Intervista

Gëzim Tushi: “Ritvanët” në shoqërinë shqiptare, si t’i ndalojmë

15:55 - 14.08.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Krimi makabër në Selenicë të Vlorës që i mori jetën 8 personave, ka tronditur opinionin publik në vend, madje shumë qytetarë kërkojnë ndëshkimin me vdekje të autorit. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Gëzim Tushi, sociolog dhe “Mjeshtër i Madh” tregon se e keqja ka zaptuar shoqërinë shqiptare e liston të gjithë faktorët në intensifikimin e kriminalitetit. Më tej, sociologu sqaron se çështja nuk është Ritvani, por akti makabër që mund të përsëritet sërish, madje sipas tij krimi në shoqërinë shqiptare nuk dihet se ku mund të ndalet, çka e çon Shqipërinë në një situatë alarmante sociale.




Masakra në Selenicë të Vlorës ku 24 vjeçari Ritvan Zykaj ekzekutoi 8 prej të afërmve të tij, ka tronditur opinionin publik në vend. Cili është mendimi juaj si sociolog lidhur me këtë situatë?
Mendoj që ngjarja e kohëve të fundit është me të vërtetë shumë shqetësuese. Sipas gjykimit tim, kjo masakër i vuri “vulën” tipologjisë së krimit në shoqërinë shqiptare. Ishte ndoshta forma më flagrante, më e përbindshme, më e paimagjinueshme dhe kjo tregon që e keqja që ka zaptuar shoqërinë shqiptare, sidomos aspektet kriminale janë zgjeruar, intensifikuar e janë bërë shqetësuese për shoqërinë, për politikën për njerëzit dhe janë një kambanë alarmi për të gjithë.
Ditët e fundit kemi parë shumë komente në rrjetet sociale që kërkojnë ndëshkimin e autorit me vdekje. A është kjo një zgjidhje?
Problemi është që shoqëria shqiptare merret me kriminelin, dhe jo me krimin. Çështja nuk është Ritvani, por akti. Ne duhet të bëjmë veprimet e duhura për të zbutur situatën kriminale në shoqëri. Me Ritvanin do merret ligji, por krimi është demokratizuar, e kemi në familje, në shkollë, institucione, rrugë, kudo. Ky është alarm social, nuk e di ku mund të shkojë e ku mund të ndalet krimi në shoqërinë tonë.

Kohët e fundit në Shqipëri kanë ndodhur jo pak krime ku burri ka vrarë gruan, babai-vajzën, vëllai-vëllanë. A është e rrezikuar familja shqiptare, a po kalon një gjendje krize?
Opinioni shqiptar është i shqetësuar pas kësaj ngjarjeje për arsye pasi shërbeu si një sinjal që tregoi nga pikëpamja cilësore se e keqja kriminale në shoqërinë tonë është banalizuar (përmasat dhe intensiteti i lartë i krimit). Kjo e fundit do të thotë se ka një lloj indiferentizmi social dhe ka një ide se me krimin duhet të përballet vetëm shteti, policia dhe ligji; mentalitet sundues ky në shoqërinë shqiptare. Kjo bën që të përhapet “kultura e krimit”, madje po fillojmë të adaptohemi me të. Ngjarjet kriminale kanë impakt vetëm 3 ditë, mediatikisht dhe në rrjetet sociale dhe pastaj heshtet sikur nuk ka ndodhur asgjë deri në ngjarjen e radhës. Kjo është një situatë shumë e keqe dhe kam përshtypjen se ilaçi që kemi zgjedhur për të mposhtur krimin është i gabuar. Më shumë shoqëria është në pritje të shtetit, dhe më pak të reagimeve qytetare për ta ndaluar krimin. Po! Shoqëria shqiptare po kalon një krizë dhe kjo ka humbur rolin edukativ. Ngjarja e fundit tregoi se faktorët që kanë rol në përballimin e krimit, ndeshjen me të e parandalimin e tij; janë copëtuar, fragmentarizuar dhe nuk veprojnë në sinkron. Kjo bën që të ekzagjerohen elementë që favorizojnë situata kriminale të cilat janë bërë të shumta, të shpeshta e të pandalshme në shoqërinë tonë.

Cilët janë faktorët kryesorë që ndikojnë kryerjen e krimeve të tilla makabre?
Kjo ngjarje nuk është krejt pa shkak. Ka arsye që mund të jenë genetike, por ka edhe arsye sociale, kështu që duhet të bëjmë diagnoza diferenciale të shkaqeve të krimit në shoqëri. Është tjetër një krim që vjen për shkaqe patologjike, të trashëgimisë dhe kërkojnë një lloj trajtimi mjekësor (psikiatrike, psikosociale). Por janë ndryshe shkaqet e krimit që burojnë nga rrethana të caktuara ekonomike apo sociale. Së pari, familja shqiptare që është “modernizuar” ka hequr dorë nga roli edukativ dhe përgjegjësitë e edukimit, shikojmë fëmijë që rriten me egoizëm, me vese e kur të rriten do i shfaqin më tej. Ritvanët krijohen në familje. Së dyti, edhe varfëria ndikon në rritjen e kriminalitetit e po ashtu edhe përdorimi i drograve, alkoolit e lëndëve të tjera. Një pjesë e madhe e krimeve bëhen nën efektin e këtyre lëndëve që rrënojnë personalitetin e njeriut dhe e çajnë atë. Brenda njeriut endet kafsha dhe njeriu e nëse pjesa kafshërore mbizotëron mbi atë humane, atëherë njeriu bëhet “Ritvan” dhe të merr jetën. Vlen të theksoj se në shoqërinë shqiptare kanë humbur modalitetet e komunikimit social, ka shumë agresivitet, ka shumë konflikte me baza të ndryshme. Por një shoqëri të emancipuar konfliktet i zgjidh nëpërmjet komunikimit human. Në shoqërinë tonë ka komunikime të vrazhda, të serta gati kafshërore që arrijnë deri në tragjizëm.

A lind si domosdoshmëri forcimi i ligjit për ndëshkimin e krimeve?
Demokracia u keqkuptua në shoqërinë shqiptare, solli lirinë por çliroi dhe kriminelët. Për shkak të nivelit edukativ e tranzicionit të hallakatur një pjesë e njerëzve kujtojnë se liria është çlirim nga morali, ligji dhe mund të bëjnë çfarë të duan. Policia shqiptare ka kohë që po lufton për ti dhënë një karakter komunitar policisë. Polici i komunës së Selenicës duhet ta dinte që Ritvani ishte një njeri asocial, nevrik, dhe tregonin që nesër mund të bëhej një kriminel me gjak të ftohtë, ashtu si ndodhi. Por krimineli duhet ndëshkuar e për këtë duhen masa më të rrepta.

Cila është zgjidhja për të frenuar dhe minimizuar kriminalitetin?
Problemi është që në shoqërinë tonë mund të ketë Ritvanë të tjerë që mund të kryejnë masakra si kjo e nëse duam të përmirësojmë situatën duhet të bëjmë disa ndryshime thelbësore. Fenomeni i krimit në shoqërinë shqiptare është kompleks dhe duhet trajtuar në mënyrë komplekse. Faktorët që ndikojnë në parandalimin dhe mposhtjen e tij janë komplekse. Familja, shkolla, shoqëria, psikologu, sociologu, institucionet fetare, shteti duhet të luajnë rolin e tyre në parandalimin e krimit dhe të krijojnë një aleancë. Është i nevojshëm forcimi i stafit të institucioneve të mësipërme për të qenë njerëzit sa më humanë. Duhet të bëjmë analiza, studime, pasi dënimi kapital me vdekje, nuk e zgjidh çështjen e kriminalitetit që është shndërruar në një problem të madh social.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.