OPINION

Media dhe kufijtë e rinj të Kosovës. Analizë e konspiracion

10:26 - 10.08.18 Eva Londo
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kosova po vendoset sërish në axhendën diplomatike dhe mediatike, pas deklaratës së Presidentit Thaçi për korrektimin e kufijve me Serbinë, një ide kjo e artikuluar edhe më parë, por e rivendosur fuqishëm në axhendën e diskutimeve në parapritje të nisjes së bisedimeve mes dy vendeve me ndërmjetësimin e BE. Kosova përbën një argument të shumë të elaborueshëm për diplomacinë ndërkombëtare dhe një lajm për mediat e botës. Vazhdimisht, ajo ka prezantuar interes politik e publik dhe ka gjeneruar lajm duke u bërë një kauzë e shumë njohur, por edhe kontraverse. Këto kohë, Presidenti Thaçi ka lançuar një argument të ri që ka shkaktuar diskutime mes faktorit ndërkombëtar dhe ka zaptuar faqet dhe hapësirat e mediave ndërkombëtare.




Qëndrimi i tij u cilësua si reagim ndaj idesë së hedhur prej qarqeve serbe për shkëmbim gjeografik tokash, bazuar mbi raportin mes popullsisë etnike serbe dhe minoritetet shqiptar atje, – shkëmbimin e rajonit verior të Kosovës, Mitrovicës, për Luginën serbe të Preshevës, – propozim që do të çonte në zgjidhjen e mundshme të çështjes së Kosovës. Ndërsa, qarqet serbe e kanë hedhur këtë propozim edhe më herët, ishte pikërisht reagimi dhe qëndrimi i Presidentit të Thaçi, që ktheu vëmendjen tek Kosova dhe e pozicionoi sërish atë në diskursin publik. E ndërkohë që diplomacia e media perëndimore është më pak reaktive kur nevojitet të pozicionohet në raport me marrëdhëniet me Serbinë, edhe si pasojë e mbështetjes që kjo e fundit ka prej Rusisë, Kosova, e cila është produkt i diplomacisë perëndimore prezanton më shumë sensibilitete dhe rrjedhimisht gjeneron më shpejt reagim e mbulim mediatik. Në këtë diskutim që mediat shqiptare, kosovare dhe perëndimore ndërmorën u përfshinë ekspertë, politikanë, ambasadorë, studiues, të gjithë duke analizuar anët pozitive e negative të një veprimi të tillë të mundshëm. Por, a ishte kjo një qasje strategjike për të testuar dhe matur pulsin e opinionit diplomatik e publik ndërkombëtar, apo një taktikë për të disenjuar argumente që do të ndihmojnë palët në fazën e negociatave që do të nisin së shpejti? Kujt i shërben kjo taktikë?

Historia e re botërore i ka shumë të freskëta rastet kur Kosova është përdorur dhe vendosur me takt në axhendën diplomatike e publike duke gjeneruar lajm dhe reagim. Katër vite më parë, në 2014-ën, Kosova u risoll fuqishëm në axhendën e mediave dhe atë publike, kur presidenti rus, Vladimir Putin deklaroi se “Krimeja është Kosovë”, argument të cilin e përdori për të shkëputur rajonin autonom të Krimesë prej Ukrainës dhe vendosur atë nën Rusinë. Kjo ngjalli një debat të fuqishëm diplomatik, i vendosur i gjithi në media, ku u analizua gjatë dhe në detaje legjitimiteti dhe arsyet që prodhuan shtetin e Kosovës dhe që rrjedhimisht, legjitimojnë çdo precedent të ardhshëm të mundshëm që mund të ndodhte. Krimeja për Putin ishte njësoj si Kosova për SHBA-të. I kritikuar nga politika, media por edhe publiku, Rusia e ndërmori aksionin për shkëputjen e Krimesë pas konsensusit unanim që buroi prej referendumit që zhvilloi atje, duke i treguar botës perëndimore se kjo nevojë vinte prej njerëzve. Nga ana tjetër, Rusia nëpërmjet shkëputjes së njëanshme të Krimesë nga Ukraina, tentoi të ripozicionojë rolin e saj strategjik në rajon dhe i tregoi SHBA-ve dhe aleatëve të saj se, nëse këta të fundit janë të legjitimuar të marrin një vendim të njëanshëm, po aq të legjitimuar janë edhe të tjerët, Rusia në këtë rast, ta bëjnë këtë veprim, duke u kujtuar shprehjen romake “Quod liced Jovi, non licet Bovi” (çka është e lejuar për Jupiterin, është e lejuar për Buallin).

Dhe shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka qenë një vendimmarrje pa kosto për shtetet evropiane, referuar ritmit intensiv të përpjekjeve, protestave e referendumeve për shpallje pavarësie, të gjitha nën precedentin Kosovë. Tashmë, kjo e fundit prezanton kërkesën e radhës, e cila ka shqetësuar diplomacinë ndërkombëtare, pikërisht për shkak të turbulencave gjeostrategjike e politike që mund të shkaktojë. Mund të jetë legjitime kërkesa e Kosovës për të përmbyllur çka lidhet me pavarësimin e plotë, por në aspektin politik, kjo nis e përcakton fillimin e një faze të re përsa i përket ecurisë së zhvillimeve në rajon si edhe mënyrës se si shtetet përcaktojnë pushtetin e forcën e tyre gjeopolitike në rajonet e botës.

Krijimi i shtetit të Kosovës është mbështetur fuqishëm nga SHBA-të, pjesa më e madhe e vendeve evropiane dhe mediat e tyre, të cilat e parashtruan konfliktin tek opinion publik. Nga ana tjetër, lufta mediatike që ndërmori Putin për të legjitimuar aksionin e tij në Krime, në fakt lëkundi legjitimitetin mbi bazën e të cilit u krijua shteti i Kosovës. Propozimi dhe parashtrimi i çështjes për rishikimin e kufijve bëhet në këtë terren paksa skeptik dhe kontravers për Kosovën. Ky propozim përveçse ngre paqartësi mbi të ardhmen e situatave që janë shpalosur në Evropë e më gjerë, gjithashtu tregon tendencën e fuqive të mëdha për të përforcuar pushtetin strategjik, duke theksuar gjithnjë e më shumë ndarjet mes tyre. Kosova ka pasur gjithnjë mbështetjen e SHBA-ve dhe po kështu, edhe Serbia atë të Rusisë, moment ky që e bën paksa delikate situatën. Mediat respektive po njësoj kanë treguar këtë tendencë. Raportimet, komentet, intervistat apo analizat që prodhoi ideja e rishikimit të kufijve parashtronin mundësinë që shkëmbimi i kufijve jo vetëm që do të sillte destabilitet në botë, por do të kishte impakt negativ në ambiciet strategjike të fuqive të mëdha. Për mediat perëndimore, shqetësimi më i madh që parashtrohet këtu lidhet me “armikun” e saj të përhershëm, që është Rusia dhe pretendimet e saj për të kontrolluar territoret në shtetet që kanë mazhorancë etnike ruse. Mediat perëndimore kanë parashtruar analiza që e konsiderojnë këtë situatë si kërcënuese, referuar edhe qëllimeve strategjike të Rusisë në botë, ndërsa mediat ruse, si “Sputnik”, në artikujt e tyre kanë theksuar faktin që Kosova nuk është njohur nga disa shtete si Rusia, Kina, Greqia, Spanja, edhe Serbia etj.

Përveçse faktit që raportimi i mediave reflekton politikat e vendeve nga ato burojnë, në një optikë strategjike, ato përdoren nga faktori politik për të matur pulsin e opinionit diplomatik e publik dhe për të njohur qëndrimin e tyre mbi çështjen që lançohet. Kjo njohuri e grumbulluar mund të shërbejë për të përgatitur argumente dhe ndërtuar strategjinë për të mbrojtur kauzën dhe në këtë rast, kjo mund t’i shërbente Kosovës për ta pozuar propozimin e saj në një frymë që gjeneron sa më shumë logjikë politike dhe konsensus ndër aktorët ndërkombëtarë. Po njësoj i rëndësishëm dhe me vlerë është ky moment për palën serbe, e cila ishte e para që e parashtroi idenë e ndarjes. Në një mendim konspirativ, kjo çështje nuk mund të merrte vëmendje më të madhe mediatike nëse nuk do të lidhej me një vend që gjeneron lajm për shkak të kontraversalitetit dhe sensibilitetit që ajo prezanton dhe Kosova është një rast i tillë. Dhe ndoshta, përfshirja e këtij diskursi në axhendën mediatike më shumë mund t’i ketë shërbyer Serbisë dhe presidentit Vuçiç, i cili vazhdimisht kërkon këshilla nga presidenti rus Putin.

Gjithsesi, ajo që është e qartë, është se media sot nuk raporton thjesht lajmin, por ajo është një mekanizëm i strategjisë diplomatike më i rëndësishëm sesa komunikimin e drejtpërdrejtë politik. Është e qartë se bota po ndryshon, po ndryshojnë edhe dimensionet e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit mes aktorëve në politikën e jashtme, ku media po merr një rol të rëndësishëm, arsye për të cilën gjërat në diplomaci duhet të fillojnë e të shikohen ndryshe.

Autore e librit: “Get the media – Conspiratoria approach for international media consumption. Crimea and Kosovo”

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.