OPINION

Paguaj që të shërohesh

13:56 - 16.08.18 Raimonda Shundi Dervishi
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Lajmi se kjo qeverisje do të sillte mjekësinë falas ishte nisja fatsjellëse e fitores së liderit Rilindas, Rama. Ai e dinte fare mirë ndjeshmërinë ndaj problematikave shëndetësore duke vendosur të presonte mbi të në mitingjet elektorale.




Ia doli të marrë pushtetin dhe bashkë me të edhe çelësat e makinës shëndetësore e jo vetëm. Natyrisht që kjo ndjeshmëri dhe shpresë se më në fund kalavarët torturuese për qytetarët do të nisnin një faqe të re të bardhë, solli një tjëtër realitet.

Strategjia e re e servirur në pjatën e argjendtë të viktimave përfshin kategorinë më të dobët të popullatës; pensionistët apo shëndetligët me të ardhurat minimale jetike. Në farmaci ndeshesh me qytetarë të acaruar nga ligji i ri për rimbursimin e barnave.

”Unë vuaj nga artroza”, thotë një qytetare teksa diskuton e pikëlluar me farmacisten për mundësitë e rimbursimit.

“Ilaçet i marr të gjitha me lekë dhe më kushtojnë shumë. Një ilaç më ka kushtuar 13 dhe 15 mijë lekë të reja. Por, me diagnozën që kam, marr tre mjekime. Nëse nuk i tërheq të treja unë nuk eci dot nga dhimbja. Ato që janë të rimbursueshme janë medikamentet më pak të forta. Pra, rimbursohet mjekimi sekondar dhe vetëm njëri, ai më i liri. Të tjerat i paguaj nga xhepi…”

Është e turpshme teksa shohim se si nëpërkëmbet kjo kategori nga institucionet që janë krijuar enkas për të qenë “ndihmës” në këtë luftë kundër jetës dhe vdekjes. Është e trishtë teksa sheh burokratë që tallen me shpjegimin rutinë ”ky është medikamenti i duhur”, apo spostimet nga njëra zyrë tek ana tjetër e qytetit (ku ndodhet adresa përkatëse).

Është e frikshme teksa përballesh me punonjës që duan të përfitojnë edhe qindarkën e fundit nga kjo kategori e lodhur nga gjithçka. Mjerë ata që komplotojnë apo më keq akoma, ndërtojnë politika taksimi mbi të dashurit tanë. Shpejt, do jenë vetë apo familjarët e tyre në pozicjone kritike, por atëherë do jetë fundi, jo vonë.

Kur flet për pensionistët apo shëndetin e lig, të kujtohet revolta e aktorit Luftar Pajo përpara kamerave kur po i pritej ilaçi i tij i zemrës.  Pra, ai nuk kishte mundësi ekonomike të paguante një mjekim i cili nga vlerësimi i ri i rimbursimit të barnave dalë më 1 maj 2018 ishte gjykuar si i parimbursueshem, ndaj tani e tutje do të paguhej nga xhepi i aktorit fierak.

Por aktori Paja e pati luksin t’i drejtohej një kamere dhe jo vetëm kaq, t’i drejtohej dhe sidomos t’i DËGJOHEJ fjala e thënë në publik duke marrë edhe solidaritetin e të gjithë kategorisë qefmbetur. Shumë moshatarë lakmuan statusin e tij elitë dhe u ndjenë të humbur në luftën me atë çka bëhet ligj kur jo të gjithë janë të barabartë përpara tij. Dhe siç është e njohur shprehja se “me fatin nuk luhet”, fati i tyre është shkruar për të trokitur dyerve të shurdhëta të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësorë (FSDKSH). Aty sqarohesh (nëse ke fatin të hysh brenda) me mjekë të cilët janë specializuar për të të përcjellë me një larmi të admirueshme formash apo dredhish.

Mjaft që t’i heqin qafe duke ia kaluar stafetën kolegut, mjekut .. institucionit vijues. Gjithçka, vetëm jo të duhurit. Natyrisht që jo të gjithë janë kaq të pacipë; ka edhe njerëz në këtë katrahurë humane, por ata janë të pamundur për ta ndryshuar çorbën burokratike të studiuar enkas për të mos kryer punë  nga ku i  humburi pa as më të voglin dyshim është ai, babai, gjyshi i të papunit, punëtorit, studentit, shitësi.. pra popullit.

Si mundet ai të kuptojë terminologjinë mendjembushëse të shefave mekanikë që përcjellin ku me buzëqeshje, ku me ngërdheshje apo nerva të tendosura se shuma që ata do shtojnë është fare e vogël. Fare e vogël do të thotë, 15,30,50 (minimumi) mijë lekë të reja për çdo muaj.

Në 43 vende Europiane, Shqipëria renditet e fundit për sasinë e fondeve që akordohen për shëndetësinë në raport me prodhimin e brendshëm bruto dhe e treta nga fundi për nivelin e rimbursimit të barnave. Në një kohë që mesatarja Europiane e shpenzimeve për shëndetësinë është 6% e GDP-së, Shqipëria e 2,8%. Në krahasim me vendet e rajonit, renditemi të fundit. Bosnja shpenzon 6.9 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto për shëndetësinë, Kroacia 6.4%, Maqedonia 4.3% dhe Mali i Zi 4% .

Paratë e pakta që shteti shpenzon në këtë drejtim bëjnë që Shqiptarët të shpenzojnë rreth 50% të kostove  totale për shëndetësinë nga xhepi i tyre. Rimbursimi i barnave ka qenë  gjithmonë premtimi i qeverisë përgjatë viteve të fundit, por duke u krahasuar me indekset rajonale dhe europiane , shihet se jemi ende në vendet e fundit dhe përveç propagandës politike, pak ose aspak nuk është bërë në këtë drejtim.

Tregu i farmaceutikës po përjeton një epokë lulëzimi gjatë kësaj dekade dhe perspektiva po shihet me optimizëm nga operatorët e mëdhenj. Popullsia e vendit, me të dhëna zyrtare (INSTAT) në vitin 2018 është 300 mijë banorë më pak se në vitin 2008, por përdorimi i produkteve farmaceutike gjatë kësaj periudhe është rritur me 1.2 herë, kurse tregu i farmaceutikes është zgjeruar me 2.2 herë në vlerë. Plakja e popullsisë, rritja e sëmundshmërisë, jetëgjatësia dhe vëmendja më e madhe ndaj kujdesit shëndetësor kanë rritur shitjet.

Gjatë vitit të kaluar, tregu i ilaçeve shënoi një vlerë prej 31 miliardë lekësh (230 mln euro) duke u zgjeruar me 16% në krahasim më një vit më parë. Shifrat mbi tregun u kalkuluan duke marrë në konsideratë vlerën e importit të medikamenteve, prodhimin vendas nga ProaFarma dhe marzhin e fitimit të përcaktuar me vendim qeverie (12-24%). Por rritja e tregut nuk është reflektuar në të njëjtën masë edhe në të ardhurat e kompanive të mëdha, për shkak të uljes së çmimit të ilaçeve dhe efekteve të kursit të këmbimit.

Rejsi Farma, operatori më i madh i tregut të farmaceutikës, raportoi të ardhurat nga shitjet rreth 3.5 miliardë lekë në vitin 2017, me një rritje 0.5% krahasuar me një vit më parë.

Përpiqem të kuptoj qeverinë time e së bashku me të edhe politikat e saj të tipit “hiqja Lenës, vërja Prenës”.

Përpiqem të kuptoj edhe zyrtarët e punësuar militantë të cilët përpara ligjeve në fuqi skanë nga ia mbajnë dhe ne kot e kemi që sherrosemi me ta. Përpiqem të kuptoj e mirëkuptoj faktin se një kategori sëmundjesh të vështira kanë mundësinë e përfitimit në këtë pazarhane emrash medikamentesh. Por nuk kuptoj aspak dha asfare që kjo qeveri e cila na premtoi mjekësi falas, fondin për ilaçet jo vetëm që nuk e 0-roi, por për të mos nxjerrë asnjë qindarkë më shumë nga ajo çfarë ka planifikuar, nuk ja bën syri tërr duke penalizuar gjithë këtë kategori fatkeqe që mjekimet i kanë si bukën e përditshme o Zot.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.