Kryesore

Këngët ‘hit’ të verës dhe gegërishtja

07:00 - 18.08.18 Dr. Elsa Rakipllari
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Pushimet verore, ëndërr thuajse sentimentale e njëmbëdhjetë a më tepër muajve. Ne pushuam në Jug të Shqipërisë dhe fjalët kyçe të këtyre pushimeve, pak a shumë të pandryshueshme nga vitet e tjera, qenë diell, det, çlodhje, romane dhe muzikë, muzikë më së shumti me zë në kupë të qiellit. Nëse romanet për nënçadër ti i zgjedh sipas kritereve të tua për letërsinë e mirë, muzika të imponohet me këmbëngulje në plazh, në bar, në restorant e në radio ajo thuajse të përndjek. Llojet e këngëve që dëgjon (me hir a me pahir) në plazh janë të dy kategorive hitet botërore dhe hitet shqiptare të verës.




Tani të gjithë ata që mëtojnë se kanë shije të përkora estetike e muzikore, mund të ngrenë madje edhe pretendimin se nuk mund të bëhet fjalë për hite shqiptare. Por, për hir të konvencionit, le t’i quajmë hite ato këngë të cilat janë të klikuara me miliona herë në “youtube” dhe që në cilindo ambient veror apo festiv të ndodhesh i dëgjon të luajtura dendurazi. Kur vjen fjala te klikimet mbizotërojnë këngët me ritme tallava (kjo për të përkorët duket thuajse si fjalë e pistë), latine, rrep etj. Çfarë duket të jetë çelësi i suksesit, është që kënga të jetë e kërcyeshme dhe t’i përmbushë pritshmëritë e qejfpangopurve për tundje e shkundje ritmike, t’i rrijë mirë efemerizmit të verës.Po tekstet e këtyre këngëve si janë?

Këtu shijemirët e shijeepërmit zënë e shkulin flokët. Të kuptohemi, tekstet ndonjëherë janë aq bjerraditëse e pataksëse, sa kjo lloj muzike zor se mund të konsumohet me dëshirë të plotë prej njerëzve, të cilët nuk e bluajnë dot “kitschin”. Tekstet e këngëve hit janë tipikisht të shkurtra, me një leksik fjalëngushtë; një grusht fjalësh shfaqen e rishfaqen gjithandej. Kush kërkon në këto këngë thellësi mendimi, ndjenje apo botëkuptim të epërm rreket më kot. Ata që i qeshin këto këngë pse janë aq të varfra e pa botë, apo që “kërkojnë llogari” pse këto këngë janë aq vanitoze, i ngrenë pritshmëritë e tyre mbi një terren të rrëshqitshëm, sepse nuk mund ta kërkosh elitarizmin te arti masiv.

Këngët hit janë për t’u kërcyer , jo detyrimisht për të ushqyer a kequshqyer shpirtrat e atyre që i dëgjojnë. Është më tepër se ç’duhet moraliste, të pohosh se këngët e pamira, të bëjnë aty për aty njeri të mbrapshtë apo sipërfaqësor. Nëse sheh të rinjtë e të rejat që shullëhen në çadrat pranë, e kupton që këngët hit që çajnë kupën e qiellit për ta janë dëfryese dhe i këndojnë e ua ndjekin ritmet hareshëm. Këto këngë janë aq arriviste e të ngjitshme, sa mund ta zësh veten në flagrancë duke i kënduar a çuçuritur fare anamendas. Ky është edhe qëllimi i teksteve të tyre, të ngjisin si zamkë pa e sfiduar mbamendjen.Një karakteristikë gjuhësore mjaft spikatëse e këngëve hit të këtyre viteve të fundit, është se në tekstet e tyre mbizotëron varieteti gjuhësor i gegërishtes. Arsyet për këtë prani të gegërishtes në këngët më të pëlqyera të kohës mund të jenë të shumta, ndaj vështirë të thuhet se cilat qëndrojnë me tepër e cilat më pak. Disa mund të thonë se gegërishtja përdoret më tepër në tekste këngësh, sepse këngëtarët nga veriu apo nga Kosova janë më të shumtë. Argumenti mund të qëndrojë, por ja tek e keni Elvana Gjatën (“Ai s’din sa du/Me kë rrin’ me ditë sa du/ Ku je tash me ditë sa du / Si ndalum ditët ikën/ Asnjëherë me nuk u lidhëm”) a Flori Mumajesin (“Me t’pas ty ngat/ Un fluturoj edhe ma nalt”), të cilët e zotërojnë fare mirë shqipen standarde, por prapëseprapë kanë tekste këngësh plot me folje në paskajore apo me leksema që u përkasin të folmeve të gegërishtes. Një tjetër argument ekstralinguistik për këtë prani të theksuar të elementit gjuhësor geg në tekstet e këngëve më në zë të kohës lidhet me audiencën,  e cila numerikisht mund të ketë më tepër folës të gegërishtes. Por ja që në Tiranën e letrarishtes, në Vlorë dhe në Himarë, këngët hit dëgjohen e këndohen edhe nga toskërishtfolësit.

Arsye të tjera që mund të përligjin përdorimin e varietetit gjuhësor të veriut janë të natyrës pragmastilistike. Gegërishtja, si varietet më pak i lëvruar, veçanërisht gjatë komunizmit, me gjasë stilizohet dhe i vyen më tepër karakterit intim që priren të kenë këngët. Ngjashëm, vihet re shpesh te poetët e rinj kur mëtojnë të lëvrojnë zhanrin e poezisë, përdorimi i gegërishtes edhe kur ata nuk janë nga veriu. Muzikaliteti i këtij varieteti, kumbimi, të tingëlluarit ndryshe përmes fjalësh më pak të njohura, apo mundësia për të operuar me rima më pak të roitura se ato të gjuhës standarde, mund të jenë arsye të tjera për këtë lloj parapëlqimi gjuhësor për lëndinën e harruar të gegërishtes.Kostumi i autoritetit të fundmë që i hedh poshtë apo i përqafon një herë e mirë si të drejta këto argumente, veç një njeriu të vetëm do t’i rrinte ngushtë.

Unë nuk marr përsipër ta mbaj një kostum që nuk rri mirë, megjithatë një gjë është e sigurtë: I duhet qëndruar larg si dreqit, ndonjë pohimi djallëzor, se gegërishtja mund t’i përmbushë më mirë nevojat e këtij lloji periferik të artit. Kjo logjikë stigmatizuese ndaj gegërishtes nuk shpie asgjëkundi, përveçse ilustron raste fatkeqe të urrejtjes patologjike ndaj saj, sepse gegërishtja mund t’ia dalë e ia ka dalë për periudha të caktuara të jetë edhe gjuhë e e artit të mirëfilltë, e literaturës dhe botimeve botimeve dhe e shtetit. Në rrjedhë të historisë folësit e varieteteve larg standardit, përfshirë folësit e gegërishtes janë stigmatizuar dhe gjuha e tyre është konsideruar si periferike, e parëndësishme, “e trashë” (?!), rrjedhimisht sferat e përdorimit publik të këtyre varieteteve kanë qenë tepër të cunguara, ndonëse këto varietete gjuhësore janë po kaq shqip sa ndonjë tjetër.

Të gjitha të folmet, nëndialektet e dialektet i përkasin vetvetishëm truallit të kadifenjtë të shqipes. Sa për këngët hit, na pëlqejnë ose jo, ato po luajnë rol në rijetësimin e të folmeve të gegërishtes në të folmet e zonave urbane si në veri ashtu edhe në jug, duke u dhënë atyre një lloj prestigji sa i takon përdorimit. Tekstet e këngëve hit sado modeste për nga gjatësia apo kumtet, nxisin përdorimin në ligjërim të formave të caktuara gjuhësore që janë tipike për gegërishten dhe e kanë bërë atë të pranishme për folësit, që mund të mos kenë pasur mundësi kontakti të drejtpërdrejtë me të.

Me lehtësinë e tyre të papërballueshme, këto këngë masovike mund edhe të ndikojnë në sheshimin e ndryshimeve mes varieteve gjuhësore të shqipes, por mbi të gjitha të zhbëjnë mitin urban se një tosk nuk e merr dot vesh një geg, një tekst kënge në gegërisht a një poemë në gegërisht!Peizazhi i gjuhësor i shqipes po rikonfigurohet falë jo vetëm lëvizjeve demografike, por edhe falë prurjeve të mëdha që sjellin në ligjërim mediat e reja. Edhe sot, si dje gjuha shqipe është shumë më tepër se fjalët e Fjalorit shqip-shqip, shumë më e gjerë se norma e  standardit e shumë më dinamike se rregullat e teksteve të gramatikës. Fytyra e vërtetë e shqipes së sotme mund të kundrohet në përdorim, ku gjëllin jo siç urdhërojnë politikat gjuhësore hera-herës të njëanshme, por siç e përdorin, flasin a këndojnë folësit, përfshirë edhe ata që shijojnë pushimet në plazhe nga Veriu në Jug.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.