Sociale

Raporti dyvjeçar: 30% e të rinjve shqiptarë janë të papunë

13:25 - 13.08.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Rinisë, është publikuar Indeksi Kombëtar për të rinjtë në Shqipëri sipas të cilit 70% e të rinjve në vendin tonë kërkojnë të emigrojnë në një shtet të BE-së. Ky raport, ngre shqetësimin për situatën në të cilën ndodhet të rinjtë në Shqipëri, si edhe për mos-zbatimin e Planit Kombëtar të Veprimit për Rininë (2015-2020) nga qeveria dhe Bashkitë.




Sipas indeksit, rreth 81% e organizatave rinore në vend nuk gjejnë asnjë mbështetje për politikat e punësimit te qeveria; 80% e të rinjve nuk gjejnë asnjë shërbim miqësor në vendin tonë, ndërsa buxheti që shkon për rininë është pothuaj zero. “Mungesa e Programit Buxhetor për të Rinjtë në buxhetin e përgjithshëm të Ministrisë, jo vetëm që ndikoi në mos-përmbushje të indikatorëve të matjes së zbatimit, por për më tepër, i rriti mundësitë që Plani Kombëtar të mos zbatohej. Ende nuk është krijuar asnjë grup ndër-ministror për monitorimin e zbatimit të Planit Kombëtar të Veprimit, ndërsa mungesa e stafit, shtoi paqartësinë mbi rolet e strukturave rinore dhe funksionet përkatëse të tyre”,-theksohet në raportin e bërë publik nga CRCA Shqipëri dhe ANYN.

Në këtë të fundit, gjithashtu, bëhet me dije se nga mbi 50 aktivitete të parashikuara për t’u realizuar gjatë periudhës 2015-2017, vetëm 10 prej tyre janë përmbushur, si shkak i mungesave të strukturave institucionale në nivel qendror dhe lokal. Në një prononcim për “Gazeta Shqiptare”, përfaqësues i Rrjetit Kombëtar për të Rinjtë tregon se një ndër sfidat madhore të të rinjve në vendin tonë mbetet punësimi. “Rreth 81% e organizatave Rinore deklarohen se nuk kanë mbështetjen e qeverisë për promovimin dhe fuqizimin e programeve të nxitjes së punësimit të të rinjve.

Të dhënat më të fundit nga Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) për vitin 2018, tregojnë se Shqipërinë zë vendin e parë në Europë për papunësinë e të rinjve. Shifrat që ofrohen nga organizatat ndërkombëtare tregojnë se rreth 30% e të rinjve shqiptarë janë të papunë. Në bazë të raportit të CRCA dhe ANYN, rreth 73% e të rinjve në vendin tonë, nuk gjejnë mbështetjen e Qeverisë në përfaqësimin e tyre në proceset vendimmarrëse dhe strukturat e qeverisjes vendore”,-thekson Pulaha për “GSH”. Sipas këtij të fundit, referuar raportit të rinjtë, po përdoren vetëm si një sfond politik, e nuk kanë pjesëmarrje efektive në politikë-bërje dhe vendimmarrje në të gjitha nivelet e politikës si dhe kanë një mungesë të theksuar të mbështetjes së saj.

Kërkesat e organizatave

1. Miratimin e Rezolutës për të Rinjtë dhe krijimin e Nën-Komisionit Parlamentar për të Rinjtë në Kuvendin e Shqipërisë;
2. Ngritjen e një Drejtorie për Rininë, në Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, të aftë për të zbatuar Planin Kombëtar të Veprimit në Shqipëri.
3. Qeveria shqiptare të miratojë një zë specifik për Rininë, në buxhetin e Ministrisë së Arsimit dhe ai të zërë rreth 10% të fondeve të të gjithë ministrisë;
4. Në çdo Bashki të vendit, të krijohen Seksionet e Rinisë, ndërkohë që Këshillat Bashkiakë duhet të miratojnë një zë specifik buxhetor për të financuar programet dhe nismat rinore të organizatave dhe grupimeve rinore;
*Prej më se dy vitesh CRCA dhe ANYN po punojnë për hartimin e një ligji për Rininë, si një mjet që do të adresonte dhe rregullonte të gjitha prioritetet dhe çështjet kyçe për të rinjtë.
-Shqipëria është një ndër vendet e fundit në rajon që ende nuk e ka një Ligj për Rininë

Zv ministri i Arsimit përgënjeshtron raportin e organizatave të rinisë

Në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë, zv. ministri i Arsimit, Sportit e Rinisë, Shpati Kolgega tha se shifrat e publikuara nga organizatat rinore (ku thuhet se 70% e të rinjve dëshirojnë të lënë Shqipërinë) janë të rreme e të pabazuara në studime të vërteta. “Janë disa individë që për interesa financiare dhe politike shpërndajnë studime false, që të krijojnë psikozën e një gjendjeje alarmante. Fatkeqësisht ky lajm është shpërndarë si i vërtetë, po dua t’ju them se është një ‘fake news’ i kohëve moderne. Në këto kushte, si e justifikojmë faktin që sot në Shqipëri jetojnë, punojnë dhe studiojnë rreth 25 mijë të rinj italianë?”,-u shpreh Kolgega. Më tej ky i fundit tha se nuk mungojnë sfidat për të rinjtë në Shqipëri, ashtu sikurse në çdo vend tjetër, por qasja e instancave përkatëse ndaj problematikave të të rinjve është e fokusuar dhe tejet aktive. Zv.ministri i Arsimit, Sportit dhe Rinisë, zgjodhi Korçën, si destinacionin e parë të nisjes së konsultimeve publike për projektligjin e rinisë. Ai tha se kjo është një iniciativë e qeverisë shqiptare me qëllim fuqizimin e të rinjve dhe shtimin e mundësive reale për ta. Gjatë bisedës, Kolgega u ndal në prezantimin përmbajtësor të draftit, ku përfshihen çështje të ndjeshme, si: financimi i projekteve rinore, njohja e profesionit të punonjësit rinor, ngritja e drejtorive përkatëse, dhe Planeve Lokale të Veprimit në çdo bashki të vendit, etj. “Synojmë pjesëmarrje të gjerë të të rinjve shqiptarë përgjatë këtij procesi, sepse ky projektligj do të ketë rëndësi madhore në jetën e secilit prej jush”,-theksoi Kolgega.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.