AKTUALITET

Aferat kriminale, Prençi: Të amendohet ligji ‘Antimafia’

15:35 - 15.08.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Valentina Madani – Ish-drejtori i Policisë së Shtetit Ahmet Prençi paralajmëron se situata kriminale në Shqipëri është shumë delikate dhe e frikshme. Sipas tij është si një bombë që i është hequr siguresa dhe pritet të shpërthejë. Ish-kreu i policisë thotë për “Gazeta Shqiptare” se vullneti politik është instrumenti i vetëm i goditjes së krimit duke i shkëputur lidhjet me pushtetit.




Ai flet për nevojën e aplikimit të ligjit antimafia, ndërsa zbardh arsyet se përse ‘peshqit e mëdhenj’ nuk hyjnë në rrjetë. Vetingun në polici, Ahmet Prençi e quan një proces të kotë që do na kushtojë 4 milionë euro pasi: “Elementi kriminal do të vazhdojnë qetësisht veprimtarinë e tyre kriminale, do të rrisin pasuritë dhe paratë e tyre në këtë vend si gjatë dhe pas procesit të vetingut, nëse do të vazhdojë ky sistem qeverisës.
Realiteti është që, punonjësi i policisë është i monitoruar më shumë se askush tjetër në administratën e shtetit”.

Z.Prenci si e konsideroni situatën e kriminalitetit në vend?
Vitet e fundit kemi konstatuar një fenomen të ri për sa i përket situatës kriminale në vend. Kjo konsiston pasi eksponentët e krimit të organizuar të cilët veprojnë në të gjithë vendin, tashmë kanë një pakt mes tyre dhe pushtetit për të vepruar së bashku duke koordinuar në përmbushjen e interesave të tyre të përbashkëta. E thënë më qartë ata veprojnë në territoret e vendit të qetë e të pandalshëm në veprimtarinë e tyre, duke u pasuruar e duke forcuar hegjemoninë në territoret ku veprojnë. Asnjë prej këtyre eksponentëve të njohur të krimit, në këto 6 vjet, nuk është cenuar nga strukturat ligj-zbatuese për të vetmen arsye: atë të aleancës së ngushtë të tyre me pushtetin dhe me qeverinë. Në momentin që do të prishet ky raport, ashtu sikurse pakti i qetësisë mes vetë grupeve kriminale, situata do të precipitojë dhe do përballemi me fenomene të rënda të krimit në Shqipëri.

Vihet re që, orientimi i policisë është frenuar në dy obligime shumë të rëndësishme për momentin. E para, pas largimit të ministrit Tahiri nuk u bë një krehje dhe kontroll i territorit për të sekuestruar të gjithë sasitë e magazinuara të lëndëve narkotike, asete këto të krimit të organizuar që trafikohen me tonelata herë pas here; e dyta, nuk shikojmë që të punohet nga policia për mijëra dosje të vjetra të pezulluara, gjë që do të sillte goditje të personazheve të krimit, të cilët tashmë janë të sigurtë në vazhdimësinë e veprimtarisë së tyre të mëtejshme. Unë mendoj që, policia e shtetit ka kapacitete të mjaftueshme për t’u angazhuar, mobilizuar e për të fituar betejën me krimin, por sot, ajo është e tulatur, e demotivuar, e spostuar nga misioni i saj, pikërisht sepse është nën trysninë e pushtetit të mazhorancës dhe mungesës totale të vullnetit politik për të përmbushur detyrimet e saj që i ngarkon ligji dhe Kushtetuta. Kemi me mijëra qytetarë të arrestuar për mos pagim energjie elektrike dhe për lyerje banesash pa leje ndërkohë që paradoksalisht, në 6 vjet nuk kemi të arrestuar asnjë personazh të njohur të krimit që ka kryer vepra të rënda kriminale si në të shkuarën apo dhe në të sotmen.

Këtë e konstaton çdo qytetar shqiptar në qytetin ku jeton, pasi të gjithë i njohin këta “baronë” që bëjnë ligjin ne territore të caktuara, si me cv-në e tyre të pasur kriminale, po ashtu dhe me influencën politike që kanë me pushtetin për punësime, tenderë e gjithçka tjetër që lidhet me pasurimin dhe forcimin e zgjerimin e influencës së tyre. Situata kriminale në Shqipëri është shumë delikate dhe e frikshme. Është si një bombë që i është hequr siguresa dhe pritet të shpërthejë.

Çfarë po ndodh me “Forcën e ligjit” dhe “vetingun” në polici?
Për mendimin tim, që të dyja këto përbëjnë boshtin propagandistik të qeverisë në drejtim të sigurisë në vend. Është njëlloj si slogani i Tahirit me “Policinë që duam” që përfundimi ishte një katastrofë për policinë, shoqërinë dhe integrimin. E ashtuquajtura “Forca e ligjit” është një mënyrë për të mbajtur popullin me shpresë se: dikur e njëherë do veprojnë strukturat ligj-zbatuese. Ministri i Brendshëm bën evidencën e dhjetëra grupeve kriminale që sundojnë vendin, por, nga ana tjetër, nuk ka asnjë reagim përveçse rezultateve të arritura nga goditjet e grupeve kriminale që shesin cigare rrugëve të Tiranës për bukën e gojës, që shesin një dorë presh e speca për të blerë bukën e përditshme… Vetingu është një propagandë, me idenë se, pas pesë vitesh do kemi një polici të pastër e nga ana tjetër realisht kemi një polici të tulatur duke pritur me ankth procesin e vetingut, totalisht e spostuar nga detyrimet e saj ligjore. Ndërkohë që në fund do konstatojmë se, me ligjin e vetingut do amnistohen drejtues policie që implementuan platformën qeverisëse të kanabizimit e trafikimit të lëndëve narkotike dhe procesi do jetë në fund një pastrim politik e klanor i organizatës së policisë. Elementi kriminal do të vazhdojnë qetësisht veprimtarinë e tyre kriminale, do të rrisin pasuritë dhe paratë e tyre në këtë vend si gjatë dhe pas procesit të vetingut, nëse do të vazhdojë ky sistem qeverisës.

Realiteti është që, punonjësi i policisë është i monitoruar më shumë se askush tjetër në administratën e shtetit. Punonjësi i policisë monitorohet nga eprorët e çdo njësie policore, SHKAÇB, Drejtoria e Standardeve Profesionale, ILDKPKI, SHISH, Avokati i Popullit, publiku, media etj. Prandaj vetingu është një proces i kotë që do na kushtojë rreth 4 milionë euro, ndërkohë që ato që përmenda më sipër paguhen dhe kanë detyrim për të kryer kontrollin e të gjithë strukturave të policisë në të gjithë vendin. Është për të ardhur keq që, ideatori dhe promotori i këtij ligji, Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, të kërkojë largimin nga policia të një punonjësi policie që mund të këtë takuar vëllain e ministrit, i certifikuar si trafikant droge… Kjo s’ka asnjë lloj sensi as në planin moral, as njerëzor, aspak ligjor!

Ambasadori Donald Lu ka kërkuar arrestimin e “peshqve të mëdhenj” por pse nuk po hyjnë dot në “rrjetë’?
Është folur e shkruar së mjafti për të ashtuquajturit “peshqit e mëdhenj”… Në lidhje me këtë mund të them se, për goditjen e krimit duhet vetëm një instrument, më i rëndësishmi: vullneti politik!
Pikërisht, ky vullnet politik mungon! Ky është nyja që i ka lidhur duart, i ka mpakur, atrofizuar institucionet ligj-zbatuese dhe ka çliruar dhe u ka dhënë forcë, siguri e garanci të gjithë eksponentëve të fuqishëm të krimit që veprojnë thuajse në të në gjithë vendin. Si mund të goditen kriminelët e këtij vendi kur ato u përfshinë nga mazhoranca në parlament, në administratën e shtetit, në drejtimin e bashkive etj.?! E si mundet të bien në rrjetë peshqit e mëdhenj duke pasur parasysh dhe fakt kokëfortë rastin Tahiri, ku kryeministri tregoi se është totalisht ai dhe vetëm ai mbrojtësi e njëkohësisht edhe problemi kryesor i avancimit të krimit në vend. Po t’i referohemi ambasadorit Lu, në Shqipëri ka me shumicë “peshq” të mëdhenj, por më i madhi prej tyre është vetë Kryeministri.

Kreu i PD-së Lulzim Basha ka deklaruar se me fillimin e shtatorit do prezantohet projekti i amendimit të ligjit antimafia që do të bëjë të mundur që çdo klient i qeverisë i përfshirë në skema korruptive PPP-sh do t’i nënshtrohet formatit dhe, le të themi, kontrolleve të ligjit antimafia. Si e konsideroni një nismë të tillë dhe a jeni pjesë e këtij projekti?
Kjo është një pyetje që do mundohem t’i përgjigjem teknikisht. PPP-të (Partneriteti Publik Privat), të cilat, tashmë janë damkosur nga FMN, BE, BB, e të tjerë organizma që mbikëqyrin dhe ndihmojnë ekonominë shqiptare, si një praktikë jo vetëm kundër interesit publik, por si një praktikë që po mbyt konkurrencën dhe kësisoj ekonominë e lirë. E thënë ndryshe, përderisa interesi publik nuk përfiton, madje dëmtohet, domethënë që nga PPP-të përfitojnë ekskluzivisht persona privat, pa garë, përfitojnë personat që kanë “lidhjet e duhura në qeveri”, duke shtuar kështu fitimet në kurriz të interesit publik.
Deri këtu jemi tek një praktikë haptazi korruptive por, nëse kësaj situate i shtojmë faktin se, kjo qeveri tashmë është e njollosur pa kthim, e kapur disa herë në flagrancë me krimin e trafiqet, rreziku kryesor i të ashtuquajturave PPP, është injektim përmes tyre në ekonomi i miliardave të ardhura të drogës dhe organizatave kriminale, partnerë të kësaj qeverie.

Me këtë kryeministër, minimalisht përmes lidhjeve kriminale të provuara të Saimir Tahirit dhe Fatmir Xhafajt ngërçi politik, vullneti, vizioni, e ardhmja mund të jenë me pasoja të pariparueshme. Nuk ka qenë kurrë më i nevojshëm aplikimi i ligjit antimafia, më shumë se në këtë praktikë korruptive e kriminale, siç janë PPP-të këtu, më shumë se në këto kushte aktuale, më shumë se në këtë moment jo pak kritik, në këto momente kritike ku po zhyet në moskund vendi. “Nëse do të gjesh lidhjet e krimit, ndiq rrugën e parasë” do konkludonte Falkone. Në këtë kuptim, nuk kërkohen shpikje, opozita me të drejtë u referohet praktikave më të mira ndërkombëtare.
Unë si një qytetar, për të cilin shteti im ka investuar, falë dhe angazhimeve në detyra të ndryshme, kam eksperiencë dhe ekspertizë si shumë të tjerë, e ndjej detyrimin qytetar, njerëzor, për t’u angazhuar në çdo mënyrë e për të dhënë gjithçka mundem e kërkohet për të mirën e vendit tonë të përbashkët.

Opozita ka siguruar shqiptarët se një e ardhme e re po troket për ta, çlirimi i Shqipërisë nga krimi dhe çlirimi i zgjedhjeve nga shitblerja e votës. Si mund të arrihet një gjë e tillë?
Është emergjencë kombëtare në këtë situatë, që vendi të drejtohet nga njerëz me integritet, të vendosur në krah të shoqërisë dhe popullit për rritjen e mirëqenies e të sigurisë dhe ballpërballë krimit dhe jo duke u bërë palë me të. Sot, pushteti dhe krimi janë një. Ndajnë favore e interesa ndërmjet tyre dhe kjo përbën Mafian. Opozita e ka marrë përsipër këtë mision dhe për mua është një mision i vështirë, por historik dhe plotësisht i mundur.

Si mund të largohet karteli krim-politikë? A po përdoren lekët e kriminelëve për pushtetin?
Shoqëria shqiptare është në pikën e vlimit. Mund të them se, edhe socialistët e ndershëm që e kanë votuar dhe kanë kontribute politike për këtë mazhorancë, janë totalisht të zhgënjyer. E them këtë pasi, meritat dhe privilegjet e pushtetit po i shijojnë eksponentë të spikatur të krimit dhe jo funksionarët lokalë të partisë socialiste. Në këto kushte, ku gjithçka kontrollohet e vendoset nga struktura kriminale, ku gjithçka po “zien” e po zhytet në krizë, mendoj që shoqëria duhet dhe do të reagojë fort për ta përmbysur këtë gjendje. Nuk do hyjnë në punë as autoritarizmi i pushtetit, as kërcënimet e strukturave kriminale që veprojnë në vend dhe as paratë e shumta të tyre. Populli nuk mund të vazhdojë pafundësisht të vuajë mjerimin e tij e të dëgjojë vetëm propagandën qeverisëse nga njëra anë, dhe hegjemoninë kriminale nga ana tjetër.

Si mund të shmanget blerja, dhunimi dhe tjetërsimi i votës nga paratë e krimit dhe bandave kriminale?
Siç e theksuam dhe më lart, vetëm reagimi i fuqishëm i gjithë shoqërisë, i intelektualëve të këtij vendi, studentëve, profesorëve, të papunëve, duke mposhtur frikën dhe duke u përballur fuqishëm me kurajë e dinjitet më këtë oligarki që mban vendin peng. Liria e ka një çmim. Sot, ajo është marrë peng nga një grusht njerëzish, të cilët do e pësojnë shumë keq kur t’iu ikë pushteti, t’iu sekuestrohen paratë e pronat e të jenë prapa hekurave të ligjit, dhe vetëm të ligjit. Zgjedhje të lira e të ndershme me blerje votash e kërcënime kriminelësh nuk mund të ketë në këtë vend. Një qeveri jo e bërë palë me krimin mund të përgatisë vendin për zgjedhje normale. Është domosdoshmëri, është shpëtimtare për një vend që ëndërron Evropën, integrimin, prosperitetin…


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.