OPINION

Kryemodel i sjelljes politike

09:24 - 20.08.18 Dr. Jorgji Kote
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Disa nga tiparet e kësaj sjelljeje politike u panë qartë dhe të shtunën e kaluar në Berlin në takimin Merkel-Putin. Larg ankesave, akuzave, deklarimeve dhe fishekzjarrëve propagandistike, me mirësjelljen e duhur diplomatike dhe pragmatizmin për zgjidhjen e problemeve, Merkel deklaroi se ndonëse nuk pritej ndonjë gjë e veçantë, ai takim ishte mjaft i rëndësishëm.




Po ashtu, në përfundim, pa atë mediatizimin e zhurmshëm ajo njoftoi se bashkë me Putin kishin përcaktuar hapa dhe etapa konkrete për trajtimin e menjëhershëm në nivelet përkatëse dy dhe shumëpalëshe të problematikës shpërthyese ndërkombëtare, ku Gjermania dhe Rusia kanë roli të veçantë.

Në fakt, shumë analiza dhe studime mbi lidershipin e konsiderojnë sjelljen e veçantë politike një nga «sekretet» e suksesit dhe jetëgjatësisë politike të Kancelares Merkel. Edhe pse gjatë tre viteve të fundit jo pak gazetarë, analistë dhe ekspertë të ndryshëm politikë kanë paralajmëruar fundin politik të Merkel, gruaja më e fuqishme e botës vijon vitin e 13 të kancelarisë.

Ia ka kaluar dhe Thatcherit për nga jetëgjatësia si shefe qeverie dhe pritet të thyejë rekordin e paraardhësit të saj legjendar Helmut Kohl. Krahas themeluesit të Gjermanisë moderne Konrad Adenauer dhe «Babait» të Gjermanisë dhe Evropës së ribashkuar Helmut Kohl Merkel është liderja më jetëgjatë e CDU-së, Partisë Kristian Demokrate Gjermane me 19 vjet në krye të saj.

E kjo jo vetëm nga ana sasiore, por dhe cilësore; sidomos lidhur me lidershipin e guximshëm që ka treguar në kapërcimin e 10 krizave serioze ndërkombëtare me emra drithërues bankare/financiare, falimenti grek dhe italian, azili, terrorizmi ndërkombëtar, etj.

Kur filloi karrierën politike më 1990 si ministre mjedisi, vështirë që Merkel ta kishte menduar se do të bëhej Kancelare dhe mbrojtëse e madhe e Europës; deri sa në zgjedhjet e parakohshme në shtator 2005 nxori jashtë loje Kancelarin karizmatik Gerhard Shrõder; me vonë Merkel mposhti në «fairplay» politik emra të tjerë tingëllues social-demokratë – Presidentin e tanishëm Walter Frank Steinmeier, pastaj Peer Steinbrück dhe vitin e kaluar ish-presidentin e Parlamentit Evropian, Martin Schulz.

Por dhe « burra » të tjerë politikë të vetë CDU-së, ku politikanet gra filluan të zënë vend shumë më të madh se më parë, kur « numëroheshin me gishta ». Në fakt, sjellja politike « Merkel » shkon shumë më thellë dhe më larg se manierat e jashtme, look-u, veshja dhe aksesorët, kortezia dhe rigoroziteti ndaj kodeve etike dhe protokollare.

Ajo nuk kufizohet vetëm në raste të tilla të spikatura si të nesërmen e largimit të liberalëve dhe socialdemokratëve nga bisedimet për krijimin e koalicionit të ri, sapo hyri në Bundestag Merkeli shkoi te liderët e tyre në sallë dhe i përshëndeti ngrohtësisht, natyrisht dhe me keqardhjen e rastit, këtë të fundit kryesisht me « gjuhën e trupit». As dhe vetëm në vlerësimin dhe nderimin e saj të vazhdueshëm e jo thjesht ceremonial për politikanët kundërshtarë të tanishëm dhe ata paraardhës.

Ky kryemodel i sjelljes politike buron mbi të gjitha nga integriteti i saj absolut politik dhe qytetar. Në 30 vite të lidershipit të saj politik, jo vetëm nuk ka asnjë rast të vetëm skandalesh dhe aferash, por as aludime dhe dyshimet më të vogla për raste korrupsioni, shpërdorimi të postit etj.

Kjo sjellje politike mbështetet mbi të gjitha në frymën dhe vokacionin e theksuar evropian të Merkel, si busull e përhershme politike; në tolerancën, kompromisin, mirëkuptimin, besimin dhe zgjidhjen me durim dhe hap pas hapi të problemeve.

Ashtu si pohojnë vëzhgues të ndryshëm politikë, profesioni si fizikante ka ndikuar te Merkel për të mbrujtur karakterin dhe personalitetin e saj me disiplinën, saktësinë, durimin, gjakftohtësinë, dhe qetësinë që të jep kjo shkencë.

Gjithashtu, në debutimin e saj politik, Merkel e kuptoi shpejt se ligjërimi publik, polemikat dhe debatet e forta nuk ishin siç thuhet në Gjermani “elementi apo pika e fortë e saj”. Me gjithë fitoret e shumta politike dhe zgjedhore, Merkel nuk e njeh triumfalizmin politik, arrogancën, mendjemadhësinë apo maninë për t’u dukur e për të pranuar elozhe; ajo i ka zëvendësuar ato me urtësinë, përmbajtjen, mençurinë, finesën dhe modestinë politike. Kjo shpjegon suksesin e saj në drejtimin e koalicionit qeveritar për një mandat me liberalët e FDP-së dhe për dy mandate radhazi me kundërshtarët tradicionalë social – demokratë, me të cilët tani qeveris për herë të tretë.

 

Si përfaqësuese e një shkolle të re politike, Merkel dallohet qartazi nga gjuha tejet e kujdesshme, rrjedhojë e një logjike racionale, pozitiviteti, etike, respekti dhe bashkëpunimi me aleatët dhe kundërshtarët politikë e deri te vëmendja ndaj halleve të përditshme të njerëzve dhe lidhjet e natyrshme me ta.

Fjalori i saj i thjeshtë politik është përherë i përmbajtur, i zgjedhur me kujdes, pa epitete, insinuata, ironi e ca më pak sarkazëm, pa lëndime dhe sulme politike e ca më pak personale ndaj askujt, sidomos ndaj kundërshtarit politik, gjerman apo të huaj; dhe kur ata nuk kanë të drejtë morale apo sado të « krisur e të këqij » qofshin; kërko në jetën e saj të gjatë politike dhe nuk gjen asnjë rast të vetëm sado të vogël të kësaj natyre!

Ja pse dhe në intervistën e saj televizive në prag të pushimeve verore më 20 Korrik, Merkel u shpreh kundër « erozionit të gjuhës, e cila shpreh mendimin dhe kësisoj shkohet drejt dështimit ose veprimit efikas; sipas saj, është ky i fundit që duhet të « sundojë » dhe jo gjuha sulmuese. Kjo u pa qartë muajin e kaluar gjatë situatës absurde kaotike që krijoi «simotra» bavareze e CSUsë dhe lideri i saj, ministri i Brendshëm Federal Horst Seehofer me mesazhe populiste dhe ultimatume të papara në politikën gjermane; por, Merkel iu përgjigj vetëm me pohime pozitive dhe kryesisht me demarshe dhe hapa politikë/ diplomatikë; brenda një jave, ajo organizoi dy samite të BE-së, takoi homologët e saj kryesorë deri te kompromisi shpëtimtar lidhur me krizën e azilit për të cilën kemi shkruar më parë dhe doli politikisht e fituar.

Ndërsa tri javë më parë, në kulmin e polemikave të ashpra politike dhe mediatike pas dorëheqjes nga Kombëtarja gjermane, Merkel i doli hapur në mbrojtje Mesut Õzil, Kampionit të Botës në futboll, gjermanit me origjinë turke; madje e vlerësoi atë si shembull të integrimit të suksesshëm; duke respektuar vendimin e tij, Kancelarja dhe njëherë «uli ndjeshëm gjakrat» si në Gjermani ashtu dhe në Turqi.

Këtë sjellje politike Merkel e rrezaton dhe gjatë interpelancave në Bundestagun gjerman, te dëgjon e qetë kritika dhe sulme të ashpra; i shoqëron ato hera herës me një buzëqeshje të lehtë, por pa asnjë ndërhyrje; vetëm në fund të interpelancës, pa përmendur emrin e folësit por vetëm temën apo kritikën përkatëse, ajo jep përgjigjet e veta me shpjegimet e rastit. Pa përdorur asnjëherë fraza mohuese apo përçmuese ndaj askujt, por me finesë, qetësi dhe elegancë pohon vizionet dhe alternativat e saj të ndryshme ose të kundërta.

Modestinë, thjeshtësinë, natyrshmërinë dhe përulësinë karakteristike Merkel i shfaq dhe me median dhe shtypin, në intervistat dhe bisedat me ta, larg megalomanisë, gjuhës së drunjtë, arrogancës, insinuatave dhe epiteteve të papranueshme ndaj medias, madje dhe kur kjo e fundit «ia bën borxh».

Po të mos e njohësh në daljet gjithsesi tejet të kursyera televizive dhe mediatike, me vështirësi e dallon se përballë gazetarit është Kancelarja emblematike e shtetit më të fuqishëm europian.

Kancelaria e saj e suksesshme 13-vjeçare, bashkë me, pse jo, dritë- hijet e veta dhe erozionin zgjedhor tregon se shumica e elektoratit gjerman ka ende nevojë për një lidere të tillë, jo të zhurmshme, me bujë dhe megalomane, jo të batutave dhe e spektakleve boshe mediatike, por «me këmbë në tokë».

Duke parë këtë dhe shumë cilësi të tjera rrezatuese të lidershipit Merkel, shumë ekspertë dhe analistë të huaj tani pohojnë se nuk është çudi që «Nëna e Gjermanisë» siç e konsiderojnë, një ditë jo të largët të bëhet dhe Nëna Politike e Europës së re.

Ndaj, sjellja politike «Merkel» mbetet alternativë bindëse në realitetet e sotme sfiduese gjermane dhe ndërkombëtare dhe pengesë madhore për forcat populiste dhe ekstremiste në Europë dhe më gjerë.

Së fundi, prej kësaj sjelljeje politike mund të mësojnë shumë edhe politikanët tanë, që pa mohuar shembujt dhe rastet pozitive kanë jo pak deficite në këtë fushë. Për më tepër, të mësosh nga kjo sjellje politike nuk kërkon kushte, kritere, rregulla, projekte, fonde, negociata, por vetëm predispozicion, frymë dhe përgjegjësi politike/ qytetare ndaj publikut. Për më tepër, kur kjo sjellje politike është e rëndësishme për Gjermaninë, ajo është një « Muss » pra domosdoshmëri dhe për politikanët tanë të çdo niveli.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.