Kryesore

Vulosja e librave që u shkruan në diktaturë, Ymeri: Është lloj censure

16:40 - 18.08.18 Fatmira Nikolli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Shënjimi, siglimi, apo vulosja e veprave të artit të krijuara në diktaturë si për të thënë se ato përçojnë propagandën e kohës, nuk bën asgjë më shumë se të na kthejë në kohën e diktatit, dacibaove dhe dhunës.




Për botuesin e “Diturisë”, Petrit Ymeri, dekomunistizimi në këtë formë, me komisione, ligje e akte nënligjore veçse imiton të shkuarën duke dashur të zbehë ndikimin e saj në shoqërinë e ditëve tona.

“Mendoj se gjithsesi kjo mund të japë efekt të kundërt. Duke i vënë ‘etiketa’ do fillojnë të kërkohen e të lexohen më shumë librat me ‘pullë’. Nuk jam për këto forma, sepse gjykoj që kjo është një lloj diktature e re, do të thosha; është në një farë mënyre si ta dënosh veprën artistike, ta dënosh veprën letrare me të tilla forma”, thotë Ymeri në një prononcim të kërkuar nga “Gazeta Shqiptare” për çështjen.

Prej muajsh Partia Demokratike ka hartuar një draft-ligj që ka të bëjë ndalimin e simboleve komuniste kryesisht. Drafti i hartuar i është çuar për mendim nga pikëpamja historike dhe juridike Fondacionit gjerman “Conrad Adenuer”. Siç ka raportuar “Gazeta Shqiptare” që në maj të këtij viti, një grup pune i përbërë nga Enkelejd Alibeaj, Erald Kapri e të tjerë kanë bërë gati një dokument prej 12 faqesh, që ka në fokus ndalimin me ligj të simboleve të diktaturës dhe portretet e ish-udhëheqësve të saj.

Së fundmi, Enkelejd Alibeaj, nënkryetar i grupit parlamentar të PD ka bërë me dije se në lidhje me propagandën, Partia Demokratike synon të rregullojë me ligj edhe çështjet që kanë të bëjnë me artin e realizmit socialist. Në dokumentin që është ende draft dhe pret propozime e rishikime, mes të tjerash vihet në dukje edhe se duhet “të ndalohen të gjitha veprat intelektuale apo artistike, të cilat kanë propagandë komuniste, një ndër to do të jenë dhe filmat e shfaqur gjatë periudhës së diktaturës hoxhiste.

Do të detyrohet Ministria e Arsimit që të rishikojë kurrikulën.

Të gjitha librat apo propaganda të publikohen nëpër muzetë, për çështje kërkimore shkencore, por jo për çështje publike, siç ndodh në ditët e sotme. Në rast se dikush tenton t’i përdorë, do të dënohet me gjobë.

Ajo që po përpiqet të bëjë Partia Demokratike është vendosja e një shënimi tek çdo film apo libër për të shpjeguar diktaturën komuniste, pa përjashtuar asnjë film apo libër.

Propozimi i PD për dekomunistizimin, botuesi: Lexuesit nuk janë injorantë
Duke e ndjekur këtë diskutim, mendimi i parë që më erdhi ishte se politika kërkon të tërheqë vëmendjen e publikut me probleme, që, sipas meje, nuk i interesojnë një publiku të gjerë, përballë atyre tejet më të rëndësishme me të cilat përballemi të gjithë. I tillë është edhe ky që hidhet në diskutim, pra përballja me dekomunistizimin e artit apo të letërsisë. Po jap një mendim për aq sa kam dëgjuar, sepse ende nuk kemi parë një propozim të shkruar, konkret, por më shumë janë opinione që vijnë nëpërmjet shtypit, ndonjëherë edhe të transformuara.

Gjithsesi, për aq sa jam informuar, këto kërkesa për etiketa apo për guida shpjeguese që propozohen t’u vihen librave a filmave, më duken paralele me ato muzetë qesharakë, që janë bërë në Tiranë a gjetkë, me bunkerë me gjethe apo pa gjethe. Të gjithë krahët e politikës përpiqen të tërheqin vëmendjen e publikut me flamurin e dekomunistizimit, a thua se çdo gjë tjetër na vete vaj.

Mendimi im është që të mos i trajtojmë lexuesit apo spektatorët si injorantë apo budallenj, por t’i lemë të lirë të mendojnë e të vlerësojnë, ta lëmë rininë të gjykojë vetë, sepse besoj që për rininë bëhet fjalë në radhë të parë.
Të rinjtë janë vërtet të rinj, por nuk janë njerëz me kufizime mendore. Ata jetojnë në shoqëri dhe kanë të gjitha mundësitë të diskutojnë. Në përvojën time si botues, kam hasur plot të rinj të aftë për lexime inteligjente të romaneve dhe letërsisë. Vlerësimet e këtij lloji nuk bëhen me urdhëresa, nuk bëhen me ligje. Ka institute e OJF-ra që duhet të merren me këtë punë. Mund të organizohen debate kulturore, le të bëhen diskutime, por në asnjë mënyrë duke u vënë etiketa librave, duke u vënë etiketa filmave, lere sikur dikujt t’i shkojë ndër mend të propozojë që t’i pajisim edhe me ndonjë fletëpalosje shpjeguese!

Për mendimin tim këto nuk janë normale, sikurse edhe kompleksi i inferioritetit i komisionerëve politikë, që për të certifikuar diçka, për t’i dhënë besueshmëri, thonë që po ia dërgojnë një fondacioni a institucioni të huaj, po ia çojnë filan komisioni jashtë, ia çojnë Brukselit a Venecias (dhe më pas i bëjnë siç i duan vetë!).

Këto janë gjëra që mund të diskutohen edhe me partnerë të huaj, nuk është problem, por nuk është argument bindës të themi që “e kemi diskutuar edhe me të huajt!”.

Vetëm me debate të qeta kulturore e historike mund të vlerësohen veprat artistike, por jo duke i ‘titruar’ veprat politikisht. Pa folur pastaj që kjo mund të japë efekt të kundërt. Duke i vënë ‘etiketa’ ndofta do fillojnë të kërkohen e të lexohen më shumë librat me “pullë”. Nuk jam për këto forma, sepse gjykoj që kjo është një lloj censure; në një farë mënyre është si ta dënosh veprën artistike, ta dënosh veprën letrare me të tilla forma. Mendoj se lexuesi është në gjendje të orientohet kur e lexon një vepër dhe arrin të kuptojë edhe veprën letrare apo artistike, por edhe të vendosur në kohë. Historia e kulturës dhe e letërsisë botërore ka me mijëra shembuj të tillë të veprave artistike që përcjellin mendime a ide që nuk kanë përkuar me ato të periudhave të mëpastajme, por nuk janë shoqëruar me pulla apo etiketa. Duhet kuptuar dhe duhet thënë se çdo vepër letrare apo edhe personazh i veprës, mban vulën e kohës kur u shkrua, pasqyron dhe reflekton një periudhë të caktuar. Edhe kjo përbën një vlerë. Vetëm autori mund ta ndryshojë veprën e tij, letrare apo artistike. Askush nuk e ndalon, ndërkaq, institucionin botues apo të shfaqjes artistike, të vërë shënimin “idetë e librit/ filmit/shfaqjes teatrale etj. janë të autorit përkatës”.

Unë nuk jam njohës i praktikave të huaja për raste të ngjashme. Çdo vend mendoj që ka përvojat e veta, zgjidhjet e veta. Por mendoj se këto nuk janë punë e komisioneve politike. Nuk mund t’i ndryshojnë komisionet politike apo t’i orientojnë veprat artistike. Nëse i ndryshojnë komisionet, atëherë kthehemi në praktikat e dhunës, të censurës, nëpërmjet akteve ligjore a nënligjore. Ta lëmë mendimin e lirë, opinionin e lirë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.