KULTURË

Galeria Kombëtare e Arteve/ Ministria jep 12 milionë lekë për restaurim

10:40 - 16.08.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli  – Muzeu Kombëtar përgatit për një periudhë rehabilitimi. Brenda vitit do kemi projektin e ri për të kaluar më tej në zbatim. Galeria Kombëtare e Arteve merr emrin e ri Muzeu Kombëtar i Arteve të Bukura. Ka një fond të jashtëzakonshëm të veprave qoftë të para 100 viteve, qoftë të realizimit socialist. Godina është mjaft e amortizuar, kërkon riorganizim. Kemi projektin e radhës. Galeria Kombëtare ka statusin monument kulture dhe me ligj ajo nuk preket por rehabilitohet. Do të ketë një koncept të ri bashkëkohor dhe do të ketë teknologji moderne.
Ndërtuam 4 muze në mandatin e kaluar, besoj që të gjitha institucionet e mëdha kombëtare janë në listë sepse që kur janë ndërtuar nuk janë prekur”. Pak javë më parë, ministrja Mirela Kumbaro do të shprehej se GKA-ja do i nënshtrohet një ndërhyrjeje.




12 milionë e 500 mijë lekë të rinj është fondi limit që ka vënë në dispozicion Ministria e Kulturës për rehabilitimin e Galerisë Kombëtare të Arteve. Hapësirat e objektit që ka marrë emrin Muzeu i Arteve të Bukura pritet t’i nënshtrohet restaurimit, rikonstruksionit dhe rehabilitimit ndërsa Ministria e Kulturës ka hapur tenderin për hartimin e projektit. Tenderi është hapur më 10 gusht dhe ofertat pritet deri më 20 gusht, sipas faqes së Agjencisë së Prokurimeve Publike. Ndërkaq, në relacionin mbi gjendjen ekzistuese të Muzeut Kombëtar të Arteve të Bukura tregohen arsyet pse duhet bërë kjo ndërhyrje, pasi bëhet me dije se gjendja e përgjithshme e objektit shfaqet e rënduar dhe e amortizuar në kohë. Gjatë viteve, në objekt është ndërhyrë pjesërisht në rifiniturë dhe në mirëmbajtje. Salla e ekspozitës e katit të tretë ka nevojë të rikonstruktohet në mënyrë të tillë që të jetë sa më funksionale dhe në kushte teknike sipas standardit. Ndriçimi natyral i katit të tretë nuk është realizuar në formën dhe materialin e duhur, duke u bërë shkak për tejçimin e temperaturave të jashtme, por edhe shirave.
Hidroizolimi i godinës është në gjendje të degraduar, në pjesën e bodrumit ka prezencë të lagështisë, në perimetrin e jashtëm si dhe në tarracë. Hidroizolimi dhe termoizolimi i hapësirave të dritareve është në gjendje të degraduar. Ndriçimi natyral i katit të tretë nuk është realizuar në formën dhe materialin e duhur, duke u bërë shkak i transmetimit jo vetëm të temperaturave të jashtme, por edhe shirave. Era kryesore duhet spostuar për të kthyer në identitet Galerinë Kombëtare të Arteve. Është e nevojshme rikonstruksioni i ambienteve të Fondit të veprave dhe skulpturave. Sistemi elektrik është i amortizuar, nuk përmbush normat e lejuara dhe ka nevojë për shtimin e kapacitetit. Sistemi i aspirim/kondicionimit nuk është funksional. Ka mungesë të sistemit të mbrojtjes kundra zjarrit, si një kusht shumë i rëndësishëm për kategorinë e funksionit të godinës. Mungon edhe një sistem sigurie. Këto janë vetëm disa nga problemet që kërkojnë ndërhyrje sipas relacionit të specialistëve të Ministrisë së Kulturës.

Që prej vitit 2007 Galeria Kombëtare e Arteve gëzon statusin Monument Kulture i kategorisë së dytë. Gjithashtu, përfshihet brenda zonës së mbrojtur “Qendrës historike të aksit kryesor të qytetit të Tiranës”, miratuar me Vendim të Këshillit të Ministrave në vitin 2017.

GKA
Galeria Kombëtare e Arteve është një institucion shtetëror në varësi të Ministrisë së Kulturës. Ajo funksionon në mbështetje të Ligjit për Muzetë dhe Ligjit për Trashëgiminë Kulturore Kombëtare të Republikës së Shqipërisë. Ajo funksionon në bazë të statusit të saj, i cili aprovohet nga Ministria e Kulturës, si dhe nga rregullorja e saj e brendshme. Galeria Kombëtare e Arteve i ka fillimet e saj me përpjekjet e një grupi artistësh shqiptarë dhe të Komitetit të Arteve të vitit 1946. Pinakoteka ishte institucioni i parë i arteve figurative në Shqipëri. Pas një pune të mirëfilltë dhe përpjekjesh të shumta në 11 janar 1954 u hap zyrtarisht për publikun Galeria e Arteve në Tiranë. Në vitin 1956, si rrjedhojë e pasurimit të fondit të veprave të artit, prej lulëzimit të krijimtarisë dhe blerjeve të kohës, galeria u zhvendos në një godinë më të përshtatshme, me tri kate në rrugën “Fortuzi” dhe me hapësira ekspozuese të shumta, si brenda ashtu edhe jashtë saj. Galeria funksionoi në dy drejtime kryesore, në atë të linjës së përhershme ekspozuese dhe në çeljen e ekspozitave të përkohshme të artisteve shqiptarë e të huaj. Vizionet e reja rreth zhvillimit dhe ekspozimit të arteve figurative si dhe blerjet rritën numrin e veprave të artit dhe sollën kërkesën për një ndërtesë më funksionale, e cila u inaugurua më 29 nëntor 1974, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ndërtesë ku ndodhet edhe sot. Ky është dhe momenti i riorganizimit dhe rikonstruktimit të parë, i cili konsistoi në ngritjen e një strukture administrative, që përbehej nga disa sektorë përkatës dhe në funksion të veprimtarive artistike.

Fondi i Galerisë së re, deri në këtë periudhë kishte 340 vepra dhe në arkivin e saj ishin regjistruar 240 autorë. Në vitin 2009 në Galerinë Kombëtare të Arteve u bënë ndërhyrje dhe investime të rëndësishme, të cilat konsistojnë në një rikonstruksion cilësor të hapësirave të brendshme dhe kthimit të tyre sa më pranë projektit origjinal të ndërtesës, si dhe konceptimit të një linje të re muzeale që i përgjigjet njohjes, edukimit dhe informimit artistik të publikut shqiptar dhe të huaj në nivele sa më të larta. Galeria Kombëtare e Arteve është institucion kombëtar, qendror, muzeor, studimor, shkencor, me qëllim të vetëm ruajtjen, prezantimin, promovimin e trashëgimisë kombëtare të shtetit shqiptar në fushën e arteve pamore. GKA ka mision grumbullimin, koleksionimin, konservimin, dokumentimin, studimin, restaurimin, ekspozimin dhe zhvillimin e vlerave të trashëgimisë kulturore, duke promovuar veprat më të mira të artit pamor shqiptar të traditës dhe atij bashkëkohor kombëtar e ndërkombëtar.


Shfaq Komentet (2)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Perse te harxhoni parate e taksspaguese shqiptar per restaurimin e Galerise Kombetare.
    Jepeni me PPP , bëjeni galeri me kulle dhe ju siguroj qe ju del gratis.
    Neqoftese ju nuk e gjeni dot nje PPP te tille mund t’ju ndihmoj une.

    Përgjigju ↓
  2. Shume dakort me Mikelin.(Eshte fond i vogel,..)Nga nderhyrjet e hajdutit diletant Rama te bere ne sheshin para godines Gal. eshte shkatrruar sistemi i drenimit e shkarkimit. Per pasoje kati nentoke kur bien shira Permbytet bash aty ku jane panelet elektrike.Ndersa hajduti vengerosh Veliaj me ndertimin e “sacit te gurit”ka shkatrruar sistemin e drenimit e shkarkimt te Pall.Kult. duke mbytur katin nentoke te biblotekes.Hajdute e te paditur.Fodulle kokboshe qe vetem Ata “.
    dine”

    Përgjigju ↓