MILOSAO

Një rrëfimtar që fle, harruar

18:00 - 12.08.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Andon Andoni – Edhe pas 15 vitesh si ka ikur nga kjo botë e të gjallëve, thuajse i harruar në lëmin e studimeve letrare edhe pse shpesh në të shkuarën është përmendur “si një rrëfimtar safi” dhe “pasues i prozës së Kutelit” shkrimtari apo më saktë proza e tregimtarit Sotir Andoni, mund të përbëjë sot një gjeth të vyer për studimin shkencor dhe aq më shumë për kritikën letrare praktike. Por ne si lexues, kemi nevojë t’iu kthehemi shpesh “harresave ” të tilla, jo më për shkrimtarin, pasi ai nuk ka më nevojë për ne, por ne kemi nevojë për lëçitje brenda krijimit që ai dhe brezi i tij lanë pas.




Në këtë shkrim do ndalemi në disa prej tregimeve të krijimtarisë së tij të parë (deri në fillimin e viteve shtatëdhjetë të shekullit të shkuar) të librave “Maleve në shënëndre” 1957, “Tregime nga Morava” 1960, “Kur merrnim fluturim” (1967) “Dasmë ë çuditshme” ,”Tregime të zgjedhura” “Toena” 2005, duke i parë ato nën frymën e një teorie pozitiviste, në ndikimin e mjedisit ku u formua shkrimtari dhe kohën e krijimit të këtyre librave, pasi në krijimtarinë e mëvonshme, ajo vjen dhe zbehet nën trysninë e goditjeve të njëpasnjëshme që pësoi autori për hir të diktaturës, dhe thuajse u tërhoq ashtu sikurse bënë dhe miqtë, e njëherazi ustallarët e tij, M. Kuteli e më shumë L.Pogradeci në kohën e ndërtimit të socializmit “me forcat tona”.
Teoria mbizotëruese nën dritën e së cilës mund të shihet tregimi i Sotir Andonit, është ajo formaliste pasi si prozë plot lëng jetësor dhe me një pasuri gjuhësore të larmishme, edhe pse kjo i shkon më përshtat poezisë si forma më e lartësuar e letërsisë, tregimet e S. Andonit s’janë gjë tjetër vetëm se një prozë poetike.

Kjo gjuhë, shpesh ka himnizuar dhe ka tjetërsuar realitetin social shoqëror. E ka “rrëfyer’ jetën më të bukur nga sa ekzistonte. Ajo nuk ka shprehur të zakonshmen dhe të përsëritshmen e jetës së karaktereve dhe personazheve në tregime, por jetën me një “ritëm e tingëllim të çuditshëm”1 por duke mbetur një prozë letrare plot lëng.

Ai lindi në Ziçisht të Korçës (1925-2003) në familjen e një tregtari dhe mërgimtari që kishte kaluar dy herë Atlantikun, drejt tokës së premtuar Amerikës, përpara luftës së dytë botërore, por që kishte preferuar të mbetej një mëmëdhetar në vendlindjen e tij ku krijoi familje e ku do të vinte në jetë dhe djali i tij i dytë Sotiri.

Në një fshat që numëronte dhjetëra kurbetçinj në malet e Athosit , si pjesë e atyre “tremijë mërgimtarëve që Shahin Kolonja kishte regjistruar në fillim të shekullit të shkuar”2 e që jehona e bëmave dhe zhgjëmave të tyre, vinte në tregimet e tij në formën e Koles së Stefanit tek “I handakosuri”, “Kandili i shuar”, dhe “Ligor Dodani”.
Mësimet e para i mori nga mësuesi i fshatit një njeri i shkolluar në vendet gjermanike, dhe që vinte në Toskëri prej veriut të Gjakovës, tek i cili shkrimtari i ardhshëm kishte gjetur shëmbëlltyrën e dijes dhe të leximit. Çamarrok, siç e rrëfen veten përmes unit artistik në mjaft prej tregimeve të tij, ai do ishte njeriu që do furnizonte me ushqime të përndjekurin e Kryengritjes së Fierit, Kostë Cekrezin, të afërm nga fisi, që përkthente, i arratisur në malin e Moravës, “Kontin e Monte Kristos” duke ia vënë në duar shkrimtarit të ardhshëm në fashikujt e dorëshkrimeve të tij..
Porse ajo që do ta mrekullonte më tepër ishte toskërishtja në rrëfenjat e Mitrush Kutelit të cilin më vonë do ta kishte mikun e zemrës dhe do ta quante nëpër letërkëmbimet e shumta “usta”.
I rritur në një mjedis të shëndetshëm dhe në një jetë fshatare të ngritur me nikoqirllëk, ai do të kujtojë më vonë botën e fëmijërisë dhe rinisë së tij të hershme, në tregime të tilla si “Gazet dhe helmet e fshatit tim” nga vëllimi “Maleve në Shënëndre” 1958 “Lorka” nga vëllimi “I dërguari nga klasa” “Këngët e rinisë së parë” nga vëllimi “Dasëm e çuditshme”etj. Të gjitha këto , të marra së bashku dhe të vështruar edhe në dinamikën e jetës së tij social shoqërore deri në fund të viteve 90, do të na mundësojnë të hedhim dritë rreth oshilacioneve të krijimtarisë së tij dhe për më tepër për të dalluar letraren nga “partishmëria në vepër”

Fabula dhe tjetërsimi i saj artistik në subjektin e tregimit

Ashtu sikurse pranohet nga njohës të krijimtarisë së S. Andonit ai ishte një “Rrëfyes i jashtëzakonshëm i trillimeve krijuese, përblojtur mundimshëm në mokrat e përjetimeve dhe fantazive të veta,… tregimin e sapopërfunduar, e rrëfente me bukur sesa e shkruante”3
Një element thelbësor për tregimin andonian duket se është subjekti i tregimeve.
Me “një efekt tjetërsues tek fabula”4 dhe i kujdesshëm që fjalia e parë e tregimit të flasë e kumtojë me të fundit si të tillë, tregimet janë një koherencë e plotë përmes elementeve të fabulës dhe shumësisë së “materialeve”. Le të sjell një shembull nga tregimi “Sefedin Komiti, Sefedin Labi” nga vëllimi “Fletë të kuqe Qershie”.
Ja fabula: Sefedin Komiti, i porsa martuar hyn në sherr me beun e fshatit se ky i fundit ia rrëzoi oxhakun e shtëpisë, ia lëvizi gurin e sinorit në bahçe dhe ndërtoi një mulli ngjitur më shtëpinë e Sefedinit duke ia lëshuar ujrat e jazit nëpër oborr…
“Epo dëgjo o bej! Si e ke nisur zotërote, do vish gjer në jatak të më kërkosh edhe nusen time …po më mirë na këtë që të jap unë dhe vajtsh në të satëme…”5
Dhe doli komit e kaçak maleve.

Kaq. Një fabul që na kumton një histori mëse të rëndomtë konfliktesh të paprera deri në ditët e sotme dhe që bashkëshoqërojnë klasa e sisteme të shoqërisë.
Tashmë mbete në dorën e krijuesit që të tjetërsojë këto element të fabulës në një subjekt letrar për të përftuar një krijim të vërtetë dhe që me pak fjalë, është ky:
Na jepet Sefedin Komiti në moshë “tetëdhjetë” i ndodhur në sheshin e fshatit ditën e festivalit, ku “buhisnin sazet e hidhej vallja… Thonë se iu kujtua rinia e tij e hershme kur mbante fustanellë prej komiti..”6 kemi kështu “transferimin e materialeve, zhvendosjen e tyre të përkohshme”7 po bëhemi gati të pranojmë paraqitjen e ngjarjes apo thelbin e saj përmes fabulës së mësipërme. Narracioni dhe gjuha e mjeteve shprehëse të saj, na fut në fabul, por vetëm kjo, sado bukur dhe elokuente të rrëfehet, nuk na kumton e për më tepër nuk na ngazëllen me ndonjë efekt emocional e përjetues pas leximit të saj.

“Por pas dy vjet komit e kaçak malesh më pushkë krahut dhe me shpirt ndër dhëmbë…. mësoi se Italia ishte shtruar në Vlorë e nuk donte të tundej. Këtu më ke, pat thënë Sefedini dhe me pushkë krahut bënte hesap të zbriste asaj Labërie për nder e për trimëri. Por më parë se të nisej iu mbush mendja të shkonte një natë në shtëpi”8
Një fjali e vetme që shënon kthesën në tregim.

Vetëm kaq pak radhë dhe ndjejmë se tashmë ka filluar efekti i defamiljarizimit të fabulës deri në momentin përmbyllës që ky defamiljarizim do shtrihet më së tej në elementet e realitetit jetësor të tjetërsuar artistikisht. Ende nuk jemi në rrjedhat e një narracioni dinamik apo një dinamikë e fundme e zgjidhur. Jemi në “një lojë fjalësh dhe efektesh të tjera”9 që receptuesin, lexuesin, e bën të mbete pezull se, ç’do ndodhë po u kthye në shtëpi dy vjet larguar dhe kur “bijtë e hasmit mbanin vesh e përgjonin kur të kthehej ndonjë natë tek nusja e t’i bënin gjëmën”10 , “duket se realiteti i fabulës është prishur”11

“Zbriti Sefedini në shtëpi një natë të zezë sterrë, qosh më qosh e rrugë më rrugë e dalë nga dalë….”12 një enumeracion poetik që shoqëron një situatë, sa të nderë, aq edhe të kryer, më së fundi në një vendim të pakthyeshme të nisur me foljen “Zbriti”

Dhe fjalia tjetër pasuese është një dinamike më vete, një korrelacion që përfshin vetvetiu dhe përbashkon dy jetë në një.
“Atë natë (burrë e grua) shënimi im- e kaluan të mbështjellë me gunë e tij”13 dy jetë në një që mund të mbeten si të tilla edhe pas një elementi tjetër të dhënë përmes fjalisë pasuese: “Zjarr nuk ndezën fare se dukeshin flakët përjashta”14 (mendo që shtëpia e hasmit është ngjitur me ta). Një realitet. Një kumt që nuk na tregon ende shumë. Lexuesi mbetet me makthin në zemër. Po sikur.. ja edhe zjarrin nuk e ndezën që mos kuptohej kthimi i komitit i munguar… dhe vetëm pas kësaj fjalie, madje në pjesën tjetër të saj të bashkërenditur lëmë pas “këtë realitet” dhe futemi në botën e ndijimeve, abstraksioneve të shenjave gjuhësore që na kumtojnë. “…. por u mjaftoi zjarri i dy vjetëve”15
Dhe ndijimi artistik, qoftë dhe vetëm përmes këtyre tri fjalive, na sjellin në një botë njerëzore, që nga një njeri, apo më mirë të mbetur ndaras, tek e tek, pra një i vetëm, bëhen dy “nën një gunë” dhe bëhen tre “pas një zjarri” në të nesërmen që po agonte.
Ende duket se jemi brenda realitetit. Dhe presim tjetërsimin e tij, pas këtyre “komenteve të shpeshta të vetëdijes të bëra nga autori,…”16 që përbëjnë “…ndryshimet midis fabulës dhe subjektit”17
“…nusja e re u ul galiç aty nën këmbët e burrit, papritur mbuloi sytë me të dy duart dhe ia dha të qarit….”18
Sefedini i shastisur, po sa edhe lexuesi në këtë dramë që ka arritur tensionin më të madh të mundshëm, e pyeti:
“-Qan se do të shkoj në luftë?
-Jo,-tha ajo me lot në sy.
-Qan se nuk do të shkoj në luftë?
– Jo,- ja ktheu ajo përsëri.”19
Tensioni ende nuk është shfryrë, që madje pas dy pyetjeve të tilla do ishte e udhës që të kishte edhe një pohim për cilëndo pyetje, tejet të justifikuar për një nuse të re që kishte hequr keq më hasmin në derë.
-Po atëherë?
Kjo është pyetje jo vetëm e Komitit, por njëherësh edhe e jona si lexues.
Një pyetje që sigurisht do ketë një përgjigje. Cilado që të jetë ajo pret një të tillë që nuk vonon menjëherë pas saj.
“-Dua të thërrasësh miq në shtëpi.
-Miq ? Në shtëpi?”20
Dhe merrni me mend tensionin artistik që vjen e rritet. Herë merr brigjeve të inatit të komitit e herë të nuses së re që fshin lotët me përpares dhe ngul këmbë në të sajën .
“- ku dihet…sonte mund të kem mbetur me barrë… dhe mund të thonë …nusja e Sefedinit lindi një….prandaj dua miq në shtëpi të të shohin që ti erdhe këtu….”21
Dhe tashmë subjekti ka tjetërsuar një realitet fabulor dhe e ka ngritur krijimin, nga një çështje të rëndomtë hakmarrjeje mes njerëzish, në një normë morale e cila mban në këmbë shoqërinë njerëzore prej fillesave të saj deri në qytetërimin e sotëm, që është familja si njësi bazë e saj. E konturuar në dimensioneve të jetës, lindjes dhe vdekjes.
Siç shihet, proza e shkurtër e S Andonit është një prozë rrëfimtare, plot lëng jete, ” sa në vazhdën e Kuteli, aq edhe brazdë e çelur prej tij në prozën shqipe. Është kjo një prozë aromatike, ndoshta më aromatikja e rrëfimtarëve tanë…”22
Ia vlen, për sa thamë më sipër, të ndalemi paksa në gjuhën e tregimeve të S. Andonit, një gjuhë plot kolorit dhe herë- herë e ngritur në shtresimin e një gjuhe të barabitur me atë të një rrëfimi të shtruar jashtë dhe tejet të larguar nga hallet e vogla të së përditshmes. Duket se kjo dukuri e ka zanafillën në një tjetër element të pëlqyer prej shkrimtarit:-dashuria për jetën njerëzore, dashuri që ngërthen deri diku gjithë arsenalin e krijimit të tij, madje sipas studiuesve, kjo dashuri biblike ndjehet edhe kur portretizon karaktere të tillë me pexhorativitete, si Bane Lica tek “David Selenicasi” në vëllimin “Tregime nga Voskopoja” (1980) apo Dadabaken, tek tregimi “Nënolja dhe unë” vëllimi “Trokthet e kuajve nëpër natë”(1973).
Dashuria për jetën, apo përkitazi me lirizmin në plotmërinë më të gjerë të kësaj fjalë të gjendura në tregimet e tij, duket se janë prelud i një gjuhe të ngritur dhe të lartësuar prej natyrës së shkrimeve të autorit. Një formalizëm e strukturalizëm i shtruar këmbëkryq në të gjithë pjesën e prozës së S Andonit, porse deri më sot fare pak e diktuar dhe e reklamuar si e tillë prej kritikës dhe studiuesve.

Në këto radhë,duhet thënë se ai ishte një shkrimtar autodidakt për nga shkollimi, dhe nuk arriti kurrë të formësojë një kulturë shkollimi në adresë të gjuhës. Përdorimin e saj ai e ka të vetvetishme, të ngulitur në brendinë e shpirti krijues dhe të vjelë me “merakun e ustait” që vjel vreshtin, të mbledhur prej njerëzve më të cilët ndau hallet dhe gëzimet e një botë të tërë, vëzhgues i hollë i traditës folklorike.

Enumeracionet, kontrastet dhe shkallëzimet që përdor në tregime, s’janë gjë tjetër vetëm se një grumbullim cilësor me ngjyrime poetike, herë i gjuhës së autorit, gjuhës së personazheve dhe, herë në trajtesën e përshkrimeve të natyrës dhe peizazhit, por në të gjitha rastet një asht jetësor i hedhur tashmë mjeshtërisht prej autorit në kartë.
“Unë ngisja çap e jak, mbush e zbraz plloskën… Ca uronin çiftin, ca lëshonin thumba”23

Gjuha e dashurisë zë vend në tregimet e S.Andonit me një sinqeritet të jashtëzakonshëm fëminor. Ajo vjen në tregime sipas përkatësisë së personazheve burrë e grua, të rinj e vajza, fëmije e pleq. Ajo është e destinuar të mbushë me gëzim zemrat e tyre gjithsesi. Sa jemi të vegjël dashuria ka trajtën e rendjeve nëpër livadhe plot dritë: “Si mbaronim kuvendimin me qyqen zbrisnim poshtë fushës që kundërmonte nga era e manushaqeve dhe luleshqerave.24 “Arat pas lumit ishin të mbjella me jonxhë dhe gjelbërimi aty ishte i thellë gjer tutje vjeshtës. Ne na kish ënda të vinim në mes të kërcejve të jonxhës. Shtriheshim aty më krahëza, hapnim duart anash e soditnim qiellin mavi që nga qilimi ynë i gjelbër.”25
Më tej ajo mbart me vete edhe “merakun” e familjes së re që krijohet dhe në të gjitha rastet gjuha e shkruar për këtë lloj marrëdhënieje është tejet poetike. Duke përmendur kontraste e kundërvëniet me elementet e natyrës dhe jetës, gjuha e tregimeve është pjesë e individualitetit të krijimtarisë së S.Andonit.
Si kundër vëmë re, lumi, shelgjishtat, maji dhe më së fundi blerim i tij me këngën e bilbilave nëpër degët e shelgjeve dhe pemëve ndanë ujërave, janë një nga pjesa themelore e universit të tij gjuhësor dhe krijues.

Ato shkrimtari nuk i ka parë në veprën e tij si pjesë të formacionit mbështetës të prozës narrative, apo si instrument të pasurimit të elementeve të tilla të tregimeve si pjesë të kompozicionit, të formës, të gjuhës etj, madje edhe atëherë kur ka ndjekur në mënyrën më instiktive integritetin e saj si pjesë të së tërës brenda tregimeve, por ndonjëherë i ka përbërë dhe pjesë të strukturës rrëfimtare.

Por ajo që vlen të theksohet është dhe ngarendja e shkrimtarit përpos pasqyrimit të fakteve letrare, drejt një jete të mistifikuar me dashuri njerëzor si dhe fjalës si magji e muzikalitet i ritmit të brendshëm të një kulture njerëzore përfaqësuese artistike e saj në vepër.
Shpesh është menduar se ky shkrimtar rrëfimtar, “adhurues i anegdodizmit folklorik, “i zakoneve të një fshati me nikoqirllëk qytetar, derdh në tregime një energji gjuhësore epitetike, me enumeracione detajesh, nëpërmjet një fjale, ku bashkëjeton tingulli me ngjy-rimin”26 e pati adhurim gjurmimin e sjelljes dhe fjalës së njerëzve nga më të ndryshmit, njerëz burimorë, të cilëve “iu vodhi” fjalë, këngë, vargje poetike, mushtin e jetës.

Shënime
Koçi Petriti parathënie e vepres S Andonit “Dasëm e Çuditshme” “Toena” 2005, faqe 7
2 Blendi Fevziu “Shtypi shqiptar gjate viteve 1848-1990” Tiranë 2005
3 Koçi Petriti parathënie e vepres S Andonit “Dasëm e Çuditshme” “Toena” 2005, faqe 6
4 Floresha Dado “Teoria Letrare Moderne”
5 Sotir Andoni “Fletë të kuqe qershije” Shtëpia botuese “Naim Frasheri” Tiranë 1978
6 Po aty
7 Floresha Dado “Teoria Letrare Moderne”

8 Sotir Andoni “Fletë të kuqe qershije” Shtëpia botuese “Naim Frasheri” Tiranë 1978
9 Floresha Dado “Teoria Letrare Moderne”
10 Sotir Andoni “Fletë të kuqe qershije” Shtëpia botuese “Naim Frasheri” Tiranë 1978
11 Floresha Dado “Teoria Letrare Moderne”
12 Sotir Andoni “Fletë të kuqe qershije” Shtëpia botuese “Naim Frasheri” Tiranë 1978
13 Po aty
14 Po aty
15 Po aty
16 Floresha Dado “Teoria Letrare Moderne”
17 Po aty
18Sotir Andoni “Fletë të kuqe qershije” Shtëpia botuese “Naim Frasheri” Tiranë 1978
19 Sotir Andoni “Fletë të kuqe qershije” Shtëpia botuese “Naim Frasheri” Tiranë 1978
20 Po aty
22 Po aty
23 Koçi Petriti parathënie e vepres S Andonit “Dasëm e Çuditshme” “Toena” 2005, faqe 6
24 “Maleve ne shënëndre” shtëpia botuese “Naim Frasheri” Tiranë 1957
25 Po aty
26 Po aty
27 Koçi Petriti parathënie e vepres
S Andonit “Dasëm e Çuditshme”
“Toena” 2005, faqe 6


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.