OPINION

Pse bien të ardhurat e Buxhetit të Shtetit?

07:30 - 08.08.18 Fatos Çoçoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

“Nuk është e vërtetë!”, mund të të thonë, gati me revoltë jo pak specialistë në ministritë ekonomike të vendit. “Të ardhurat nga tatimet dhe doganat kanë pësuar rritje në gjashtëmujorin e parë të këtij viti në krahasim me periudhën janar-qershor 2017!”, mund t’i përgjigjen pyetjes tënde gati me hakërrim. Dhe kjo është mëse e vërtetë. Po. Të ardhurat e shtetit janë rritur. Por ama me një shtim vetëm në vlerë absolute. Në krahasim me sa realisht duhej të rriteshin, për shkak të ritmit të rritjes sonë ekonomike dhe të shtimit të inflacionit, ato janë pakësuar. Rënia e të ardhurave është shenjë moti të vrenjtur në financat tona publike. Agjencia ndërkombëtare e vlerësimit të kredive “Standard & Poor’s” është ndërmjet tri agjencive më të mëdha të vlerësimit të tregjeve, kompanive gjigante ndërkombëtare dhe ekonomive të mbarë globit. Ndan tregun e rëndësishëm të vlerësimit dhe kuotimit në bursë, së bashku me agjencinë “Moody’s” (kanë secila nga 40 për qind të tregut) dhe me agjencinë “Fitch Ratings” që ka 15 për qind. “Standard & Poor’s” ka nëntë vite rresht që nga nisja e vlerësimit për Shqipërinë (tetor 2010, koha kur qeveria jonë bleu eurobondin e parë) që na vlerëson. Për herë të parë në këto 9 vlerësime, agjencia e mbyll përcaktimin e saj për vlerësimin e financave publike shqiptare më 3 gusht 2018, me shprehjen: “Ne mund të ndërmarrim një veprim negativ të vlerësimit, nëse vëzhgojmë rrëshqitje fiskale materiale”. Gjithnjë ekspertët e saj janë shprehur se mund të ulin vlerësimin, por jo se mund të nxjerrin një vlerësim negativ. Po pse? Sepse më 26 korrik 2018, qeveria rishikoi në ulje Buxhetin e Shtetit për këtë vit.




Nuk është se e ka për herë të parë. E ka rishikuar me ulje edhe në vitin 2012, 2013 dhe 2014. Mirëpo ulja këtë vit shoqërohet me një faturë jashtëzakonisht të ngritur të shpenzimeve për pagesat e Buxhetit ndaj Partneriteteve Publik-Privat që veprojnë deri tani. Pagesa që do të vijnë duke u rritur edhe në vitet e ardhshme, me një progresion gati gjeometrik. Të bën përshtypje që këtë vit rishikimi i Buxhetit të Shtetit ndodh me ulje, pas tri vitesh radhazi (2015, 2016 dhe 2017) që Buxheti u korrigjua me ngritje, si për të ardhurat, ashtu edhe për shpenzimet. Tani ulet, edhe pse të dhënat e INSTAT dhe të Bankës së Shqipërisë flasin për një rritje ekonomike për periudhën janar-mars 2018 prej 4.45 për qind. Ose më e larta si tremujor në gjashtë vitet e fundit. Duke pasur parasysh edhe inflacionin (çmimet e rritura si mesatare) prej 2.4 për qind për këtë periudhë, i binte që të ardhurat në Buxhetin e Shtetit duhej të rriteshin me 6.85 për qind. Afro 7 për qind. Gjë e cila nuk ka ndodhur. Në të kundërt, të ardhurat kanë rënë me 4.65 për qind për periudhën janar-maj 2018, ose 60 milionë euro më pak. Treguesit në ulje të të ardhurave buxhetore e kanë detyruar qeverinë që të rishikojë me ulje të gjithë Buxhetin e Shtetit për vitin 2018. Rritja e vakët e të ardhurave në krahasim me planin është më e dobëta rritje që nga viti 2013. Të ardhurat nga tatimet e doganat u rritën me vetëm 1.6 për qind, duke shënuar edhe mosrealizimin më të madh ndaj planit. Në këtë renditje humbjesh kryesojnë të ardhurat nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), një tregues i drejtpërdrejtë i qarkullimit në ekonomi, me minus 4 miliardë lekë (ose 33 milionë euro). Kjo është e vërteta, përtej çdo butaforie qeveritare. Lind pyetja: Pse kur kemi rritjen më të lartë ekonomike të 6 viteve të fundit dhe inflacioni është relativisht i lartë (me çmime më të larta sigurohen të ardhura më shumë), kemi të ardhura modeste? Për përgjigjen na ndihmojnë gjetjet e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Auditimi i lartë publik flet për të ardhura të munguara në buxhet, si rezultat i rritjes së borxhit tatimor dhe doganor, sidomos i të parit në nivele shumë shqetësuese. Po punohet shumë pak për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura të tatimpaguesve. Administrata jonë tatimore dhe ajo doganore kanë nevojë për një rishikim të plotë të mënyrës së administrimit të të ardhurave që vjelin, jo me “aksione me goditje të përqendruar” pranë tatimpaguesve, por me një punë të imtë qëmtuese dhe kontrolluese mbi bazën e analizës reale të riskut dhe jo deklarimeve formale, pa ballafaquar dhe krahasuar (duke kryqëzuar të dhënat) gjendjen konkrete të detyrimeve dhe të aktivitetit të tatimpaguesve të rëndësishëm. Kjo kërkon një punë të përditshme, të kujdesshme, profesionale, të ndershme dhe të dedikuar, larg rishikimeve buxhetore në ulje, larg akrobacive me shifrat e planit dhe realizimit të tij faktik.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.