MILOSAO

Poezi

18:00 - 12.08.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Përkthyesi është një ithtar i poezisë së bukur dhe beson se njerëzit që nuk i lexojnë mjeshtrit e poezisë humbasin pa fund…




ANONIM JAPONEZ

DY QERSHITE

Dy qershi të dashuruara,
lindur larg njëra- tjetrës,
shiheshin, po nuk arrinin të prekeshin dot.
I pa një re, që i erdhi keq dhe qau nga dhimbja;
i tundi gjethet e tyre, po kjo s’mjaftoi.
Qershitë nuk u prekën dot.
I pa një stuhi, që prej dhimbjes ulëriu
dhe ua tundi akoma më fort degët.
Po as kjo s’mjaftoi .
Qershitë nuk u prekën dot.
I pa një mal, që u drodh nga dhimbja,
aq sa tronditi dhe trungjet e tyre,
por dhe ai kot u lodh.
Kot.
Qershitë nuk u prekën dot.
Reja, stuhia dhe mali nuk e dinin
që nën tokë,
rrënjët e qershive
ishin pleksur në një përqafim të pambarim.

BLAGA DIMITROVA

DASHURIA

Kam humbur ecjen e shkujdesur,
të qeshurën krenare gjithashtu,
po dhe heshtjen e butë të shpirtit,
freskinë e vështrimit kuturù.
Gjumin?.. Arratisur dhe ai. S’dihet ku.
I humba rrugët që më thërrisnin,
humba rebelimin,
të papriturat, tingujt e këngëve,
të gjitha i humba
dhe lirinë.
Vërtet, më e shpenzuara e botës jam,
po dhe më e pasura :
kam dashurinë.

EUGENIO MONTALE

KAM ZBRITUR
I MBESHTETUR TE TI
TE PAKTEN NJE
MILION SHKALLE

Kam zbritur, duke të dhënë krahun, të paktën një milion shkallë
kurse tani që s’je, në to ka vetëm zbrazësi.
E shkurtër paska qenë rruga jonë e gjatë,
imja vazhdon akoma, po kur s’je ti
s’ më duhen më vendtakimet,
as koha, pa le kurthet dhe dështimet
e humbësit që kujton se realiteti është ai që shikon.
Kam zbritur miliona shkallë , mbështetur te ti,
jo sepse dihet që katër sy shohin më mirë nga dy.
I zbrita pa frikë, se e dija, që nga bebëzat tona të syve,
dhe pse të mjegulluara, të vetmet që ma gjenin rrugën
i kishe ti.
Uniforma e sotme është durimi,
medalja s’është veçse ylli i mjerë i shpresës,
varur poshtë zemrës.
Jepet
për braktisje flamuri,
për akte trimërie ndaj mikut,
për tradhëti sekretesh që s’kanë më vlerë
dhe për moszbatim të çdo lloj urdhëri.
Ta akordojnë
kur s’ndodh më gjë,
kur gjëmimet e predhave janë shuar,
kur armiku është bërë i padukshëm
dhe hija e riarmatimit
nxin gjithë qiellin.

JOSEPH BRODSKY

ISHULLI PROCIDA

Gji i humbur. Njëzetë barka të vogla me vela, jo më shumë.
Rrjeta të nderura si çarçafë, që thahen.
Perëndim. Disa pleq në bar shohin ndeshje, s’duan gjumë.
E kalterta me blunë e detit lidhen fort e s’ndahen.
Një çafkë kap horizontin më shpejt nga errësimi.
Pas orës tetë gjithë bregu ësht’ i shkretë.
Bluja perëndimit ia fshin në qiell kufirin,
tej tij shkrep një yll, që t’ kujton se ka jetë.

WISLAWA SZYMBORSKA

TE PAKTEN PER
NJE ÇAST

…Nuk ka jetë
që të paktën për një çast
të mos jetë e pavdekshme.
Vdekja është gjithmonë e vonuar
në atë grimë kohe.
Më kot rropatet me dorezën
e një dere të padukshme.
Kohën e arritur nuk ia rrëmben
dot askujt.

SHEKSPIR
S’ DI SE KUR, PO…

…kur nuk do të jesh më
pjesë e vetes sime,
nga kujtimi yt do të heq
gjithë copëzat me yje.
E megjithatë,
ai qiell do të jetë aq i bukur,
saqë e tërë bota,
do të dashurohet me natën.

 

KONSTANDINOS KAVAFIS

NJE I HARRUAR

Brendësi kafeje. Zhaurimë.
Në një tavolinë rri veçuar
një i moshuar, përkulur mbi gazetë.
Pranë, asnjë shok.
Dhe mendon aty, n’at’ pleqëri të trishtë,
sa pak e ka gëzuar jetën,
kur ish’ e bukur dhe e brishtë ,
kur fliste lirshëm e me rrjedhshmëri ,
si dinte të fliste dikur ai.
E ndjen që shumë ka rënë, e sheh, e di.
Koha e rinisë?
“Ajo që qe dje”.
O hapësirë e shkurtër, përse kaq shpejt më le?
Befas për urtësinë mendon, që e ka tallur e mashtruar.
Dhe ai, tërësisht (çfarë çmendurie!) e kish besuar:
“Ke kohë plot, kohë ke dhe nesër,
mos u mendo kaq shumë!”, thosh ajo,
mirë ke për t’ia kaluar, mos dysho!”
Kështu gëzimet një nga një i bëri fli,
vrapin e ndali. Në vend, si mjaft të tjerë, mbeti dhe ai.
Tani kujton me radhë humbjet
dhe
çdo rast
tingull përqeshjeje e talljeje i duket se mbart.
ç’marrëzi!..

I zhytur në mendime, nën atë’ shi kujtimesh
është shushatur fare.
S’i vete mendja për kafe.
Mbështet kokën n’ tavolinë dhe …
i harruar,
rri
e
fle.

Shqipëroi Harallamb Fandi


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.