Kurrë nuk do krenohem për rënkimin e orgazmave,
Kurrë nuk do të fryjë flokëve kur të fshihem në gushë,
Kurrë nuk do çmendem e të them në vesh fjalët e të marrëve.

Nuk do gëzojmë bashkë, se unë nuk jam i plotë,
Nga vetja dhashë gjithçka dhe mbeta me gjysmë zemre.
Dhe ti më je aq larg në vite e në vende
Më ktheve gati krejt një pako mungese.
Më bëre të besoj se vetëm shpirti duhet,
Veç ende nuk e di në shpirt unë kam akoma…
Prej ëndrre të krijova, prej shijesh e ndjesish,
Gëzo , se kurrë s’do shihemi. Nuk dashuron kufoma…

KAM MBETUR LARG…
Kam mbetur aq larg prindërve të mi…
Ka mbi njëzet vite që dhe varret s’u kam parë!
I blemë mermerin më të shtrenjtë
Dhe prapë (më thonë),
Ka plasa në damarë…
Kur do përmbysem, në një përqafim,
Të nxjerr një lot,
Të shërohem duke qarë…

Kam mbetur larg,
Sa lojë e ndyrë jeta!
Fëmijë u ikja nga duart,
Para tyre vrapoja unë…
Prapë para meje ata ikën kaq herët.
Shpesh fajtor ndihem:
Mos u vonova shumë?

NUK I NJOH GJARPËRINJTË…
Nuk i njoh gjarpërinjtë që falin helmin për mua,
Helmin që më duhet për ilaçet e zemrës…
Nuk ua njoh pyllin, vendin dhe fshatin,
Nuk e di ku flenë:
Rrëzë gurëve a majë pemës…
Nuk di a ushqehen me kafshë të egra,
Nuk di a gjuajnë për minj apo hardhuca,
Mbase ne bahçen me barë të dendur,

Ku ka shtëpinë
Ajo sygjarpërueshja…
Nuk di sa vazhdojnë të më bëjnë dhuratë
Helmin që më duhet të qëndroj në jetë.
Mbase deri kur helmi të kthehet në mjaltë,
Deri kur sygjarpërueshja
Të më mëkojë vetë…

LUMI
Një lumë ka lënë shtratin bosh në vendlindje,
As gjeologët, sizmologët nuk e dijnë pse…
Një lumë që thyen malet, që gërryen fëmijërinë time,
Vetëm emrin ka lënë atje…

Pata lëshuar britmën e mallit,
Dhe maleve ku rrjedh iu krijuan të çara,
Dhe pemët pa mua në buzë të lumit,
Janë pa gjethe, krejt të thara…

Një lumë që unë e thirra të lëvizte në vena e kapilarë,
Ka gjetur poshtë deteve dhe oqeanit një udhë të fshehtë,
Të më bëhet kompresë kur digjem në ethe,
Të më mbajë në jetë…e lëvizë në deje, të mbajë

Në jetë!

U RRËZUA NJË GRUA
…dhe taka u thye, ajo ndrydhi këmbën
Dhe unë u tremba nga një “ah” i lehtë!
Ndofta një kallo sa një kokërr orizi,
I theri në këmbë,
E bëri të zbehtë!

E bëri të zbehtë, i dha pak dhimbje,
E bëri të bukur, si hënë vjeshte,
Të ruante dritën, ndërsa po binte,
Denjësisht mbahej
Tek një buzëqeshje!

Urreva në çast kryetarin e bashkisë,
Përse me gropa ishin kthyer rrugët,
Dhe desha që drejtuesi i kompanisë së asfaltit,
Pa një, pa dy…
Në burg të futet.

Por gruaja u mbajt me një përqafim,
Aq ëmbël, “padashje” më shtrëngoi mua…
Dhe shpalla njëherësh unë amnistinë,
I fala , se bukuria
Tek unë u rrëzua!

FLI
Duhet të flesh, më mirë se të heshtësh,
Të presësh një fjalë, një shenjë nga unë…
Ti je një xhind,
E çmendur ti je,
Sa shumë më flet,
Kur më vë në gjumë!

EPITAF
Asgjë s’kam qenë,
Asgjë s’do jem…
Në jetë më sollën
Të pi pak helm…

VAJZA E ËNDRRËS
U shfaq vajza e ëndrrës së një jete,
Ajo që jeton pas malit të syve të natës sime.
Tani kam frikë se do vijë të më takojë,
Tani kam frikë se kurrë
S’do përkundem në ëndërrime.

E kam krijuar vetë dhe është aq e rrallë,
Kudo e kam veshur me petale…
Firmat famoze të modës rrinë kryeulura,
Mijëra punëtorë do të dalin
Në rrugën e madhe…

Asnjë sallon bukurie nuk merr përsipër
Të modelojë flokun e saj aq të rëndë…
Flokët që e ruajnë aq shumë mendjen,
Që zemrës i merr
Fjalën e pathënë…

Më sheh në sy dhe unë zë frikësohem,
Rrezja e vështrimit tej e tej i shkon malit.
Ah po të vinte, eh ç’dasëm do të bënim,
Me lot, me lule për mua dhëndrrin
Në…shtëpinë e funeralit!

KE MBYLLUR DERËN
Ke mbyllur derën nga brenda dhe ke humbur çelësin,
Të mos dalë asnjë ofshamë nga dhimbja përtej mureve.
Ai që doli e përplasi fort dhe të fyu,
Të tjerë trokasin
Dhe të ftojnë me lutje…

Dhe ti troket fort dhe ke dëshirë të dalësh,
Por askush nuk dëgjon përpëlitjet e shpirtit,
Askush nuk të sheh zbukuruar petalesh,
Trokasin, jo për ndjenjë,
Veç për shijen e … mishit!

Ndaj rri derëmbyllur nga brenda e nga jashtë,
Ndaj s’do t’i përgjigjesh asnjë trokitjeje…
Në shpirt ti vazhdon të jesh një vajzë,
Që do një përkëdhelje
Para rendjes për rritje…

MBAJ SYTË HAPUR
Mbaj sytë hapur e çdo ditë njoh më shumë njerëz,
Eci syhapur dhe shkel e njoh sa më shumë vende.
Bota vjen e më zvogëlohet dhe viset s’më ngjallin më magji,
Picërroj sytë dhe hapin s’e ngas në rendje.
Nuk është se u plaka, nuk më lë shikimi as dëshira,
Por shpesh dua të iki larg kësaj bote.
Ankohen sytë, se njerëzit kthehen në gjilpëra,
Të qepur me sy vetëm në portofole!

ËSHTË SHPIKUR
NJË MAKINË E RE
Një makinë e re është shpikur, që ka trurin tim,
Si unë udhëton pa sy, përmendësh e di rrugën…
Nuk shkel kurrë vijëzimet, s’ka mushkëri për borinë,
Para dritës së kuqe i këputen gjunjët.
Një makinë e re, që bindet aq shpejt,
Me një pëshpërimë vihet në lëvizje.
Si unë që zgjohem e rend në punë,
Si unë që ngjaj një orë me kurdisje;
Si unë, që nuk më duhen tabelat,
Se rrugën për punë e mas me hapa.
Për estetikë ka xhama, si sytë që kam në ballë,
Se kurrë nuk shoh as anash, as prapa.
Një bateri të vogël – në bagazhin e zbrazur,
Aq sa çanta ime e bukës me vete…
As dimër, as verë nuk i hap xhamat,
Si uniforma e punës në veshje.
Një makinë pa shofer është sot në modë,
Që bindet pa të bërtitur, me një urdhër të lehtë…
Një makinë që më ngjan mua e shumëkujt në botë,
Se makina si ne njerëzit duhet të jetë!


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.