DOSSIER

Havzi Nela: Do të bindem vetëm kur të bëhem dhe…

18:00 - 12.08.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Shënim Operativ: “Unë punëtori… mora pjesë në internimin e Havzi Nelës. Havziu u shpreh se: ‘Kaq i rrezikshëm paskam qenë unë për partinë sa ma çoi gjithë jetën burgjeve?’- unë i thashë se ‘Ti ke bërë krim dhe për këtë të falënderosh partinë që të fali jetën” – ndërsa Havziu ma ktheu: “Unë nuk ia di për nder askujt, sepse e kam shlyer me jetën time”. Pastaj S.G. i tha Havziut se po bën gabim që po flet kështu dhe për këtë do të bindesh vetë. “Unë – tha Havziu – do të bindem vetëm kur të bëhem dhe, por më vjen keq që ju po merrni në qafë shumë njerëz të ndershëm duke dëgjuar lloj-lloj maskarai e batakçiu, sepse ku e dinit se unë nuk mund të bëhem një njeri i denjë, por mund të bëhesha agjent, që po më internoni…”. Kjo është vetëm një fletë nga dosja e hetimit dhe dënimit të Havzi Nelës, poetit kuksian që doli kundër regjimit komunist. Në 30-vjetorin e vdekjes së mësuesit dhe poetit nga Kukësi, Autoriteti i Dosjeve për herë të parë vë në dispozicion të studiuesve dokumentet e deklasifikuara që i përkasin dosjes formulare të krijuar nga ish-Sigurimi i Shtetit. Në faqe të tjera, Nela citohet të ketë thënë se, “situata në vendin tonë është shumë e turbullt dhe se këtyre u ka shpërthyer vullkani në udhëheqje, prandaj i kanë ditët të numëruara.




Qeveria e këtij udhëheqësi e mban popullin në diktaturë terroriste”. “I pandehuri, Havzi Nela, i biri i Shabanit dhe i Xhevahires, i lindur më 1934 në Kallovoz të Kukësit, me origjinë shoqërore fshatar i varfër, me gjendje shoqërore punëtor, me profesion arsimtar, me arsim të lartë të pambaruar, me gjendje familjare i martuar pa fëmijë, i dënuar me 15 vjet heqje lirie, në bazë të nenit 64/ 14 të Kodit Penal, me vendim nr. 25 data 22.5.1967, të Gjykatës së rrethit Shkodër, i arrestuar më 30.5.1975, i akuzuar se ka bërë agjitacion e propagandë kundër Pushtetit Popullor, ka kryer krimin e parashikuar prej nenit 73/1 të Kodit Penal, gjykata pasi shqyrtoi materialet e hetuesisë, provat e marra gjatë zhvillimit të gjykimit, mbrojtjen dhe fjalën e fundit të të pandehurit, i cili kërkon drejtësi, vendosi:

Ta deklarojë fajtor të pandehurin Havzi Nela, për krimin e agjitacionit dhe propagandës kundër pushtetit popullor dhe në bazë të nenit 73/1 të Kodit Penal e dënon me 8 vjet heqje lirie. Përfundimisht në aplikim të nenit 49, të Kodit Penal e dënon me 12 vjet heqje lirie”, shkruhet në vendimin e datës 8 gusht të vitit 1975 të Gjykatës së rrethit Mirditë, e cila e dënon Nelën me 12 vjet heqje lirie. Në kampin e Spaçit, i pandehuri gjatë vitit 1974 dhe 1975, me të dënuar të ndryshëm ka bërë biseda armiqësore kundër pushtetit popullor. E përfundoi arsimin e lartë në Shkodër, me korrespodencë e më pas punoi si mësues në Krumë, Lojmë dhe Shishtaveci deri në vitin 1967, kur u transferua në Topojan, vendi ku nisi edhe kalvari i tragjedisë së tij. Dënimi me 15 vite heqje lirie, në vitin 1967 i erdhi për shkak se kishte kaluar kufirin drejt Kosovës, por forcat jugosllave e dorëzuan sërish në Shqipëri. Edhe bashkëshortja e tij u dënua me 10 vite burg. Gjatë gjithë kohës i vëzhguar nga Sigurimi, në vitin 1986, e lejuan që për një kohë të shkurtër të dilte nga burgu, liri që nuk do të zgjaste shumë, pasi në vitin 1987 arrestohet sërish. Më 1988 e varën në qytet. Me rastin e 30-vjetorit të varjes së poetit dhe mësuesit, Bashkia e Kukësit pasi vendosi bustin e poetit në gjimnazin e qytetit, ka përuruar shtëpinë e Havzi Nelës në fshatin Kollovoz, ku thuhet se poeti kishte groposur dorëshkrimet e tij të fundit, që të mos binin në duart e Sigurimit të Shtetit.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.