OPINION

Qyteti, “moderniteti”, normaliteti dhe përgjegjësia!

07:40 - 09.08.18 Përparim Kabo
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Qyteti dhe njeriu… – Nëse një hapësirë urbane edhe e rregulluar për së mbari si i thonë fjalës, do të ishte e zbrazur, pa njerëz, pa lëvizje, pa ëndrra dhe pa frymëmarrje, mund të quhej qytet, por ama qytet pa jetë, qytet i vdekur. Njerëzit që mund të jetojnë në një bashkësi ende të paurbanizuar si duhet dhe në të gjithë hapësirën e vet, ata që jetojnë në kushte të pamjaftueshme të garancive sociale të jetës, por që punojnë, kanë motive në jetë, ndërtojnë jetë komunitare, mbajnë përgjegjësi, orientohen nga zhvillimi, mendojnë për vete, por edhe për brezat që do të vijnë, ngrenë rendin civil dhe respektojnë të drejtën e përfaqësimit etj., etj., pikërisht këta njerëz quhen qytetarë paçka se ende qyteti u mungon, nuk është ai që duhet, normaliteti nuk është arritur, veçse ata janë të përgjegjshëm ndaj quhen me plot gojën qytetarët që përpiqen. Njeriu ishte para qytetit dhe jo qyteti para njeriut. Njeriu e projektoi idenë e qytetit dhe jo qyteti nga vetvetja si një strukturë e ngurtë krijoi qytetarët. Qytetet lindën nga nevoja e një jete të organizuar në komunitet, jete me gjallëri ekonomike, me lëvizje dhe transport, me sektor shërbimesh dhe jetë aktive sportive dhe artistike. Qytetet lindën dhe u zhvilluan sepse në qendër të motivimit njerëzor u qendërzuar jeta, zhvillimi dhe prosperiteti, rritja demografike dhe akomodimi i saj. Që kur lindën, ata mbajtën parasysh sigurimin e identitetit njerëzor komunitar dhe jo thjesht atë social e klasor. Me kalimin e kohës struktura ndryshoi. Identiteti social solli zonat preferenciale, rezidenciale, lagjet e të pasurve si i thonë në gjuhën e popullit, atje ku ajri është më i pastër, natyra e virgjër ose e rikrijuar me dekore natyrore të paguara si frëngu pulën, ku mbillen ullinj qindravjeçarë, shkurre dekorative dhe pemë ekzotike. Krijohen si të thuash oaze të një paqeje moderne. A thua se atje mendja krijon më shumë, më ndryshe dhe shndërrohet në një të tillë më pjellore. Iluzione, sa shumë iluzione ka krijuar në jetë të jetëve kjo ngasje për identitetin klasor apo social që krahas sendeve luksoze të përdorimit, kërkon të duket edhe me banesat, parqet apo natyrë të hapur si pronë e pasunorëve, rrëmbime dhe rrethime të peizazheve natyrore, ku nuk hyn dot njeriu i zakonshëm, madje edhe shikimi tij e ka të pamundur. Moderniteti si vetizolim. Mes njeriut dhe qytetit  është një element jetësor që quhet siç edhe shkruan profesori i ekonomisë sociale dhe politike në Universitetin e Sienës, italiani Stefano Bartolini në librin e tij studimor titulluar “Manifesti Lumturisë”… “Hapësira në qytetin relacional” e citoj… “Relacionet (lexoje lidhjet njerëzore P.K) kanë nevojë, para së gjithash, për hapësira të përbashkëta të një cilësie të mirë. Ka disa të mira bazike që asnjë rritje ekonomike nuk mund të në i japë. Ajo që nevojitet është ndërhyrja e menjëhershme në peizazhin urban, në hapësirat e gjelbra, në sheshet, në zonat për këmbësorë dhe në qendrat sportive. Mjedisi urban duhet të mundësojë takimin midis fqinjëve dhe të panjohurve në hapësirat publike për rreth banesave. Një lagje e zënë me hapësira private, por ku ka pak hapësira publike, të ndotura, të mbipopulluara apo të zbrazëta është një pengesë për relacionet (lidhjet njerëzore). …Ajo që duhet ndërtuar është ndjenja e realizmit, e përkatësisë dhe e vlerave të përbashkëta, dhe kjo kërkon hapësira publike cilësore. Qytetet europiane kanë qenë në fillim të ndërtuara rreth shesheve… Sipas urbanistëve, njerëzit janë të gatshëm të përshkojnë jo më shumë se tri blloqe në këmbë për të shkuar te parku i lagjes, e për pasojë, një fëmijë nuk mund të jetojë më larg se tri rrugica nga një park”. (Stefano Bartolini… “Manifesti për Lumturinë – Si të kalohet nga shoqëria e kamjes në atë të mirqenies… botimi shqip faqe 183-botime përpjekja).




Europianizimi i qyteteve, si normalitet dhe zhvillim

Kontinenti vjetër ka histori, traditë dhe kontribute për ndërtimin dhe zhvillimin e qyteteve. Ka site arkeologjike, që ende të befasojnë me mbetjet e vendbanimeve të hershme. Ka qytete që janë një harmoni e përkryer mes arkaikes dhe të konservuarës, mes peizazhit historik dhe ndërtimeve urbane masive, deri te godinat e kohës moderne kur arkitektura ka kombinuar gati në trill, mitiken, shkencën, artin dhe komunikimin urban. Kur shkon në Pragë, pjesa historike të magjeps, e paprekur, e respektuar e mbrojtur, e ruajtur (dhe jo e rruajtur nga privati) dhe e konsideruar. Në Paris çka ta befason syrin dhe ta mbush shpirtin kur shikon rrugëve që janë godinat e dikurshme. Madhështia e tyre, ambientet e brenda plot hapësirë dhe dritë, distancat mes tyre dhe harmonizimi me peizazhin natyror. Çfarë kontraston keq, janë ndërtimet e më vonshme, pa hapësirë, nguc e nguc, pa estetikë që mund t’i ketë qëndruar kohës. Si të thuash godina që janë plakur para kohe, ‘vjetërsira në moshë të re’, do ti quaja me shpoti. Kur shkon në Stamboll sheh edhe më keq. Dallon një modernitet pretencioz, që bashkëjeton me godina tejet të rrënuara, por që janë bërë të tilla sepse nuk janë mirëmbajtur dhe u është zënë fryma nga godinat e larta arrogante, grabitqare të hapësirave dhe të dritës. Një qytet që të lodh për shkak të zhgënjimit që të krijon brenda një kohe të shkurtër. Mjafton të lëvizësh në këmbë dhe të shohësh keqpërdorimin e hapësirave urbane, me apo pa qëllim, për interesa kohëshkurtra dhe fitime të majme dhe të kaplon zhgënjimi. Në Budapest zona e Peshtit si më e vjetra ka rruajtur parqet e gjera, godinat e fundshekullit XIX dhe fillim shekullit XX. Janë ndërtuar godina të reja banimi që kontrastojnë me parafabrikatet e kohës së komunizmit, por ajo që të bije në sy janë që hapësirat urbane dhe kriteret e planifikimit urban, kanë qenë zbatuar me shumë korrektesë edhe në atë periudhë, ku strehimi solli ato lloj ndërtesash që me kalimin e viteve sigurisht stonojnë. Një gjurmë e strehimit në regjimin që e falte banesën dhe nuk e shiste, por që në shumë vende si në RDGJ, Hungari, RFJ, Shqipëri etj., ajo praktikë zgjidhi problemet e kohës për strehimin e popullatës. Në Hungari pas viteve 1990 u zhvillua zona e Budës në kodrat e qyteti, me godina të ulëta, me mbajtjen e një raporti harmonik mes truallit të gjelbëruar dhe ndërtesës. E gjitha ajo zonë të fal paqe, qetësi, transport urban e shërbime normale dhe mbi të gjitha është e ndërtuar me rregull, pasi zonat ku ndërtohet fillimisht azhornohen me punime inxhinierike nëntokësore me kushte normale së paku për 100 vite. Më pas nisin ndërtimet dhe kur përfundon banesa, ti ke vetëm për të lidhur tubat e ujërave me magjestalin, tubin e gazit dhe internetin, energjinë elektrike dhe panelin diellor. Tek ne mbaron ndërtimi, pastaj çahet rruga trotuari dhe nis puna nga e para. Po si zhvillohen qytetet në Europën moderne të fundshekullit XX dhe shekullin XXI? A ka ndonjë dokument bazik? A ka rregulla, ligje dhe detyrime? A ka forume në nivel europian? Sigurisht që ka. Le t’i shohim më nga afër dhe të përpiqemi t’i lexojmë edhe në realitetin e vendit tone. Bashkimi Europian aplikon prej disa vjetësh “Kartën Europiane URBANE”.

Ç’janë të drejtat urbane…

Në thelbin e filozofisë së këtij, dokumenti është “Qyteti në Europë”. Është e drejtë të pyesim. Pse në një vend si Shqipëria që kërkon të hapë negociatat për anëtarësimin në BE ky dokument mungon? Ai duhet të jetë në çdo zyrë bashkiaku, në këshillat bashkiake, në bibliotekat e universiteteve ku përgatiten inxhinierët, ndërtuesit, urbanistët, arkitektët, sociologët, antropologët, juristët dhe specialistët e ambientit. Në mënyrë të thjeshtëzuar do duhej të ishte doracak për çdo familje dhe qytetar që ka të drejtën e votës në Republikën e Shqipërisë. Moderniteti në sjellje lidhet me ligjshmërinë. Në këtë dokument janë përcaktuar të drejtat urbane të qytetarit dhe komunitetit. Le t’i listojmë: 1-Trasporti dhe lëvizja. Me gjithë ndryshimet e realizuara dhe situatat e përmirësuara, lëvizja në qytetin e Tiranës ka ende probleme. Lëvizja është ende e paharmonizuar, ka kaotizëm dhe humbje kohe. Cilësia e transportit lë për të dëshiruar. Autobusët janë jashtë standardeve të BE-së, sepse blihen në tregje të lira dhe janë pa cilësi. Higjiena e tyre brenda është e ulët. Ndotja e ajrit prej tyre është e lartë. Shpeshtësia e qarkullimit nuk mjafton. Çdo mëngjes dimër e verë vihen re njerëz të shumtë që presin gjatë në stacione. E keqja është se shërbimi urban është e biznesit privat dhe nëse në mendësinë e drejtuesve të bashkisë (si edhe u shpreh një zv.kryetar) ka zënë vend mendësia ‘po deshe hip, po deshe mos hip në autobus’, një (para)gjykim i tillë tregon se nuk është kuptuar që lëvizja dhe transporti janë e drejtë dhe jo shërbim tregu privat. 2-Mjedisi dhe natyra në qytete. Mjedisi mbrohet nga dëmtimet si edhe janë, ndotja, mbetjet urbane, keqpërdorimet që mund të vijnë nga industritë që punojnë me teknologji të prapambetura (rasti i Elbasanit që ende vazhdon), mungesa e projekteve afatmesme dhe afatgjata për “green city”-qyteti gjelbër, përdorimi energjive të prapambetura që lënë ndotje, automjetet që lëshojnë tymra dhe gazra, djegia në natyrë të hapur të mbetjeve dhe produkteve si plastika apo goma makinash për furrat e gëlqeres (rasti i Krujës) etj. Natyra në qytete nuk është një çështje dëshire, preference apo dhurate bashkiake. Është e drejtë urbane. Natyra mbrohet nga dëmtimet si janë prerjet e pemëve, zjarret masive (rasti Fierit vitin që kaloi) dëmtimi lumenjve ku shkatërrohen bengjet dhe shtretërit për nxjerrjen e inerteve. Në Shqipëri ende nuk është ndaluar kjo masakër. Nuk ka fabrika që me teknologji moderne thërrmojnë gurët në fraksione të çakullit sipas nevojave të industrisë së ndërtimit. Hedhja e mbetjeve në lumenj (frekuencë e lartë e gjendjes alarmante në shumë qytete të Shqipërisë) qofshin këto mbetje biologjike, por edhe struktura të rënda betoni apo mbetje urbane si plastika e tjera, që duan një kohë jashtëzakonisht të gjatë të përthithen e shndërrohen nga natyra. Natyrë e plagosur, shoqëri e plagosur. Natyrë e helmuar, jetë e helmuar. Natyrë e vrarë, breza që do të jenë në humnerën e mosjetesës. Do doja të ndalesha këtu vetëm në një fakt që lidhet me qytetin e Tiranës. Unë këtu kam lindur, jam rritur e shkolluar, po punoj dhe kontribuoj për më shumë se 40 vjet që nga mbarimi studimeve të larta në këtë qytet dhe më gjerë. Në parantezë duhet të themi se që nga Mesjeta e hershme, (koha e mbretërive) u kuptua se pa ujë të pijshëm dhe pa disiplinim të ujërave të zeza qyteti nuk ia del dot, jeta është e rrezikuar dhe sëmundjet infektive bënin kërdinë, murtaja, kolera, dizenteria etj., etj. Kështu u ndërtuan si kundërmasë Parisi, Londra, Berlini apo Varshava të nëndheshëm. Llagëmet e thella, fillimisht mbledhja e ujërave të zeza dhe derdhje në mënyrë të disiplinuar po në natyrë. Kjo fazë tashmë është kaluar. Kudo në BE ka impiante përpunimi që ndajnë te ujërat e zeza pjesën e ngurtë nga ujërat. Ujërat dezinfektohen dhe si ujë i pastër derdhet në natyrë. Kemi përvojën e Pogradecit me bashkëpunimin gjerman-qeveria shqiptare. Lipset që të ruhet ky investim dhe jo të largojmë inxhinierin specialist që erdhi nga Kanadaja dhe të shpiem atje militantin e partisë politike. Ka nisur edhe në Vlorë, por nuk është bitisur si duhet. Tirana, kryeqyteti vendit po shkon 1 milion banorë. Ata duan ujë të pijshëm 24 orë, ujë të pastër në rubineta, të pandotur as me minerale të rënda dhe as me ndotje bakteriale. Uji me ligj në Republikën e Shqipërisë është ushqim. Pra, ne që e konsumojmë duhet të mbrohemi me ligj si konsumatorë. Bovilla si ujësjellës u ndërtua në prag të vitit 1990. Aso kohe edhe 153 fshatra të Tiranës u lidhën me tubacione. Me të hyrë demokracia, e cila u keqkuptua si anarki, tubat u shkulën dhe u përdorën për të mbështetur hardhitë. Qytet pa ujë nuk ka. Qyteti me ujë të kufizuar është jo i pastër. Ai lë për të dëshiruar në higjienë, është një ambient i rrezikuar nga helmimet dhe përhapja e epidemive. Nëse ka një nismë të Bashkisë së Tiranës se me rritjen e çmimit të ujit të pijshëm që rëndon në xhepin e qytetarit, gjendja do ndryshojë dhe do zgjidhet furnizimi dhe cilësia e ujit të pijshëm, një arritje e tillë do na gëzonte. Veçse duhet transparencë. Sa të ardhura janë mbledhur në vitin e parë të aplikimit të çmimit të ri dhe si janë përkthyer në investim dhe ndryshim real e të prekshëm këta fonde? Përndryshe njerëzit do dyshojnë dhe kanë të drejtë. Do bëhen mosbesues dhe shkaku nuk janë ata. Kanë parapaguar dhe nuk po marrin kontravlerën si investim real. Tirana do zgjerohet thuhet nga kryetari Bashkisë së Tiranës, ndaj ne duhet t’i paraprijmë me ndërtime të reja. Po ku është ky studim demografiko-statistikor?! Rritja natyrore ka rënë. Mjafton të shohësh të dhënat e dy spitaleve obstetrik-gjinekologjik. Sipas kësaj ecurie, pas 20 vjetësh Tirana do ketë më pak fëmijë dhe më pak popullsi. Nuk llogarisim dhe të ikurit në emigracion. Le të shohim edhe një aspekt tjetër. Trajtimi ujërave të zeza në Tiranë. Përmes tubacioneve, ato derdhen në lumin e Lanës dhe më tej në lumenj që përfundojnë në det. Kështu do vazhdohet? Sipas profesor Eqerem Çabejit, lumi u quajt Lan-Lana sepse në ujin e pastër të tij, gratë e Tiranës lanin teshat, ndaj u quajt kështu, Lana. Po tani si ta quajmë? Lumi i gjirizit? Unë kam një pyetje për të gjithë ish-kryebashkiakët dhe këtë aktualin zotin, Erion Veliaj. Qeveria japoneze me një investim 300 milionë dollarë do të mbështeste një masterplan, realizmi i të cilit do të zgjaste deri në vitin 2021 dhe që do të shërbente për disiplinimin e ujërave të zeza të Tiranës dhe zonave për rreth. Përfshihen në këtë disiplinim inxhinierik nëntokësor, ndërtimi 184 km linjë tubacionesh kryesore dhe sekondare, si dhe 20,6 km tubacione kolektorësh (mbledhësish) si dhe dy stacioneve të pompimit dhe të pastrimit. Pra, ishte një projekt 15- vjeçar. Unë si qytetar po ju pyes publikisht ju zotërinj Albert Brojka, Edi Rama, Lulëzim Basha, Erion Velija… Ju lutem dini gjë a nisi ky projekt, a u lëvruan këta fonde? Nëse po, ku kanë shkuar? Ku janë km e tubacioneve? Ku janë stacionet e pompimit? Ku janë fabrikat e pastrimit (defekalizimit ku pjesa e ngurtë e briketuar shkon ose si pleh në bujqësi ose si lëndë djegëse në furra (fatkeqësisht edhe në Vlorë kjo faza përmbyllëse nuk u bë realitet)? Dini gjë ju për këto 300 milionë dollarët? Unë mund dhe do të pyes edhe në Japoni. Një gjë dua t’ju them si qytetar, por më shumë juve, kryetarit aktual. Nuk ka qytet modern që nuk disiplinon ujërat e zeza, por vazhdon t’i derdhi ata në lumenj apo në dete. Tirana lundron mbi ujëra të zeza, madje edhe atje ku janë ndërtuar vilat qindra mijëra euroshe dhe me gropat septike në anë të murit asgjë nuk është zgjidhur. Kutërbon era e ujërave të zeza. Jo për gjë, por ata që i kanë blerë kanë marrë dhe kredi të trasha e u duhen vite t’i shlyejnë… janë mashtruar dhe bankat nga ujërat e zeza. 3-Forma fizike e qyteteve. Te ne flitet për rilindje urbane dhe ka ndryshime reale e të prekshme në hyrjet dhe qendrat e qyteteve, por këtë term nuk e dëgjojmë. 4-Trashëgimia urbane arkitekturore. Kush mban përgjegjësi për këtë pasuri që është e drejtë urbane e qytetarit. Ku prishet dhe ku ndërtohet, çfarë mbahet e konservohet, rinovohet dhe rikonstruktohet dhe çfarë shembet pa dhënë llogari në Shqipëri? Tek ne ka ikje të kithta nga përgjegjësia. Mbrohen dhe rinovohen bodrume dhe shpi me gjethe, por quhet kalbësirë, magazinë, vjetërsirë, e përdalë fashiste godina e Teatrit Kombëtar. Unë jam me arkitektin Maks Velo, që u shpreh: “Sa më e vjetër që të jetë godina, aq edhe më e vlertë është”. Nëse ne jemi një shumicë që e mbrojmë atë godinë, ne ia dimë plagët, mangësitë dhe mungesat thelbësore. Ne duam jo një, por shumë teatro të rinj. Vetëm Filanda ka mbi 80-të të tillë. Le të ndërtojmë dhe ne nja 8 apo 18-të… Por gjithashtu të mbajmë dhe rinovojmë këta që kemi. Isha në natën inauguruese të restaurimit të teatrit veror te Liqeni artificial i Tiranës. Një punë e mirë dhe me vlera. Në fjalën e hapjes, kryetari Bashkisë së Tiranës, zoti Erion Veliaj u shpreh: “Sot pashë një foto të vitit 1985 kur me prindërit, fëmijë, isha në këto shkallë. M’u ngjallën shumë emocione. Sonte amfiteatri është i rinovuar duke ruajtur identitetin, sepse investimet bëhen edhe për të mbajtur të gjallë kujtesën”. Më pëlqyen ato fjalë, por se paskërkan qenë pjesore. Nuk vlekërkan në rastin e godinës së Teatrit Kombëtar. Disa të drejta të tjera që përfshihen në Kartën Europiane Urbane janë. 5-Strehimi. 6-Sigurimi urban dhe parandalimi i krimit. 7-Kujdesi ndaj personave me probleme dhe të paaftët në qytete. 8. Sporti dhe koha e lirë në qytete. 9-Kultura në qytete. 10-Integrimi kulturor në qytete. 11-Shëndeti në qytete. 12-Pjesmarrja qytetare, menaxhimi urban dhe planifikimi urban. 13-Zhvillimi ekonomik në qytete.

Karta europiane urbane është ndërtuar në Këshilli Europës për politikat urbane. Në funksion të tyre dhe në mbrojtje të të drejtave të qytetarit dhe komunitetit, si dhe të interesave publike funksionon (CLRAE) – Konferenca e Përhershme e Autoriteteve Lokale dhe Rajonale e Europës. Në Europën ku ne duam të shkojmë, nuk mjafton as reforma administrative dhe territoriale, as punët dhe praktikat e mira në nivel lokal, as hapjet dhe mbylljet e rrugëve, as kumbullat e kuqe, as korsia e biçikletave. Atje shkohet kur e meriton dhe në aspektin e planifikimit hapësinor, kërkohet jo thjesht hartimi ligjit, që ne e kemi kryer rreth një dekadë më parë, porse të respektohen të drejtat urbane si korpus që bën pjesë në liritë dhe të drejtat themelore të njeriut. Qyteti mund të ndryshojnë, por ama nuk mund të privatizohet, kjo duhet shkruar në shumë zyra, rrugë e sheshe të atdheut tonë që ai të mos mbetet qytet europian në mundësi. Historia vazhdon…!

 

 


Shfaq Komentet (2)

Leave a Reply to Kasemi Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Si gjithmone.Qytetar,intelektual,racional dhe i ndershem.Artikull qe duhet te “ruhet”per nga vlera dhe referimi skolaresk i objektit qe jep disa njohuri baze te se drejtes Qytetare.Me tej Rama,Basha, Veliaj,Kontrolli i Larte i Shtetit,Prokuroria,presidentet,kryeministrat ne harkun kohor 2005 -e deri sot ( e frikshme 13 vjet) duhet te pergjgjen:Si dhe cfare shpenzimesh jane kryer per llogari te Objektit “Rihabilitimi i sistemit te rrjetit te kanalizimeve te ujrave te ndotura per Tiranen e madhe”percaktuar ne Marreveshjen e kredise se bute prej rreth 800 Milion $ qe Japonia i jep Shqiperise.(Viti 2005-06).Kush eshte roli i firmes manaxhuse JICA dhe marredheniet me Administraten Shteterore.Ku kane punuar,cfare kane shpenzuar dhe ku eshte Produkti.Patjeter nje “model” suksesi e korrupsioni.(Mega)Rama Basha dhe vengeroshi Veliaj duhet te pergjigjen Koha ka kaluar.

    Përgjigju ↓
  2. Një artikul që i drejtohet kryebashkiakëve tanë të nderuar, që nuk mund t’i kuptojnë këto ide sepse nuk dinë edhe ku t’i gjejnë. Po ashtu ky i drejtohet politikanëve tanë që nuk janë në gjendje të ndërtojnë strategji për zhvillimin e qyteteve tanë, për të krijuar qytete të zgjuara me një cilësi të lartë të jetës. Këto ide politikanët tanë nuk mund t,i njohin se qël;limi i ryre është vetëm pasurimi i tyre dhe jo mirëqënia e popullit që i ka zgjedhur dhe ju ka dhë të drejtën për të qeverisur siç duhet këtë vend të begatë që kemi. Ky është një artikull i një profesori dhe qytetari të shquar dhe të nderuar, që duhetv t’iu shërbejë politikanëve tanë për të marrë disa njohuri bazë të së drejtës qytetare që ata nuk e dinë se çfraë është. Këta politikanë duhet të kuptojnë se u ka ikur koha dhe duhet të largohen një orë e më parë.

    Përgjigju ↓