OPINION

Turizmi dhe pushteti lokal

10:21 - 15.08.18 Sorina Koti
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Turizmi është konsideruar gjithmonë prioritet në Shqipëri. Vit pas viti hartohen politika zhvillimi për të përthithur sa më shumë turistë vendës dhe të huaj. Pozicioni gjeografik dhe klima kanë dhuruar një natyrë, që nëse do menaxhohej dhe investohej siç duhej, sot Shqipëria do ishte kthyer në një nga perlat e Mesdheut.




Për fat të keq, edhe pse janë kryer shumë investime, turistët reflektojnë pakënaqësi dhe reagime negative, si për nivelin e shërbimeve që ofrohen gjatë sezoneve turistike, ashtu edhe për infrastrukturën. Turizmi është përfshirë në strategjitë lokale dhe ato kombëtare të qeverisjes, herë të alternuara e herë të veçanta. Por, si e menaxhojnë bashkitë më të mëdha fluksin turistik?

Më poshtë janë analizuar bashkitë, të cilat kanë investuar në zhvillimin e turizmit bregdetar dhe malor. Frekuentimi i këtyre vendeve sjell edhe të ardhura në buxhetin e bashkive, nëpërmjet taksave lokale përkatëse. Taksa e hotelit është një nga taksat, që paguajnë turistët për fjetjen/akomodimin në hotele e bujtina. Tabela më poshtë tregon përqindjen që zë kjo taksë në totalin e të ardhurave vendore të bashkive.

Tabela 1. Taksa e hotelit, si % e totalit të të ardhurave vendore nga taksat dhe tarifat

T3 Durrës Himarë Konispol Korçë Lezhë Pogradec Sarandë Vlorë
2015 0.51% 3.21% 0.1% 0.72% 0.64% 1.72% 4.22% 1.07%
2016 0.58% 2.12% 0.04% 0.47% 3.57% 1.2% 6.82% 0.54%
2017 0.71% 2.61% 0.04% 0.61% 2.67% 1.53% 7.47% 0.59%

Burimi: financatvendore.al

 

Nga të dhënat e mësipërme shohim se kjo taksë kontribuon shumë pak në të ardhurat e bashkive, pavarësisht se nga viti 2016 në 2017, ajo ka pësuar një rritje të lehtë. Bashkitë e mësipërme kanë reklamuar dhe promovuar fort zhvillimin turistik të zonave të tyre dhe paralelisht kanë propaganduar vetëm rritje në numrin e turistëve. Atëherë, ku kanë shkuar të ardhurat e turizmit dhe pse nuk reflektohet taksa e hotelit në të ardhurat e bashkive?

Bazuar edhe në analizën e buxheteve bashkiake, vërehet se kjo taksë mblidhet në masën 40-45% në raport me objektivat vjetore të paravendosura për këtë zë. Realiteti tregon një problem, që po trashëgohet nga viti në vit. Numrat në rritje të bujtinave dhe hoteleve të reja të ndërtuara së bashku me fluksin në rritje të turistëve vendës dhe të huaj, që frekuentojnë vendin tone, nuk reflektohen në mirëqenien financiare të bashkive. Dy nga arsyet mund të jenë: evazioni i lartë nga ana e hoteleve në deklarimin e një numri më të vogël shtretërish sesa realiteti, kjo për të mos paguar taksën e hotelit; si dhe argumenti tjetër mund të jetë turizmi njëditor, i cili nuk prenoton hotel për fjetje. Argumenti i parë është i lidhur drejtpërdrejt me efikasitetin e autoriteteve lokale, në evidentimin e plotë të kapaciteteve akomoduese nga subjektet private dhe mbledhjen korrekte të taksës përkatëse.

Problem tjetër është mungesa e një regjistri zyrtar në nivel bashkie, për numrin e hoteleve, bujtinave ose operatorëve të tjerë, që ofrojnë shërbime hotelerie dhe sa shtretër ka secili prej tyre. Mosdeklarimi/informaliteti nga ana e hoteleve për shtretërit e zënë është shumë i lartë dhe kjo reflektohet në të ardhurat e ulëta, që bashkitë arkëtojnë nga taksa e hotelit. Pjesa më e madhe e operatorëve punojnë me regjistra të dubluar fjetjeje dhe më pas me deklarimin tatimor fals. Kjo situatë mund të përmirësohej nëpërmjet kontrolleve të vazhdueshme dhe jo selektive nga ana e autoriteteve, duke ndikuar drejtpërdrejt në uljen e evazionit fiskal, konkurrencë të ndershme dhe rritje të të ardhurave bashkiake.

Nga ana tjetër, bashkitë investojnë dhe shpenzojnë fonde publike për të nxitur numrin e turistëve dhe për ta bërë zonën më tërheqëse. Tabela më poshtë tregon shpenzimet në sektorët më kryesorë, ku fokusohet vëmendja dhe nevoja e një turisti gjatë qëndrimit të tij.

Tabela 2. Shpenzimet vendore

    Burimi: financatvendore.al

Të dhënat e mësipërme tregojnë se bashkitë Korçë dhe Durrës kanë investuar më shumë në transport dhe shpenzime kapitale (kryesisht shtrim rrugësh, shkolla, qendra shëndetësore). Problem ngelet furnizimi me ujë, siguria, mbrojtja e mjedisit dhe shërbimet e përgjithshme publike (ndriçimi, pastrimi dhe gjelbërimi). Përveç Bashkisë Korçë, e cila ka investuar edhe në zërat e argëtim-kulturë dhe çështjeve me karakter fetar, bashkitë e tjera janë pothuajse të pandjeshme në këtë fushë. Gjithsesi, fondet e investuara nga bashkitë janë shumë të vogla në krahasim me nevojat, që turistët vendës dhe të huaj kanë. Investimet publike nga bashkitë janë akoma më të vogla në bashkitë e jugut, ku si rrjedhojë edhe cilësia e shumëllojshmëria e shërbimeve në funksion të turizmit lenë shumë vend për të dëshiruar.

Turistët kanë prioritet sigurinë, ujin, ndriçimin, infrastrukturën rrugore dhe shëndetësore, por gjithashtu edhe mjedisin kulturor, social, natyrën dhe aktivitetet e organizuara nga bashkitë, për të bërë të shumëllojshëm dhe të plotë pushimet e tyre. Nga gjuha e statistikës konstatohet se, shumë pak nga bashkitë me numër të rritur turistësh ofrojnë shërbimet e mësipërme. Realiteti është jo aq “rozë” sesa marketohet nëpër media.

Statistikat e mësipërme na venë në dukje se sa shumë probleme ka turizmi në Shqipëri dhe sesa nevojë imediate ka për ndërhyrje në ujësjellës, siguri publike, shërbime publike dhe infrastrukturë rrugore. Kjo mënyrë e të parit të realitetit kërkon një reagim të shpejtë nga ana e institucioneve publike, duke e konsideruar në veprime, turizmin si prioritet zhvillimor kombëtar.

Zhvillimi i konsoliduar i turizmit do të sillte më shumë të ardhura si për bizneset, ashtu edhe për vetë bashkitë, të cilat më pas do reflektoheshin në rritjen e shpenzimeve vendore.

Turizmi në Shqipëri është në një proces zhvillimi dhe përmirësimi, duke u frekuentuar kryesisht nga turistë rastësorë dhe jo të organizuar. Nevojiten shumë investime kapitale, por edhe burime njerëzore për një turizëm të shtrirë gjatë muajve të vitit, sa më cilësor dhe tërheqës.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.