Kryesore

Negociatat me BE, Ministria e Jashtme thirrje për ekspertë jashtë administratës

11:18 - 16.08.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Darina Tanushi-Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme fton personat e interesuar për t’u përfshirë në procesin drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.




Në kuadër të koordinimit të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, MEPJ fton ekspertë të fushave të ndryshme jashtë administratës shtetërore që të shprehin interesin e tyre për t’u përfshirë në këtë proces të përbashkët.

MEPJ kërkon të evidentojë burimet njerëzore jashtë administratës, me njohuritë dhe eksperiencën e nevojshme në fushat si tregti, industri, dogana dhe tatime, transport, energji, mjedis dhe zhvillim rajonal.

Po ashtu, ftohen ekspertë nga fushat drejtësi, liri dhe siguri; tregu i brendshëm dhe konkurrenca; bujqësi dhe peshkim; inovacioni, shoqëria e informacionit dhe politikat sociale; çështje ekonomike dhe financiare dhe statistikat.

Gjatë vizitës së tij, në Tiranë, më 17 korrik, Komisioneri evropian për Zgjerimin Johannes Hahn sugjeroi që në këtë fazë të negociatave, ku është futur Shqipëria, qysh pas vendimit të qershorit nga BE nevojitet më shumë buxhet dhe njerëz të kualifikuar. Tashmë ka nisur faza e “screening”, ose ajo e përafrimit të legjislacionit shqiptar me atë evropian dhe kjo është konsideruar një punë aspak e lehtë nga kryeministri Rama.

“Prej sot dhe deri në pranverën e vitit që vjen, ne jemi të detyruar ta përdorim me efikasitet maksimal kohën dhe të garantojmë një nivel të lartë koordinimi dhe ndërveprimi, jo vetëm për të thelluar reformat në fushat me rëndësi jetësore, jo vetëm për të vijuar të gjitha proceset e nisura dhe për të arritur të tjera rezultate, që nuk janë kërkesa të Brukselit, por janë detyrime ndaj vendit dhe për të ardhmen e vendit tonë, por edhe për të fuqizuar progresivisht dhe riorganizuar deri në qelizat fundore të gjitha njësitë koordinuese të procesit të negocimit për anëtarësim në Bashkimin Europian”, u shpreh kryeministri Rama gjatë takimit të parë me Komisionerin Hahn, pas vendimit të BE.

Për të siguruar koordinimin teknik të procesit dhe harmonizimin e të gjithë punës përgatitore për hapjen formale të negociatave, qeveria do të ketë si koordinator teknik zëvendësministrin për Europën dhe Punët e Jashtme.

Puna e koordinatorit teknik do të bazohet dhe do të varet në shkallë të madhe nga dy procese paralele; nga njësia ekzistuese koordinimit të procesit të integrimit europian në Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme, e cila do të fuqizohet, për t’u shndërruar në Sekretariatin e ardhshëm, që do të sigurojë në kohë dhe cilësi ndërveprimin institucional dhe monitorimin e procesit.

Dhe së dyti, fuqizimi i strukturave koordinuese dhe përgjegjëse në ministritë e linjës e veçanërisht në dy ministritë kyçe, Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Brendshme, që mbajnë edhe barrën më të madhe të këtij procesi përgatitor për kapitujt 23, 24, kapituj që përkojnë dhe me fushat prioritare të reformave të brendshme në drejtim të forcimit të shtetit të së drejtës, përbën një domosdoshmëri imediate, ka theksuar kryeministri Rama.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Propagande e neveritshme.Kur qenka puna se Ju burokrate megallomane paskeni nevoje per “Specialista”(kjo eshte e vertete se Administrata eshte mbushur me militante te paafte) pse nuk i keni perfshire me kohe ne Qeferri e administrate per te miren e vendit por u dashkan tani per syte “qorra” te rrogtareve nderkombetare qe tallen me kete popull duke luajtur teater me Ramadanin e xhuxh qerosin Bushati….

    Përgjigju ↓