Intervista

Gjata: Tragjike, Shqipëria si në ‘38, kur Hitleri mbylli Kushtetuesen

15:00 - 13.08.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Valentina Madani – Juristi i njohur Çlirim Gjata denoncon ashpër situatën e krijuar në Gjyqësor teksa akuzon maxhorancën për prekjen e organeve të reja të drejtësisë. Por z.Gjata një njohës i mirë i ligjit thotë për “Gazeta Shqiptare’ se kjo u bë edhe me ndihmën e kritikueshme të faktorit ndërkombëtar në Tiranë duke i kujtuar se shteti nuk bëhet shteti me makinacione politike, por me kompromis historik.




Ai shpreh shqetësimin se “jemi i pari vend në Europë pas luftës së dytë botërore ku mbyllet Gjykata Kushtetue-se. Ka ndodhur vetëm në `38 kur Hitleri mbylli Gjykatën Kushtetuese austriake. Edhe kryetari aktual pret një proces tjetër vetingu në KPA. Ka mbetur vetëm një anëtar, por që edhe këtij i ka mbaruar mandati”. Sipas Çlirim Gjatës nga mungesa e gjykatave humbasin të gjithë, me përjashtim të qeverisë pasi kjo mungesë i ka hequr kontrollin qeverisë tonë dhe praktikisht demokracia ka rënë. Si zgjidhje ai kërkon: “Të hartohen dispozita kalimtare kushtetuese, për funksionimin e institucioneve të larta gjyqësore, që sot mungojnë, në mënyrë të përkohshme derisa të përfundojë vetingu dhe sistemi i ri drejtësisë të bëhet aktiv. Gjithmonë me Kushtetutë dhe jo me 69 vota politike. Këtu duhet të përfshihet edhe zgjidhja e konfliktit politik me Prokuroren e Përgjithshme, e cila është antikushtetuese, si dhe emërimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve nëpër organet më të ulta të drejtësisë të mbetura bosh nga vetingu, apo dhe kandidatëve për magjistratë”. Kjo shprehet Gjata, nuk bëhet me arnime ligjesh në mënyrë politike, për interesa partiake. “As ashtu si thoshte Z.Han, “hajt votoni”, por me Kushtetutë, me përgjegjësi për vendin dhe qytetarët”, deklaron juristi Çlirim Gjata.

Z.Gjata përse kaq shumë vonesa në zbatimin e reformës në drejtësi, pse nuk po funksionojnë organet e reja të drejtësisë?
Fatkeqësisht jemi dy vjet nga hyrja në fuqi e ndryshimeve kushtetuese, ku u shfuqizua i gjithë sistemi i vjetër në drejtësi dhe u ndërtua në letrën kushtetuese një sistem tërësisht i ri. Dhe nuk mund të mos e them, një sistem i ri drejtësie i paprecedent në botën demokratike, një sistem eksperimental, që testohet për herë të parë në Shqipëri. Ndaj dhe natyrisht, që nuk do t’i shpëtonte vonesave, pasi askush nuk ka përvojë implementuese, madje as ndërkombëtarët. Arsye tjetër vonesë është edhe arsyeja politike. Mendoj se kjo maxhorancë, shfrytëzoi çdo moment për të futur duart në reformë, për të prekur organet e reja të drejtësisë dhe duhet përmendur se kjo u bë edhe me ndihmën e kritikueshme të faktorit ndërkombëtar në Tirane. Arsyeja e tretë është procesi i vetingut. Jo për faj të vetë vetingut, sepse askush nuk e parashikoi se sa do të zgjatë, por për paaftësi të atyre që e ndërtuan reformën(nuk po them dashakeqësi, sepse nuk dua ta besoj). Duhej të kishin parashikuar pasojat e vetingut dhe të kishin ndërtuar skema për funksionimin e përkohshëm të institucioneve, që prekeshin nga vetingu. Vetingu duhej të fillonte nga baza e drejtësisë jo nga kreu. Këtë situatë e shfrytëzoi mazhoranca politike për interesat e saj.

Pse sot Shqipëria është pa Gjykatë Kushtetuese dhe pa Gjykatë të Lartë? Kam parasysh këtu që Kushtetuesja është aktualisht jashtë loje. Drejt të njëjtit fat rrezikon të shkojë dhe Gjykata e Lartë, e cila tashmë funksionon me numër të kufizuar të anëtarëve të saj, ndërsa mungesa e Këshillit të Lartë të Prokurorisë po mban pezull dhe Byronë Kombëtare të Hetimit dhe SPAK-un ose njësinë speciale antikorrupsion.

Jemi i pari vend në Europë pas Luftës së Dytë Botërore ku mbyllet Gjykata Kushtetuese. Ka ndodhur vetëm në `38 kur Hitleri mbylli Gjykatën Kushtetuese austriake. Edhe kryetari aktual pret një proces tjetër vetingu në KPA. Ka mbetur vetëm një anëtar, por që edhe këtij i ka mbaruar mandati. Kjo ngjan edhe komike, të paktën ajo e Hitlerit ishte tragjedi. Ndërsa Gjykata e Lartë nga 19 anëtarë ka mbetur me katër. Ndërkohë nuk janë krijuar asnjë nga institucionet kushtetuese të sistemit të ri të drejtësisë. Deri tani ky është “suksesi” i reformës në drejtësi.

Dhe nuk ka asnjë parashikim nga askush, se kur mund të ngrihen dhe kur do të bëhet funksional sistemi i ri i drejtësisë. Këto pasoja vijnë kur reformat bëhen në mënyrë eksperimentale dhe për interesa politike. Dhe kemi mbetur këtu ku jemi. Pasi duhet të ndërtohet KLP për të ngritur SPAKUN dhe BKH, të cilat do të luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar. Gjithashtu, KLP do të ndërtojë sistemin e ri të prokurorisë në mbarë vendin dhe emërojë Prokurorin e Përgjithshëm. Ndërsa ngritja e KLGJ do të sjellë ndërtimin e Gjykatës Speciale që do të dënojë të korruptuarit dhe mafiozët. Më thoni, ju lutem, si mund të jetë politika qeveritare e interesuar për ndërtimin e këtyre institucioneve?! Pastaj vazhdojmë me rindërtimin e gjithë sistemit gjyqësor po nga KLGJ, deri dhe Gjykatën e Lartë. Dhe nga kjo e fundit do të dalin vetëm tre anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Paralel me këto duhet të krijohet edhe KED, që do t’i propozojë parlamentit dhe presidentit kandidaturat për 6 vende në Gjykatën Kushtetuese, si dhe do të emërojë Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, që kontrollon abuzimet e prokurorëve dhe gjyqtarëve. Dhe të gjitha këto presin vetingun. Se kur do të mbarojë kjo dramë, që quhet reformë në drejtësi nuk e di.

Opozita akuzon kryeministrin Rama për bllokimin e këtyre dy gjykatave për interesat e saj klanore…
Kur vendi mbetet pa gjykata si po ndodh këtu tek ne, humbasin të gjithë. Humbasin qytetarët, biznesi, ekonomia, familjet, gjithçka shkon me humbje. Humbet demokracia, Kushtetuta, ndarja dhe balancimi i pushteteve, të drejtat kushtetuese të njeriut. Për të fituar, fiton vetëm qeveria. Dhe jo vetëm këtu te ne, por po të ndodhte kudo kjo që po ndodh, fituese do të ishte vetëm qeveria. Sepse në këto kushte, qeverinë nuk ka se kush e kontrollon. Demokracia funksionon mbi kontrollin institucional dhe barazinë e pushteteve. Mungesa e gjykatave i ka hequr kontrollin qeverisë tonë dhe praktikisht demokracia ka rënë. Vendet demokratike nuk ja lejojnë vetes t’i ndodhin këto, sepse kanë demokraci tradicionale, por ndërkohë nuk duhej të lejonin që, edhe në Shqipëri të ndodhnin, pasi ekspertët e tyre (Euralius dhe OPDAT) duhej të kishin ndikuar për të kundërtën. Mjaftojnë 5 ditë pa Gjykatë Kushtetuese për qeverinë, e jo më me vite. Shikoni ligjin për teatrin dhe argumentet kushtetues dhe ligjore për kthimin e tij nga presidenti. Është një interes i pastër klanor nga ana e qeverisë ku nga shfrytëzimi i pronës publike dhe shkatërrimi i monumenteve të kulturës, do të përfitohen 200 milionë euro. Dhe jo për publikun, por për klanet qeveritare. Ku është Gjykata Kushtetuese, që ta ndalojë këtë? Merrni marrëveshjen e detit. Kush garanton se është më e mirë se e para?! Por, për këtë duhet Gjykata Kushtetuese dhe në mungesë të saj mund të kemi një marrëveshje, që cenon integritetin territorial të Shqipërisë. Po sa raste të tjera të ngjashme, por që nuk merren vesh, sepse nuk kanë impakt publik, po abuzohen nga qeveria? Ndaj, mendoj se opozita ka të drejtë.

Çfarë pasojash ka për vendin tonë mungesa e këtyre dy gjykatave dhe si mund të zgjidhet situata bllokuese në gjyqësor?
Pasojat pak a shumë i preka më lart. Për sa i takon zgjidhjes së kolapsit në gjyqësor, mendoj se kërkon një kompromis të madh politik. Të hartohen dispozita kalimtare kushtetuese, për funksionimin e institucioneve të larta gjyqësore, që sot mungojnë, në mënyrë të përkohshme derisa të përfundojë vetingu dhe sistemi i ri drejtësisë të bëhet aktiv. Gjithmonë me Kushtetutë dhe jo me 69 vota politike. Këtu duhet të përfshihet edhe zgjidhja e konfliktit politik me Prokuroren e Përgjithshme, e cila është antikushtetuese, si dhe emërimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve nëpër organet më të ulta të drejtësisë të mbetura bosh nga vetingu, apo dhe kandidatëve për magjistratë. Kjo nuk bëhet me arnime ligjesh në mënyrë politike, për interesa partiake. As ashtu si thoshte Z.Han, “hajt votoni”, por me Kushtetutë, me përgjegjësi për vendin dhe qytetarët.

Parlamenti dështoi në votimin për disa ndryshime në ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilat synojnë t’i hapin rrugë pranimeve të reja në shkollën e magjistraturës dhe emërimeve të magjistratëve të rinj të diplomuar tanimë. Shkak është bërë opozita. Konkretisht si mund të zgjidhet ngërçi me Shkollën e Magjistraturës?

Nuk mendoj se shkak u bë opozita, megjithatë është një pikë që duhet ta debatoni me opozitën. Mendoj se shkaku ndodhet te reforma, e cila nuk i shpëtoi interesit politik të momentit. Ka dy vjet që është miratuar reforma kushtetuese dhe nuk kemi asnjë institucion, përkundrazi jemi i vetmi vend në Europë pa instanca të larta gjyqësore. Dhe tani, pas dy vjetësh, duhet miratuar një projektligj me dispozita kalimtare, që vjen tërësisht në kundërshtim me Kushtetutën dhe na kthen në procedurat e para 2016, pra në sistemin e vjetër. Si mund të miratohen procedura ligjore të shfuqizuara nga Kushtetuta e vjetër dhe që vijnë në kundërshtim me të renë? Pse nuk sqarojnë publikun, se përse nuk funksionon sistemi i ri i drejtësisë; përse nuk është ngritur asnjë institucion i drejtësisë dhe se kur janë gjasat që të ngrihen; përse jemi pa Gjykatë Kushtetuese dhe pa Gjykatë të Lartë; përse kemi një Prokuror të Përgjithshëm politik dhe antikushtetues; pra si mund të anashkalohen të gjitha këto dhe të votohet një projekt ligj kalimtar nën moton “hajt votoni”. Apo sepse kjo situatë i shërben qeverisë jo për të qeverisur, por për të sunduar nëpërmjet përfitimit vetjak financiar.

Megjithatë ndërkombëtarët në mënyrë të vazhdueshme i kanë bërë apel opozitës për miratimin e këtyre ndryshimeve…
Ndërkombëtarët kanë mbetur te metoda “hajt votoni”. Hajt votoni se Shqipëri është këtu, hajt votoni se për shqiptarët janë këto, kuptohet jo për gjermanët. Ndërkombëtarëve, ju gazetarët, mendoj se duhet t’i bëni një pyetje: a do ta lejonin të ndodhnin në vendet e tyre, këto që po ndodhin në Shqipëri edhe me miratimin e tyre? Çfarë do të bënte Gjermania nëse një ditë, qoftë dhe për një arsye objektive, do të mbetej pa Gjykatë Kushtetuese? A do të guxonte Z.Han, në rastin gjerman të përdorte shprehjen “hajt votoni”? E pra në rastin shqiptar ata s`e kanë problem. Kjo ngjan pak raciste. Pse ndërkombëtarët nuk vënë sot në kandar atë që Komisioni i Venecias parashikoi për pasojat që do të sillte vetingu dhe për ndërlikimet e sistemit të ri të drejtësisë? Koha i provoi parashikimet e Venecias dhe disa ambasadorë kanë dalë zbuluar. Përvoja e këtyre 28 viteve na mëson se duhet hequr dorë përfundimisht nga zgjidhjet e shkurtra, kalimtare, nga zgjidhjet e vogla me interes politik, aty për aty, por që lënë pasoja negative në të ardhmen e vendit. Duhen zgjidhje themelore, te forta që t’i rezistojnë kohës dhe t’i shërbejnë zhvillimit të vendit. Si në Europë.

Miratimi i këtyre ndryshimeve a do të zhbllokonte dot situatën e krijuar nga mungesa e institucioneve të reja të parashikuara nga reforma në drejtësi, pasi kërkon 84 vota, të cilat shumica socialiste, e vetme, nuk i ka? Cila do të ishte zgjidhja juridike në këtë rast?
Asnjë situatë nuk do të zhbllokonte miratimi i këtyre dispozitave, sepse ato nuk flasin kund për Gjykatë Kushtetuese apo të Lartë. Nuk flasin kund për Prokuror të Përgjithshëm, por thjeshtë për gjykatës e prokurorë të niveleve më të ulta dhe studentë të Shkollës së Magjistraturës. A thua se këta janë problemi. Këta pritet që të jenë një problem, por akoma jo aktuali dhe jo më i madhi. Përse mazhoranca nuk bën përpjekje për institucionet e larta të munguara? Sepse asaj i intereson ky boshllëk institucional në drejtësi. Ndërsa për sa i takon niveleve të ulta për të cilat kërkohet votimi i ligjit, janë pikërisht këto makinacione ligjore, që i mundësojnë mazhorancës të ketë në dorë gjyqtarët dhe prokurorët e rinj, madje që nga studentët e magjistraturës. Habitem se si ndërkombëtarët nuk i denoncojnë këto, por thonë “hajt votoni”. Nuk bëhet shteti me makinacione politike, por me kompromis historik.

Si i konsideroni vendimet e fundit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit për prokurorët dhe gjyqtarët, të cilët janë konfirmuar në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit?

Nga pikëpamja formale ONM bën vëzhgime dhe jep sugjerime. Nuk ka të drejtë vendimmarrjeje, kështu që ankimimi i takon komisionerit publik. ONM thjesht i propozon komisionerit publik të ushtrojë ankim mbi një apo disa raste të caktuara. Problemi më i madh në procesin e vetingut qëndron te KPK, te cilësia e punës së saj. Ka mungesë transparence. Nëse dalin dokumente komprometuese për një subjekt a një tjetër ato duhen bërë publike. Edhe nëse nuk qëndrojnë ligjërisht përsëri duhen bërë publike dhe të argumentohet, se përse nuk qëndrojnë. Moment tjetër është ai i dy standardeve të mbajtur nga KPK në vlerësimin e kontrolleve. Sidomos në çështjet e pasurisë. Janë larguar nga detyra subjekte, për mos justifikim të një mase të caktuar pasurie, ndërkohë që janë mbajtur në detyrë subjekte të tjerë edhe pse nuk kanë justifikuar një masë më të madhe pasurie se të shkarkuarit. Kjo ka rënë në sy tepër dhe nuk mendoj, se ka të bëjë më pasurinë, por me individin. Duket sikur, kush është i lidhur konjukturalisht me qeverinë, shpëton. Momenti i fundit, që vlen për diskutim është ai ku, KPK është përqendruar vetëm në trajtimin e pasurisë, duke mos hetuar pothuajse fare në cilësinë e punës së gjyqtarëve apo prokurorëve. E pra, qytetarët i kanë dërguar KPK raste gjykimesh abuzive pa fund, me emra dhe me dosje. Në këtë pikë KPK po tregohet e paaftë profesionalisht dhe e ka kufizuar misionin e vet, vetëm në një audit financiar.

Si e shikoni drejtimin e Prokurorisë së Përgjithshme nga Arta Marku dhe a po shkon ajo nga kryeprokurore e përkohshme, drejt kryepro-kurores së përhershme? Si mund ta bllokojë opozita mandatin e saj?

Për Prokuroren e Përgjithshme kemi folur shumë herë. Së pari, ajo është zgjedhur në mënyrë antikushtetuese. Se dyti, është zgjedhur politikisht, pra është e kapur nga mazhoranca politike. Se treti, ka tejkaluar kompetencat duke marrë mbi vete kompetenca që nuk i ka me ligj. Kjo quhet shpërdorim detyre. Se sa do të zgjasë përkohshmëria e saj, këtë askush nuk di ta thotë. Këto ndodhin kur gjërat bëhen në kundërshtim me ligjin. Ajo që është e rëndësishme në këtë histori të “përkohshme”, mbetet fakti se, për të krijuar KLP ka shumë në dorë kjo prokurore. Ajo thërret konferencën e përgjithshme të prokurorëve nga e cila zgjidhen 6 anëtarë të KLP. Ka në dorë ngritjen komisionit të votimit dhe procedurat e tij. Lobimin deri me shantazhe, për ata që duhen votuar. Praktikisht ka në dorë emrat e 6 anëtarëve të KLP, të cilët së bashku me pesëshen e zgjedhur nga parlamenti do të formojnë institucionin më të rëndësishëm të prokurorisë. Pra, KLP rrezikon të kapet nga mazhoranca e sotme ku 5 anëtarë vijnë nga kjo e fundit dhe 6 anëtarë nga prokurorja në detyrë e zgjedhur dhe kjo nga e njëjta mazhorancë. Dhe do të jetë kjo KLP që do të emërojë Proku-rorin e Përgjithshëm, ku gjasat janë të jetë i njëjti. Pra, vini re: Prokuroja e Përgjithshme zgjedh KLP-në; KLP-ja zgjedh pro-kuroren e përgjithshme. Gjithashtu KLP emëron të gjithë prokurorët, zgjedh SPAK-un, BKH, që do të hetojnë politikanët e korruptuar. Pra, rrezikon që i tërë sistemi të bjerë në duart e mazhorancës së sotme politike. Mendoj se ka ardhur koha që opozita, me të gjitha format politike e qytetare, ta ndalojë këtë.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Ky esht kokrra e injorantit. E kam pase ndigjo tue thane se gjyqetaret nuk mund te perndjekun politiket e korruptuem por duhet qe politiket e paster me perndjek gjyqetaret e korruptuem. Nuk mbron gjithe juristat e korruptuem ateher qe ne gjithe boten korrupsionit i ka ardh fundi nga perndjekjet e gjyqetarit kunder politikut e pra gjyqetari esht problemi ne Shqiperi.

    Përgjigju ↓