Show-Bizz

Majlajdo Gala: Dua të jem në një nivel me koreografët në botë

15:45 - 15.08.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Egla Xhemali – Ai ka prekur skenat e spektakleve më të dashura për publikun shqiptar e natyrisht është një nga balerinët dhe koreografët më të mirë që kemi pasur deri më sot. Bëhet fjalë për Majlajdo Galën, i cili kohët e fundit ka qenë në vëmendje të mediave dhe diskutimeve për shkak të një performance danci mbi takat të larta. Videoklipi me performancën që u quajt provokuese është realizuar nga vetë ai dhe është postuar në youtube, ku ka ngjallur një sërë reagimesh. Majlajdo për “Summer Pages” të “Gazeta shqiptare” na rrëfen të fshehtat e performancës në video, komentet që ka marrë, aventurat më të çmendura si dhe projektet e fundit në Austri. Balerini është mjaft i lumtur që po sjell risi në botën e artit në Shqipëri. Kjo frymë që ai përcjell e pasuron baletin si dhe e rrit atë edhe më shumë profesionalisht. Atij i pëlqen të eksperimentojë dhe shumica e atyre që e ndjekin rregullisht e kanë mirëpritur performancën e tij. Ai ka zgjedhur të jetë vet pjesë e videoklipit pasi të gjithë do shokohen kur ta shohin tek realizohet në skenë. Koreografi na pohon se ka tre miq të shtrenjtë. Aventurat më të çmendura i kalon në stinën e dimrit i shoqëruar nga rrethi shoqëror. Gala thotë se nuk do heqë kurrë dorë nga baleti, pasi ai është pasioni më i madh që ka. Së shpejti ai do nisi një rrugëtim drejt suksesit në Austri e pritet që të na surprizojë me projekte të tjera.




Videoja e fundit që ke publikuar përveç vlerësimeve ka pasur një sërë reagimesh. Pse ke zgjedhur të kërcesh mbi taka?
Jam i lumtur që kam marrë vlerësime profesionale nga artistët, por akoma edhe më i lumtur me vlerësimet dhe komentet nga njerëzit që nuk merren me art, por që e duan artin dhe të bukurën. Zgjodha të kërceja mbi taka pasi dua të jem në të njëjtin nivel me koreografët dhe balerinët në botë. Përveç kësaj unë e adhuroj artin e koreografisë dhe kërcimit. Jam non-stop në sfidë me veten duke e dërguar egon time në një shkallë më sipërore për të parë se çfarë unë mund të realizoj në këtë art kaq të bukur dhe shumë të vështirë.

Si i ke pritur komentet e njerëzve?
Në momentin që vendos të bëj një koreografi me taka 13 cm absolutisht kam pritur komente te ndryshme, por për ata që e ndjekin artin tim është diçka shumë normale, sepse tashmë janë mësuar dhe e duan atë pjesë që unë realizoj dhe eksperimentoj me çdo temë të mundshme, pasi i kam dhënë atë siguri, që çdo gjë që del nga emri im është profesionale, e bukur dhe artistike.

Lëvizjet e tua janë njësh me muzikën. Si lindi ideja e realizimit të këtij projekti? Pse zgjodhe të vije vetëm në të?
Unë kam realizuar edhe dy projekte përpara këtij. Ky është i treti dhe do pasojë edhe nga të tjerë. Dua t’i jap rëndësinë që duhet artit të koreografisë duke realizuar projekte, që të ngelen në historinë e kërcimit dhe që ta kërcejnë balerinët e tjerë koreografinë time. Zgjodha të vija vetë në videoklip pasi në momentin ku KAR’K do vijë si performancë live në skenë dhe televizion do jetë një koreografi, ku ata që do e shohin do shtangen dhe shokohen totalisht. Jam i lumtur që punoj me profesionist që e dashurojnë punën e tyre si Daino Ranks, Ola Qato, Stella Sallaku, Artur Muca, Frame Pro Company dhe më kanë realizuar një projekt ku jam shumë i kënaqur nga të gjithë.

Ka pasur një moment që do e veçoje si më të bukurin në skenë?
Arti të jep shumë momente të bukura, që t’i përjetosh në skenë, por mendoj edhe pas kaq vitesh akoma nuk më ka ndodhur një moment ku do e veçoja dhe do e kujtoja.

Përveç baletit, cila është ajo gjë që të rrëmben kohën?
Baleti, koreografia, kërcimi dhe pedagogjia janë të ndërthurura me njëra-tjetrën aq shumë saqë edhe 24 orë nuk të dalin për të punuar dhe menduar mbi to. Nëse do kisha pak kohë dhe nëse do doja të më rrëmbente diçka kohën do ishte familja ime. Ata japin gjithë kohën për mua dhe ndihem keq që nuk mundem të jem më shumë i pranishëm, por fatmirësisht me kuptojnë dhe më mbështesin në profesionin tim.

Sa i shoqërueshëm është Majlajdo?
Nëse do të thosha jam shumë i shoqërueshëm do të gënjeja, prandaj të them të vërtetën unë shoqërohem me shumë pak njerëz. Kam tre miq shumë të mirë, që janë trekëndëshi im i Bermudës dhe jam me shumë fat që i kam.

Ke dashur të ndryshosh diçka nga vetja?
Është shumë e rëndësishme që ne ta duam veten ashtu si zoti na ka bërë. Nëse do kisha dashur diçka që ta ndryshoja do e kisha bërë, por jo funksionoj shumë mirë kështu siç jam.

Cila ka qenë vera më e çmendur e jetës tënde?
Unë verën nuk e preferoj shumë dhe e shijoj shumë pak ,por çmenduritë më të mëdha i kam bërë në dimër dhe janë të pafundme. Nuk di se kë të veçoja sepse është njëra është më e bukur se tjetra, por të hipësh mbi makinë duke ecur në -17 gradë dhe të këndosh “Poker face” dhe me shumë video duke të xhiruar është çmenduri. Duhet të theksoj, që këto e shumë të tjera janë bërë pas shumë AMF – ve. Gjithmonë vetëm me miqtë e mi.

Si janë raportet e tua me kolegët? Ke më shumë miq apo armiq?
Ne nuk kemi kontakt me njëri-tjetrin sepse gjithmonë në projekte duhet vetëm një koreograf. Në mbrëmje dhe organizime ku mund të takohesh dhe të kuptosh raportet që ke, unë personalisht nuk shkoj. Ndërsa kontakte të tjera nuk kemi kështu që kuptohet nëse ke më shumë miq apo armiq.

A ke menduar ndonjëherë të heqësh dorë nga baleti?
Unë do heq dorë nga baleti vetëm kur mos të kem më frymë, pasi koreografia dhe kërcimi më mbajnë në jetë duke më dhënë frymë. Është pasioni, dashuria, dëshira dhe ekstaza gjithçka është arti i kërcimit për mua ndaj nuk e mendoj ndonjëherë dhe nuk e mendoj, sepse unë e di se çfarë dua në jetën time.

Cilat janë projektet më të fundit? Ku do e shohim Majlajdon?
Projekti më i fundit ishte një koreografi, që realizova për divën e muzikës Adelina Ismaili në një nga mbrëmjet më të rëndësishme të projektit të saj te fundit. Një performancë 45 minuta ku mora një satisfaksion shumë të veçantë. Projektet e mia janë shumë mirë të zgjedhura dhe të menduara. Koreografia e radhës do vij përsëri me videoklip. Sapo kam përfunduar xhirimet, por për ta publikuar duhet të presim fundin e tetorit. Më besoni që pritja do ia vlej. Majlajdon duke filluar nga shtatori do e shohim në Austri pasi kam fituar një kontratë. As vet nuk e besoj që e kam arritur në një moshë kaq të vogël, por edhe pse e kam ditur gjithmonë që talenti nuk njeh moshë kjo është një kontratë ku profesionalisht me dërgon në një nivel edhe më të lartë. Është një nga pikat e mia të synimeve dhe e arrita, por nuk po them asgjë më shumë thjesht presim shtatorin.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.