DOSSIER

Ekskluzive/ Kontrata për xhirimin e “Gjeneralit…” të Kadaresë, që largoi francezët nga Shqipëria

20:36 - 05.08.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Dashnor Kaloçi – Ekskluzive/ Zbulohet dokumenti i vitit 1982 për realizimin e filmit italo-francez në Shqipëri




 Klauzola e kontratës: Filmi duhet të jetë në përputhje me kërkesat dhe marrëveshjen e bërë nga autori i romanit, Ismail Kadareja me “FILMS 66”.

Së shpejti, libri më i ri “Shkrimtarët dhe artistët nën diktatin komunist” i gazetarit dhe studiuesit të njohur, Dashnor Kaloçi

Ashtu siç kemi parë edhe në disa kapituj paraardhës, diku nga mesi i vitit 1982, kur shoqëria filmike franceze “FLMSS 66”, e përfaqësuar nga aktori i njohur Michel Piçoli ishte bërë gati për të ardhur në Shqipëri dhe për të filluar xhirimet e filmit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, (sipas skenarit të përshtatur nga romani me të njëjtin titull të shkrimtarit të njohur Ismail Kadare), papritur u ndesh me një sërë problemesh të ngritura nga pala shqiptare, e cila iu propozonte për një shtyrje të fillimit të xhirimeve. Gjë e cila për ta, as më shumë dhe as më pak do të thoshte se realizimi i filmit nga ana e tyre ishte në kufijtë e së pamundurës. Propozimi për shtyrjen e filmit iu bë palës franceze në datat 23 dhe 24 gusht 1982 nga vetë titullarja më e lartë e Ministrisë së Arsimit e asaj kohe, Tefta Cami, gjë e cila vinte pas një sërë letërkëmbimesh të bëra më parë me ta dhe që ishin nënshkruar nga funksionarët më të lartë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, si Reis Malile, Sokrat Plaka, Misto Treska, Javer Malo, Jorgo Melica, Dilaver Pinderi etj. e deri nga drejtori i Kinostudios “Shqipëria e Re”, Vangjush Zallëmi e vartës të tij si Gjergji Pano dhe Niko Mitrushi. Kjo gjë vinte pas një sërë zvarritjesh dhe pengesash subjektive që nxirrte shteti shqiptar si psh., përbërja “sekret ushtarak” e disa vendeve ku do vendoseshin francezët me sheshe xhirimi e të tjera absurditete të tilla. Dhe pas gjithë këtyre pengesave, si për t’i “vënë vulën” një vendimi të paramenduar, pala shqiptare me anë të Ministrisë së Punëve të Jashtme, (urdhri i zv.ministrit, Sokrat Plaka), me anë të një telegrami-shifër tepër sekret njoftonte ambasadat tona në Paris, Romë, Beograd dhe Athinë, ku thuhej: “Urgjente Dt.26.8.1982. TEPER SEKRET. SHIFRIMI. Koncepti: Në rast se paraqiten për vizë grupi i xhirimit të filmit ‘Gjenerali i ushtrisë së vdekur’ i përbërë nga: 1. Michel Pikoli, 2. Huge Nacin, 3. Domenigue Tabuteau, 4.Jan Lui Millart, të mos u jepet vizë. Po të paraqiten, na njoftoni dhe prisni përgjigjen tonë”.

Por cila ishte arsyeja kryesore që pala shqiptare u nxirrte pretendime pas pretendimesh francezëve dhe a kishte mundësi reale shteti shqiptar për t’i qëndruar korrekt kontratës që kishte lidhur me shoqërinë filmike “FILMSS 66”? Nga shumë burime të besueshme bëhet e ditur se pretendimet e palës shqiptare për realizimin e filmit s’ishin gjë tjetër veçse pretekste subjektive të ngritura artificialisht për “t’ua nxirë jetën” francezëve, aq sa i detyroi ata që të tërhiqeshin nga projekti i tyre për realizimin e filmit dhe më pas ta zhvendosnin atë në jug të Italisë, siç dhe ndodhi më pas. Thuhet se problemi kryesor ishte çështja “Kadare”, autori i skenarit të filmit, ndaj të cilit pikërisht në ato ditë, në një nga qelitë e hetuesisë të Burgut 313 në Tiranë (ku zhvillohej procesi hetimor i të ashtuquajturit “Grupi armiqësor i Mehmet Shehut dhe Kadri Hazbiut”), “po rrëfehej” ish-ministri i Shëndetësisë, Llambi Ziçishti, duke akuzuar edhe Kadarenë si pjesëtar i atij grupi. Por edhe pse dosja “Kadare” u mbyll, filmi “Gjenerali…” nuk u realizua dot dhe arsyet e vërteta nuk u thanë kurrë e nuk janë bërë ende publike edhe sot, pas 29 vjetësh nga shembja e regjimit komunist. Kjo gjë të paktën nga asnjë prej aktorëve kryesorë që u morën me “çështjen” e xhirimit të “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, ku shumë prej tyre jetojnë ende. Ndërsa, lidhur me disa nga pengesat artificiale dhe pretendimet e palës shqiptare jemi njohur nga disa dokumente që i kemi publikuar më herët (korrik-gusht 2017, “Gazeta Shqiptare”), në numrin e sotëm po publikojmë për herë të parë kontratën e palës shqiptare për xhirimin në Shqipëri të filmit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, kontratë e cila nuk u firmos kurrë nga shoqëria filmike franceze, “FILMS 66”, e cila pas kësaj u tërhoq dhe i zhvendosi xhirimet në jug të Italisë, ku dhe e realizoi filmin në fjalë me protagonist aktorin e famshëm italian, Marchello Mastrojanni. Ashtu siç do të shohim edhe nga faksimilet përkatëse, në kontratën në fjalë ka shumë shënime me shkrim dore të bëra nga zv.ministri i Punëve të Jashtme të asaj kohe, Sokrat Plaka, i cili në fund të kontratës ka shënuar: “Po për vetë filmin në tërësi, çdo marrim ne”?

 

       KONTRATA

KINOSTUDIO “SHQIPERIA E RE”, rruga “Aleksandër Moisiu”, 76, Tiranë, Shqipëri, përfaqësuar prej… nga njëra anë që më poshtë do të quhet shkurtimisht “Kinostudio” dhe

“FILMS 66” ‘Avenue Mac-Mahon’ 75017 Paris, Francë, e përfaqësuar prej… nga ana tjetër, që më poshtë do të quhet shkurtimisht “FILMS 66”, për:

Xhirimin në territorin e RPS të Shqipërisë nga ana e “FILMS 66” të filmit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” në kushtet e mëposhtme:

  1. Kinostudio merr përsipër të krijojë kushtet e nevojshme në mënyrë që “FILMS 66” të xhirojë në territorin shqiptar pa ndërprerje nga data 14 tetor deri më 25 dhjetor 1982 episode të filmit të lartpërmendur, prodhim i “FILMS 66”, duke vënë në dispozicion të kësaj të fundit, sipas kërkesave të saj, personelin teknik, objekte xhirimi dhe materiale që shënohen në lidhjet 1, 2 dhe 3.

Filmi është prodhim ekskluziv i “FILMS 66”. Si rrjedhim, në titujt e filmit të lartpërmendur, personeli shqiptar dhe shërbimi i Kinostudio “Shqipëria e Re” nuk do të pasqyrohen.

 

  1. “FILMS 66” merr përsipër që t’i paguajë Kinostudios, sipas kushteve të kësaj kontrate, shumën prej Fr.fr……….

 

  1. “FILMS 66” do të sjellë në Shqipëri një grup xhirimi franko-italian (punonjës, teknikë dhe aktorë) jo më shumë se 37 veta, si dhe aparatura të ndryshme xhirimi, ndriçimi dhe materiale të tjera dhe katër automjete teknike me aparaturat përkatëse që shënohen hollësisht në lidhjen nr.4.

Pikat kufitare të hyrjes e të daljes të personave të grupit të xhirimit dhe të mjeteve teknike të lartpërmendura do të jetë aeroporti i Rinasit dhe Hani i Hotit.

  1. Pagesat që do të bëjë “FILMS 66” për shërbimet që do të kryejë Kinostudioja përshkruhen hollësisht në lidhjen nr. 5.
  2. “FILMS 66” detyrohet që listat e personelit të grupit të xhirimit francez dhe italian së bashku me gjeneralitetet përkatëse t’ia dërgojë Kinostudios 30 ditë para ardhjes së secilit person në Shqipëri, duke bërë në të njëjtën kohë edhe kërkesën për formalitetet e pasaportës e vizave në ambasadën e RPS të Shqipërisë në Paris apo Romë.
  3. “FILMS 66” do të çelë pranë Bankës së Shtetit Shqiptar në favor të Kinostudios një kredi dokumentare të parevokueshme, të konfirmuar në gjithë shifrën prej Fr. Fr……..15 ditë para nënshkrimit të kontratës. Përdorimi i kredisë do të bëhet për kundrejt paraqitjes në Bankën e Shtetit Shqiptar të dokumenteve si më poshtë:
  • Faturës së paraqitur nga Kinostudio në dy kopje.
  • Situacionit javor të nënshkruar nga përfaqësuesit e të dyja palëve.

Pagesa do të kryhet në fillim të çdo jave paraardhëse. Pagesa e karburantit do të bëhet për çdo javë konkretisht sipas konsumit që do të pasqyrohet në situacionin javor dhe sipas çmimeve të caktuara në Lidhjen nr. 1.

  1. Xhirimet e filmit do të kryhen nga data 14 tetor 1982 deri më 25 dhjetor 1982.
  2. “FILMS 66” merr përsipër t’i dorëzojë pa pagesë Kinostudios një kopje dubël-negativ të filmit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, me përfundimin e filmit, për përdorim brenda vendit.
  3. Filmi i përfunduar duhet të jetë në përputhje me kërkesat dhe marrëveshjen e bërë nga autori i romanit, Ismail Kadareja me “FILMS 66”.
  4. Në rast se “FILMS 66” nuk do të respektojë kushtet e kësaj kontrate, kontrata do të konsiderohet e zgjidhur pa paralajmërim dhe “FILMS 66” do të përballojë shpenzimet e bëra deri në datën e prishjes së kontratës.
  5. Mosmarrëveshjet eventuale që mund të lindin gjatë zbatimit të kësaj kontrate, palët do të përpiqen t’i zgjidhin me bisedime.

Lidhjet nr. 1, 2, 3, 4, 5 janë pjesë përbërëse dhe e pandarë e kësaj kontrate.

 

Kjo kontratë u përpilua në Tiranë, më datën……, në gjuhët shqip e frëngjisht në 4 origjinalë për secilën gjuhë, duke pasur të dy tekstet fuqi të barabartë.

Secila palë merr nga një ekzemplar në secilën gjuhë.

Kontrata hyn në fuqi ditën e nënshkrimit të saj dhe është e vlefshme deri më 31 dhjetor 1982.

PER KINOSTUDION                PER “FILMS 66”

 

 


Shfaq Komentet (2)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Kjo kontrate, e Asaj Kohe Absurde, e gatshme per Rubriken e ZP-se “Pohojne me gojen e tyre”, shfaq Statusin real prej Bossi privat ne nje sistem kolektiv.
    Shume mire ben Dash Kaloci, qe nxjerre palavi te tilla, por ka edhe me shume.
    Kush tjeter, individ, ne Albani, kishte privilegj antisistem pet firme te tille? Askush!
    Bravo Kaloc.

    Përgjigju ↓