Nostalgji

Nostalgji/ Kujtim Prodani: Jam ende i ri për t’u martuar

16:00 - 09.08.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në lajmet tona të “show-bizz”-it, në rubrikën “nostalgji” mund të gjeni fotografi, lajme apo intervista të veçanta, të publikuara gjatë viteve në suplementin “Bluetooth” të “Gazetës Shqiptare”. Në GSH.al, sot po ju sjellim: Kujtim Prodani: Jam ende i ri për t’u martuar




Një rrëfim që nis me muzikën, për të cilën edhe është vlerësuar së fundi me çmimin “Albumi më i mirë”, për albumin “Me sytë nga dera”, më tej klipi i përfolur “Si u bëmë kështu mikja ime” dhe padyshim jeta private dhe hobet e kantautorit të mirënjohur Kujtim Prodani. Për më tepër intervista në vijim na dëshmon gjithçka!

Kujtim, sapo keni marrë çmimin e albumit më të mirë të vitit nga akademia “Kult”. A është paksa i vonuar ky çmim?
Nuk mendoj që çmimi është i vonuar. Mendoj që i vonuar është Kujtimi, sepse karriera e kantautorit duhet të kishte filluar para 25 vjetësh dhe jo tani. Megjithatë kështu më erdhi jeta dhe prandaj e mora tani. Megjithatë i jam borxhli publikut shqiptar për duartrokitjet e dhëna si dhe për këtë “vonesë” timen. Vitet që do të vijnë mendoj se do të më vënë në pozita punë më të mira dhe do të përpiqem t’ua shpërblej ato duartrokitje si dhe këtë çmim që më kanë akorduar.

Një vit më parë ju keni promovuar këtë album. Sa i kënqur ndjeheni prej tij?
Promovimi i këtij albumi një vit më parë përkoi dhe me 20 vjetorin e tim eti dhe ka shumë domethënie për mua. Jam i kënaqur nga ecuria e tij pasi artdashësit e kanë pëlqyer dhe ka pasur shumë komplimenta nga miqtë e mi por edhe disa vërejtje të cilat do t’i marr parasysh kur të përgatis albumin pasardhës. Përsa i përket shitjes së albumit lë shumë për të dëshiruar pasi si në çdo fushë dhe në art, Shqipëria është në një moment tranzicioni, pirateria luan një rol negativ por shpresoj që publiku ta pëlqejë dhe kjo është gjëja më e rëndësishme për mua.

Përmendët përvjetorin e vdekjes së babait tuaj, artistit të madh Agim Prodani. Sa ju ka ndihmuar apo penguar në karrierën tuaj mbiemri Prodani?
Agimi, ka qënë i vetmi person që më futi mua në rrugën e muzikës dhe që me shumë ngulm u përpoq për karrierën time. Ka qënë gjithashtu i vetmi person që nuk më ka bërë asnjë kompliment. Natyrisht që mbiemri Prodani i ka kuriozuar njerëzit dhe sa e kam shpërblyer unë interesimin e tyre vetëm ata mund ta thonë. Mendoj që Agimi ka qënë një kompozitor shumë i aftë dhe shumë i njohur ndërsa, unë jam kantautor.

Së fundmi ju keni nxjerrë në treg klipin “Si u bëmë kështu mikja ime”, për të cilin keni hasur disa probleme lidhur me materialin e përdorur. Si ka ecur dhe çfarë ka ndodhur tashmë me klipin tuaj?
Kënga “Si u bëmë kështu mikja ime” është kolona zanore e një filmi me metrazh të shkurtër dhe unë pasi u konsultova me regjisorin vendosa ta përdor si klip pasi klipi i jep një tjetër dimension këngës. Është e vërtetë që ka pasur probleme por tashmë çdo gjë është sqaruar dhe e rëndësishme për mua është që ky klip po dëgjohet dhe është i pëlqyer nga publiku.

 

Kjo verë ka nisur më së miri për ju pasi keni fituar çmimin për albumin më të mirë dhe keni lançuar një tjetër klip. Çfarë planesh keni më tej për verën?
Deri në fillim të muajit korrik do të ndjek Botërorin pasi jam një tifoz i zjarrtë i Hollandës dhe do të jem me miqtë e mi duke e ndjekur. Më pas fillojnë shfaqjet në bregdet dhe Kujtimin do ta gjeni kudo ku ka muzikë “Live”.

Ju sapo përmendët futbollin që është një nga hobet tuaja kryesore. Cilat janë hobet e tjera të Kujtimit?
Një nga hobet e mia kryesore është dhe muzika. Duke qënë se kam jetuar për shumë vite në Austri ku temperatura në dimër shkon -30 gradë kam filluar të ushtroj sportin e rrezikshëm por të magjishëm të snowboard-it. Është një sport me “zarar” por totalisht antistres dhe në momentin kur je duke ecur me të me një shpejtësi deri në 70-80 km/h është një adrenalinë e paparë megjithëse duhet pasur shumë kujdes.

Keni pasur ndonjëherë ndonjë incident?
Kam pasur. Bile njëherë ka ardhur dhe urgjenca dhe unë hapa sytë, – dhe aty tregova që jam shqiptar, – u thashë: po ju ç’doni këtu? M’u përgjigjën se ishin njoftuar për një incident, unë u çova mora snowboard-in dhe rrëshqita më poshtë. Megjithatë pata probleme për 6-7 muaj me shtyllëzn kurrizore, por kaloi.

Jeni njeri i aventurave?
Nga mëngjesi deri në darkë.

Që do të thotë?
24 orë në 24.

Aventura e fundit?
Intervista me ju.

Cili është thashethemi më i çuditshëm që keni dëgjuar për vehten?
Që Kujtimi do të martohet javën tjetër.

Ndoshta ka qënë e vërtetë dhe keni ndryshuar mendje?
Unë s’di gjë.

E keni menduar ndonjëherë të martoheni?
Akoma jo.Është shpejt akoma, jam djalë i ri.

Sa vjeç jeni?
Unë kam lindur në 12 mars 1963 dhe çdo orë, çdo ditë, çdo javë, çdo muaj përpiqem ta jetoj sikur të jem dhjetë vjet më i ri, pra jam 37 vjeç.

Cila është mosha e “duhur” për t’u martuar sipas jush?
(Qesh). Nuk di të të jap përgjigje. Por mund të them që martesa është një kompromis i fortë dhe kërkon përgjegjësi, kërkon këllqe. Unë personalisht e shoh botën ndryshe.

Nuk keni këllqe dhe nuk pranoni kompromise?
Kam këllqe dhe pranoj kompromise për marrëdhënie të bukura por mendoj se jeta është shumë e shkurtër për ta ndarë me dikë.

Aktualisht keni ndonjë marrëdhënie?
Gjithmonë kam pasur, kam dhe do të kem pasi për çdo mashkull është kënaqësi të ketë një partnere në krah.

Ky shkrim u botua më 12 Qershor 2010


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.