Kryesore

Si ndryshon mosha e daljes në pension për vitin 2018 dhe 2019 për burrat dhe gratë

12:20 - 10.08.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro-Të moshuarit që kanë plotësuar moshën e përcaktuar me ligj dhe kenë minimumi 15 vite pune me kontribute mund të përfitojnë pension pleqërie. “Gazeta Shqiptare” publikon sot moshën e daljes në pension për gratë për vitin 2018, 2019 dhe 2020. Aktualisht për vitin 2018-të, mosha e daljes në pension sipas nenit 43, për gratë është 60 vite e 8 muaj (rritet për çdo vit me 2 muaj deri në vitin 2056 që arrin në 67 vjeç). Ndërkohë sipas kësaj llogaritjeje, mosha e daljes në pension për gratë në 2019-ën do të jetë 60 vjeç e 10 muaj, ndërsa në 2020 do të jetë 61 vjeç. Sakaq, burrat duhet të jenë mbi 65 vjeç, në mënyrë që të mund të marrin këtë lloj pagese (mosha fillon rritet që nga viti 2033 me nga 1 muaj në vit për të arritur në 67 vjeç në vitin 2056).




Sipas reformës së re të vitit 2014-të, masa e përllogaritjes së pensionit varet nga vitet e punës dhe paga, pra pensioni është produkt i viteve të sigurimit dhe pagës mbi të cilin janë paguar kontributet. Sa më shumë vite të ketë aplikanti dhe sa më e lartë të ketë qenë paga e tij, aq më e lartë do të jetë masa e përfitimit. Instituti i Sigurimeve Shoqërore thekson se vjetërsia e plotë kontributive për të dyja gjinitë është 35 vite e 8 muaj, e cila rritet me 4 muaj në vit, për të arritur me 40 vite në vitin 2029.

Përllogaritja
Formula e përllogaritjes së pensionit të pleqërisë është: pension social (bazë) plus një shtesë që është 1% për çdo vit sigurimi, për çdo vit punë, të bazës mesatare të vlerësuar për gjithë periudhën që individi ka paguar kontributet. Baza e vlerësuar për llogaritjen e pensioneve llogaritet si raport i shumës së pagave, për të cilat janë paguar kontributet, me periudhën që njihet si periudhë sigurimi. Për periudhën e sigurimit nga data 1.1.1994 e në vazhdim, për llogaritjen e bazës së vlerësuar merret shuma e pagave, për të cilat janë paguar kontributet nga data 1.1.1994 deri në fund të periudhës së sigurimit. Për periudhën e sigurimit në institucione dhe ndërmarrje shtetërore para datës 1.1.1994, për llogaritjen e bazës së vlerësuar, merren pagat referuese, të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave. Për periudhën e sigurimit në ish-kooperativat bujqësore, për llogaritjen e bazës së vlerësuar merren pagat referuese të caktuara me Vendim të Këshillit të Ministrave. Në rastet kur personi i siguruar ka periudhë sigurimi para dhe pas datës 1.1.1994, baza e vlerësuar llogaritet si mesatare aritmetike e ponderuar e bazës së vlerësuar të periudhave të sigurimit, si ish-punonjës i institucioneve apo ndërmarrjeve shtetërore dhe ish-anëtar i kooperativave bujqësore përpara vitit 1994 si dhe e periudhave të sigurimit si person i punësuar, i vetëpunësuar apo ekonomikisht aktiv pas datës 01.01.1994.

Një qytetar që ka filluar punën në vitin 1975 deri në 2018-ën pa ndërprerje ka 43 vite pune me kontribute. Pensioni do të llogaritet nga viti ’75, kur individi ka filluar punë për herë të parë deri në 2018-ën me pagat që ai ka gëzuar. Në 2007-ën u mor një vendim i Këshillit të Ministrave që quhet “Vendimi i Këshillit të Ministrave për pagën mesatare për bazën e vlerësuar për efekt llogaritje të pensioneve”, ose siç quhet ndryshe paga referuese. Ky është një vendim unik që ka të përcaktuar në disa tabela të veçanta llojin e punës që ka bërë individi nga dita që ka filluar punën deri në ditën që e ka lënë atë. Këto paga referuese i shërbejnë individit nga dita që ka filluar punë deri në 31 dhjetor të 1993-it e këto paga kanë koeficientet e vet të indeksimit.

Koeficientet e indeksimit
Koeficientet e indeksimit janë ata koeficiente që kërkojnë që pagën mbi të cilën janë paguar kontributet ta aktualizojnë e ta sjellin në nivelin e vlerës së pagës sot, pra t’i heqin efektin “gërryes” të inflacionit. Paga e një mësuesi që ka filluar punën me kontribute në 1975-ën, deri në janar të ’94-ës, me gjithë indekset e ndryshimet që kanë ndodhur, është e tillë që shkon 4110 lekë. Kjo pagë indeksohet sot me një koeficient 8.59. Pra, ajo pagë mësuesi që ka qenë 7 mijë lekë të vjetra, po ta aktualizojmë sot del 360 mijë lekë të vjetra. Edhe ky indeks sot është i përshkallëzuar, e fillojnë nga ’94 deri në momentin që del në pension. Viti 2018 nuk ka indeks, kurse viti 2014, 2015 kanë koeficientet respektivë. Ndërkohë, pasi bëhet indeksimi, formula sesi llogaritet baza e vlerësuar mesatare është formula e bazës mesatare të vlerësuar të ponderuar, pra merren pagat për periudhën deri në vitin 1994, llogaritet një pagë e kjo ponderohet me vitet e punës. Individi edhe mund të ketë ndryshuar pozicion pune që ka pasur rrogë më të lartë, por edhe kjo indeksohet e del vlerë më e lartë. Në këto kushte gjithë periudha ponderohet, e individit i del një pagë mesatare bazë e vlerësueshme, e cila shumëzohet me 40%, në rastet kur ka punuar 40 vite (1% për çdo vit pune). Pas kësaj del një vlerë, të cilës i shtojmë edhe pensionin social dhe marrim vlerën përfundimtare të pensionit të pleqërisë. Nëse baza mesatare e vlerësuar del në vlerë më të madhe, po ashtu do të rezultojë edhe pensioni.


Shfaq Komentet (2)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. une jam elektiçist qe nga viti 1970 dhe tani mbush 48 vjet pune ju lutem pa e poletizuar kush me jep mua ato kontibute qe kam paguar ne fund pensioni ka me dale pare per çemçakeza .
    duke ju falenderuar ju uroj te zgjidhni keto pune

    Përgjigju ↓