BLUETOOTH

Eva Murati: Së shpejti nis xhirimet për një film të ri

15:30 - 04.08.18 Gazeta Shqiptare

Pamela Aliaj – Rrëfehet moderatorja: Kam rënë në dashuri me Champions League – “Ka shumë maska të vendosura, sa mendoj se është harruar edhe fytyra e vërtetë”

 Pas valës së gjatë të emocioneve që la pas Botërori i “Rusi 2018”, nuk kishin si të mos viheshin në pah edhe bukuroshet, të cilat e transmetuan atë për një muaj me radhë në ekranet shqiptare. Ajo është pikërisht njëra prej tyre, e cila spikati jo vetëm me thjeshtësinë dhe zotësinë e saj, por gjithashtu edhe me sharmin e emocionin që transmetoi çdo natë ‘live’ për muajin e Botërorit. Duhet të theksojmë se jashtë kuintave të kamerës, ajo është shumë e rezervuar për jetën e saj dhe aspiratat që ka për të ardhmen. Por në një intervistë ekskluzive për “Bluetooth” të “Gazeta Shqiptare”, Eva Murati, tashmë ikona e “Tring Sport”, ka folur për prapaskenat e jetës së saj dhe jo vetëm. Aspiratat që ka për të ardhmen, planet për një film të ri, ku ajo do të jetë pjesë si dhe shumë e shumë gjëra të tjera i gjeni në intervistën e mëposhtme.

  Si kaloi ky Botëror për ju? Cili ishte momenti që do të veçonit?

Kampionati Botëror është një kompeticion që vjen njëherë në 4 vjet plot energji dhe hare për të na argëtuar, Padyshim që ka pasur shumë momente të bukura, çaste që na kanë emocionuar shumë, sepse ky mbi të gjitha është quajtur Botërori i surprizave, pasi shumë pak ndeshje kanë përfunduar “si në letër”, por kanë qenë jashtë çdo parashikimi. Midis tyre do të veçoja golat e bërë nga Shaqiri dhe Xhaka, dy lojtarët zviceranë me origjinë shqiptare në ndeshjen kundër Serbisë. Ka qenë një moment i jashtëzakonshëm e që për ne i kapërceu kufijtë e futbollit dhe na dha shumë emocione të përziera së bashku: lumturi, krenari, ankth, tronditje. Kjo ka qenë një fitore e madhe për ne si shqiptarë, prandaj e veçoj mbi të tjerat.

Pas një muaji kaq të ngjeshur padyshim keni nevojë për pushime relaksuese. Ku do zgjidhni t’i kaloni ato?

Ky muaj që kaloi me është dukur tepër i gjatë, sepse angazhimi për Botërorin ishte i madh, por pavarësisht kësaj, ende nuk mund të nisem me pushime. Tani jam me sezon provimesh dhe pastaj nis me xhirimet e një filmi të ri. Mbasi t’i mbyll të gjitha këto, do nis zyrtarisht pushimet verore. Shpresoj të ketë mbetur ende kohë, sepse Super Kupa më 15 gusht shënon edhe hapjen e sezonit futbollistik me vazhdimin e Champions League. Ky është plani i çdo vere, pasi kryesisht produksionet filmike zhvillohen në këtë stinë. Do të më duhet të pres edhe pak për pushime, për të provuar relaksin aq shumë të dëshiruar që të ofrojnë pushimet, por nuk mërzitem, kënaqësia që ndjen mbasi del produkti përfundimtar është çlodhja më e madhe.

Shumë nga imazhet e ekranit do të lëvizin duke, nisur një sfidë të re këtë shtator për në media të reja. Po për Evën do të ketë ndryshime?

Dikush përpiqet të gjejë diçka më të mirë, dikush nuk është i stabilizuar, moritë e arsyeve pse ka pasur dhe kaq shumë lëvizje, kaq të “çuditshme” janë nga më të ndryshmet. Për t’u treguar e sinqertë, këtë vit kam pasur oferta jashtëzakonisht tunduese dhe jam e lumtur për këtë. Askush nuk të kërkon nëse nuk je aset për median që zotëron, prandaj jam e kënaqur që puna ime është vlerësuar. Sa për vitin e ardhshëm, nuk do të ketë ndryshime. Jam lumtur me bashkëpunimin me “Tring” dhe kam rënë në dashuri me Champions League. Është bërë pjesë e imja tashmë. Gjithashtu është një emision që më jep kohën e mjaftueshme për t’u marrë me shkollën dhe projektet filmike, prandaj mendoj se peshorja është goxha e balancuar dhe nuk ka pasur nevojë për ndryshim.

Ju kemi parë prej kohësh të jeni pjesë e moderimit të emisioneve sportive. E zgjodhët ju këtë zhanër, apo ju zgjodhi?

Nëse do të më kishit thënë para 2 vitesh që do të prezantoja emisione sportive, nuk do ta kisha besuar kurrë. Nuk mendoja se do isha ndonjëherë pjesë e tyre për shkak të seriotipit të shpeshtë që karakterizon prezantueset sportive. Nuk më lidhte asgjë me futbollin, përveçse ndeshjeve të para me shoqërinë, më tepër për të pirë diçka bashkërisht sesa për të ndjekur lojën. Tashmë është diçka krejt ndryshe. Mendoj se pranimi i prezantimit të Champions League është nga ato lloj projektesh që janë fat në karrierën e një prezantuesi. Padyshim që Champions më zgjodhi mua, në kohën kur erdhi kjo ofertë, prezantoja një emision me intervista me personazhe, ndërkohë pata edhe dy oferta të tjera, për shkak se ishte ndërrim i sezonit televiziv dhe ishte çast lëvizjesh të mëdha, sikurse edhe tani. Disa miq të mi, fanatikë futbolli këmbëngulën me tezën se Champions është Hollivudi i futbollit dhe do isha e marrë, nëse do ta refuzoja. Për të thënë të vërtetën, tani që ka kaluar kohë, mendoj ishte një ofertë e ardhur në tempizëm perfekt, emisioni i duhur në kohën e duhur.

Cila lloj hapësire mediatike do t’ju joshte për të punuar?

Padyshim që spektaklet argëtues “entertainment show” janë ato ku e ndej veten më mirë, pasi janë një ndërthurje e disa zhanreve. I rikthehem herë pas here përgjatë vitit ‘show’-ve të tillë me projekte të ndryshme të shkurtra. Mendoj se në një të ardhme do t’ju kthehem sërish, por tani për tani jam e lumtur me projektet që kam.

Jeni vetëm 23 vjeçe dhe në kulmin e karrierës, apo prisni të arrini diçka më tepër? Cila është maja për ju?

Ndonjëherë do doja që të kthehesha pas në kohë dhe t’i thosha Evës 15-vjeçare të mos shqetësohej aq shumë se gjërat do ecin mirë. Kam punuar shumë, nuk jam kënaqur asnjëherë me atë që kam pasur dhe shpeshherë kam shkuar në ekstrem duke harruar çdo gjë tjetër përreth. Ndoshta tani duket diçka mëse e zakonshme kjo mënyrë, pasi të gjithë i përkushtohen karrierës që kanë zgjedhur, është mëse normale. Forca ime më e madhe ka qenë se kam arritur ta konstatoj këtë gjë në moshë shumë të re dhe për një 15-vjeçare të punuarit për karrierën që do të ketë në 5 vitet e ardhshme është goxha sfiduese. Gjithsesi, për ta lidhur edhe me botën e sportit, jam e lumtur që vlera e “kartonit” tim që nga ajo kohë është rritur. Jam me fat për këtë, shumë njerëz mundohen shumë dhe kurrë nuk shpërblehen. Jam e lumtur që mundi dhe durimi im nuk ka shkuar dëm. Padyshim që oreksi vjen duke ngrënë dhe planet janë të shumta, por gjithsesi jam optimiste për atë që më pret në të ardhmen, sepse e kam provuar veten. Shpresoj që fati të më ndjekë siç ka ndodhur deri më tani.

Pasioni i fshehtë i Evës është..?

Jam e lumtur që pasionin tim për televizionin kam arritur ta kthej në profesion, pasione të tjera kam fotografinë dhe nuk po flas për të pozuar por për të qenë pas aparatit, si dhe leximi i romaneve, mundësisht në natyrë.

Nëse nuk do të zgjidhnit të ishit moderatore, me çfarë do të merreshit si profesion?

Unë tashmë e kam bërë një zgjedhje në karrierë që nuk ka lidhje me fushën e artit. Pas mbarimit të programit bachelor në Universitetin Publik të Tiranës, në Fakultetin e Drejtësisë po vazhdoj vitin e parë master shkencor penal po në të njëjtin fakultet. Përpos kësaj, nëse nuk do të isha marrë me televizion që në adoleshencë, mendoj se do e kisha shprehur në të tjera mënyra dëshirën time për të folur në publik, me siguri do të kisha hapur një kanal në ‘Youtube’ (qesh).

A keni plane dasme se shpejti?

Sapo kam mbushur 23 vjeç, jam e lumtur me bekimet që më ka sjellë Zoti në jetë, por dasma nuk është në planet e mija të afërta.

Lidhur me “incidentin” me ish-banoren e “Big Brother”, a keni pasur kontakte më përpara se ta sqaronit ‘live’ në media me të? Pse u keqkuptua sipas jush?

Nuk do doja t’i shtoja apo t’i hiqja ndonjë presje asaj që thashë në TV në ballafaqimin në “Top Channel”. Nuk do ta nisja aspak diskutimin nëse do e dija se vajza ishte e famshme, pasi përpiqem të ruhem nga lajme të tilla të pakuptimta portalesh. Reagimi im ndaj adresës false të trajnerit Klop erdhi për 2 arsye. E para, sepse komenti ishte tepër seksist, pra vajzat shqiptare i duhen Botërorit se janë joshëse dhe provokuese e nuk kanë asnjë vlerë tjetër, gjë që ka gjetur bazë të fortë edhe duke parë nismat ligjore të FIFA-s për gjobitjen e pamjeve të tilla tepër seksiste. E dyta dhe më e rëndësishmja, sepse ishte një koment që e shumëzonte me zero të gjithë mundin dhe talentin e djemve që luajnë me Kombëtaren shqiptare. Kjo është tepër e padrejtë, mbi të gjitha në një foto ku shfaqen simbolet kombëtare. Në rast se një sportist përfaqësues i shtetit amerikan dëmtohet, çështja shkon deri tek FBI, në rast se në një film amerikan shfaqet grisja apo përdhosja e flamurit, filmi refuzohet nga kinematë dhe regjisori futet në listën e zezë. Tifozët anglezë njihen në botë për çmenduritë që kanë bërë për skuadrën e tyre. Pse flamuri dhe simbolet e vendit tim duhet të përfliten dhe unë të qëndroj pa bërë asgjë? Ndoshta unë nuk kam asgjë në dorë, por të paktën kam fuqinë e rrjeteve sociale, që është bërë faktike në shekullin ku jetojmë. Mendoj se është një çështje që nuk ia vlen më të diskutohet, prandaj e sqarova njëherë e mirë ‘live’ në TV. Për ta përmbyllur, do thosha se golat e Shaqirit dhe Xhakës janë përgjigjja më e mirë që mund të jepej. Një vend kaq i vogël si yni ka nxjerrë mjaft talente, duhet trajnohen siç duhet dhe këtu çështja shkon përtej futbollit duke përmendur Rita Orën, Dua Lipën etj. Këto fjalë janë thjesht për të shëruar plagën më të madhe të komunizmit që kapërcen burgimet e internimet që është pikërisht humbja e dinjitetit shqiptar, gjithmonë në kërkim të së mirës, diku tjetër pa pasur respekt për atë çfarë ke dhe je.

Cila është gjëja më e shtrenjtë për Evën, për të cilën s’do bënte kompromise?

Sinqeriteti. Jetojmë në një botë ku shtirja fatkeqësisht është bërë pjesë e jetës së përditshme. Ka kaq shumë maska të vendosura, sa mendoj se është harruar edhe fytyra e vërtetë. Më e keqja se shpeshherë e bërë pa arsye, thjesht për të ushqyer egon personale. Nuk është turp të gabosh, por të mos tregohesh i sinqertë me të tjerët dhe mbi të gjitha, me veten! Ç’kuptim ka të gënjesh veten, duke jetuar në një botë iluzionesh që nuk ekzistojnë kur të tjerët e njohin realitetin tënd?

A jeni penduar për diçka të ndodhur dhe nëse po, ç’do të bënit për ta rregulluar nëse do ktheheshit pas?

Padyshim të gjithë kemi momentet tona të mërzisë dhe mbi të gjitha, të brengës duke menduar se çfarë mund të ndodhte në rast se do të kisha vepruar ndryshe… ‘what if’ (po sikur) na shoqëron gjithnjë sepse efekti flutur është më real se kurrë. Kam momente të tilla, sidomos në çaste dobësie, por përgjithësisht jam e lumtur mes gjërave kaotike që më kanë ndodhur në jetë, sepse rezultati të cilin e jetoj më pëlqen!

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *