POLITIKË

PD: Rama “bllokon” prej dy vitesh Strasburgun

13:48 - 29.07.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Këshilltari për çështjet ligjore pranë Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se po mban të bllokuar prej dy vitesh emërimin e gjyqtarit që përfaqëson Shqipërinë në Gjykatën e Strasburgut.




Në një deklaratë për median Bardhi theksoi se për të pestën herë radhazi, Rama ka propozuar kunatin e Fatmir Xhafajt, Sokol Berberin, ndonëse ky i fundit është refuzuar disa herë nga Këshilli i Europës dhe nuk i është nënshtruar vettingut.

DEKLARATA E PLOTE
Qeveria shqiptare ka krijuar një situatë të paprecedentë në marrëdhënien e shtetit shqiptar me Këshillin e Evropës dhe Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut, duke bllokuar prej 2 vitesh emërimin e gjyqtarit që përfaqëson Shqipërinë në Gjykatën e Strasburgut.

Bllokimi nga Edi Rama i emërimit të gjyqtarit në Gjykatën e Strasburgut po bëhet për të njëjtën arsye që ka bllokuar edhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë.

Për Edi Ramën nuk mund të ketë drejtësi, nëse ajo nuk kontrollohet plotësisht prej tij nëpërmjet veglave të veta në sistemin e drejtësisë. Bllokimi është alternativa që ofron Edi Rama derisa të ketë siguruar kapjen e drejtësisë.

Shqiptarët kanë të drejtë të dinë se bllokimi i emërimit të gjyqtarit shqiptar në Gjykatën e Strasburgut prej 2 vitesh bëhet për shkak se Edi Rama nuk heq dorë nga propozimi si kandidat i kunatit të Fatmir Xhafajt, ish anëtarit të Gjykatës Kushtetuese Sokol Berberi apo përfaqësuesve të Fondacionit Soros, së fundmi të Darien Pavlit.

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka refuzuar 4 herë kandidaturat e propozuara nga Shqipëria dhe zyrtarisht 2 herë ka informuar Qeverinë Shqiptare se procesi i përzgjedhjes së kandidaturave ka qenë jo transparent dhe nuk ka garantuar profesionalizimin dhe meritokracinë në përzgjedhje.

Pavarësisht refuzimit disa herë nga Këshilli i Evropës të standardit të përzgjedhjes politike dhe korruptive të kandidatëve për gjyqtarë, Edi Rama nuk heq dorë.

Për të pestën herë propozon si kandidat për gjyqtar në Strasburg kunatin e Fatmir Xhafës, Sokol Berberin, që është refuzuar me votë disa herë nga Këshilli i Europës dhe i është shmangur vettingut.

Edi Rama po shpërblen edhe Fondacionin SOROS për ndihmën e vyer që i dha për projektin e kapjes politike të sistemit të drejtësisë.

Kandidati tjetër alternativ që propozon Qeveria Shqiptare për gjyqtar në Strasburg është Darien Pavli. Si drejtues i SOROS, ka qenë Koordinator i Sekretariatit Teknik që ndihmoi Edi Ramën dhe Fatmir Xhafën të hartonte paketën ligjore të kapjes së drejtësisë.

Nëpërmjet dërgimit në Gjykatën e Strasburgut të personave të besuar dhe të kontrolluar prej tij, Edi Rama kërkon t’i përdorë ata si kamikazë në vendimmarrje të rëndësishme kundër interesave të qytetarëve shqiptarë, siç janë çështjet për respektimin e të drejtave themelore të njeriut në përgjithësi dhe të drejtës së pronës në veçanti.

Partia Demokratike i konsideron kandidaturat e propozuara nga Qeveria për në Gjykatën e Strasburgut si kandidatura tërësisht nën kontrollin e Edi Ramës dhe të përzgjedhura në një proces të korruptuar politikisht.

Për Partinë Demokratike kjo nuk është drejtësia e pavarur që po kërkojnë qytetarët shqiptarë, një drejtësi që të mbrojë të drejtat e tyre dhe të luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar.


Shfaq Komentet (4)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.