Kryesore

Në Ulqin nuk ka më librari

11:40 - 19.08.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në Ulqinin e bukur, që përmbytet turistikisht nga shqiptarë, malazezë, kosovarë dhe serbë, tashmë s’ka më librari dhe kjo është një betejë e dytë e humbur me librin. Beteja e parë është pengesat që i bëhen librit nga zyrtarët e rajonit sa i përket infrastrukturës së botimit. Mbase për këtë duhet të flasin mesvete zyrtarët dhe jo fjalët klishe që thonë në çdo inaugurim…




Ben ANDONI – Për çdo vit, në këtë kohë, qyteti i Ulqinit organizon Panairin e Librit. Në fakt, aktiviteti që i jep jetë kulturore këtij qyteti që prej vitit 2001, këtë vit mbajti si organizatore botuesen Irena Toçi dhe përfshiu botues nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, e Maqedonia. Qëllimi merret lehtë me
mënd. Në këtë periudhë të vitit qyteti shumëfishohet dhe është e lehtë që botuesit të përcjellin prodhimet e tyre por edhe të shkëmbejnë shumë gjëra mesvete.

Sipas një tradite të mirë, që po krijohet dhe nga grishja natyrale turistike ofruar prej qytetit të Ulqinit, këtu mbërrijnë shumë botues të njohur, të cilët në mënyrë konstante e frekuentojnë si panairin, ashtu edhe qytetin e Ulqinit. Ndodh shpesh që në këtë aktivitet mbërrijnë autoritetet më të larta të Malit të Zi, Shqipërisë, Kosovës të fushës së kulturës dhe jo vetëm.

Megjithatë larg të gjithave dhe përpjekjeve që bën kjo strukturë e panairit dhe fjalët e mira për ta, një shqetësim i madh qëndron në komunitetin kulturor të qytetit. Ulqini nuk ka më librari! Ajo e fundit që drejtohej nga Gazmend Çitaku, një veprimtar i mirë i shqipes, përkthyes dhe krijues nuk mundi të mbijetojë ngarkesës së peshës së madhe të biznesit.

“E ka mbajtur me të gjitha mundimet dhe me sakrifica të panumërta”, të kujton Jovan Nikoiladis,
shkrimtar malazias, përkthyes dhe në shqip.

Por, dashamirësia dhe përpjekja e këtij njeriu nuk ka mjaftuar sepse megjithëse për Ulqinin bëhet shumë në çdo gusht, kultura e edukimit me librin është një handikap i madh, që lidhet me pushtetin lokal dhe atë qendror. Libri, megjithë fjalët e mira të zyrtarëve shqiptarë dhe malazias, po humb publikun, që nuk lexon më dhe që derën e librarisë e ka shumë të largët. Nuk mund ta përgjithësojmë këtë me rastin e Malit të Zi, sepse në qytete të tjera gjithsesi ekzistojnë librari, porse mund të bëjmë paralele me Shqipërinë.

Kujtojmë se Durrësi, një nga qytetet kryesore në vend nuk ka librari, ashtu si edhe Korça, kurse libraritë e vogla të lagjeve pothuajse e kanë humbur qasjen me publikun. Njerëzit e kanë braktisur librin, ashtu si po zbrazin për ditë dhe kulturën për t’iu turrur vetëm dukjes dhe pushtetit të rrjeteve sociale. Megjithatë,
në Ulqinin e bukur, që përmbytet turistikisht nga shqiptarë, malazezë, kosovarë dhe serbë, tashmë s’ka më librari dhe kjo është një betejë e dytë e humbur me librin.

Beteja e parë është pengesat që i bëhen librit nga zyrtarët e rajonit sa i përket infrastrukturës së botimit. Mbase për këtë duhet të flasin mesvete zyrtarët dhe jo fjalët klishe që thonë në çdo inaugurim.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Prsh, me gjithe respektin per shkrimin, deshem te saktesojme se ne Durres vetem Librari Dyrrahu ka 5 pika shitje ne zona te ndryshme te qytetit. Shihni ne Instagram psh. Flm dhe pune te mbare.

    Përgjigju ↓