EKONOMI

Investimet, si do të shpërndahen 1.3 miliardë euro për tri vite

17:50 - 14.08.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Investimet publike në tri vitet e ardhme pritet të arrijnë një vlerë prej rreth 166 miliardë lekësh ose rreth 1,3 miliardë euro, sipas të dhënave nga Ministria e Financave. Më shumë se 40 për qind e kësaj shume është programuar për rrugët, me një vlerë investimesh prej 75 miliardë lekësh, ndërsa fonde të mëdha janë programuar në drejtim të ujësjellësve dhe zhvillimit rural.




Në planet e qeverisë është parashikuar që investimet në rrugë të arrijnë në 75 miliardë lekë. Gjatë tri viteve në vijim përqendrimi i financimeve buxhetore do të shkojë për kompletimin e akseve të rëndësishme nacionale: Thumanë – Vorë – Kashar, Kashar – Rrogozhinë, Milot – Balldren, Orikum – Dukat dhe Kardhiq – Delvinë; si dhe ‘bypass’-et e Fierit dhe Vlorës për shumën totale prej 75 miliardë lekësh për periudhën 2019-2021. Rritja e aksesit të popullsisë në shërbime cilësore, furnizimi me ujë dhe kanalizimet përmes financimit të projekteve të Ujësjellës Kanalizimeve për periudhën 2019-2021 kanë një vlerë totale prej 32 miliardë lekësh. Sektori i ujit, i mbështetur nga modeli i financimit, i miratuar në vitin 2018 parashikon rritjen e investimeve çdo vit mesatarisht 4,3 miliardë lekë në vit përgjatë 2019- 2021, gjithashtu parashikon edhe sistemin e granteve në bazë të performancës për të rritur përgjegjshmërinë dhe mbulimin e kostove të ndërmarrjeve të ujit.

Arsimi e shëndetësia
Në arsimin parauniversitar do të financohen me prioritet projekte për ndërtime të reja, rikonstruksion/rindërtimin apo shtesa në objektet aktuale për më shumë se 170 objekte arsimore të tjera, ose rreth 1500-1700 klasa/laboratorë mësimorë nga të cilët do të përfitojnë 50,000- 55,000 nxënës dhe 3000-3500 mësues dhe edukatorë. Programi i investimeve në shëndetësi synon rikonstruktimin e plotë të 200 qendrave shëndetësore (100 qendra çdo vit) për periudhën 2019-2020, me një vlerë të përllogaritur mesatarisht 450 milionë lekë në vit. Këto qendra do të mobilohen dhe kompletohen me pajisje mjekësore. Janë programuar të kryhen rikonstruksione të godinave spitalore me një vlerë 1.9 miliardë lekë për periudhën 2019-2021. Në këtë projekt përfshihen spitali Lushnje, spitali psikiatrik Elbasan, spitali Vlorë, Berat, Lezhë, Pogradec, Mat.

Bujqësia
Rritja e produktivitetit në fermat e mëdha do të vazhdojë të mbështetet me më shumë se 7.8 miliardë lekësh, të siguruara nga programi i PARD. Këto fonde do të përmirësojnë prodhimin, përpunimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore për të rritur sasinë dhe sigurinë ushqimore të tyre. Do të vazhdohen investimet me synimin “ujë në çdo parcelë” si dhe përmirësimi i kullimit përmes thellimit të decentralizimit dhe rritjes së investimeve në sektor. “Rilindja rurale” do të jetë programi i integruar i zhvillimit të qendrave të banuara, zonave me interes turistik, apo i zonave rurale në të cilat do të synohet përmirësimi infrastrukturës, vlerësimi i traditave dhe trashëgimisë kulturore, rritja e nivelit të shërbimeve publike, përmirësimi estetik i qendrave të banuara që u jep mundësi zonave të caktuara rurale të kenë një trend pozitiv zhvillimi ekonomik, të diversifikuar dhe të qëndrueshëm, duke krijuar njëherazi edhe premisat për zhvillimin e turizmit dhe agroturizmit. Për këtë qëllim do të investohen përmes Fondit Shqiptar të Zhvillimit, në programe zhvillimi dhe infrastrukturë rurale për periudhën 2019-2021 rreth 48 miliardë lekë.

Investimet

¨ Rrugët, 75 miliardë lekë investime
¨ Infrastruktura rurale, 48 miliardë lekë
¨ Ujësjellës-Kanalizime, 32 miliardë lekë
¨ Arsimi, ndërtohen 170 objekte
¨ Shëndetësia, 3.4 miliardë lekë investime
¨ Bujqësia, 7,8 miliardë lekë


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.