AKTUALITET

“Dikur më vlerësuan për Prudentinon, sot më sulmojnë pa të drejtë”, flet gjyqtarja Herila Çela

15:48 - 10.08.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ina Allkanjari – Vendimi i gjyqtares Herila Çela lidhur me masën e sigurisë për 28-vjeçarin Tauland Manaj ka shkaktuar reagime të ashpra. Manaj është arrestuar brenda këtij viti për dy vepra penale dhe ka marrë masa sigurie nga gjyqtarë të ndryshëm. Duke shqyrtuar vendimet e dhëna ndaj Manajt, vërehet se masa e sigurisë e dhënë nga gjyqtarja Herila Çela nuk ka lidhje me përplasjen me armë mes të rinjve në Vlorë në 28 shkurt 2018, ku Tauland Manaj mbeti i plagosur, sikundër u përfol në media.




E kontaktuar nga “Gazeta Shqiptare”, Gjyqtarja Herila Çela shpjegon se mori në dorë një tjetër dosje për Tauland Manaj, kur ky i fundit theu masën e sigurisë arrest në shtëpi dhe u kap në Vlorë në 23 qershor. “Dua të bëhet me dije që po akuzohem se kam caktuar masë sigurie “arrest në shtëpi” për veprën penale të “vrasjes së mbetur në tentativë”, ndërkohë që kjo s’është e vërtetë. Në vendimin e gjykatës është çdo gjë e sqaruar, si në vendimin e parë që është për ndalimin dhe caktimin e masës së sigurimit për tri akuzat që janë “armëmbajtje pa leje”, “prodhim dhe shitje e lëndës narkotike”, dhe “largim i të burgosurit nga vendi i qëndrimit””, thekson gjyqtarja.

Në një intervistë ekskluzive për ‘Gazeta Shqiptare’ gjyqtarja Çela tregon arsyet e vendosjes së masës së sigurisë ndaj Manajt dhe thekson se prokuroria nuk e kishte njoftuar që ndaj tij rëndonte një tjetër akuzë, pasi në këto kushte ai do të cilësohej “përsëritës i veprës penale”. “Është e turpshme të thuhet, se për atë çfarë po flitet unë e mora vesh nga mediat, se ky person ka pasur një procedim tjetër. Kërkesa e prokurorisë është në dosje, unë kam marrë në shqyrtim kërkesën dhe ka qenë vetëm me akuzat që sapo citova”, tregon gjyqtarja Çela.

Ditët e fundit, Ministria e Drejtësisë ka kërkuar publikisht shkarkimin tuaj pas vendimit të dhënë për Tauland Manaj, një person me precedent penal. Ju nga ana tjetër, pretendoni se prokuroria nuk ju ka njoftuar që ndaj Manajt rëndonte një tjetër akuzë. Si qëndron e vërteta dhe pse vendosët masën “arrest shtëpie”?

Dua të bëhet me dije që po akuzohem se kam caktuar masë sigurie “arrest në shtëpi” për veprën penale të “vrasjes së mbetur në tentativë”, ndërkohë që kjo s’është e vërtetë. Në vendimin e gjykatës është çdo gjë e sqaruar, si në vendimin e parë që është për ndalimin dhe caktimin e masës së sigurimit për tri akuzat që janë “armëmbajtje pa leje”, “prodhim dhe shitje e lëndës narkotike”, dhe “largim i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”. Është e turpshme të thuhet, se për atë çfarë po flitet unë e mora vesh nga mediat, se ky person ka pasur një procedim tjetër. Nuk jam në dijeni fare. Kërkesa e prokurorisë është në dosje, unë kam marrë në shqyrtim kërkesën dhe ka qenë vetëm me akuzat që sapo citova.

Pse mendon se po ndodh kjo situatë? A ka fakte që ju keni kryer shkelje lidhur me akuzat e ngritura së fundmi ndaj jush?

Nuk e di, nuk arrij ta kuptoj. Unë kam 20 vite gjyqtare, konkretisht 19 vite e pak, nuk i kam mbushur 20 vite akoma. I kam kushtuar këtij sistemi shpirtin, gjithçka. Kam  punuar me ndershmëri. Asgjë nga ato që është thënë nuk janë absolutisht të vërteta, si nga vendimet që janë dhënë si nga procedimet, si nga çështja e ekstradimit të Albino Prudentinos që e kam ndjekur këtu e vite më përpara

Pikërisht për Prudentinon, flitet se ju jeni akuzuar në atë kohë për ekstradimin e tij drejt Italisë…

Për këtë çështje jam nga të vetmet gjyqtare në Republikën e Shqipërisë që më ka ardhur shkresë falënder imi nga Ministria e Drejtësisë, sepse e kam bërë në kohë rekord nën kërcënime nga llojet më të ndryshme. Pa diskutuar çështjet e tjera që kam patur dhe i kam përballuar vetë. Nuk më ka ndodhur kurrë të kemi një përplasje të tillë.

Ndaj jush është kërkuar edhe procedim disiplinor, çështje e cila është rikthyer në vëmendje ditët e fundit. Çfarë ndodhi në atë kohë, dhe pse kjo çështje u arkivua?

Për sa i përket procedimit disiplinor që po përsëritet rëndom dhe në mënyrë shumë të keqe, është e vërtetë që ka filluar një procedim disiplinor ndaj meje, në periudhën kur ka qenë ministër i Drejtësisë Eduard Halimi. Është arkivuar çështja, sepse nuk ka pasur pse të fillonte procedimi. Në  2014 filloi procedimi disiplinor, në lidhje me tri vendime civile pushimi. Pushimi i tre vendimeve civile, nuk ka asnjë pasojë të palës, sepse të pushohet një çështje civile do të thotë që ti mund ta vësh në lëvizje përsëri. Nuk ka të bëjë me zvarritjen dhe dorëzimin e dosjeve, siç po flitet. Unë e kam ankimuar këtë vendim dhe sot vendimin e Gjykatës së Lartë që ka bërë nul çdo gjë.

Cili është apeli juaj lidhur me situatën e krijuar?

Unë bëj gati 20 vite në sistem dhe apeli im është nëse gjykon me drejtësi kurrë s’ka pse të stepesh nga gjithçka jo e mirë që të ndodh. Unë kam zgjedhur të bëj këtë detyrë, i kam dedikuar jetën dhe do ta bëj me pastërti.

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.