Kryesore

“Propaganduan komunizmin”, PD: Të vulosen veprat me ideologji. Toçi: Kush i siglon librat e Kadaresë e Agollit?

14:12 - 17.08.18 Fatmira Nikolli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Prej disa muajsh Partia Demokratike ka nisur punën për hartimin e një kuadri ligjor që i shërben sipas saj, dekomunistizimit të shoqërisë shqiptare.




Drafti i hartuar i është çuar për mendim nga pikëpamja historike dhe juridike Fondacionit gjerman “Conrad Adenuer”. Siç ka raportuar “Gazeta Shqiptare” që në maj të këtij viti një grup pune i përbërë nga Enkelejd Alibeaj, Erald Kapri e të tjerë, kanë bërë gati një dokument prej 12 faqesh që ka në fokus ndalimin me ligj të simboleve të diktaturës dhe portretet e ish-udhëheqësve të saj.

E krahas kësaj, ligji i hartuar me asistencën e CDU-së gjermane kërkon mes të tjerash edhe shfuqizimin e dekoratave, titujve që janë marrë gjatë kohës së diktaturës. Por në dokumentin që është ende draft dhe pret propozime e rishikime, mes të tjerash vihet në dukje edhe se duhet “të ndalohen të gjitha veprat intelektuale apo artistike, të cilat kanë propagandë komuniste, një ndër to do të jenë dhe filmat e shfaqur gjatë periudhës së diktaturës hoxhiste;
• Do të detyrohet Ministria e Arsimit që të rishikojë kurrikulën
• Të gjitha librat apo propaganda të publikohen nëpër muzetë, për çështje kërkimore shkencore, por jo për çështje publike, siç ndodh në ditët e sotme. Në rast se dikush tenton t’i përdorë, do të dënohet me gjobë.

Prej muajit maj, kur u bënë të ditura disa detaje të draftit, shumëçka mund të ndryshojë, por së fundmi, Enkelejd Alibeaj, nënkryetar i Grupit Parlamentar të PD ka bërë me dije se në lidhje me propagandën, Partia Demokratike synon të rregullojë me ligj edhe çështjet që kanë të bëjnë me artin e realizmit socialist.

“Biem dakord që arti në një dozë të madhe në atë kohë: libra, filma apo edhe mjete të tjera të propagandës të kamufluara më elementë artistikë ishin një nga elementët kryesorë, të cilët ndikuan në deformimin e formimit artistik apo edhe politik të shoqërisë komuniste në atë kohë. Madje unë besoj që është një nga mjetet më të rrezikshme, të cilat deformuan dhe deformojnë edhe sot mënyrën se si do të duhet njerëzit të jenë të qartë për të drejtat e tyre, për lirinë”, ka thënë Alibeaj për “Vizion Plus”.

Ajo që po përpiqet të bëjë Partia Demokratike është vendosja e një shënimi tek çdo film apo libër për të shpjeguar diktaturën komuniste, pa përjashtuar asnjë film apo libër përfshi edhe ata te një prej figurave më të rëndësishme të letërsisë sonë si Ismail Kadare.

“Mjetet që do të duhet të përdorim, siç është shoqëria e civilizuar sot, të mos e privojë individin për të marrë informacionin të cilin do, të cilin pëlqen, por duke i dhënë paralelisht në të njëjtën kohë informacionin tjetër atë real, atë të vërtetin, që në fund të fundit për çdo libër, qoftë edhe të Kadaresë, kur ta lexojë të mos dalë i mpirë në arsyetimin e vet për situatën apo për gjendjen që ka qenë, por të shohë edhe faqet e tjera të librit të pashkruar të Kadaresë, ato të cilat diktatura nuk ia lejonte të shkruante”- ka shtuar Alibeaj për “Vizion Plus”, që edhe pse i vetëdijshëm për debatin që hap një nismë e tillë Alibeaj beson se kjo është një zgjidhje e drejtë për shoqërinë.

Ndërkohë që PD pret ekspertizën e fondacionit gjerman “Conrad Andenuer”, drafti do të mbetet në zyrat e Kuvendit nëse opozita nuk siguron konsensusin dhe votat e shumicës për të miratuar këtë iniciativë.

Për propozimin e mësipërm “Gazeta Shqiptare” ka kërkuar mendimin e Agron Tufës nga Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit dhe Fatmir Toçit, ish-deputet e botues i “Toenës”. Më poshtë mendimet e tyre.

Agron Tufa: Veprat folje ndihmëse të diktaturës, i shërbyen lavazhit trunor e shpirtëror
Mendimi im universal është që çdo vepër e çdo zhanri qoftë, që në vend të detyrës artistike dhe edukimit estetik, ka përçuar propagandë totalitare, duke idilizuar e justifikuar sistemin shtypës komunist të Partisë-shtet, s’ka asnjë lidhje me artin dhe nuk duhet të shërbejë më në kurrikulat edukative shkollore universitare dhe as të shfaqet në publik, pa e arsyetuar qëllimin e shfaqjes apo të përfshirjes në programe.

Përjashtim bëjnë rastet e studimit të specializuar. Këto gjoja vepra e kanë kryer funksionin e tyre si folje ndihmëse të diktaturës, duke i shërbyer lavazhit trunor e shpirtëror. Ata kanë ndihmuar përmes heroit pozitiv zombifikimin e plotë të njeriut, formatimin e “njeriut të ri”, një mutant i verbër që njeh vetëm një të vërtetë: të vërtetën e propaganduar nga Partia komuniste dhe Enver Hoxha.

Këto vepra janë thjesht kufoma, që bartin rreziqe infektimi, përderisa asgjë artistike e estetike nuk gjen në to, që të mund të edukojë me kanunin e artit. Vini re, për këto “kufoma” të artit shqetësohen vetëm kreatorët e tyre, të cilët e kanë korrur lavdinë në kohën që i kanë krijuar. Tani jemi në një tjetër sistem vlerash shoqërore dhe kemi të tjera aspirata demokratike, të cilat bien ndesh me sistemin e vlerave që proklamonte realizmi socialist në ndihmë të partisë. Personalisht nuk më vjen keq nëse nuk u shihet boja këtyre veprave shëmtaqe e monstruoze dhe ndjej lehtësim, sikur lehtësohesh nga pastrimi i territorit prej plehrave toksike e radioaktive.
Kush të dëshirojë, le të komunikojë sa të pëlcasë me to, por kurrsesi nuk duhen lejuar të përfshihen në platforma, programe apo kurrikula edukimi.

Fatmir Toçi: Më duket një nismë për të bërë një listë censure mbi censurën
Më duket një nismë për të bërë një listë censure mbi censurën. Domethënë në plot kuptimin e fjalës. Unë kam një pyetje: për të bërë shënime te librat që janë shkruajtur në kohën e diktaturës, kush do të jetë? Kush do të jetë ky që do bëjë shënime në librat e Ismail Kadaresë, Dritëro Agollit, të një plejade shkrimtarësh, artistësh, kineastësh, aktorësh që në fund të fundit edhe pse në diktaturë i kanë dhënë vlera të jashtëzakonshme dhe kanë historinë e artit brenda tyre. Siç ka pasur sisteme antinjerëzore, antidemokratike ku arti ka lulëzuar përmes këtij sistemi. Kush do e bëjë shenjimin? Do e bëjë Partia Demokratike apo njerëz të caktuar nga Partia Demokratike të censurojnë dhe të shkruajnë mbi librat e këtyre njerëzve me të cilët sot krenohemi edhe pse kanë ngelur pak?

Ata vunë themelin e gjithë kulturës sonë identitare e kombëtare. Kjo është një marrëzi, një marrëzi politike, edhe për një arsye tjetër madhore. Sot ka kaluar një brez, nga diktatura e deri sot. 25 vjet është një brez dhe nga viti ’90 deri sot ka kaluar një brez. Gjysma e popullsisë është shkolluar jashtë, sepse jeton jashtë. Ndërkohë mentaliteti edhe në Shqipëri ka ndryshuar sepse ne jemi, në mes të Evropës dhe nën ndikimin e tyre. Ndërkaq, të gjithë njerëzit janë me një celular në dorë dhe me internet në dorë, një dritare prej së cilës shohin gjithë botën, të keqen dhe të mirën.

Ç’kuptim ka kjo tani, të vësh shënime nëpër librat e tyre? Ky qenka problemi më i madh që ka Partia Demokratike sot? E para, kjo. E dyta, që është më e rëndësishme se kjo, ka një rrugë tjetër që duhet ndjekur edhe nëse ka akoma elementë që janë në ndikimin e diktaturës, gjë që në jetën e sotme demokratike dhe normale e politike, unë nuk e shoh kaq të rrezikshme, siç po pretendojnë ata që po ndërmarrin këtë nismë. Shoh probleme më të mëdha që mund të ndikojnë edhe në mbështetjen e kulturës sonë kombëtare që për hir të së vërtetës është lënë në harresë edhe në kohën që unë isha në parlament dhe nuk po bëjë aspak politikë për këtë.
Po i them me gjëra konkrete që kanë të bëjnë me ligjin e artit dhe kulturës, me ligjin për librin dhe e ligjin për pakësimin e librit, dhe të veprimtarisë kulturore e artistike në Shqipëri apo të krijimtarisë së mirëfilltë që është i vetmi element që ka të bëjë me identitetin tonë kombëtar në të cilin mund të konkurrojmë, të krahasohemi, të ballafaqohemi me kulturat e shoqëritë të vendeve të tjera europiane. Ka ligje akoma edhe sot që ata që krijojnë tatohen më shumë se ata që bëjnë tregti nëpër rrugë. Nga 10 % që ishte tatimi i atyre njerëzve me pasion sot është 15%. A mundeni ne nga e gjithë bota politike t’i mbështesim ata që krijojnë e ata që na bëjnë krenar që jemi shqiptar, për elementet e identitetit të jenë të çliruar?

Sot kemi 61 njësi vendore që janë bashki e 30% e tyre nuk kanë as ndërtesa të bibliotekave bashkiake. Edhe ata që i kanë ato ndërtesa kanë të paktën 20 vjet që nuk blejnë asnjë libër për të pasuruar bibliotekën e tyre. Këta njerëz që kanë probleme ekonomike e që duan të kulturohen, ku do i marrin librat? Ku do t’i gjejnë librat kur nuk ka politika të tilla kulturore? Domethënë mua ky më duket një ligj absurd, hajde të bëjmë zhurmë për një gjë që po i hyjmë e nuk dimë fare se ku do dalë e si do dalë. Për çfarë arsye duhet bërë kjo? Ku është shqetësimi sot?
Cilat probleme ka vendi sot të zhvillimit, ekonomike integrimit, rritjes së mirëqenies, dhe çfarë problemesh po ngremë neve. Po bëhet një zhurmë që nuk ka për t’i shërbyer asnjeriu.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. E shikon, Agron, ata, “specialistet”, te vene ty perballe nje jo-shkrimtari!

    Ai, deputeti/botuesi ne konflikt ineteresi, kundershton projekt-Ligjin duke te perballur ty me shkrimtaret e toleruar prej qendrimeve kulturore gjoja demokratike te pas 1992-it.

    C’domethene ky qendrim i PD-se, kur ajo nuk shpall rishikimin e qendrimeve, nese nuk kerkon dot falje per ate qe s’beri?!

    Përgjigju ↓