AKTUALITET

KPK e konfirmoi në detyrë, ONM kërkon shkarkimin e gjyqtarit Artur Malaj

11:06 - 10.08.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit nuk ndalet, ndërsa ka kërkuar sot shkarkimin e një tjetër gjyqtari. Fjala është për Artur Malajn, ku Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) pak ditë më parë, në datën 3 gusht 2018 e konfirmoi në detyrë, edhe pse kishte mjaftueshëm arsye dhe prova për ta shkarkuar.




Konfirmimi në detyrë i Malajt solli dyshime të reja mbi seriozitetin e trupës së KPK-së, pasi gjyqtari nuk e kishte kaluar as vlerësimin e pasurisë dhe as atë të sjelljes.

“Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit u ka paraqitur Komisionerëve Publikë rekomandimin për ta ankimuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të z. Artur Malaj”, – thuhet ndër të tjera në njoftim.

Njoftimi i Komisionerëve Publikë:

Në datë 3.8.2018, në përfundim të seancës dëgjimore përkatëse, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, z. Artur Malaj, magjistrat/gjyqtar në Gjykatën Administrative të Apelit, Tiranë, dhe kandidat për Inspektor i Lartë i Drejtësisë.

Sot, më datë 10.8.2018, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit u ka paraqitur Komisionerëve Publikë rekomandimin për ta ankimuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të z. Artur Malaj.

Komisionerët Publikë, pasi t’u jetë njoftuar vendimi me shkrim i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, do ta shqyrtojnë atë krahas rekomandimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.

Bazuar në pikën 7, të nenit 55, të ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka 30 ditë afat për t’ia njoftuar vendimin me shkrim Komisionerëve Publikë.

Ky vendim ende nuk është njoftuar.

Bazuar në pikën 1, të nenit 63, të ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, Komisionerët Publikë, brenda 15 ditëve nga data e njoftimit të vendimit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, kanë të drejtë të paraqesin ankim pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.