Sociale

Statistikat, mbi 750 mijë gra viktima të dhunës në familje

12:20 - 16.08.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Sipas të dhënave më të fundit nga Instituti i Statistikave, mbi 750 mijë gra dhe vajza janë viktima të dhunës në familje; ndërsa mbi 360 mijë fëmijë dhe adoleshentë janë viktima të dhunës dhe shfrytëzimit. Ndërkohë statistikat tregojnë se mbi 100 mijë fëmijë jetojnë në varfëri; 182 mijë të rinj e të reja janë të papunë; mbi 327,735 persona në Shqipëri marrin ndihmë ekonomike; ndërsa mbi 46% e të dënuarve për krime janë fëmijë dhe të rinj. Këto të dhëna alarmante kanë nxitur reagimin e fortë të shoqatave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut të cilat kanë kërkuar krijimin e ministrisë së familjes. Ditën e djeshme, Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri (CRCA), me anë të një thirrjeje të hapur i ka propozuar qeverisë dhe Kuvendit të Shqipërisë se është bërë urgjente nevoja për hapjen e ministrisë për familjen, si një institucion përgjegjës për mbrojtjen dhe fuqizimin e familjes, në mënyrë të veçantë të grave, fëmijëve dhe të rinjve, si dhe zbatimit të një plani të ri kombëtar masash për fuqizimin e familjes në Shqipëri.




“Pavarësisht se Shqipëria ka bërë përmirësime të ndjeshme të kuadrit legjislativ dhe të politikave për grupet më të rrezikuara të shoqërisë, përsëri të dhënat tregojnë se familja është nën goditjen e vazhdueshme të një sërë faktorëve shoqërorë, që rrezikojnë seriozisht mirëqenien e saj. Kushtetuta e detyron Kuvendin, qeverinë, bashkitë dhe sistemin e drejtësisë që të kujdesen për familjen, duke dhënë ndihmë, mbështetje dhe mbrojtje për çdo anëtar të saj, sidomos për gratë, fëmijët dhe të rinjtë”,-thotë për “Gazeta Shqiptare” Altin Hazizaj, drejtor i përgjithshëm i CRCA Albania. Ky i fundit më tej bën me dije se në thirrjen drejtuar parlamentit dhe qeverisë, propozohet hapja urgjentisht e një Programi Kombëtar për mbështetjen e familjes, gruas, fëmijëve dhe të të rinjve në vend, për krijimin e shërbimeve komunitare për familjen në çdo Bashki të Shqipërisë. “Kuvendi i Shqipërisë, në hapjen e legjislaturës së re në shtator 2018, duhet të shohë me prioritet bërjen e përmirësimeve ligjore të menjëhershme për të bërë të mundur pagesën e plotë të lejes së lindjes për të paktën 1 vit për nënat dhe baballarët, të kombinuar me krijimin e pagesës për fëmijë për çdo familje të paktën deri në moshën 10 vjeç! Ndërsa Shqipëria ende nuk e ka një institucion të tillë, mbi 30 shtete prej vitesh tashmë e kanë krijuar një ministri të tillë”,-shton Hazizaj për “GSH”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.