Sociale

BB: 40% e fuqisë punëtore ka ikur jashtë

18:00 - 14.08.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Niveli i produktivitetit të punës në Shqipëri është i ulët, në fakt më i ulët se në çdo vend tjetër të Europës Lindore, sipas Bankës Botërore. Krahasimet tregojnë se produktiviteti i punës, i matur nëpërmjet Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) për punëtor ishte rreth 31,000 dollarë në Shqipëri në vitin 2016, ndërsa në SHBA 60,000 dollarë për punëtor; në Lituani, 57,000 dollarë në Estoni dhe 48,000 dollarë në Rumani, thuhet në një studim të posaçëm të Bankës Botërore për aftësitë në punë në Shqipëri i publikuar së fundmi. Shqipëria përjetoi ikje të konsiderueshme të punonjësve të kualifikuar (rreth 40% e fuqisë punëtore e arsimuar ka emigruar në vendet e OECD deri në vitin 2010). Paralelisht, Shqipëria pati rritje të ulët të pagave.




Por, emigrantët e kualifikuar nuk mund të zëvendësohen lehtë nga punëtorët e mbetur. Përveç kësaj, edhe pse remitancat kontribuojnë në reduktimin e varfërisë, ato mund të dekurajojnë dëshirën për të punuar. Ekspertët e Bankës lajmërojnë se produktiviteti është nën një kërcënim të mëtejshëm, pasi popullsia e Shqipërisë po plaket, e cila në afat të mesëm dhe të gjatë do të ushtrojë presion mbi rritjen e produktivitetit. Profili demografik i Shqipërisë është disi më i ri se ai i pjesës tjetër të Ballkanit Perëndimor, pasi popullsia nën moshën 30 vjeç përbën 41% të popullsisë së përgjithshme, krahasuar me 36% për vendet fqinje. Megjithatë, mosha mesatare po rritet.

Ndërmjet viteve 1980 dhe 2015, pjesa e popullsisë nën 30 vjeç ra, ndërsa pjesa e popullsisë mbi 30 vjeç u rrit. Ekspertët e Bankës Botërore vënë në dukje se migrimi jashtë vendit është bërë një strategji e rëndësishme për punësimin, por kjo mund të ndikojë negativisht në rritjen e produktivitetit në Shqipëri në afat të gjatë. Ikjet e mëdha jashtë vendit nënkuptojnë se një pjesë e fuqisë produktive të punës është larguar. Banka Botërore evidenton se numri i emigrantëve shqiptarë u rrit më shumë se trefish gjatë dekadave të fundit: nga 0.2 milionë në vitin 1990 në 1.05 milionë në vitin 2017, duke përfaqësuar pothuajse 40 për qind të popullsisë rezidente (statistikat e OKB-së 2018). Kjo shifër është më e larta në Ballkanin Perëndimor pas Bosnjë Hercegovinës.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.