OPINION

Qyteti dhe shëndeti publik…

07:30 - 14.08.18 Përparim Kabo
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Sepse më është fiksuar një fakt që dua ta them. Duke lexuar mbi jetën e një laburisti të shquar, anglezit Gordon Brawn, ish-ministrit të Financave dhe ish- kryeministrit anglez, nga analistë dhe studiues të ndryshëm vihet në pah se ai ka jetuar fëmijërinë në një qytet buzë detit, ku erërat sillnin aromën e rëndë të fabrikave të linoleumit. Vendbanimi tij ishte një provë sakrifice për familjen e tij. Fëmijëria dhe rinia e tij të vështira, por jeta dhe kontributi tij janë suksese dhe vlera. Një model si edhe thotë ai vetë për sjelljen e tij: “Nëse doni një kalë pune, ejani, ja ku jam”. Po shtetarët tanë, ku jetojnë, si kanë jetuar, çfarë fëmijërie kanë pasur, a janë ata “kuaj pune”? Vështirë të themi po. Në antropologjinë urbane kur do të identifikosh një qytet, mund të thuhet: “Qytet i banueshëm, qytet ku jetohet shëndetshëm, qytet i zhurmshëm, qytet me klimë jo të mirë ku të gërryhen lagështia, qytet pa rregull, anarkik, qytet i paqtë frymëzues, ku bashkëjeton historia me modernen; qytet që ia vlen të jetosh dhe investosh, qytet që nuk banohet më sepse ka humbur tiparet dhe kushtet e domosdoshme të jetesës normale dhe të shëndetshme. Ka qytete që mbipopullohen, siç ka qytete që braktisen. Ka qytete me të shkuar, por pa të ardhme. Ka qytete me tradita që konservohen siç ka edhe qytete me ritme marramendëse ndryshimi. Ka qytete që e kanë ruajtur identitetin, siç dhe takohen qytete të shpërfytyruara, të deidentifikuar.




***

Kur Tirana u shpall kryeqyteti i vendit nga Kongresi Lushnjës në janar të vitit 1920, habia ishte pezull. Përse jo Elbasani, një qendër me traditë dhe zhvillim në disa shekuj dhe ku së fundmi ishte edhe një shkollë e mesme, Normalja e Elbasanit. U mendua të ishte edhe Kruja. Joshte historia, jehonat e saj, heroi kombëtar. Pse jo Shkodra, qendra më e zhvilluar e vendit me traditë romake dhe veneciane, me një Kushtetutë, si edhe kishte qenë dikur statuti Shkodrës. Edhe Durrësi mund të ishte kryeqytet. Princ Vidi në 6 muajt e tij të qeverisjes e shpalli kryeqytet, pa çka se kur vizitoi Vlorën, tha së paku dy gjëra: “Ky qytet duhet të bëhet një Hong Kong i dytë” dhe pas dy ditëve qëndrim tek preku nga afër patriotizëm e atyre njerëzve, belbëzoi. “Sa gabim që nuk e shpalla Vlorën kryeqytet. Ndjenja e atdhetarisë këtu qenka vërtet e fortë dhe e ushqyer nga shpallja e pavarësisë”. Por ja, befas Kongresi Lushnjës e shpalli Tiranën kryeqytet dhe askush nuk e kundërshtoi, nuk e paragjykoi, nuk e refuzoi. Zona kishte histori, traditë, por nuk ishte e zhvilluar. E vetmja gjë që jepte arsye ishte shtrirja mes dy lumenjve lumit të Tiranës dhe lumit të Ishmit. Për një qytet, lumi është jetë sepse sjell ujë për të pirë, për t’u larë e pastruar, është i nevojshëm për punët në bujqësi dhe me rëndësi për klimën dhe mikroklimën. Lumenjtë disiplinojnë ujëra e përrenjve apo rrëkeve që fryhen nga shirat dhe kështu krijohet rrjeti ujor, që edhe pa dorën punëtore dhe shkencore të njeriut, por me atë primitiven dhe intuitiven, ai ka ditur të ndërtonte në shekuj një dialog mirëkuptimi mes shoqërisë dhe ujërave. Nga studimet hidroteknike të realizuara në vitet ‘80-të të shekullit të kaluar, fusha e Tiranës është e pasur me ujëra të nëndheshme. Mjafton të shposh 8-11 m dhe takon në ujë. Kjo u provua edhe kur u hap gropa e madhe që mori emrin “Gropa e Hajdin Sejdisë” pas godinës së Pallatit të Kulturës. Sipas njërit nga specialistët më të mirë që kemi për digat dhe basenet, liqenet dhe rezervuarët (u provua aftësia e tij edhe kur plasi diga e liqenit, vetëm inxhinieri me inicialet N.N. i bëri derman dhe e mbylli) përmbytja e fundit e ambienteve të Bibliotekës Kombëtare nuk ka ardhur vetëm nga vërshimet nga sipër. Parkingu që është ndërtuar nën sheshin “Skënderbej” ka zhvendosur ujëra të nëndheshme duke i spostuar më tej, duke shtuar densitetin e tyre dhe pas shirave të bollshëm, ato fryhen dhe shpërthejnë nga poshtë–lart.

Para disa vitesh ky fenomen ndodhi edhe në Rumani, ujërat e nëndheshëm shpërthyen dhe dolën në sipërfaqe. Por le të rikthehemi tek historia. Tirana u caktua kryeqytet sepse fusha ishte e pjerrët nga veriperëndimi dhe kullonte nuk mbante ujë. Vetëm disa zona që nuk e kishin këtë morfologji krijonin pellgje të ndenjura. Qyteti rrethohej nga kodra të buta dhe të gjelbëruara, e mbi të gjitha për karshi ishte Mali i Dajtit, një monument kulturor dhe një “mushkri” për jetën e banorëve. Nga mali rridhte uji i pastër i pijshëm, që më vonë u shndërrua në ujësjellësin e disiplinuar të qytet, me një cilësi që siç edhe shpreheshim dikur, “është i ftohtë si brisk, të than duart”. Ky ambient gjeografik jepte mundësi për jetë të shëndetshme në bashkëjetesën mes njeriut dhe natyrës. Spitali që u ndërtua nga nëna mbretëresha Geraldina ishte tipik fushor në mes të pyllit, sipas modelit austro-hungarez. Edhe sot ka të tillë në Hungari. Edhe spitali tjetër ndërtuar në periudhën e komunizmit, që u njoh si Sanatoriumi i Tiranës, u ndërtua në kodrat e Saukut, në një hapësirë ku mushkëria të mbushej me oksigjen.

Ndërtimet në kohën e Mbretërisë së mbretit Zog, projektuar dhe realizuar nga studio projektimi dhe ente të punëve botore të nivelit më të lartë të kohës, i dhanë Tiranës pamjen e një qyteti europian duke e shkëputur nga fizionomia dhe pamja orientale. Sivjet mbushen 90 vite nga shpallja e Mbretërisë. Nuk e di nëse Bashkia e Tiranës ka në plan aktivitete me rastin e këtij përvjetori të historisë së vendit dhe enkas të historisë së qytetit. Tirana e periudhës së komunizmit u zgjerua edhe si qendër banimi, edhe si qendër administrative, por u shndërrua edhe në qendër industriale e tregtare, arsimore dhe kulturore, shëndetësore dhe rezidenciale për trupin diplomatik të akredituar. Ndërtimet ishin të ulëta 2-3-4-5 kate dhe vitet e fundit të atij sistemi tek-tuk edhe 6 kate. Sigurisht, sipërfaqet e banimit ishin të vogla dhe jo të mjaftueshme. Ka rëndësi të pohojmë se kushtet urbanistike, kriteret dhe parametrat u respektuan. Distanca mes godinave, largësia, e drejta e dritës dhe ajrit nuk u shkelën nga projektuesit. Korridoret e ajrit veri-jug dhe lindje-perëndim funksiononin. Era e freskët në mëngjes herët vinte nga kodrat e Liqenit Artificial dhe përfundonte në Rrugën e Kavajës dhe gati në Rrugën e Durrësit. Që një banesë të jetë e shëndetshme, çfarë do të duhet të plotësojë? Jetëgjatësia u shtua, popullsia u rrit. Tani pas 28 vitesh ndryshime demokratike, me ekonomi tregu kemi të drejtë të pyesim.

Tirana, çfarë lloj qyteti është…?!

Pas një rrokopuje me kioska e me ngrehina pa vlerë, tani Tirana e viteve 2000, e mijëvjeçarit të ri, çfarë lloj qyteti është apo së paku është projektuar të jetë? Kjo është pyetja që i bëra në zyrën e tij kryebashkiakut Erion Velija në një takim para po thuaj më shumë se një viti. Ai në fillim heshti. Pastaj më tha, “se po vëmë dorë kudo, sepse qyteti kishte rënë në gjumë, po thuaj në letargji, punët publike ishin ndaluar dhe qyteti po mbytej”. “E shoh – i thash – por kjo nuk ju pengon që të ideoni udhërrëfimin dhe trasen për 50 apo 100 vite se ku do shkojë qyteti Tiranës. Do jetë qytet rezidencial apo turistiko-kulturor? Do jetë vetëm qendër banimi apo edhe industrial e manifakturor?! Dhe më tej i përmenda shembullin e zotit Boris Jonson, i cili drejtoi Bashkinë e Londrës. Ai caktoi objektivin. Londra nga “banks city” (qytet i bankave pra i jetës monetare) do të shndërrohet në “Green City” (qytet gjelbër). I përmenda rolin e madh të ish-presidentin amerikan, Teodor Rusvlet në fillim të shekullit XX për ndërtimin e parqeve natyrore në USA dhe kujdesin për natyrën. Ai më dëgjoi në heshtje. Folëm edhe për ujin e pijshëm. I kumtova se pa ujin e pijshëm në rubineta për çdo njeri, pavarësisht se ku jeton, nuk mund të shkohet në BE dhe i bëra prezent eksperiencën hungareze dhe atë kroate. Më bëri me dije se po punohej në bashkëpunim me kompaninë më të njohur hungareze për pastrimin dhe cilësinë e ujit të pijshëm, duke përdorur e ujin e lumit Danup, i cili është disi i rëndë, sepse lumi është fushor dhe rrjedh shumë ngadalë. Më vonë mësova se në një takim pune ku u paraqitën projektet për zhvillimin e ndërtimeve të Tiranë aktiviteti kishte nisur me një provokim disi jo bindës. Një logo në mes të ekranit njoftohej për Tiranën si qytet i gjelbër dhe njëkohësisht u paraqitën projektet për zënien e hapësirave për ndërtime masive kudo dhe ngado. E gjitha kjo ndërhyrje pa një konsultim referendar me publikun, me komunitetet dhe banorët e Tiranës. Qyteti dhe i gjelbër, edhe me njolla të reja betoni, pa kursyer më as edhe më të voglin truall apo hapësirë publike për brezat që do të vijnë.

Nuk ka qytet të gjelbër atje ku sistematikisht shtohet klaustrofobia urbane. Pallatet ekzistuese ku sigurisht jetojnë ata që nuk blenë dot apartamente të reja, pra shtresat në nevojë ose të varfra të shoqërisë janë tani në kushte shumë të rënda. Sipërfaqja e tyre e banimit është e vogël e kohës së komunizmit. Rreth e rrotull godina të larta e të stërlarta që u zënë frymën, u pengojnë dritën, u ngushtojnë hapësirën, iu marrin ujin me cisternat që kanë nën tokë; si të thuash ata njerëz janë të burgosurit e një moderniteti që po vret shëndetin e qytetit në shumë hapësira. Mbjellja e pemëve është një gjë shumë e dobishme për banorët e sotshëm dhe për brezat që do të vijnë. U mbollën 100 mijë pemë apo më pak, kjo është një gjë që verifikohet sepse ka harta, protokolle dhe tregues që identifikojnë. Për të jetuar shëndetshëm duhen pyjet komunalë, ato mes godinave dhe blloqeve të banimit, por është me shumë vlerë toka e gjelbër, dheu që nuk mbulohet me pllaka, beton apo me asfalt. Në Tiranë prej dy dekadash është punuar keq. Është zvogëluar sipërfaqja truall, dhé. Toka e absorbon më mirë të nxehtit dhe thith ujërat. Provo të shkosh pranë zonës së Liqenit atje në hyrje ku është Garda e Republikës, e ndjen menjëherë. Ajri është më i lehtë se ka më shumë oksigjen dhe temperatura është disa gradë më e ulët. Nëse merr rrugën drejt Librit Universitar e ndjen se ajri bëhet më i rëndë dhe temperatura ndjeshëm më e lartë. A ka matje se sa sipërfaqe tokë dhé kemi për frymë dhe sa sipërfaqe të mbuluar me material të ngurtë, mermer, granil, pllaka shtrimi apo asfalto beton? Duhet të ketë buletin ambiental dhe protokoll për këtë tregues. Nëse vendos për të ndërtuar, duhen caktuar standardet dhe kriteret në lidhje me të cilët të shprehen sociologët-urban, mjekët infeksionist, ambientalistët dhe inxhinierët e mjedisit së paku. Në objektivat e mijëvjeçarit, krahas ujit të pijshëm është objektiv ruajta e fondit të tokës, që dëmtohet nga zënia barbare me ndërtime duke mos menduar për brezat që vijnë, nga gërryerja dhe rrëshqitjet e dheut që matet me metër kub/ton. Si qytetar, unë pyes ku është protokolli matjes së këtij treguesi, ku është buletini përvitshëm që duhet të botojë zyra apo departamenti përkatës në Bashkinë e Tiranës?!

Objektivi të i mijëvjeçarit është: “Sigurimi i qëndrueshmërisë së mjedisit. Synimi 7A: Integrimi i parimeve të zhvillimit të qëndrueshëm në politikat dhe programet e vendit; kundërshtimi i humbjeve të burimeve mjedisore. Synimi 7B: Zvogëlimi i humbjes së biodiversitetit, duke arritur deri në vitin 2010, një reduktim të ndjeshëm në normën e humbjes. (Jemi në vitin 2018. Unë ju pyes zoti Veliaj, a mund të na thoni sa është humbur nga biodiversiteti në territorin e Bashkisë së Tiranës?) Proporcioni i sipërfaqes së tokës të mbuluar nga pyjet. Emetimet e CO2, gjithsej, për frymë dhe për $ 1 GDP. Konsumimi i substancave që zvogëlojnë ozonin. Përqindja e rezervave të peshkut brenda kufijve të sigurt biologjik. Përqindja e burimeve totale të ujit të përdorur. Proporcioni i zonave tokësore dhe detare të mbrojtura. Përqindja e specieve të kërcënuara me zhdukje. Synimi 7C: Përqindja deri në vitin 2015, përqindja e popullsisë pa qasje të qëndrueshme në ujë të pijshëm të sigurt dhe kanalizime bazë. Përqindja e popullsisë me qasje të qëndrueshme në një burim të përmirësuar të ujit, urban dhe rural. Përqindja e popullsisë urbane me qasje në përmirësimin e kanalizimeve. Synimi 7D: Deri në vitin 2020, të ketë arritur një përmirësim të ndjeshëm në jetën e të paktën 100 milionë banorëve të lagjeve të varfra. Përqindja e popullsisë urbane që jeton në lagjet e varfra. Bazuar në këtë strukturë, ne banorët e Tiranës duam të jemi të informuar sa tokë humbasim, sa pyje, sa ujëra, sa biodiversitet? OKB organizon takimet botërore për ujin dhe për tokën, siç edhe ka qenë samiti në Danimarkë dhe ai në Meksikë. Çfarë kemi marrë ne prej vendimmarrjes së tyre? Në cilat projekte jemi përfshirë, në mënyrë individuale apo si partner rajonal a më gjerë? A paraprin Tirana si qendra më e madhe e vendit në respektimin e vendimeve të Konferencës së Johanesburgut, gusht 2000, sepse ne si shtet e kemi firmosur këtë marrëveshje dhe e kemi ratifikuar në Parlament. Në vitin 2020 mbushen dy dekada. Unë si qytetar i RSH propozoj që e para Bashkia e Tiranës, por edhe ajo e Shkodrës, Durrësit, Korçës, Vlorës, Kukësit, Sarandës, Fierit, Elbasanit etj., etj. të përfshihen në konferencën e qytetit me objekt studimin dhe raport-dhënien “Pas 20 vitesh çfarë është bërë me objektivat e mijëvjeçarit”. Më tej mund të shkohet në një Konferencë Kombëtare me problematikën: “Shqipëria e shekullit XXI.” Nëse nuk punohet kështu as zhvillim nuk ka, as partneritet, as seriozitet, por edhe as shëndet publik. Ka sheshe me plloça ku të plas vapa, ka sheshe që mbulojnë trashëgimin historiko-arkeologjike si në (Durrës ku arrogance e pushtetit lokal arriti kulmin). Po le të marrim një element e të jetuarit shëndetshëm.

Cilësia e ajrit… Ajri në Tiranë (zona e qytetit, jo rrethinat) është goxha e ndotur me tymra, me gazra, me helme, me grimca të ngurta. Nuk e dimë nëse ka buletin të përvitshëm që raporton gjendjen. Matje a bëhen dhe nga cili ent? Me çfarë ndjenje përgjegjësie? Ku certifikohen këto matje? A shpallen dhe analizohen, a nxirren përfundime? A përcaktohen detyra dhe a ndërhyhet për rregullime e përmirësime? Cilësia e jetës varet drejtpërsëdrejti nga cilësia e ajrit, sepse pa ajrin që na jep oksigjenin, gjaku nuk e kryen dot funksionin edhe nëse qarkullon në trup. Me ajër të ndotur shkaktohen sëmundjet e hipertensionit dhe ato kardiovaskulare, astma dhe alergjitë. Në Tiranë qarkullojnë ende automjete që lëshojnë jo tym, por blozë. Policia Bashkiake përpara se të vërë gjoba për parkim të gabuar apo ndonjë shkelje tjetër, të ndjekë dhe të ndalë autobusë apo autovetura që ndotin keq ajrin e qytetit. Duhet të ketë protokoll marrëveshjeje dhe bashkëpunim mes bashkisë dhe organeve kompetente, që kanë për detyrë matjen e parametrave të gazrave. Ai që toleron apo korruptohet, helmon qytetin, vret jetën, dëmton shëndetin e pleqve dhe fëmijëve. Cilësia e karburantit lë shumë për të dëshiruar. Sa e mbush mbajtësin e karburantit në shpërndarësin e tij, të ndizet në tabelën përball treguesi që makina megjithëse e re, po mbytet nga gazrat. Kjo ndjehet edhe kur e mbush makinën me benzinë apo naftë jashtë Shqipërisë. Ajo është më e lirë dhe punon shumë më normal. Karburanti jashtë standardeve ndot, vret jetën, nuk të lejon të jetosh shëndetshëm. Po pse në qytetin e Tiranës në çdo shesh apo qendër ku ka lëvizje të dendur të mjeteve dhe njerëzve nuk ka matës publik të temperaturës, të oksigjenit, të gazit karbonik, të azotit, të lagështirës? Këto shërbime publike janë kudo në Europë. Nuk bëhesh qytet europian duke vënë në qytet ibrik gjigant për të pirë ujë dhe pas dy vjetësh ata zhduken pa nam e pa nishan.

Grumbullimi automjeteve në qendër si në parkingun në sheshin qendror dhe rreth tij, që me gjasa edhe do shtohen me ndërtimet e reja rrokaqiellëse, lëshojnë gazra. Nuk mjafton ai oxhaku që i nxjerrë jashtë. Aritmetika është e thjeshtë. Pemët dhe shkurret në zonë, a mjaftojnë që ta përthithin gazin karbonik? Dhe një pyetje tjetër. Ku jemi ne, Republika e Shqipërisë me projektin e BE-së për zvogëlimin e emetimit të gazit karbonik deri në 20/%? A ka projekt? Po plan veprimi a ka? Ka matje, ka ndërhyrje, ka ndryshim të pritshëm? Unë nuk di të ketë. Nëse dikush di ju lutem të na vini në dijeni.  Ajri mungon në Tiranë. Zona e qytetit është dëmtuar rëndë, sepse korridoret e ajrit janë zënë. Po pse nuk ushtrohen gjoba për shkelje të tilla deri në vendim shembje godine?! Interesi publik për të jetuar shëndetshëm duhet të jetë i pari si prioritet? Mjafton të hipësh në malin e Dajtit dhe të shohësh tymin kancerogjen që lëshohet nga djegia e plehrave në Sharrë… Madje dëgjuam nga zoti kryeministër se ai lanfieldi Tiranës do të shërbejë për Tiranën dhe Durrësin. Diçka e pamotivuar si ide. Nuk e imagjinoj se si do vijnë mbetjet nga Durrësi në Tiranë, me tren me makina apo me karroca?! Shqipëria europiane ka nevojë për një strategji kombëtare dhe për stacione rajonale në nivel bashkie për mbledhjen dhe çaktivizimin e mbetjeve. Reforma territorial, ku e ka masterplanin për këtë detyrim? A mendon kush? A ka studime? Për ditë shohim në kronikat televizive njerëz të revoltuar pikërisht për situata të tilla që vrasin shëndetin publik. Ajri është i ndotur në Tiranë sepse antenat që lëshojnë valë elektromagentike janë vendosur edhe në mes të qytetit, se shumë klinika mjekësore apo stomatologjike janë brenda në pallate. Bashkia duhet të ketë protokollin dhe kushtet për instalimin dhe funksionimin e tyre, me qëllim mbrojtjen e jetës së banorëve. Nëse nuk e bën, është njësoj përgjegjëse për këtë krim që ndodh çdo ditë kundër shëndetit publik. Ajri është i ndotur se mbetjet urbane janë ende në rrugë. Duhet nisur ndërhyrja që çdo banesë të ketë kazanët brenda të ndarë në tre mbajtës, biologjike, plastike, letra-karton. Përgjegjësit e pallateve së paku atje ku ka të tillë dhe paguhen me këtë detyrë duhet të merren.

Më ka bërë përshtypje në një pallat në Budapest. Në katin përdhes të gjithë banorët çonin shishet dhe objekte të tjera plastike. Pasi i grumbullonin, ato shiteshin dhe të ardhurat shkonin për investime në godinë. Edhe diçka tjetër. Restorantet, baret, dyqanet nuk duhet të hedhin mbeturinat e tyre po në kazanët ku i hedhin banorët. Mbetjet e tyre janë disa herë më shumë si peshë dhe si volum. Ata duhet të kenë mbajtësit të ndara sipas natyrës së mbetjes brenda ambienteve. Makinat që ua tërheqin atyre janë enkas në një orë të caktuar dhe me tarifa të veçanta që përcaktohen nga lloji shërbimit dhe kosto e tij. Cilësia e shërbimeve-ushqimet dhe higjiena, si janë në Tiranë? Kudo ka mangësi. Bashkia dhe shërbimet e saj duhet të mos lejojnë asnjë kafeteri apo restorant që të lajë gotat dhe enët në lavamanë si edhe ndodh rëndomë. Duhet të kenë kudo pjatalarëse. Ja përse hepatitet lodrojnë në Shqipëri. Bashkia duhet të bashkëpunojë me shërbimin stomatologjik për sëmundjet frekuente të gojës sepse këta njerëz marrin dhe nxjerrin frymë, ulen e pinë kafe dhe me atë filxhani pi edhe tjetri. Duhen jo vetëm banjat publike (me matje një për 12 persona dhe jo ca kabina Toi-Toi, që tani edhe nuk duken më janë zhdukur,) por edhe dushet publike për njerëzit e rrugës, për ata në nevojë, sepse ai hipën në autobus, hynë në dyqan, shkon në ambulancë apo spital si i rrezikuar dhe dëmton dhe tjetrin. Bashkia nuk duhet të lejojë shitje ushqimesh në rrugë por edhe rrobash të përdorura që kutërbojnë erë të tmerrshme. Higjiena dhe kultura e saj si higjiena e trupit dhe gojës, e veshjes dhe jetesës mungon shpesh si kulturë publike.

Programet edukuese dhe ato të shkollave, shoqërisë civile dhe shtresave në nevojë e pa të ardhura ekonomike duhet të jenë reale, konkrete dhe të matshme. Higjiena e qytetit. Rrugët duhen larë dhe dezinfektuar. Po ashtu, trotuaret duhen fshirë larë dhe dezinfektuar, aq më tepër që kafshë pa zot qarkullojnë në Tiranë, por edhe ato me zot gjithçka e bëjnë në trotuare. Feçja dhe urina e tyre është tejet e rrezikshme për njeriun e në mënyrë të veçantë për fëmijët. Shëndeti publik lidhet dhe me nivelin e zhurmave. Tirana është në shumë zona qytet anormal, me histeri dhe çmenduri antikomunitare. Zhurmat e kalojnë disa herë normën e lejuar të decibelëve. Kurse ndriçimi me gjithë ndryshimet lë shumë për të dëshiruar. Ka keqkuptim në lidhje me ndriçimin. Ai trajtohet si llamba kundër errësirës dhe jo si element që dimensionon qytetin edhe në orët e errësirës. Le të shohin Parisin natën dhe Stokolmin. Mbase e kuptojmë se duhet të dalim nga koha kur shqiptari zgjohej me diellin dhe flinte po me diellin, në një jetë pagane. Qyteti i pandriçuar është i frikshëm dhe jo i shëndetshëm, është i pasigurt dhe jo funksional, është tipik për atë shoqëri që e ka të mbyllur mendjen në një “kuti të zezë”, ku gatuhet vetëm zymtësia. Historia vazhdon…!


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.