OPINION

Fiksimi për një kryeministër vrasës!

10:44 - 17.08.18 Mero Baze
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ajo që i ka ndodhur Shkëlzen Berishës me Gërdecin është dhe fatkeqësi personale. Nuk mund të themi se kur ai u nis të bashkëpunonte me Delijorgjin, kur trokiste në dyer ministrash e drejtorash për të kaluar VKM, kur detyronte ministrat t’i raportonin se e kaluan atë, duke ja çuar paralelisht me faks shkresën, apo kur përpiqej më pas të blinte me lekë dhimbjen e vdekjes në Gërdec, e bënte se donte t’i vriste ata.




Aksidentalisht i vrau, ai dhe partnerët e tij në biznes. 26 të vdekur, qindra të plagosur dhe miliona euro dëme, erdhën pë shkak të makutërisë për të përdorur pushtetin e babait për t’u bërë i pasur.

Pas masakrës, ai mund të kishte marrë rolin e viktimës, të shkonte para drejtësisë, të pranonte se krimi tij nuk ishte aq i rëndë, pasi vetëm lobim tek babai kishte bërë dhe mund ta kalonte me lehtë.

Nuk e bëri këtë, por të kundërtën, duke përdorur pushtetin e babait për të fshehur gjurmët e krimit.

Tani i ka dalë turpi dhe nga kjo që ka bërë. Dhe kësaj s’ke çfarë i bën.

Por unë nuk kam asnjë shpjegim përse ky njeri duhet të flasë kur ndodhin krime pasioni, psikopatie apo aksidenti, kur ndodhin vrasje makabre si ajo e Selenicës, apo vdekje si ato nga rrëzimi i një ure në Xhenova të Italisë.

Edhe pse janë shumë larg natyrës së vdekjeve nga korrupsioni që ka shkaktuar ai, sërisht, duke qenë vdekje, ai së paku duhet të ketë një ndjesi, që në këtë botë është në anën e atyre që kanë vrarë, dhe jo atyre që vriten. Si i tillë, duhet të kafshojë buzën dhe të mos dalë në qarkullim sa herë flitet për vrasje masive.

Por me sa duket, mosndëshkimi i një vrasje dhe krimeve në tërësi, krijon sociopatë të tillë, që kanë adhurim dhe kur krimet janë nga aksidenti, apo ndonjë psikopat, dhe kërkon që patjetër pasardhësi i babait të tij në pushtet, të ndjejë përgjegjësi për këtë.

I ka ngelur merak që shoqëria e ka kryqëzuar pushtetin e babait për krimet e të birit, dhe mendon se kështu është duke ja larë borxhin babait me atë dëm që i bëri.

Në këtë histori, më shumë se sa një profil psikiatrik për vrasësin e Selenicës, duhet të bëjmë një portret psikologjik për vrasësit e pushtetit të kaluar, që mendojnë se meqë ata u rrëzuan se vranë, e nuk u dënuan, dhe këta që janë në pushtet duhet të rrëzohen për vrasje, pamvarësisht se kush i bën.

Ideja se u larguan nga pushteti si vrasës, me sa duket u ka depërtuar thellë në inkoshiencën e tyre dhe zgjohet sa herë dëgjojnë se dikush vdiq apo e vranë, dhe drejtojnë gishtin nga kundërshtari i tyre me shpresë se do ketë dhe ai fatin e tyre.

Mund ta ketë, pasi dhe ai një ditë do të ikë nga pushteti. Por së paku, jo se ka vrarë. Më shumë mund të ikë, se vrasësit nuk po arrin t’i fusë atje ku e kanë vendin.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.